Mbi mungesën e monopolit të dhunës

Pavjo Gjini | 03.07.2026 | nyje.al 

Protesta e Flamingove, 22 Qershor, Antonio Muco/Nyje.al
Protesta e Flamingove, 22 Qershor, Antonio Muco/Nyje.al

Masat dhe lëvizjet shoqërore mendojnë dhe artikulohen tepër mirë, madje aq shumë e mirë sa për herë të parë pas 13 vitesh, ligjërimin politik brenda dhe jashtë vendit për Shqipërinë nuk e sundon Edi Rama. Fakti që shohim tepër shumë artikulime, organizime dhe angazhime është shenjë e një demokratizimi që nuk mund të monopolizohet e kapet nga një subjekt i vetëm. Kjo është arsye për t’u gëzuar. Ajo pjesë e jona që shqetësohet nga ky masivitet demokratik shqetësohet ngase jemi rehatuar tepër me format oligarkike që kapin ekonominë, politikën, ligjërimin. Kjo lëvizje shoqërore në protestë po nxjerr në pah aq shumë gjëra, sa PS-ja e ka humbur davanë në ligjërim publik.

Një nga çështjet kyçe është: protestat janë për ndërtimin e shtetit dhe kanë nisur pasi me datë 30 maj kanë dëshmuar jo vetëm shpërbërjen e shtetit, por tentativën për të inauguruar një rend të ri. Kur në pikë të ditës e protestës rojet private të ndërsyer nga Kastrati dhunojnë policë e marrin peng protestues në sy të policisë kjo nuk është thjesht një sjellje delinkuence aksidentale. Ky moment reflekton jo vetëm që shteti është një vegël minore e Kastratit me kompani, por që Kastrati me kompani po duan edhe ta pohojnë e imponojnë këtë në sytë tonë: që nuk ka shtet, dhe se ne jemi shteti. Pra, protestat kanë nisur pasi është dëshmuar se Kastrati po do t’u thojë shqiptarëve se “monopoli i dhunës më përket mua, madje aq sa të dhunoj edhe vetë policinë drejtpërdrejtë.”

Dje e sot krejt Ps-ja dhe veglat e saj janë apeluar te fraza “policia ka monopolin e dhunës” për të legjitimuar dhunën e ushtruar ndaj protestuesve. Mirëpo, nga vjen kjo frazë?! Fraza është një huazim vulgar i përkufizimit klasik për shtetin që sociologu Max Weber dha në ligjëratën e tij klasike “Politika si një Vokacion” në 1919. Përkufizimi i Ëeberit është, kuptohet, shumë më interesant sesa ai i Ardit Bidos.

Si fillim, në të gjitha rastet kur e përmend monopolin, Weberi i referohet “pretendimit për përdorim legjitim të forcës”. Shteti nuk është një dhunë e verbër solipsiste që legjitimohet nga dhuna. Përkufizimi më i plotë në ligjëratë është: “Shteti modern është një bashkësi institucionale e një rendi, e cila përbrenda një territori të dhënë ia ka dalë me sukses të zotërojë një monopol të forcës fizike legjitime si mjet për mbarëvajtje rendi, dhe për këtë qëllim ka bashkuar burimet materiale në duart e udhëheqësve, pasi ua ka shpronësuar këto burime të gjithë funksionarëve të feudeve autonome të cilët i kontrollonin ato në emrin e tyre.”

Pra, për Ëeberin monopolizimi i forcës është një lloj shtetëzimi i saj, jo aq prej qytetarëve sesa prej forcave madhore rivale ekonomike dhe rajonale që konkurrojnë kapacitetet shtetërore. E thënë me termat dhe për momentin tonë historik, shteti shqiptar do të ketë monopolin e përdorimit legjitim të forcës jo duke sulmuar qytetarët, por duke e zhveshur Kastratin e të ngjashmit e tij nga kjo forcë prej shteti.

Dhe elementi i dytë qendror i këtij përkufizimi klasik është se forca ka sukses jo prej ushtrimit, por prej legjitimitetit të saj dhe se ky legjitimitet nuk vjen nga vetë dhuna. Weberi e thotë pastër se çdo forcë legjitimitetin e kërkon te tre burime: zakonet shoqërore, një udhëheqës karizmatik i pakompromentueshëm (sa më i ngjashëm me një shenjtor aq më mirë), dhe një legalitet i mbështetur në besimin se ligji është i vlefshëm ngaqë është i arsyeshëm. Këto tre elemente i japin legjitimitet dhunës, dhe jo vetë dhuna. Pa legjitimitet, dhuna është kaos, është e shpërndarë dhe e pa mbledhur, ashtu siç është sot situata në Shqipëri. Shteti shqiptar do arrijë ta rimarrë monopolin legjitim të përdorimit të forcës jo për sa kohë mirëmban një zinxhir të tërë përdorimesh private e arbitrare dhune ndaj qytetarëve të pambrojtur, por kur të mbrojë pikërisht këta qytetarë. Legjitimiteti i shtetit shqiptar varet nga shfronësimi i Kastratit nga çdo kapacitet dhune e çdo kapacitet shtetëror. Kjo është një nga arsyet kyçe pse protesta s’ka të ndaluar.

Mirëpo, teksa jemi te Weberi, le të kujtojmë më mirë mbylljen e leksionit të tij të famshëm:

“Politika nënkupton shpime të forta e të ngadalta në dërrasa të forta, sa me pasion aq edhe me një sens mase. Është plotësisht e vërtetë, dhe e gjithë përvoja historike e konfirmon faktin se ajo që është bërë e mundur nuk do të ishte arritur kurrë nëse nuk do të ishte kërkuar vazhdimisht e pamundura në botë. Por për ta realizuar atë dikush duhet të jetë një udhëheqës, dhe jo vetëm një udhëheqës por po ashtu – thuajse fjalë-për-fjalë – një hero. Dhe po ashtu të gjithë ata që nuk janë asnjëra prej këtyre duhet menjëherë, pa humbur kohë, të armatosin vetveten me një qëndrueshmëri zemre të fortë mjaftueshëm për të mos u epur edhe kur të gjitha shpresat humbasin, sepse përndryshe do të jenë të pazotë për të arritur edhe atë që është e mundur tashmë.” A nuk është tashmë marshi i përnatshëm i protestës një shpim i tillë i fortë e i ngadaltë nëpër dërrasa të forta?!

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje