Të tepërtit e botës dhe kapitali i pakicës
Pavjo Gjini | 05.06.2026 | nyje.al
Rrallë ndodh që një pamje e vetme të mishërojë si një koncept i vetëm të tashmen dhe të ardhmen. Një maskë godet dhe grabit një protestues. Kjo ndodh sy policisë. Policia gjendet përtej gardhit bashkë me protestuesit dhe qytetarët. Maska nuk diferencon teksa dhunon policinë dhe qytetarinë. Policët janë të atrofizuar, drejtori i tyre del e mbron maskën përtej gardhit. Maska arrestohet pas shumë orësh nga presioni i shoqërisë.
Maska ka grabitur dhe gardhuar me ligj e maliq tokën. Asaj i ka dalë zot kapitali ndërkombëtar i pronave të paluajtshme, kapitali gjeopolitik i Amerikës, kapitali politik i Shqipërisë (qeveri e opozitë), kapitali oligarkik vendor i ndërtimit dhe i mediave (Kastrati, Ulaj, Top, & Ko), dhe kapitali i hurit-e-litarit i krimit të organizuar (sa lokal aq edhe transnacional).
Pamje të një ndarjeje më të qartë klasore vështirë se ka patur ndonjëherë Shqipëria. Policia dhe qytetarët nga njëra anë, të gjitha format e kapitalit grabitqar mbi territorin nga ana tjetër. Një skenografi që del e qartë për syrin e shoqërisë njëherë në jetë e je me fat të të manifestohet kaq shkoqur. Akoma më me fat që një shoqëri të reagojë kundër kësaj ndarjeje.
Kjo ndarje klasore është ndërtuar sistematikisht të paktën prej falimentimit të skemave piramidale. Mirëpo, këtë herë ka dalë e qartë se ndarja është po aq endemike saç është globale, po aq kombëtare saç është ndërkombëtare.
Në kushtet e deindustrializimit të plotë të vendit, pas 1997, Shqipëria do kishte për detyrë të disiplinonte financat publike në këmbim të një buxheti që do të mbahej me kredi ndërkombëtare. Shqipëria përfundon me shpenzimet më të ulëta në Europë për arsim, shëndetësi, infrastrukturë, etj. Si rezultat kapacitetet shtetërore për qeverisje, garantim të drejtash, administrim publik bëhen minimale, duke u mjaftuar më së shumti në miratim ligjesh e VKM, madje në pafuqi edhe për miratim aktesh nënligjore.
Në këmbim, konsumi do të mbahej në këmbë me remitanca. Kalimi nga njëra klasë te tjetra, opsionin më të mundshëm për të varfrit do të kishte përfshirjen në shërbimin e konsumit ndërkombëtar të drogërave. Emigracioni amortizon tensionin social. Si për remitancat ashtu edhe për shërbimin e drogërave, investimet publike janë të panevojshme. Në këto kushte, Shqipërisë i sugjerohet që në fund të viteve ’90 se e vetmja e ardhme e saj është turizmi, fitimi nga të dhënat natyrore. Bregdeti, dhe malet eventualisht, nga njëra anë kanalizojnë teprinë e kapitalit kombëtar e ndërkombëtar dhe nga ana tjetër mjaftohet me një fuqi punëtore të pakualifikuar, të paorganizuar, e të keqpaguar.
Në mesin e viteve 2000 kapitali brenda vendit, i ngritur nga importi, kontrabanda dhe krimi i organizuar është maturuar mjaftueshëm për të diversifikuar portofolin e investimeve, për të hyrë në bashkëpunime me kapitalin ndërkombëtar dhe për të bërë investime të mëdha me garancinë se e ardhmja premton kthimin e investimit. Shteti shqiptar do të mbahet në këmbë për aq sa garanton të ardhmen e kësaj norme fitimi. Ky kapital zgjerohet në media dhe territor duke tentuar të monopolizojë vëmendjen dhe tokat e qytetarëve.
Për të tërhequr investimet e këtij kapitali kombëtaro-ndërkombëtar, forcat kryesore politike bëjnë garë se cila prej tyre është më e përulur ndaj tij. Njëra jep toka 1 euro, tjetra premton hotele me 5 yje pa taksa. Ato investime publike që bëhen fokusohen në infrastrukturë mbështetëse për këtë kapital. Ligji i investimeve strategjike (dhe paketa e maleve) rasti më i qartë. Kjo garë politike për të garantuar infrastrukturën mbështetëse të këtij kapitali kombëtaro-ndërkombëtar reflektohet edhe në vetë përbërjen e partive politike. Secila sigurohet që të përfshijë brenda vetes sa më shumë drejtues të kapitalit vendor të tregtisë, krimit dhe pasurive të paluajtshme. Po ashtu, secila prej tyre i mbështet pa kushte investimet e huaja, pavarësisht sa grabitqar dhe parazitar është ai.
Për pjesën dërrmuese të shoqërisë, premtimi është se sa më shumë të rritet ekonomia e bazuar në këtë model aq më shumë përfitojmë të gjithë. Të gjithë jemi fatalisht të varur nga suksesi i këtij kapitali. Protesta kundër këtij modeli është protestë kundër të gjithë ngrehinës ekonomike dhe shtetërore mbi të cilën mbahet ekonomia dhe politika e vendit.
Përtej gardhit me gjemba gjenden qytetarët, të cilët jetojnë në një shtet i cili investon më së pakti për ta në Europë në 35 vitet e fundit. Sikur të mos mjaftojnë këto mungesa investimesh, qytetarët përballen të pambrojtur me një sërë krizash vendore, natyrore dhe globale: Kriza financiare e 2008, tërmeti i 2019, pandemia, rritja e çmimeve nga lufta e Rusisë kundër Ukrahinës, rritja e çmimeve nga lufta e Amerikës kundër Iranit, dështimi i globalizmit dhe rritja e frymës antiemigrante në vendet ku gjendet diaspora jonë.
Ontologjisë së këtyre krizave të shumfishta, ose të kësaj polikrize, që e quan Adam Tooze, i shtohet edhe një ontologji edhe më radikale, ontologjia e sh-qenies siç e quan Orgest Azizi, një pasiguri radikale ontologjike e lidhur ngushtësisht me gjenocidin në Gaza. Teksa prej 3 vitesh të gjitha forcat kryesore politike në vend bëjnë garë se cila e mbështet më shumë Izraelin, pjesa dërrmuese e popullsisë ka ndjekur video e kronika të pafundme të një populli që bombardohet e zhduket pas gardhit. Një përvojë limit e paprecedent e një tjetër ndarje klasore që shfaqet për herë të parë në sytë e të gjithë botës.
Jo më kot shumëkush e ka lidhur pamjen e Zvërnecit të gardhuar e të grabitjes së qytetarit me ato të Gazës. Sigurisht që dy përvojat janë larg njëra-tjetrës, mirëpo shqetësimi me të qenurit i zhveshur nga çdo lloj e drejte dhe pa hise në pasurinë e përbashkët e ka një kut matës në variantin ekstrem të tij, në gjamën e palestinezëve: përvoja e të qenurit i tepërt në këtë botë, ajo përvojë kur thjesht ekzistenca jote është pengesë për ekspansionin e projektit të tjetrit. Ndjesia e të qenurit i tepërt në territor është tmerrësisht e pranishme në Shqipëri prej vitesh: komunitete fshatarësh që konsiderohen inekzistent kur privatizohen lumenj e kullota, dhe komunitete banorësh që dëbohen e u shemben shtëpitë e tyre.
Qeveria shqiptare e ka vënë të gjithë bastin te një model i cili i bën qytetarët të ndihen gjithnjë e më të tepërt, një njollë acaruese kur shfaqet e ka kërkesa. Sikur të mos mjaftojnë efektet kolaterale të këtij modeli qeverisës, qytetarët përballen me një polikrizë në zmadhim e sipër e cila i mbivendoset dhe ia përkeqëson efektet modelit ekonomik. Deri më tani magjepsja e kapitalit sundonte në Shqipëri, mirëpo tani ndjesia e të qenurit i tepërt në këtë formë që ka marrë kapitalizmi në Shqipëri sinjalizon çmagjepsjen me të.
Një ngarendje për magjepsje të reja dallohet: ajo për teori konspirative. Për momentin teoria e zëvendësimit të madh të popullsisë po shpërndahet më së shpejti; një teori sipas të cilës ekziston një plan për të zëvendësuar popullsinë shqiptare me një popullsi çifute dhe punëtorë të huaj. Kjo teori e zëvendëson të gjithë kompleksitetin e polikrizës e të kapitalizmit shqiptar me një plan të fshehtë dashakeq kundër shqiptarëve. Përkundër indiferencës së plotë të kapitalizmit shqiptar ndaj qytetarëve, kjo teori tenton të të mbërthejë me magjepsjen ndaj një ligësie të madhe.
Indiferenca e plotë dhe e papërballueshme e kapitalit dhe e polikrizës shkakton panik se gjërat janë jashtëkontrollit. Për të shmangur këtë panik, ngrihet paranoja e një plani të mirëkoordinuar që nuk le gjë jashtëkontrollit. Plani duhet të presupozohet si i fshehtë: gjithçka që ndodh konsiderohet si hije syve, si diçka e cila nuk duhet të merret seriozisht, duke qenë se është mashtrim për të na hutuar nga lufta me mullinjtë e erës çifute. Gjithçka që ndodh në jetët tona trajtohet kësisoj si e parëndësishme dhe e rreme, për të mirëmbajtur një paranojë që na mbron nga paniku. Përfundimi logjik i kësaj paranoje është zhveshja e çifutit nga çdo kapacitet veprimi, madje edhe ekzistence. Rezultati paradoksal do të ishte komplet konservator: pa çifutët situata do të vazhdonte njëlloj, pronat do grabiteshin, pabarazia do rritej, natyra do shkatërrohej dhe ne do të ndiheshim po aq të tepërt në këtë model ekonomie.
Kapitali vendas e i huaj ka nevojë për ekspansion në territor. Nga ky ekspansion varet modeli ekonomik i vendit dhe forcat kryesore politike. Ky model i ka bërë banorët vendas të ndihen të tepërt në fshatrat, lagjet dhe shtëpitë e tyre. Duke qenë se ekonomia shqiptare është varfëruar shumë, forma e kapitalit rentier e në pasuri të paluajtshme është aq mbizotërues sa kërcënon se bllokimi e orientimi i tij është fatal për të gjithë shoqërinë. Ky kapital është fatalisht i varur nga grabitja dhe ekspansioni në territor. Sa më shumë që zgjerohet ky kapital aq më të tepërt bëhen qytetarët.
Protesta për mbrojtjen e pasurive të përbashkëta është protesta për mbrojtjen e kapaciteteve të përbashkëta. Magjepsja e re e shkaktuar nga këto protesta është pikërisht magjepsja me kapacitetet tona të përbashkëta për të protestuar, për t’u organizuar, për t’u artikuluar dhe për të ndryshuar, jo vetëm ekonominë e qeverinë, por edhe veten. Pjesë e kapaciteteve të përbashkëta është edhe natyra. Natyra, ai kompleks i tërë që mundëson jetën, është territori i kësaj lufte klasash. Natyra nuk është neutrale, nëse privohesh prej saj të privohet jeta. Natyra është e të gjithëve, kapitali i disave. E thënë ngjashëm me frazën e Ukshin Hotit: Natyrën mbaje të përbashkët, ose vdis.
Imazhi i ballinës nga kolektivi Trivet, nga ndërhyrjet në Pishë Poro-Nartë, 16 maj 2026

