Bojkotoni ‘Bread and Heart’: letër e hapur drejtuar star-arkitektëve

nyje.al | 03.06.2026 

Qytetarë të Shqipërisë dhe diaspora, aktivistë dhe arkitektë, si dhe organizatat mjedisore lokale kanë shpërndarë sot letrën e hapur për Pjesëmarrësit e Edicionit të Dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Arkitekturës “Bukë e zemër” (Bread & Heart) në Tiranë, Shqipëri: Landscapes of Abundance, 3–5 Qershor 2026.

Letra parashtron kontekstin brenda të cilit do të ndodhë ky festival dhe jep një panoramë të plotë të protestave të vazhdueshme e masive që po mbahen në Tiranë prej katër ditësh. Këto protesta po kundërshtojnë ndërhyrjet ekocidiale në një nga peizazhet e mbrojtura dhe më të rëndësishme në Shqipëri, Pishë Poro-Nartë. Krahas kundërshtisë dhe kërkesës urgjente të anulimit të mega projektit turistik nga investitorë të huaj, në kushte flagrante padrejtësie dhe paligjshmërie, të implikuar çifti Trump e Kushner, protestuesit kanë artikuluar dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe krejt kabinetit të tij qeveritar, si dhe anulimin e rishikimin e një serie ligjesh që lidhen me zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore, paketën e maleve etj.

Hartuesit e kësaj letre publike kujdesen të rikujtojnë se praktikat neoliberale, represive dhe ekocidiale të qeverisë Rama janë sistematike dhe kanë nxjerrë krye që në fillim të mandatit të tij të parë e po vazhdojnë të shpalosen me intensitet deri tani në të katërtin. Ndryshimet e ligjeve ekzistuese në mënyrë arbitrare, teksa ka ende procese gjyqesore të hapura kundër tyre dhe komunitete që po protestojnë, kanë sjellë shumë mobilizime komunitare, deri sa është arritur në masivizimin e tyre me thirrjen ‘Shqipëria nuk është në shitje’.

Festivali ‘Bread and Heart’, me prani të madhe të arkitektëve me famë botërore, por edhe atyre lokalë po ndodh për herë të dytë këtë vit. Kjo platformë është kritikuar si legjitimuese e projekteve arkitekturore të kontestuara gjerësisht, dhe ndërhyrjeve të dhunshme në peizazh me efekte gjentrifikuese nëpërmjet kullave shumëkatëshe nëpër qytet. Me kosto të larta për pjesëmarrje, duke ngritur kështu edhe më shumë pengesa për t’u ndjekur nga lokalët, ky festival pritet kësaj radhe të trajtojë temën e arkitekturës së peizazhit, artit dhe ekologjisë. Ndaj, nënshkruesit e kësaj letre shtrojnë disa pyetje dhe sfida për të gjithë pjesëmarrësit e këtij edicioni:

‘Shumë prej jush shkruajnë dhe flasin për qëndrueshmërinë, vernakularen, etikën e ndërtimit dhe nevojën për të dëgjuar përpara se të ndërhyhet. Ky është momenti kur këto zotime vihen në provë, së bashku me integritetin tuaj profesional. A është kjo liri për të ndërtuar, apo liri për të bërë këtu atë që do të ishte ndaluar, sfiduar ose bërë e pamundur në vendet tuaja?’

Duke e konkretizuar edhe më shumë letrën, autorët shtrojnë pyetjet si më poshtë:

‘A do ta pranonit një trajtim të tillë ndaj një ligatine të mbrojtur në vendin tuaj? A do të qëndronit në heshtje nëse një lagunë, një korridor migrimi shpendësh apo një vijë bregdetare publike do të trajtoheshin si një kantier privat ndërtimi, pa transparencë dhe pa respektimin e procedurave ligjore? A jeni të gatshëm të bëheni bashkëfajtorë në zbukurimin artistik të politikave të buldozerëve përmes një festivali që, teksa mban titullin “Landscapes of Abundance”, në fakt rrezikon të legjitimojë këtë erozion të peizazhit, të nxitur nga grykësia dhe shkatërrimi që sjellin të pushtetshmit?’

Duke theksuar që Vjosë-Narta është tema themelore që duhet trajtuar edhe brenda këtij festivali, hartuesit e letrës së hapur pohojnë se arkitektura në thelb nuk duhet të jetë privilegj nga e cila përjashtohen jetët që ndikohen drejtëpërdrejtë, por si disiplinë duhet të hyjë në raport kritik me pushtetin, duke tematizuar çështje që heshtohen nga ai, dhe bojkotuar e denoncuar teksa gjasat janë të mëdha që po instrumentalizohen për të legjitimuar punët e pista të pushtetit, mafias së ndërtimit dhe më të pasurve. Kësisoj, në letër shkruhet ‘Një kremtim i peizazhit që injoron peizazhet që shkatërrohen, nuk është më një bisedë për peizazhin. Është një performancë që i shërben thellësisht këtij shkatërrimi.’

Në përfundim të saj, nënshkruesit u kërkojnë arkitektëve pjesëmarrës të ‘Bukë e zemër’ që të distancohen nga bashkëfajësia me shtetin shqiptar, të mbajnë dhe të kërkojnë llogari për ngjarjet në Nartë dhe kudo nëpër Shqipëri, t’u bashkohen protestave për kauzën dhe të bojkotojnë eventin treditor.

Ndërkohë, kushdo që ndihet i përfaqësuar nga ky qëndrim publik, është i/e ftuar ta nënshkruajë atë këtu, qoftë si individ, qoftë në emër të një grupimi, kolektivi apo organizate.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje