Tetor rozë për pushtetin, i zi për pacientët. Sistemi shëndetësor shqiptar nuk i shpëton gratë

Ronald Qema | 22.10.2025 | nyje.al 

Për pacientët onkologjikë, familjarët e tyre dhe aktivistët ky tetor nuk shënjohet prej fjongos rozë. Ajo është zhytur në të zezën e vdekjeve të shkaktuara nga neglizhenca në sistemin shëndetësor. Me tullumbace të zeza në duar, si simbol i zisë së humbjeve të jetëve, ata protestuan mëngjesin e djeshëm përballë Ministrisë së Shëndetësisë. Përmes pankartave që mbanin në duar, ata shpalosën listën e gjatë të problemeve: nga mungesa e kimiove, tek Brakiterapia jashtë funksionit dhe akseleratorët që prishen çdo dy javë.

“U thonë grave e vajzave diagnostikohuni e ndërkohë në Spitalin Onkologjik, në qendrën më të madhe ku bëhet lufta kundër kancerit, nuk ka mamografi. Ka më shumë se 10 ditë që mamografia në Spitalin Onkologjik nuk punon. U thonë grave e vajzave diagnostikohuni e s’kanë ilaçe për kancerin e gjirit. Njëherë japin herceptinë, mbaron herceptina japin fezgo, mbaron fezgo japin herceptinë, kundër çdo protokolli ndërkombëtar e që njeh kjo betejë me kancerin.” – tregoi gazetari dhe njëkohësisht bashkë-organizator i protestës, Osman Stafa. 

Gjithashtu ai ndau historinë e një zonje të diagnostikuar me kancerin e mitrës që ende pret për medikamentet, të cilat as nuk janë pjesë e listës kombëtare të barnave të rimbursueshme.

“Para pak ditësh kam publikuar rastin e një nënë 60 vjeçare. Vuante nga kanceri i mitrës. Një zonjë me emrin Hava Tafa. Pret akoma ilaçin, ka më shumë se një muaj. Pret ilaçin për të luftuar kancerin e saj. E di çfarë i ka thënë Ministria dhe Drejtoria e QSUT: Ti nuk mundesh dot ta marrësh të rimbursuar ilaçin, sepse ilaçi për kancerin e mitrës nuk rimbursohet.” 

Gazetari Stafa në fjalën e tij vuri në pikëpyetje vlefshmërinë e këtij sistemi shëndetësor që propagandon për diagnostikim por nuk të jep mundëisinë e kurimit, ku mungojnë aparaturat dhe ilaçet. Duke sjellë në kujtesë edhe mungesën e medikamenteve jetë-shpëtuese të të prekurve nga kanceri në gjak, ai ngriti pyetjen për Ministrinë e Shëndetësise rreth plotësimit të normave vjetore për to. 

Duke e fajësuar si institucionin përgjegjës për jetët e humbura për shkak të trajtimit mjekësor të munguar apo të cunguar, aktivistët vendosën një banderolë në dyert e Ministrisë me mbishkrimin “Ministria e Vdekjes”.  Në derën e Ministrisë gjithashtu ishin listuar emrat e funksionarëve publikë që sipas organizatorëve janë përgjegjës për humbjen e jetës së pacientëve të Onkologjikut. 

Neglizhenca e sistemit mjekësor në kurimin e pacientëve me sëmundje tumorale, nuk është vetëm shpërdorim detyre sipas aktivistes Sidorela Vatnikaj, është bashkëpunim në krim. 

“Autorët e vrasjes së pacientëve në Onkologjik i keni këtu. Kjo është një protestë jo vetëm për Ministrinë e Shëndetësisë, është një protestë edhe për organet e hetimit. Kushdo që ka shpërdoruar detyrën, kushdo që i ka lënë të sëmurët me kancer pa ilaçe, pa poltronë, pa infrastrukturë dhe i trajton në mënyrë çnjerëzore duhet të përballet me ligjin.”

 Në fjalën e saj, Vatnikaj solli në vëmendje raportin e zbatimin e rekomandimeve të auditimit të tematizuar të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi “Trajtimin e Sëmundjeve Tumorale”, në të cilin pasqyrohen në gjetje dhe rekomandime të gjitha akuzat e ngritura nga aktivistët dhe qytetarët pjesëmarrës në protestën e djeshme. 

Nën petkun e realizimit të pjesshëm

Kontrolli i Lartë i Shtetit përmes raportit të publikar në prill të këtij viti njofton që asnjë prej subjekteve të audituara, ku përfshihen Ministria e Shëndetësisë, QSUT dhe Spitalet Rajonale, as nuk kanë raportuar në KLSH ecurinë e zbatimit të rekomandimeve të lëna brenda 6 muajve, siç paracakton procedura. Në dokumentacionin e dorëzuar përtej afateve, KLSH liston si rekomandime të paplotësuara ose të plotësuara pjesshëm rreth 60% të tyre. 

Pavarësisht nga puna e bërë dhe masat e marra, niveli i zbatimit të plotë të rekomandimeve është i ulët. Për disa nga masat organizative të lëna (institucionet) nuk kanë mundësuar realizimin e tyre. Rëndësia dhe ndjeshmëria e lartë e temës objekt auditimi kërkon më tepër impenjim nga subjektet e audituara për përmbushjen e rekomandimeve të lëna për garantimin e një trajtimi dinjitoz të pacientëve që vuajnë sëmundje tumorale.

Paragrafi i mësipërm paraqet opinionin e përgjithshëm të KLSH që thekson se shumësia e rekomandimeve kishin afat zbatimi të menjëhershëm dhe kjo pasi gjetjet e grupit të audimit ishin alarmuese. 

Gjetja e parë e KLSH për pyetjen audituese: “A ka qenë efektiv shërbimi i Spitalit Onkologjik në trajtimin e sëmundjeve tumorale për periudhën në auditim?” konstaton se paratë publike që shkojnë për shërimin e pacientëve me sëmundje tumorale nuk janë shtuar, përkundër rritjes së numrit të personave që kanë nevojë për të. Më tej KLSH shkruan në raport se efektiviteti i shërbimit të trajtimit të pacientëve është ulur për shkak të mungesës së mjekëve dhe stafit plotësues mjekësor. Githashtu raporton për numrin e vogël e të pamjaftueshëm të poltronëve për trajtimin kimioterapi: vetëm 19 të tillë teksa pacientë që marrin shërbim në një ditë janë rreth 80. Në tërësi, vetëm 9% e pacientëve trajtohen në spital për shkak se mungon njësia e trajtimit 24 orësh për individët me sëmundje tumorale. 

Si përgjigje Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka dorëzuar në KLSH projekt buxhetet vjetore dhe tri vjetore por sipas institucionit shtetëror të auditimit këto plane zgjidhin pjesërisht rekomandimet e tij për maksimizimin e eficiencës së burimeve njerëzore në shërbim të pacientit duke plotësuar vendet vakante, për shtimin e numrit të poltronave dhe shtretërve, për funksionimin e shërbimit të kujdesit paliativ dhe krijimin e ambienteve sa më të mira, për trajtim cilësor e në kohë të pacientëve që trajtohen me sëmundje tumorale. 

Në gjetjen e dytë, KLSH raporton se QSUNT nuk i përgjigjet nevojës emergjente të pacienteve gra për radioterapi për shkak të mungësës së pajisjes “Brakiterapi” dhe gjithashtu të pacientëve të prekur nga kanceri i lëkurës. Në përgjigjen e saj, Qendra Spitalore njofton se ka paracaktuar buxhet për instalimin e apartaturave. Ndonëse KLSH e konsideron të zbatuar rekomandimin e saj, ashtu siç raportoi më sipër gazetari Osman Stafa këto pajisje nuk kanë funksionalitet të plotë dhe të gjithëkohshëm.

Në tërësi, KLSH rikërkon plotësimin e rekomandimeve të pazbatuara menjëherë duke lënë si afat ligjor fundin e këtij vitit. 

Mos-zbatimi është mos-shpëtim

Për aktivistët dhe organizatorët e protestës, të gjitha gjetjet e KLSH-së dhe veprimet e munguara për respektimin e rekomandimeve të raportit të tij tregojnë papërgjegjshmëri të lartë të funksionarëve publikë që duhet të vihen përpara drejtësisë.

Hapi i radhës u paralajmërua të jetë kallëzimi në Prokurorinë e Posaçme të të gjithë funksionarëve dhe punonjësve të listuar në raportin e auditimit tematik “Trajtimi i Sëmundjeve Tumorale” të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Organizatorët deklaruan se do të vazhdojnë angazhimin e tyre derisa shteti të shpëtojë Onkologjikun nga kolapsi dhe të garantojë se askush nuk do të dënohet më me vdekje për shkak të mungesës së një ilaçi apo një aparature.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje