
Pavjo Gjini | 08.06.2025 | nyje.al
Ministri i MEKI-t, Blendi Gonxhe, deklaroi se protestat dhe reagimet kundër ndërhyrjeve për tjetërsimin e ish-kampit të Spaçit po krijonin “tymnajë të panevojshme” në publik. Mirëpo, duket se tymnajën dhe konfuzionin e vërtetë të këtyre ditëve po e krijon vetë MEKI me mbivendosjen e tre ndërhyrjeve paralele të paqarta ndaj implikimeve për njëra-tjetrën: implementimi i planit të menaxhimit të ish-kampit, ndërhyrjet restauruese të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe përgatitjet për xhirimin e një filmi.
Në tentativë për të shquar të vërtetën në mesin e kësaj tymnaje institucionale do të sqarojmë zanafillën e kësaj situate krejt të panevojshme të krijuar nga MEKI.
Historiku i Kampit të Spaçit dhe ndërhyrjeve në të
Para krijimit të burgut famëkeq për të dënuarit politik të diktaturës, vendndodhja e tij gjeografike ka shërbyer që prej viteve ’30 si minierë për nxjerrjen e bakrit dhe piritit. Në vitin 1968, repartit i riedukimit 303 u vendos në Spaç për të mos funksionuar më si një repart lëvizës pune të detyruar për të burgosurit politik. Kampi i Spaçit ka mbajtur deri në 1200 të dënuar njëkohësisht dhe është ngulitur në kujtesën shoqërore për kushtet çnjerëzore në të cilat jetonin të burgosurit politikë dhe për revoltën e tyre kundër diktaturës të 21-23 majit të 1973. Revolta kulmoi me marrjen e kampit të kontroll nga të burgosurit të shoqëruar nga thirrje për rrëzimin e diktaturës dhe për liri politike dhe u mposht me ndërhyrjen e shumë forcave speciale, dënimin me vdekje të 4 të burgosurve dhe ridënimin e shumë të tjerëve. Trupat e të pushkatuarve ende edhe sot nuk dihet se ku janë.

Ish-kampi i punës së detyruar Spaç është i vetmi institucion represiv i cili i ka mbijetuar shkatërrimit të plotë nga koha, mungesa e kujdesit dhe bastisjet vandalizuese dhe i cili është i shpallur monument kulture. Mirëpo historia e tij nuk është një histori e kaluar, por e gjallë. Nga njëra anë, galeritë e minierave kanë vazhduar të shfrytëzohen pas rënies së diktaturës dhe prej vitit 2018 shfrytëzohen nga kompania turke Tete. Nga ana tjetër, në vitin 2023 Autoriteti i Dosjeve mori masat për nisjen e hetimeve për vendvarrimet e dyshuara për groposjen e 44 ish-të dënuarve të zhdukur gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit në Spaç.
Pas ndryshimit të regjimit, për më shumë se një dekadë ish-kampi u la në harresë, pa mbrojtje dhe duke pësuar bastisje dhe çmontime të vazhdueshme të materialeve dhe strukturave të tij. Vendndodhja e tij në vitet ’90 i kaloi në pronësi me një VKM kompanisë publike Alb Baker SHA e cila më vonë ka falimentuar, duke shtuar kështu një seri mospërputhjesh mbi pronësinë ligjore të territorit. Ndërsa në vitin 2007, ish-kampi u shpall monument kulture i kategorisë së II-të, mirëpo asnjë buxhet apo institucion nuk u ngarkua për mbrojtjen e tij. Edhe pse në vitin 2009 u miratua një projekt restaurimi ai nuk u zbatua kurrë.
Në vitin 2013-2014, Cultural Heritage without Borders – Albania (CHwB-Albania) filloi të angazhohet për konservimin e sitit si vend kujtese. CHwB është një organizatë jofitimprurëse e mbështetur nga Suedia dhe e cila operon në thuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për rritjen e kapaciteteve për konservimin e trashëgimisë kulturore të këtyre vendeve. Përmes një serie punëtorish, ‘Dialogje për Spaçin”, me disa aktorë shoqërorë dhe institucionalë të ndërlidhur me këtë monument kulture, CHwB Albania hartoi një plan veprimi për ruajtjen e sitit dhe shndërrimin e tij në një institucion në funksion të kujtesës shoqërore. Plani parashikohej të ishte i implementueshëm në një periudhë të shtrirë në më shumë se 6 vite.
Në vitin 2015, me urdhër nr. 241, u miratua zona e mbrojtur e monumentit e cila përfshin godinat e mbetura dhe rrënojat e ish-kampit me një sipërfaqe prej 140.000 m2.
Në vitin 2017, CHwB-Albania kreu disa ndërhyrje urgjente për konsolidimin e ndërtesave të rrezikuara brenda ish-kampit të punës, duke shpëtuar 9 prej tyre, dhe organizoi një seri fokus-grupesh me disa aktorë shoqërorë për hartimin e një plani të përgjithshëm për ish-burgun e Spaçit. Një vit më vonë, në 2018, CHwB-Albania nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me ish-Ministrinë e Kulturës në funksion të hartimit të një plani-veprimi të detajuar për kthimin e ish-burgut në një projekt gjithëpërfshirës memorializimi.

CHwB-Albania pretendon po ashtu se prej vitit 2020 ka krijuar prototipin digjital me ish-Kampin e Spaçit të rindërtuar i cili ka për synim informimin e publikut për historinë e sitit, mirëpo vegza online deri në publikimin e këtij shkrimi nuk është funksionale.
Plani i Menaxhimit
Me Vendim Nr. 318, datë 23.08.2024, me kërkesë të CHwB-Albania, MEKI miratoi planin e menaxhimit të ish-burgut të Spaçit. Plani u komisionua nga CHwB dhe u përgatit nga Fondacioni Santagata.
Sipas planit të miratuar sugjerohet si model menaxhimi ai i një fondacioni dedikuar kujtesës dhe rezistencës në Spaç me organ themelues MEKI-n.
Plani deklaron se,
“Qëllimi në lidhje me ndërtesat e ish-burgut është ruajtja e tyre në gjendjen aktuale, duke ndalur përkeqësimin e shpejtë të tyre, duke i ruajtur ato në mënyrë të tillë që të dëshmohen këto tre dekada në të cilat shoqëria shqiptare është përpjekur të pajtohet me historinë e saj të fundit dhe të dhimbshme, në të cilën shenjat e kalimit të kohës mbi ndërtesa janë gjithashtu një metaforë për një distancim nga kujtesa e vendit, ose rrezik për humbje të kësaj kujtese.” Fondacioni po ashtu do të ndërmarrë hapa për themelimin e Muzeut të Burgut dhe Kampit të Punës së Detyrueshme në Reps (Mirditë), i cili përshkruhet si, “një muze autonom i specializuar me person juridik privat dedikuar rezistencës ndaj diktaturës komuniste.”
Plani thekson se një fondacion i tillë është i pari në Shqipëri i këtij lloji, dhe se pikërisht për këtë arsye rrezikohet të ketë vështirësi në implementimin e tij për shkak të karakterit eksperimental të institucionit. Dokumenti shpjegon se,
“Risqet e mundshme Fondacioni për kujtimin e rezistencës në Spaç do të jetë rasti i parë i administrimit indirekt nëpërmjet një fondacioni të krijuar nga një institucion i specializuar për trashëgiminë kulturore (ose nga Ministria e Kulturës), ku rreziqet e mundshme lidhen me eksperimentimin e një forme të tillë inovative të menaxhimit kulturor dhe faktin që gjërat do të mësohen domosdoshmërish gjatë praktikës. Rreziqet që rrjedhin nga struktura e qeverisjes lidhen me historikun e konfliktit apo mungesën e bashkëpunimit mes ish-të përndjekurve politikë dhe Ministrisë së Kulturës”
Për nga struktura fondacioni do të ketë 3 nivele drejtimi (Bord Administrimi, Bord Nderi dhe Bord Shkencor) dhe financimin do ta sigurojë nga mbështetja nga buxheti publik, si dhe nga fonde të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare, publike dhe private.
Plani parasheh që ndërtesat të kthehen në gjendjen e repartit në vitin 1991, por njëkohësisht duke ruajtur edhe mospërfilljen ndaj tij përgjatë këtyre më shumë se 3 dekadave të fundit.
Dokumenti sqaron se,
“Lidhur me disa nga elementët që besohet se janë kyç për të kuptuar se si ndihej jeta në Spaç për ata që do të humbnin lirinë dhe ndonjëherë edhe jetën e tyre, atje, do të rindërtohen pjesërisht: në ndërtesat e fjetjes, një nga qelitë e burgut do të rikrijohet në formën e një kapanoni fjetje trekatëshe me 54 shtretër kashte, organizimi i qelive që mbahet mend më së shumti në rrëfimet e ish-të burgosurve, megjithëse aspekti i tyre ndryshoi me kohën. Gjithashtu do të rikrijohet edhe peizazhi zanor i kampit: do të vendosen dhe aktivizohen folësit me raste të veçanta dhe në rastin e tureve me guidë, për të transmetuar propagandën politike dhe lajmet festive që u vendoseshin të dënuarve.”
Sipas planit të menaxhimit, edhe një pjesë e zonave të minierave me disa galeri ku kanë punuar të burgosurit do të vihen në disponim nga kompania koncesionare turke përmes një marrëveshje mes saj dhe MEKI-t.
Projekti parashikohet të kushtojë 3.695.900 euro dhe të ketë një kosto mirëmbajtjeje vjetore prej rreth 140.000 euro në vit. Pritet të mos jetë fitimprurës, mirëpo prej modelit të tij të organizimit në formën e fondacionit të gjenerojë të ardhura alternative.
Vetë plani parashikon se para fillimit të ndërhyrjeve fizike në sit është i domosdoshëm: Stabilizimi dhe sigurimi i strukturave aktuale; sqarimi i pronësisë së territorit dhe kryerja e të gjitha procedurave të domosdoshme ligjore, dhe si përfundim krijimi i fondacionit. Në të thuhet se, “Për momentin, nuk mund të merret vendim për menaxhimin e siti nëse nuk trajtohen në radhë të parë çështjet në lidhje me pronësinë dhe të drejtat e administrimit.” Mirëpo, me vendim Nr. 500, datë 06.12.2024, MEKI miratoi projektin “ndërhyrje konservuese-restauruese në burgun e Spaçit” me aplikues dhe zhvillues Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Mënyra e implementimit të këtij vendimi konservues me cenimin e autenticitetit të godinave dhe territorit të ish-kampit bie në kundërshtim me planin e menaxhimit të miratuar nga po vetë MEKI katër muaj më herët se ky vendim i fundit.
Menaxhimi i trashëgimisë kulturore
Fondacioni për ruajtjen e ish-kampit të Spaçit nuk është e vetmja nisëm institucionale eksperimentale nga qeveria aktuale. Kujtojmë se Fondacioni për Butrintin, i propozuar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, po ashtu u ballafaqua me kritika të shumta për privatizimin e trashëgimisë kulturore dhe rrezikimin e saj përmes kalimit të përgjegjësisë nga institucionet shtetërore drejt fondacioneve të pavarura. Modeli i Butrintit konsiderohet i paprecedent në botë për menaxhimin e një siti pjesë e trashëgimisë kulturore botërore dhe u kritikua ashpër nga UNESCO. Megjithatë, gjykata kushtetuese e legjitimoi fondacionin. Fondacionet janë sugjeruar si modele nga AADF për menaxhimin e një seri sitesh kulturore si ato të parkut arkeologjik të Apollonisë apo të kalave si ajo e Elbasanit. Sugjerimi i AADF-së duket se po ndiqet gjerësisht nga institucionet shtetërore edhe për menaxhimin e siteve të tjera. Madje, në vitin 2018, një nga arsyet kryesore të kalimit të ligjit për trashëgiminë kulturore ishte pikërisht implementimi i këtij modeli të ri.
Qeveria e Shqipërisë shpërndan buxhetin më të ulët ndër dikastere për kulturën dhe artin prej shumë vitesh. Madje vitin e kaluar vendosi ta shkrinte fare ministrinë e kulturës brenda asaj të ekonomisë, inovacionit dhe kulturës me synimin për ta parë kulturën në funksion të ekonomisë. Kjo qasje tregtarizuese ndaj kulturës tregon se buxheti për të do të vazhdojë të jetë i papërfillshëm. Në mungesë të gatishmërisë për të ruajtur dhe promovuar përmes institucioneve të saj trashëgiminë kulturore, qeveria ka zgjedhur modelin e fondacioneve për ta menaxhuar atë duke ulur kështu koston buxhetore dhe duke hequr përgjegjësinë për mirëmbajtjen e tyre nga vetja. Pritshmëritë e qeverisë për modelin e fondacioneve ndërlidhen me metodat alternative dhe “kreative” në mbledhjen e të ardhurave. Fondacioni shihet si një model më efikas për sigurimin e qëndrueshmërisë financiare për shkak të funksionimit të tij më pranë modelit të entiteteve private.
Mirëpo, le të bëjmë disa krahasime të shumës me të cilën qeveria shqiptare mbështet trashëgiminë kulturore dhe kulturën në tërësi.
Për vitin 2025, buxheti i shtetit që shkon për “argëtimin, kulturën dhe çështjet fetare” është vetëm 0.77% i totalit të shpenzimeve publike, thuajse një konstante kjo ndër vite, teksa mesatarja e vendeve të BE-së luhatet mes 2-2.5% e totalit të shpenzimeve publike.
Buxheti i total i këtij viti për trashëgiminë kulturore, kulturën dhe artin është thuajse 6.3 miliard lekë (62 milion euro). Homologia e Kosovës, MKRS-ja, të njëjtin buxhet e ka në nivelin 86 milionë euro. Kosova ka ndërkaq një buxhet total dhe një ekonomi thuajse sa gjysma e atyre të Shqipërisë.
Buxheti, pjesë e programit arti dhe kultura në Shqipëri, është 3 miliard lekë (30 milionë euro), ku investimet kapitale zënë 14 milionë euro.
Buxheti për trashëgiminë kulturore dhe muzetë është 1.1 miliard lekë (11 milionë euro) nga të cilat vetëm 2.9 milion euro janë investime kapitale, ndërsa shpenzimet korrente zënë 8.4 milion euro, thuajse tre herë sa investimet.
Për vitin 2024, qeveria shqiptare ka shpenzuar në investime për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, 2.5 milionë euro, ndërkohë buxheti total ka qenë 10 milionë euro. Rreth 388.34 milionë lekë (3.8 milionë euro) janë shpenzuar në punime mirëmbajtje dhe restaurime të 153 në objekte.
MKRS parasheh për vitin 2025 investime kapitale për artin dhe kulturën në masën 56 milionë euro, ndërsa buxheti për trashëgiminë kulturore është 18.8 milionë euro.
Për skenën e pavarur artistike qeveria e Shqipërisë ka shpenzuar 128.8 milionë lekë (1.2 milionë euro) përgjatë vitit 2024 dhe rreth 2 milionë euro do të shpenzohen për vitin 2025. Ndërsa qeveria e Kosovës ka shpenzuar rreth 5 milionë euro për vitin 2024 dhe ka alokuar 4.8 milionë euro për vitin 2025.
Edhe në lidhje me mbështetjen për kinematografinë Kosova është mbi Shqipërinë. Buxheti i Shqipërisë i alokuar për QKK për vitin 2024 dhe 2025 është 1.8 milionë euro (pa llogaritur detyrimet e prapambetura) ndërsa ai i Kosovës ka qenë 1.6 milion euro për vitin 2024 dhe 2.1 milionë euro për vitin 2025.
Përballë këtyre shifrave del në pah që Kosova edhe pse me një buxhet të përgjithshëm dhe produkt të brendshëm bruto thuajse sa gjysma e atyre të Shqipërisë shpenzon disa herë më shumë në investime për mbrojtjen dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore dhe për kulturën dhe artin në përgjithësi.
Ndërsa buxheti total vjetor i Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) për vitin 2024 ishte 1.5 milionë euro dhe vetëm 360.000 euro prej tyre u parashikuan për investime në restaurime.
Ndërkohë Fondi Shqiptar i Zhvillimit shpenzon vetëm për “instalacion me strukturë druri në oborrin e brendshëm të kryeministrisë” shumën prej 472.2 milionë lekë (4.7 milionë euro). Ky instalacion i vetëm kushton më shumë sesa buxheti i nevojshëm për implementimin e plotë të projektit të Spaçit (duke përfshirë edhe Muzeun në Reps), më shumë sesa investimet kapitale në trashëgiminë kulturore, dhe më shumë sesa shuma e buxhetit për QKK, IKTK, dhe skenën e pavarur artistike të marra së bashku. Afërmendsh shumëkush që dëshiron të zhvillojë një projekt kulturor do të niset të shkojë të kërkojë leje ose para drejt Kryeministrisë, pasi siç shihet, thuajse të gjitha paratë për kulturën të çojnë aty.
Paralelisht me shpenzime të tilla stratosferike të Fondit Shqiptar të Zhvillimit për hir të kryeministrit të vendit, bashkitë në Shqipëri vuajnë për të siguruar të ardhurat e nevojshme për garantimin e shërbimeve të tyre publike duke përfshirë edhe ato të kulturës. Bashkia Mirditë parashihet të jetë pjesë e bordit të Fondacionit për Spaçin, mirëpo nuk dihet sesi do të mundet të sigurojë nga të ardhurat e saj të pakta shpenzimet për fondacionin. Si të gjitha bashkitë e varfëra dhe malore të veriut, Bashkia Mirditë vuan prej shfrytëzimit ndër vite dhe dekada të burimeve të shumta natyrore që posedon si uji dhe minerale të ndryshme. Të ardhurat e mbledhura nga renta minerare janë të papërfillshme për nevojat e bashkisë. Kështu, dekadat e fundit, investimet që ka mundur të bëjë Bashkia Mirditë për ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore nuk kanë ardhur nga mbështetja buxhetore qendrore por nga kontributi i individëve privatë, duke përfshirë këtu organizatën filantropiste austriake “Albania Austria Partnership – Marianne Graf (AAP)”. Ndër të tjera, ka qenë kjo organizatë në bashkëpunim me bashkinë, punonjës lokalë të kulturës dhe figura publike të Mirditës të cilët kanë arritur ndërtimin e një institucioni për sigurimin e informacioneve turistike dhe të një muzeu mbi krahinën të quajtur Info-kulla.
Me shpenzime luksi marramendëse në objektet qendrore si ai i Kryeministrisë dhe trashëgiminë e lënë në mëshirë të fatit, si ajo e burgut të Spaçit, në Shqipëri kujtesa kolektive dhe trashëgimia historike vazhdojnë të ruhen në mënyrë kryesisht private, falë kontributit të vullnetit të individëve të caktuar.