Kjo është një prej këshillave të shpërndara nga një anëtar në faqen në Facebook të Komunitetit të Bashkimit Afrikan (the Africa Union in Albania).
Ky komunitet virtual bën bashkë emigrantë afrikanë që jetojnë e punojnë në Shqipëri. Të shumtë janë dhe anëtarë të tjerë të cilët vazhdimisht kërkojnë informacion për mënyrat se si mund të emigrojnë drejt Shqipërisë. Të nxitur nga dëshpërimi ekonomik, luftërat civile në vendet e tyre të origjinës apo thjesht aspirata për një jetë më të mirë, janë të shumtë anëtarët në platformën e sipërpërmendur të cilët kërkojnë te dijnë rreth kostos për të udhëtuar e për t’u pajisur me leje pune në Shqipëri.
Emigrimi masiv i të rinjve shqiptarë jashtë vendit ka sjellë tkurrjen e popullsisë në Shqipëri dhe si rrjedhojë rritjen e kërkesës për krahë pune nga vende kryesisht të Afrikës dhe Azisë Juglindore. Kriza për punëtorë ka nxitur vitet e fundit rekrutimin e punëmarrësve nga jashtë për të plotësuar boshllëqet në tregun e punës në Shqipëri.
Rekrutimi i punëmarrësve me nënshtetësi të huaj nga kompani shqiptare është një trend i vërejtur në vitet e fundit edhe në Bashkinë e Kamzës. Nga të dhënat e mbledhura nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA), për vitin 2024 janë miratuar rreth 9400 leje pune (ku përfshihen dhe të vetëpunësuarit) për shtetasit e huaj të punësuar në Shqipëri, me Tiranën (duke përfshirë dhe njësinë e Kamzës) si rajonin me 50% të numrit total të lejeve të lëshuar, duke e renditur si rajonin me numrin më të lartë të lejeve për punëtorët emigrantë.
“Aktivitetet ekonomike me më shumë kërkesa për punëtorë të huaj janë sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor, i cili mbetet dhe sektori me numrin më të lartë të aplikimeve për leje pune, si dhe shërbimi, ndërtimi dhe tregtia me shumicë dhe pakicë” pohon Gertiola Cepani, drejtoreshë e shërbimeve të tregut të punës pranë AKPA.
Sipas të dhënave statistikore të regjistruara nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSHSH) për njësinë e Kamzës dhe Tiranës, aktiviteti ekonomik që ka punësuar më shumë punonjës emigrantë në pesë vitet e fundit është sektori i transportit, magazinimit dhe telekomunikacionit me rreth 173 punëtorë emigrantë të evidentuar, të shoqëruar nga 155 punëtorë të rekrutuar në sektorin e tregtisë me shumicë e pakicë në subjekete ekonomike si hotele, bare dhe restorante, si dhe industria e ndërmarrjeve prodhuese me 103 emigrantë punëtorë.
“Unë kam punuar në Kamëz për disa muaj dhe kompania më ka trajtuar mirë dhe me respekt. Kam përshtypje pozitive nga ai vend” shprehet pastori nigerian Prince C. Mazie, si dhe pjesëtar i Komunitetit të Bashkimit Afrikan, i cili prej 13 vitesh jeton në Shqipëri dhe tashmë gëzon dhe nënshtetësi shqiptare.
“Asht një vajzë me ngjyrë që vjen me ble pranë dyqanit tim e më përshëndet gjithnjë. Tek fabrika këtu pranë punon e vjen me autobuz për në punë” shprehet Lulenika, një shitëse në ushqimoren pranë Sews Cabind Albania, fabrikë prodhimi, montimi dhe shitjeje të instalimeve elektrike për përdorim industrial, me vendndodhje në Bathore.
E pyetur për reagimin e fqinjëve ndaj ardhjes së këtyre shtetasve të huaj në komunitetin lokal, Lulenika shprehet se punëtorët emigrantë janë të mirëpritur në Kamëz duke argumentuar se shqiptarët vetë kanë emigruar për punë jashtë shtetit. “Ne s’jemi racista, i mirëpresim ata!” tregon Lulenika me buzën në gaz.
Për të mësuar më shumë rreth këtyre emigrantëve, numrit të tyre si dhe kushteve të punës në fabrikën Sews Cabind Albania, ne tentuam disa herë të kontaktonim kordinatoren përgjegjëse për punësimin por nuk arritëm të merrnim asnjë përgjigje deri në shkrimin e këtij artikulli.
Në këto rrethana, vendosëm të mblidhnim përshtypjet personale të tregtarëve të bizneseve pranë fabrikës. “Gjatë verës kanë qenë këtu rreth njëzet-tridhjetë punëtorë të huaj. Vinin e merrnin kafen pranë lokalit tim. Qeranë e merrnin në Kamëz. Tani nuk i shoh më fare. Nejse, këta që vijnë këtu shumë pak qëndrojnë” tregon banakieri në lokalin përballë fabrikës.
Kjo gjë pohohet dhe nga ish-punonjëse të Sews Cabind, të cilat ndanë me ne perceptimet e tyre dhe atë çfarë kishin dëgjuar rreth punëtorëve të huaj: “Aktualisht janë vetëm dy gra e një burrë me nënshtetësi të huaj që punojnë në fabrikë akoma. Të tjerët kanë ikur. Ka kohë, pasi nuk i pagujtën aq sa iu kishin thënë.” Sipas rrëfimeve të këtyre ish-punonjësve, punëtorët vijnë kryesisht nga Bangladeshi dhe Pakistani. Prania e tyre përdoret vazhdimisht si mjet presioni për punëtorët lokalë, duke ju thënë që tashmë janë bërë lehtësisht të zëvendësueshëm.
Nga të dhënat të vendosura në dispozicion nga ISHPSHSH, në pesë vitet e fundit numri i punëmarrësve të huaj për rajonin e Tiranës, ku bën pjesë dhe Kamza, ka ardhur duke u rritur. Në vitin 2020 ishin vetëm 52 punëtorë emigratë të pajisur me leje pune ndërsa në 2024 numërohen rreth 312 punëtorë të huaj.
Nga vizitat inspektuese, ISHPSHSH konstatoi një numër shtetasish të huaj të cilët nuk ishin të pajisur me leje në vendin e punës me rreth 39 punëtorë informal të evidentuar në pesë vitet e fundit në njësinë e Kamzës dhe Tiranës. Sektori me numrin më të lartë të punonjësve emigrantë informal ishin sektori i transportit dhe telekomunikacionit, i pasuar nga sektori i ndërtimit me informalitetin më të lartë si dhe ndërmarrjet prodhuese.