Shteti nuk e sheh veten si bashkëfajtor, qytetarët u kërkojnë institucioneve përgjegjësi për vrasjen e Martin Canit

Selma Daku | 22.11.2024 | nyje.al

Dita e enjte shënoi protestën e qindra qytetarëve të mbledhur për të kërkuar përgjegjësi për vrasjen e 14 vjeçarit Martin Cani nga bashkëmoshatori i tij, në një konflikt ku dy të tjerë mbetën të plagosur. Prindër, nxënës, aktivistë, komunitete protestuese të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë, e filluan marshimin e tyre nga shkolla “Fan Noli”, ku ndodhi ngjarja tragjike, për t’u drejtuar më pas drejt Ministrisë së Arsimit. 

Në zi, vaj e revoltë, të shumtë, këta qytetarë marshuan për të kërkuar përgjegjësi për vrasjen, si dhe për të shtruar kërkesat e tyre për ta adresuar në mënyrë urgjente çështjen e sigurisë së jetës. Ngjarja e Martinit ka tronditur mbarë shoqërinë shqiptare, dhe kryesisht familjet e prindërit, të cilët në masë pohuan frikë të pamatë që ndjejnë për fëmijët kur u duhet t’i “dorëzojnë” në institucionet arsimore, prej nivelit parashkollor e deri në atë universitar.

Me banderolën kryesore në ballë të marshimit “Institucionet e papërgjegjshme vrasin”, shumë zëra në revoltë dhe në dëshpërim thirrën për dorëheqjen e ministres Manastirliu.  Aktivisti i organizatës “Qëndresa Qytetare” Migen Qiraxhi, tejet i prekur nga ngjarja e rëndë, kërkoi që të investohet sa më shumë në arsimin dhe mirëqënien e fëmijëve. Ai e konsideroi Ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu jo mjaftueshëm të aftë për të dhënë dorëheqjen, edhe pas dështimit të saj si ministre.

[…] Është kaq njerëzore të japësh dorëheqjen sa nuk e bën dot. Nuk je për atë punë! Fëmijët vdesin. Nuk arsimohen. Për çfarë e do karrigen?”

Reagimi i kryeminstrit Edi Rama pas ngjarjes, duke piketuar platformat sociale si shkaktare të ngjarjeve në ambientet shkollore dhe duke shmangur përgjegjësinë institucionale, ka nxitur edhe më shumë reagimin qytetar. Qiraxhi theksoi ndër të tjera që shteti po keqpërdorë buxhetin duke mos investuar në ambiente artistike dhe kulturore për fëmijët. Duke iu referuar fjalës së kryeministrit, një protestuese replikoi se mbyllja e platformave sociale në kohën në të cilën jetojmë, nuk është aspak zgjidhje duke sugjeruar ngritje të strukturave të posaçme për të kontrolluar kontentin që fëmijëve ju ofrohet nga rrjetet sociale.

“[…] Ne hapim burgje, por nuk hapim teatro dhe kinema, nuk hapim aktivitete shkollore për fëmijët, nuk hapim muzeume që fëmijët tanë që të edukohen dhe të kenë kulturën e duhur. Mbyllja e TikTok-ut  nuk është zgjidhje siç tha kryeministri. Ka plot platforma në të cilat mund të depërtohet pasi jetojmë në një epokë dixhitale. Duhet një zgjidhje më racionale dhe duhen ngritur strukturat e nevojshme për t’i bërë ballë platformave të cilat po shkatërrojnë brezin.”

Makthi i pasigurisë për jetën i ka ngërthyer të gjithë. Aktivistja Sidorela Vatnikaj ndau shqetësimin dhe dëshpërimin që në vend se të ishte duke protestuar për cilësinë e arsimit, asaj i duhet të protestojë nga frika se një ditë tragjedia e Martinit mund t’i ndodhë edhe vëllait të saj. Sipas saj rreziku ndaj ngjarjeve të tilla të kobshme do të jetë i pranishëm edhe në shtëpitë e gjithsecilit, për aq kohë sa asnjë qeveritar nuk do të mbajë as përgjegjësi  institucionale dhe as morale.

“Unë kam një vëlla që është në vit të dytë të gjimnazit. Sot, në vend që të jem e shqetësuar se çfarë mësimi merr im vëlla, jam e tmerruar, sepse kam frikë se vëllai im nuk do të vijë i gjallë në shtëpi. Çfarë kuptimi ka që ne sot të flasim për cilësi në arsim? na duket një luks, në momentin që ne nuk jemi të sigurtë në shkolla, nuk jemi të sigurtë në rrugë, nuk jemi të sigurtë as në shtëpi sepse të gjithë këta politikanë, duke filluar nga kjo ministre e cila nuk mban dot as një minutë heshtje, jo vetëm që nuk kanë përgjegjësi institucionale por as përgjegjësi morale.”

Aktori Mehdi Malkaj ka shprehur solidaritet ndaj dhimbjes së familjarëve të Martin Canit ndërkohë që shprehet se është tmerruar nga reagimi i tre ministreve të mazhorancës në momentin që është kërkuar një minutë heshtje për Martinin. 

“Thonë andej nga jam unë “O njeri me mënd, hidhe në trupin tënd. Siç të dhëmb, ashtu më dhëmb.” Unë u tmerrova kur pashë ato tre kukumjaçkat që zgërdhiheshin në një kohë që aty po mbahej një minutë heshtje. Është turp i madh! “ 

Reagime pati edhe nga nxënës e gjimnazistë nga shkolla e qytete të tjera të Shqipërisë, të cilët ndihen të shqetësuar dhe të prekur nga situata. Një nxënës 17-vjeçar fajësoi drejtpërdrejtë institucionet e arsimit e ato ministeriale, duke pohuar se këto palë janë më të interesuar për të hequr përgjegjësinë dhe jo përballjen me situatën dhe adresimin e shqetësimeve të prindërve dhe fëmijëve. Një tjetër nxënëse, shoqe e klasës së Martinit tregoi për frikën që kjo ngjarje ka ngjallur  për të e ndër bashkëmoshatarë, si dhe ndau shqetësimin për ato që kishte parë në shkollë dhe jashtë saj. Ajo kërkon siguri nga shkolla ku studion dhe shprehet e lënduar për humbjen e mikut të saj të klasës.

“Një fëmije vetëm 14 vjeç, sa vëllai im, i merret jeta sepse jetojmë në një vend ku siguria, edukimi dhe shpresa duket se nuk kanë më asnjë vlerë. […] Përballë një fatkeqësie si kjo, të gjithë, e sidomos shteti dhe shkollat, nxitojnë secili për t’i hequr i pari fajin vetes. Kjo sepse nuk e dinë ç’është përgjegjësia e as nuk kanë kurajon për ta pranuar kur diçka nuk shkon.”

“Në vend që të jemi të lumtur, të jemi të sigurt me shoqërinë, jemi të frikësuar për sigurinë që ne nuk e gjejmë në shkollë, kemi frikë kur dalim nga oborri i shkollës se kush mund të na vijë për të na kërcënuar. Shikonim në shkollë njerëz që vinin me thika dhe shisnin mend për të treguar se janë më të fortët. Ku është siguria nga shkolla, nga oficerja, nga drejtoresha? Kemi humbur një shok të zemrës, nuk e shpjegoj dot çfarë humbje ndiejmë si klasë.”

Viki Cipi, aktiviste e partisë “Lëvizja Bashkë”, në fjalën e saj, ritheksoi pyetjen e shënuar në pankartën që mbante “Pse bëni sikur jetoni në një vend normal?”, teksa rikujton sesi rasti i Martin te shkolla e “Fan Nolit” nuk është rast i izoluar, por i përsëritur; në shkollën e Petro Ninit, Fierit, Pogradecit, shkollave të tjera periferike që ngjarje të tilla kalojnë pa zë dhe pa vëmendje publike. Si aktiviste dhe si nënë ajo dëshmon sesi dhuna e legjitimuar kudo e në çdo hallkë, po strukturon jetën dhe përditshmërinë e qytetarit. 

“Dhuna në këtë vend është e legjitimuar. është legjitimuar në çerdhe, ku edukatorja për fat të keq godet me vizore fëmijën. Eshtë legjitimuar në shkolla, në rrugë, në shtëpi ku vriten gra dhe vajza. Unë nuk mund të bëj sikur jetoj në një vend normal. Unë nuk mund ta legjitimoj më dhunën. Nuk e legjitimoj më dhunën në atë që quhet art. […] Nuk mund ta legjitimoj më dhunën si nënë, në çerdhe, në shkolla, a kudoqoftë.” 

Aktivisti Alben Kola, bëri thirrje për masivizim të protestuesve duke rikujtuar edhe ai që rastet e vrasjeve ku shteti ka përgjegjësi kryesore, nuk janë të izoluara. “Edhe sa Martina? Edhe sa Klodjan Rasha? Edhe sa të tjerë?” Ai gjithashtu, i mëshoi fort thirrje për bojkot të të gjitha mediave dhe produksioneve mediatike të cilat riprodhojnë dhe përforcojnë modelet e dhunshme që i ipen adoleshentëve. “Bojkotoni BigBrother”, “Bojkotoni Përputhen” – tha ai mes të tjerash. 

Mbase nuk ka ministri që është lyer  me gjak e vezë më shumë sesa ministria e arsimit në Shqipëri. Hekurat rrethues të hyrjes së saj u lyen me bojë të kuqe nga nxënës si simbol i vrasjes së Martinit, dhe si tregues sesi institucionet neglizhente janë po aq të inkriminuara në vrasje. Teksa kanë kërkuar në mënyrë urgjente dorëheqjen e ministres si hapi i parë për të shënuar reflektim institucional, protestuesit kanë premtuar vijim të protestës ditën e hënë për të treguar vendosmërinë për t’i bërë drejtësi Martinit dhe të gjitha padrejtësive që u janë bërë fëmijëve. 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje