Çfarë dimë për qendrat italiane për emigrantët në Shqipëri?

Kristina Millona | nyje.al | 23.09.2024

Gati një vit pasi kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri Rama nënshkruan marrëveshjen për qendrat e paraburgimit për emigrantët, punimet për ndërtimin e qendrave janë ende larg përfundimit. Kjo marrëveshje, me një afat pesë vjeçar me të drejtë rinovimi,  u miratua nga Senati italian më 15 shkurt, me 93 vota pro dhe 63 kundër. Më 29 janar, ky protokoll u konsiderua i ligjshëm nga Gjykata Kushtetuese shqiptare.

Marrëveshja legjitimoi dhënien nga Shqipëria të dy zonave shtetërore për ngritjen e katër objekteve nën juridiksionin italian në zonën portuale të Shëngjinit dhe në ish-zonën ushtarake të Gjadrit. 

Konkretisht, objektet e planifikuara nga ky protokoll  përfshijnë një qendër për procedurat e hyrjes në Shëngjin, e cila do te jetë e destinuar ekskluzivisht për zbarkimin e emigrantëve, procedurat e kontrollit shëndetësor, identifikimin dhe mbledhjen e kërkesave për azil.

Në Gjadër do të ngrihen tre objekte: një qendër për shqyrtimin e kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare, me kapacitet maksimal 880 persona dhe një qendër deportimi me 144 vende. 

Edhe pse nuk u përfshi në protokoll, një objekt i tretë me 20 vende i llojit penitenciar po ndërtohet brenda zonës së Gjadrit,  i cili do të përdoret për aplikimin e masave të paraburgimit ndaj personave të arrestuar ose të ndaluar.

Sipas memorandumit, autoritetet italiane do të jenë përgjegjëse për ruajtjen e sigurisë në zonën e dhënë dhe menaxhimin e objekteve, shpenzimeve dhe shërbimeve. Autoritetet shqiptare do të garantojnë ruajtjen e sigurisë në perimetrin e jashtëm të zonave të përzgjedhura, dhe do të mund të hyjnë në qendra vetëm në raste urgjence.

Edhe pse kryeministria italiane deklaroi këtë javë se qendrat do të hapin dyert në tetor për emigrantët e parë që do të zbarkohen në Shëngjin, ndërtimi në qendrat në Gjadër ende nuk ka përfunduar. Disa prej rojeve të sigurisë vendosën të ndajnë me ne në anonimitet se në fakt do të jetë nëntori periudha kur qendrat do të bëhen funksionale.

Ky protokoll do të jetë modeli i parë i eksternalizimit të azilkërkimit në një vend jashtë Bashkimit Europian. Marrëveshja ka ngritur shqetësime të shumta midis aktivistësh dhe organizatash monitoruese ndërkombëtare për shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen ligjore dhe të drejtën për azil.

Sipas raportit të lëshuar nga ASGI, një shoqatë italiane për studime juridike mbi emigracionin, seancat për azilkërkimin do të zhvillohen tërësisht në distancë me Gjykatën e Romës. Avokatët/et që do të përfaqësojnë azilkërkuesit do të mund të udhëtojnë në Shqipëri vetëm me një rimbursim prej 500€, kjo vetëm nëse lidhja virtuale në distancë nuk funksionon. Për më tepër, nuk është e qartë se si një avokat/e mbrojtës/e italian/e do të identifikohet nga emigrantët e mbajtur në paraburgim.

Autoritetet kompetente për aplikimet e azilit do të jenë Prefektura, Selia e Policisë dhe Komisioni Territorial i Romës. Këto zyra, edhe pse prej vitesh janë të mbingarkuara dhe shqyrtojnë aplikime me kapcitete të kufizuara, tani do të jenë përgjegjëse edhe për gjykimin e aplikimeve që do të vijnë nga Shqipëria brenda një afati jashtëzakonisht të ngjeshur (28 ditë) të parashikuar në protokollin Rama-Meloni.

Sa i përket menaxhimit të qendrave, kooperativa Medihospes ishte kompania italiane e cila fitoi tenderin nga Ministria e Brendshme në Itali. Dokumente të Dhomës Kombëtare të Noterisë në Shqipëri hedhin dritë për themelimin e Medihospes Albania sh.p.k, e cila do të jetë krahu operacional i kooperativës italiane, që do të menaxhojë qendrat e parashikuara nga protokolli.

E regjistruar ligjërisht si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar më 2 korrik, Medihospes Albania sh.p.k. u themelua nga Camillo Giuseppe Aceto, administrator i kooperativës sociale në Itali. Kompania ka një kapital fillestar prej një milion lekësh shqiptare dhe do të veprojë sipas legjislacionit shqiptar.

Aceto do të jetë administratori i Medihopses Albania për një mandat pesëvjeçar me mundësi rinovimi dhe do të ketë për detyrë të mbikëqyrë operacionet dhe drejtimin strategjik të kompanisë. 

Sipas aktit të themelimit, kompania do të jetë në gjendje të ofrojë aktivitete të ndryshme: nga qendrat për emigrantët të parashikuara nga protokolli Rama-Meloni e deri te pritja e emigrantëve sezonalë (dhe josezonalë) në Shqipëri. 

Siç ilustrohet nga dokumentet e Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania e re do të jetë përgjegjëse për të gjitha shërbimet që lidhen me funksionimin dhe menaxhimin e qendrave të emigrantëve në objektet e Shëngjinit dhe Gjadrit, një shumë e barabartë me 133 milionë euro – për dy vite menaxhim – caktuar në fillim të majit 2024 nga prefektura e Romës. 

Medihospes Albania sh.p.k., me qendër në “Condor Center” të Tiranës, sipas statutit, do të zhvillojë veprimtarinë e saj tregtare për mbi tridhjetë vjet. Aktiviteti tregtar i kompanisë shtrihet në një gamë të larmishme shërbimesh dhe aktivitetesh – rreth pesëdhjetë në total – të ngjashme me ato të ofruara nga Medihospes në Itali: asistencë mjekësore, shërbim pritjeje dhe aktivitete rekreative për të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, të mbijetuarat e trafikimit të qenieve njerëzore, dhuna në familje dhe grupe të tjera vulnerabël.

Kompania do të mund të marrë pjesë në tendera dhe prokurime publike të shpallura nga ente publike apo private në Shqipëri për të ofruar shërbime. Ndër aktivitetet e planifikuara, kompania mund të ofrojë ambiente pritjeje dhe akomodimi për punëtorët/et emigrantë (sezonale dhe të tjera). 

Ky shërbim ka një potencial të madh për tregun shqiptar ku qeveria shqiptare vazhdimisht kërkon të rekrutojë mijëra punëtorë filipinas dhe emigrantë të tjerë për industrinë e turizmit dhe prodhimtarinë, për të plotësuar mungesën e fuqisë punëtore me të cilën po përballet aktualisht vendi.

Siç njoftoi kryeministri Rama, qeveria shqiptare po diskuton një marrëveshje me Filipinet që parashikon ardhjen e rreth 30-40 mijë punëtorëve  në Shqipëri për arsye pune.

Ishte noteri shqiptar Dritan Gjana, i cili autorizoi krijimin e shoqërisë Medihospes Albania. Emri i Gjanës nuk është i panjohur. Në vitin 2019, emisioni investigativ Fiks Fare raportoi për disa zyra noteriale në Tiranë, në të cilat asistentët dyshohet se kanë vendosur – përmes një procedure të paligjshme – vulën dhe nënshkrimin në emër të noterit. Mes të përfshirëve në skandal ishte edhe zyra e Dritan Gjanës.

Më 3 korrik, Medihospes emëroi si përfaqësues të posaçëm të shoqërisë Klement Mersini, kontabilist dhe drejtor aktual i departamentit të financave të SIGAL Uniqa Group Austria, një grup rajonal sigurimesh. Sipas dokumenteve, Mersini ishte i autorizuar të vepronte në emër të shoqërisë dhe ta përfaqësonte atë në Qendrën Kombëtare të Biznesit në Shqipëri për procedurën e regjistrimit të subjektit si dhe procedurat e tjera.

Sipas dokumenteve të publikuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, vetëm emri i Camillo Giuseppe Aceto (siç përmendet në krye të Bordit të Drejtorëve të Kooperativës Medihospes) citohet si përfaqësues i kompanisë. Aksionerët që zotërojnë më shumë se 25% të kapitalit nuk u identifikuan.

Me datën e hapjes së qendrave që afrohet, organizata të shumta të angazhuar në shpëtimin dhe mbrojtjen e emigrantëve dhe refugjatëve kanë apeluar për shfuqizimin e këtij prokolli. Kjo marrëveshje  institucionalizon një sistem të ri të azil-kërkimit në BE që shënjon një kapitull të errët për të drejtën e azilit.

Teksa konfliktet e vazhdueshme politike, kriza ekonomike, dhe katastrofat klimaterike shtyjnë shumë individë që të ndërmarrin rrugë të rrezikshme dhe sfilitëse për të arritur kufijtë e Europës, Bashkimi Europian heziton të ofrojë korridore humanitare.

Me vënien në jetë të këtij protokolli, individët që do të mbërrijnë në brigjet e Italisë për të kërkuar mbrojtje ndërkombëtare do t’i nënshtrohen një procesi dehumanizues të proklamuar me krenari nga Rama dhe Meloni. 

Ky sistem rrezikon që të trajtojë individët në terma administrativë duke i kategorizuar ose në grupe vulnerabël që mundet t’i shpëtojnë transferimit, ose në grupin i cili do t’i nënshtrohet zbarkimit jashtë territorit të BE-së. 

Disa prej tyre nuk do jenë me fat dhe do të vendosen në Shqipëri, ku do t’ju privohet arbitrarisht liria dhe do të mbahen të izoluar në qendrat në Gjadër. Muajt në vazhdim do të jenë një test për këtë protokoll dhe zbatueshmërine e tij, por mbi të gjitha ky model teston kredibilitetin e Bashkimit Europian si bastion i të drejtave të njeriut nëse e legjitimon këtë plan. 

Imazhet në artikull dhe ballinë: Kristina Millona, Gjadër, 2024

*Ky artikull vjen i shqiptuar në nyje.al, versioni nistor është publikuar në gjuhën italiane në Altreconomia

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje