Kush e banon qytetin?

nyje.al | 07.08.2019

Këto janë fotografi të marra nga qyteti i Kamzës, në rrugë dhe lagje të ndryshme në harkun kohor të një dite vere. Nga lindja e diellit deri në perëndim të tij, nëpërmjet lentes së banorit periferik, hetojmë se kush e banon realisht qytetin, dhe sa mundësi krijon një qytet për të banuar në të. Ndërkohë që qendra e Kamzës të jep gjithmonë ndjesinë e një kalimi emergjent rrethrrotullues, periferia shtrihet në tërheqje, pa gjuhë për të treguar se ku i dhemb. Qyteti popullohet natën, secili në shtëpinë e vet, secili me mërzinë e vet; dhe vetmohet ditën, secili në punë, apo në papunësinë e vet. Jo rastësisht herë pas herë në këtë tekst do të gjenden figura të poezive të Luljeta Lleshanakut, kjo prej se poezitë e saj kanë qenë të parat që ua kanë legjitimuar banimin njerëzve të Kamzës: veç një varg si varfëria të bën vendas ngado që shkon mundet të na shfajësojë.

Kamza zgjohet heret. Ajo i ngjan trupit të një punëtori, të cilin nga ëndrra te rruga, e ndan veç zëri i një gruaje që paralajmëron ndëshkimet e një pronari. Njerëzit e parë që hidhen në rrugët e saj janë punonjëset e punonjësit e ndërmarrjes së pastrim-gjelbrimit, gratë e fasonerive, nënat dhe tregtarët e tjerë vendas me qese manash, ullinjsh, qumështi e bulmeti që zënë qoshet e tregut të çartur buzë bulevardit “Blu” dhe rrugës “Sali Berisha”. Ka dhe të tjerë, që ecin me fytyrë në ngërç: kamerierët, shitësit ambulantë, fatorinot, mosha e tretë që pret jashtë dyerve të postës për të tërhequr pensionin, e shumë të tjerë më të ngeshëm, më të trishtë.

Lehtësisht të dallueshëm janë të papunët e periferisë tek presin në këmbë, në mesin e qendrës së boshit, 1.5 m distancë nga konkurenti tjetër i papunë, secili në hisen e vet të pritjes. Bashkë me njerëzit e jetojnë qytetin brenda gardheve miqtë e mirë të shtëpiave: qeni, macja, pulat e zogjtë. Shumë të tjerë që enden në rrugë edhe më periferike, edhe më herët nga ç’janë zgjuar ata që duan të shohin se kush e banon qytetin në ikje i kanë shpëtuar vështrimit tonë, por ne i njohim. Janë njerëzit që jetojnë edhe më në skaje, të cilët me ca rrënjë hardhie dhe fëmijë janë mjaftuar të ndërtojnë një qytet.
Fëmijët, gjithmonë shfaqen në perëndim të gjerave, në dorëzim, teksa zbathen këpucët e një dite të gjatë pune. Ata janë tashmë aty, të lindur nga njerëz që kanë zgjedhur jetën, dhe jo të menduarit për jetën, si zonja siçiliane në poezitë e Lleshanakut, barku i së cilës u zgjerua 9 herë; këtyre fëmijëve gjithmonë do t’u rrijë në sfond një shtëpi, barakë apo e re që mban dy data: të themeleve dhe të legalizimit, si fillimi dhe fundi i një jete që shfajësohet nëpërmjet vuajtjes dhe varfërisë.

Kamëz, qershor 2019
Autorësia e fotografive: Redaksia e nyjes dhe aktivistët: Ronald Qema e Emiliano Syla.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje