Studentët e Kamzës do duhej të merrnin abonenë e kompensuar që prej janarit

nyje.al | 28.03.2024

Një sallë e re për mbajtjen e aktiviteteve politike i është shtuar qytetit të Kamzës. Në shkollën 9 -vjeçare “Demokracia” të rindërtuar, në një sallë të mbushur me gjimnazistë, kryetari i Bashkisë Kamëz, Rakip Suli firmosi marrëveshjen me ministren e arsimit për Kartën e Studentit këtë të mërkurë. 

Bën shumë sens që ajo sallë të jetë e mbushur me gjimnazistë sepse ndonëse vendimi për subvencionimin e transportit urban nga linjat e qytetit është marrë që në janar nga Këshilli Bashkiak i qytetit, aboneja e studentit për të rinjtë e Kamzës duket se do të bëhet realitet më së afërmi në vitin akademik të ardhshëm. 

Jemi në fund të muajit mars dhe studentët që banojnë në Kamëz ende vazhdojnë të paguajnë biletën e pajtimit mujor sipas tarifës së përcaktuar nga kompania private, e kontraktuar nga Bashkia Kamëz. Vendimi i Këshillit Bashkiak Kamëz, i datës 18 janar 2024, përcakton që bileta e pajtimit mujor në linjat e transportit në Bashkinë Kamëz kompensohet per periudhën janar – dhjetor 2024. 

Vendim i parakohshëm apo zbatim i vonshëm 

Që prej zbardhjes së vendimit të marrë nga Këshilli Bashkiak, redaksia jonë është investuar në hulumtimin e procesit të zbatimit të këtij vendimi. Disa pyetje lindën pas analizimit të vendimit dhe vëzhgimit se kompensimi nuk po realizohej sipas periudhës së paracaktuar. Pyetjet ia drejtuam institucionit të Bashkisë Kamëz, përmes një kërkese për informacion më 31 janar. 

Në përgjigjen e ardhur më datë 12 shkurt, Bashkia Kamëz nuk kishte trajtuar asnjë prej pyetjeve tona por kishte zgjedhur vetëm të na informonte për të mirat e kartës së studentit. Pyetjes se si do të kompensohen studentët për biletën e pajtimit mujor të muajve që nuk e kanë aksesuar abonenë e studentit, Bashkia nuk i dha përgjigje. Po ashtu, edhe pyetjes rreth menaxhimit të shpërndarjes së aboneve të studentëve, duke siguruar trajtim të plotë dhe të dinjitetshëm për ta, Bashkia Kamëz nuk iu përgjigj. 

Duke vërejtur që institucioni qeverisës lokal nuk e ushtron detyrën e tij për llogari-dhënie dhe përgjigja injoron thelbësisht kërkesën tonë për informim, redaksia i drejtoi një ankesë Komisionerit për të Drejtën e Informimit. Më 20 shkurt Komisioneri i kërkon Bashkisë Kamëz të rivlerësojë kërkesën tonë për informacion dhe të japë sqarimet e saj brenda afatit një javor. Që prej asaj date pushteti lokal nuk ka denjuar të përmbushë kërkesën e Komisionerit dhe të japë përgjigjet e saj për pyetjet e ngritura nga ne. 

Edhe studentët që banojnë në Kamëz vazhdojnë të mbeten në pritje të abonesë së tyre. Nga viti akademik u kanë mbetur edhe tre muaj të tjerë dhe aboneja do t’u kishte shërbyer shumë në rast se do të kishte gjetur zbatim pa pasur vonesa të tjera. 

Veç transporti 

Karta e studentetit duhet të ofrojë një gamë të gjerë shërbimesh të domsdoshme që t’ua lehtësojë jetën studentëve. Modele nga vende të ndryshme të kartës studentore përfshijnë edhe vakte ushqimesh me çmime simbolike, akses falas në shumicën e aktiviteteve në nivel kombëtar, transport e qera për banim me çmime të arsyeshme dhe krejtësisht të përballueshme nga ta. Në rastin e kartës studentore të ofruar në Kamëz, ashtu si edhe në videon e postuar në Facebook nga Rakip Suli (e rishpërndarë nga faqja zyrtare e Bashkisë), zëri i vetëm i vendosur në atë video është një student që thekson veç nevojën e abonesë. Asgjë tjetër nuk parashtrohet. Asgjë shtesë prej domsdoshmërive të shumta të studentëve. Si rrjedhojë, edhe funksionaliteti i kartës së studentit në qytet duket të jetë reduktuar vetëm te kompensimi i biletës së pajtimit mujor.

Në një vendim tjetër të Këshillit Bashkiak Kamëz të 18 janarit, përcaktohen shërbimet që përfitohen falas nga studentët në Bashkinë Kamëz. Në tabelën bashkangjitur vendimit, përcaktohet që studentët do mund të ndjekin falas aktivitetet në Pallatin e Kulturës dhe stadiumin e qytetit. Përpjekja për të mbushur tabelën duke ndarë në shërbim secilën kategori të aktiviteteve që mund të organizohen në Pallatin e Kulturës ose secilën hapësirë të saj, është po aq absurde sa situata në të cilën ndodhet kultura që ofrohet prej pushtetit në qytet. Siç e kemi trajtuar edhe në shkrimet e mëparshme, aktiviteti kulturor i Pallatit të Kulturës në Kamëz është shumë i varfër. Ato aktivitete që zhvillohen janë shumica kontribute që vijnë nga programet e gjimnazeve të shkollave të mesme të cilat janë tashmë falas për të gjithë frekuentuesit. Sakaq, biblioteka duhet të ishte falas për të gjithë, me apo pa kartë studenti.

Ashtu si në qytetet e tjera, edhe në Kamëz, Karta e Studentit vijon të mos e kryejë funksionin e saj, lehtësimin e jetës së studentëve, ashtu siç propagandohet, përpos abonesë së studentit që përsëri nuk e ka paqtuar plotësisht stresin e shkaktuar nga transporti urban dhe që nuk e mbulon atë ndër-qytetas. 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje