Kronologjia e instalimit të “mafies” së 5 Majit

Ndue Marku | 09.12.2023 | nyje.al 

Në lagjen ‘5 Maji’ ndodhi një ndër grabitjet më të bujshme në ekzistencën e shtetit shqiptar. Njerëzit u nxorën përdhunshëm nga banesat e tyre dhe bashkia jo vetëm ua shembi dhe ua mori shtëpitë, por edhe nuk i dëmshpërbleu. Madje në atë përpjekje të banorëve për të mbrojtur pronat e tyre, në ato protesta dhe reagime të fuqishme, në fakt shteti urdhëroi edhe policinë antiligjore të ndërhynte, të shtypte protestën e të rimerrte kontrollin e zonës. Kur kanë kaluar dy vjet nga përballjet e frikshme qytetarë-junte policore, janë të paktë zërat që flasin për padrejtësinë-vjedhje-grabitje-mashtrimin që u është bërë banorëve të zonës së 5 Majit. Madje edhe opozita, që mund ta kishte si një prej kartave të saj elektorale në zgjedhjet e fundit lokale, e mënjanoi historinë e turpshme të vjedhjes së pronave të qytetarëve të “5 Majit”.

Po si nisi grabitja? Në fakt projekti daton prej majit të vitit 2012. Është shumë interesante një mbledhje e këshillit bashkiak të Tiranës së asaj kohe, ku edhe është propozuar projekti fitues “Grimshow”. Ndërkohë që Lulzim Basha, kryebashkiaku demokrat i Tiranës projektonte zgjatimin dhe zgjerimin e bulevardit, grupi socialist në atë kohë del me një deklaratë ku thuhej se “Projekti prish ekuilibrat social-mjedisorë”. Dhe më tej vijohej: “Nëpermjet një deklarate kanë reaguar këshilltarët socialistë. Ata i kërkojnë zotit Basha t’u tregojë qytetarëve se sa milionë euro u ka çuar dëm në këto 10 muaj, duke zhvilluar konkurse, që ishin zhvilluar më parë, si dhe sa milionë euro u kushton qytetarëve maketi i tij i sotëm. Sa e shkatërrojnë ekuilibrin social dhe mjedisor të Tiranës, kullat që Basha ka planifikuar të ngrejë?” Në deklaratën e këshilltarëve socialistë thuhej se qytetarët e Tiranës kanë dëgjuar vetëm të pavërteta në këto muaj, ndërkohë që e ardhmja e tyre vazhdon të rrezikohet nga mashtrimi publik me makete, me miliona euro të çuara dëm, si në rastin e sheshit ‘Skënderbej’, me taksat që Basha premtoi të ulte, por në fakt u dyfishuan, me hipotekat që do t’i gëzonin, por që ende nuk i kanë në dorë apo me Planin Urbanistik të 2008-s, që po paraqitet si plan i sotëm i Tiranës.

9 shkurt, shembja e shtepive te banoreve te lagjes 5 maji, foto nga Ronald Qema 9 shkurt, shembja e shtëpive të banorëve të lagjes 5 Maji, foto nga Ronald Qema 

Duke e parë me vëmendje këtë reagim të asaj kohe, shihet qartë ravijëzimi i një projekti që do të pasohej dhe do të vijonte me vjedhje pronash të qytetarëve që ishin të vendosur në atë zonë. Në fakt, që prej asaj kohe e deri më sot, askush nuk iu përgjigj pyetjeve që shtruan socialistët opozitë, teksa vetëm pak vite më pas do të hidhej në letër, në bazë të atij projekti, shtrirja e planit të vjedhjes nën thundrën e mafies së pushtetit.

Pasi morën pushtetin, socialistët jo vetëm që nuk qëndruan koherent ndaj ‘shqetësimeve të tyre opozitare’, por e zbatuan projektin me dhunë, forcë policore, në terr informativ dhe në mënyrë anti-kushtetuese. Projekti u tha se u kalua me procedurë të përshpejtuar dhe pa konsultim publik. Shkak për mos konsultimin publik u paraqit justifikimi i pandemisë. Plan-projekti vazhdoi me shpalljen e Vendimit të Këshillit të Ministrave me nr.533 që daton në 22 shtatorin e vitit 2021 dhe u cilësua si shpronësim për interes publik. Me zhvillimin e projektit u ngarkua Bashkia e Tiranës e cila pak para asaj periudhe kishte krijuar edhe kompaninë zhvilluese me emër ‘Tirana.Dc’ që është edhe aktualisht zhvilluese e projektit nëpërmjet nënkontraktorëve.

Në fillim askush nuk i njihte nënkontraktorët por më vonë, banorët e ‘5 Majit’ duke gërmuar në vjedhjet e dhunshme që po iu bëheshin mësuan se ‘Lisus shpk’ ishte me pronar Pashk Rrapin, ‘Pepa grup’ me pronar Lulzim Pepën, ‘Salillari’ me pronar Gëzim Salillarin, ‘Shkëlqimi 07’ me pronar Shkëlqim Kapllanajn, vëllai i deputetit të PD-së, Agron Kapllanaj, etj. Sipas të dhënave që erdhën nga ajo kohë u mësua se Bashkia Tiranë, në vend të shpronësimit tradicional dhe të specifikuar në VKM-në e nxjerrë me 22 shtator të vitit 2021, e konkluduar si këmbim ose shpronësim, hartoi akt-marrëveshjen të cilën e paraqet si të domosdoshme për t’u firmosur dhe për të patur mundësinë për t’u trajtuar banorët si të dëmtuar nga tërmeti. Siç u bë me dije, një pjesë e banorëve, nga frika dhe nga padija e firmosën marrëveshjen me Bashkinë, ndërsa pjesa tjetër nuk pranoi nënshkrimin e saj. Kjo për arsye se në marrëveshje nuk përcaktoheshin dy të dhënat kryesore: kur dhe ku do të shpërbleheshin. Pra nga banorët kërkohej koha dhe vendi, si dy elemente kryesore për të pasur vlefshmëri reale në një marrëveshje të drejtë dhe ligjore mes dy palësh.

Por kjo marrëveshje u tha se i ngarkonte banorët, pra ata që hodhën firmë, po edhe të tjerët që pretendohej se do t`i mashtronin, të hiqnin dorë nga prona nëpërmjet dhurimit. Bashkia zotohet të realizojë dëmshpërblimin në të ardhmen duke iu bërë me dije banorëve se ky dëmshpërblim do të bazohet edhe në një ligj që ende nuk ishte miratuar, por kur të miratohej ligji, në të do të ishin të përcaktuara qartë detajet e dëmshpërblimit. Duke pritur dëmshpërblimin dhe miratimin e ligjit për përcaktimin e kushteve, banorët hoqën dorë edhe nga çështja gjyqësore, duke krijuar kështu një pakënaqësi mes palëve, ku ata që vendosen të mosfirmosnin, vendosen edhe të vijonin përballjen jo vetëm gjyqësore.

22 shkurt 2022, lagjia 5 Maji ne proteste, fotografi nga Ronald Qema 22 shkurt 2022, lagjia 5 Maji ne proteste, fotografi nga Ronald Qema

Pushtimi nisi para VKM-së. Në gusht të 2021-it banorët filluan protestat dhe një muaj më vonë, pra në shtatorin e këtij viti, para se sa të miratohej VKM-ja e famshme me firmëtar Arben Ahmetajn, u realizuan prishjet e para. Nuk pati rezistencë pasi, në fakt, një pjesë e mirë e banorëve kishin firmosur duke patur frikën se do të mbeteshin pa asnjë dëmshpërblim. Nga kjo droje, ata banorë nuk iu bashkuan pjesës tjetër që kishin nuhatur herët mekanizmin barbar të vjedhjes dhe përjashtimit nga e drejta e pronës së tyre.

Në 19 janar 2022, siç edhe e dimë, u prishën me dhunë banesa për të cilat të zotët nuk kishin firmosur marrëveshjen. Me qindra forca policore e rrethuan zonën pa zbardhur drita për të iniciuar shembjen e shtëpive. Banorët rezistuan dhe u përballën fizikisht me policinë, për dhuna policore tejkaloi çdo lloj limiti duke arrestuar dhe dhunuar masivisht protestuesit. Në atë ditë të trishtë ra në sy goditja barbare në banesën e familjes së Liza Markut dhe të shtëpisë së Ledion Mziut, në njësinë nr. 8. Është e pamundur të harrohet imazhi i Ledionit, i cili vendosë të vetprangoset brenda shtëpisë së tij në mbrojtje të saj edhe me jetë. Junta policore, e derigjuar nga vetë shteti e shtypi rezistencën e banorëve të ‘5 Majit’ përdhunshëm.

Pamjet e dhunës së pushtetit u bënë virale, e për pasojë, për të neutralizuar aktin terrorist të kryer ndaj pronës dhe jetës së banorëve, nisi edhe një propagandë e fuqishme mediatike me aktor kryesor numrin dy të bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku. Në një emision televiziv ai deklaronte se “brenda një viti, nënë Liza do të jetë në shtëpinë e saj”, duke tentuar të argumentojë se shpronësimi aty ishte i drejtë dhe se do ta realizonin, por sigurisht, sipas planit të tyre që në fakt kishte marrë jetë shumë kohë më parë. Tërmeti ishte përdorur, si në shumë hapësira të tjera urbane dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, si pretekst për të ndërhyrë në mënyrë të jashtëligjshme dhe duke shfrytëzuar, krijuar dhe mirëmbajtur gjendje të jashtëzakonshme në të cilat të mund të ndërhyhej edhe më lehtë në qytet.

22 shkurt 2022, protesta ne 5 Maj, foto nga Ronald Qema 22 shkurt 2022, protesta ne 5 Maj, foto nga Ronald Qema

Megjithatë rezistenca vazhdoi. Banorët e 5 majit vendosën të riorganizoheshin në qëndresë qytetare duke e çuar zërin e tyre para Parlamentit, Kryeministrisë, Bashkisë, Ambasadës Amerikane dhe institucioneve të tjera. Ata bllokuan rrugë e sheshe, që nga Shqiponja, Medreseja, Ura e Paskuqanit dhe ku mundën. Kishin besimin që dikush do ta dëgjonte zërin e tyre, por nuk ndodhi. Askush nuk i dëgjoi e madje as opozita. Horrori në shtëpinë e të moshuarës, Liza Marku, kryer nga banda me uniformë policore, bëri që ngjarja të ketë një lloj vëmendjeje të paktë nga mediat, kryesisht televizionet e mëdha. Pas kësaj rezistence, të paktë nga radha e opozitës iu bashkuan kauzës së tyre për mbrojtjen e pronës. Përkrahja e tyre e dobët dhe e vonuar reduktohej vetëm në përballje fizike në përplasjet me policinë.

Ndërhyrja e fundit brutale në banesat e 5 Majit daton në 22 shkurtin e vitit 2022, pra 5 muaj pas daljes së VKM-së. Në atë sulm të derigjuar nga Bashkia Tiranë u prishën 12 prona për të cilat asnjë banor nuk kishte rënë dakord dhe as nuk kishte firmosur. Atë ditë pati edhe përballje të dhunshme fizike mes banorëve dhe policisë. Kjo e fundit hodhi gaz lotsjellës që shpërndau protestuesit dhe përballja përfundoi me 5 persona të arrestuar, mes tyre Ndue Marku, Gjin Nikolli, Laureta Nikolli, Mirash Marku dhe Agim Marku. Të arrestuarit për protestat dhe kundërshtimet e policisë u dënuan me gjobë për rezistencë, ndërkohë që askush nuk u dënua për helmin që policia futi në shtëpitë me fëmijë e të moshuar në atë zonë.

22 shkurt 2022, banorët e lenduar nga gazi lotsjelles ne lagjen 5 Maji, fotografi nga Ronald Qema 22 shkurt 2022, banorët e lenduar nga gazi lotsjelles ne lagjen 5 Maji, fotografi nga Ronald Qema

Atë ditë dhe as më vonë, asnjë titullar nuk solli asnjë vendim prishjeje nga IMT-ja. Po ndërkohë që reprezalja në atë zonë kishte acaruar së tepërmi opinionin publik për mënyrën e dhunshme me të cilën u shembën shtëpitë, kryebashkiaku i Tiranës, i cili bëhej gati për të rikandiduar për Bashkinë e Tiranës, deklaronte në një tjetër njësi se Liza Marku kishte përfituar 500 metër katror ndërtim. Madje, sipas Veliajt, ajo kishte dhënë dakordësinë për këtë ndërtim. Por sot e asaj dite, nënë Liza është e pastrehë, shumë prej tyre nuk marrin as bonusin e qerasë. Madje vetë Veliaj, deklaroi pak kohë më parë se në dhjetorin e këtij viti 70 familjet e fundit nga banorët e ‘5 Majit’ do të strehohen. Në fakt të dhënat tregojnë se nga 164 prona të prishura përgjatë aksionit mafioz shtetëror asnjë nuk është strehuar.

Me 9 maj të këtij viti, pra vetëm 5 ditë para zgjedhjeve vendore, bashkia del me VKB nr. 55 në të cilën thuhet se do të ripërcaktohej radha e dëmshpërblimit. Në fakt miratimi i kësaj VKB-je u bë me dije nga vetë bashkia ku në fokus ishte jo vetëm fushata, por edhe si një parapritë për ndonjë mundësi përplasjeje në Gjykatë. Por ngjashëm me aktet e tjera të dala nga bashkia, edhe kësaj radhe nuk u mor vesh asgjë se kur dhe ku do të dëmshpërbleheshin të dëmtuarit. Por në atë kohë, kryeministri Rama e kishte shpallur të përfunduar procesin e rindërtimit, duke zhdukur nga qeverisja ministrinë që shpiku për rindërtimin e vjedhjes së madhe që e drejtoi ministri dhe zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, që sot rezulton i shpallur në kërkim. Sadoqë është përpjekur të flitet, të investigohet dhe të rezistohet ndaj mashtrimit, grabitjes dhe shpronësimeve të dhunshme e të padrejta të 5 majit, kjo zonë dhe shumë të tjera të ngjashme në kryeqytet dhe jashtë tij, fshehin shumësi aferash korruptive dhe ndërhyrjesh të jashtëligjshme që po kryhen në kurriz të qytetarëve dhe në përfitim të forcave të pushtetit të një qyteti oligarkik.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje