nyje.al | 30.10.2023
Studentët e mjekësisë së përgjithshme janë të gatshëm t’i rikthehen auditoreve pas takimit me rektoratin e Universitetit të Mjekësisë Tiranë. Rektori Arben Gjata u ka premtuar atyre që studentët nuk do të përballen me asnjë kontratë, pjellë e ligjit nr.60/2023, derisa Gjykata Kushtetuese të shprehet mbi vlefshmërinë e këtij ligji.
Ky vendim u njoftua pas një takimi të zhvilluar sot mes një përfaqësie të studentëve dhe Rektoratit, takim që solli atë që studentët e mjekësisë e quajtën fitore të parë të rezistencës së tyre.
“Marrim garanci të plotë nga Rektori për paraqitjen e një shkrese brenda të hënës që do na mbështesi deri në daljen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese.” – ishin fjalët e Dea Gurit, studente dhe pjesëmarrëse në takim.
Guri gjithashtu ndau me studentët që në takim është gjetur dakordësi për realizimin e një plani për zëvendësimin e orëve të humbura përgjatë më shumë se një muaji bojkot dhe fillimin e një procesi konsultimi juridik të Rektoratit për zgjidhjen e këtij ngërçi të krijuar nga miratimi i ligjit, të kontestuar gjërësisht nga studentët.
Studentët tashmë u shprehën të gatshëm t’ rikthehen procesit mësimor derisa Gjykata Kushtetuese të dalë me një vendim mbi kundërshtimin e këtij ligji. Kërkesën për rrëzimin e ligjit studentët e dërguan në Gjykatë Kushtetuese më 19 tetor.
Prej pesë muajsh ata protestojnë dhe prej fillimit të vitit akademik ata bojkotuan procesin mësimor pasi ligji i miratuar mëngjesin e 21 korrikut për ta është diktatorial, detyrues dhe tentativë për të mbuluar dështimin e sistemit shëndetësor publik.
Mos hyrja në fuqi de-fakto e tij, mos nënshkrimi i kontratës, e arritur sot, për ta është një shpagim më se i merituar pas rezistencës së gjatë të tyre.