Ndërtimet e reja në Kamëz, qyteti po shpërfytyrohet

Ronald Qema | 11.05.2023 | nyje.al1

Amarildo, sot 23-vjeçar, banon në Kamëz e punon si gazetar në një media online në vend dhe lajmet për futbollin janë ato më afër zemrës e ndien kënaqësi kur punon për to. I apasionuar pas këtij sporti, në fëmijëri është ushtruar për tu bërë futbollist po fati e çoi në rrugë të tjera. “Rinia”, kompleksi i sportit në Kamëz ishte ndër hapësirat e vetme ku fëmijët mund të ndiqnin pasionet e tyre, më së shumti futbollin. Për pothuaj 4 vite, Amarildo trajnohej pasditeve dhe fundjavave të fëmijërisë së tij në kompleksin “Rinia” që gjendej diç më pak se një kilometër larg shtëpisë së tij. 

Përgjatë marsit ndërtesa e verdhë me harqe mbi të dhe në murin rrethues është zhdukur dhe e gjithë hapësira në të cilën shtrihej Kompleksi Rinia është bërë gati për ndërtimin e një pallati 9 katësh. 

 Qyteti i ngritur nga poshtë

Bashkia e Kamzës është shpallur e tillë në vitin 1996 e është rritur bashkë me fëmijët e qytetit të lindur ose të sjellur nga prindër që donin një jetë sa më të mirë për ta. Lëvizja migratore e fillim-viteve ‘90 e që vazhdoi edhe në mijëvjeçarin e ri e populluan fushën e dikurshme dhe e shndërruan në qytetin e gjashtë më të madh në vend dhe bashkinë më numrin më të lartë të dendësisë së popullimit.

Përgjatë viteve, falë emigrimit dhe punës në kryeqytet e gjetkë këto dhjetra mijëra familje arritën të ndërtonin shtëpitë e tyre, me moton kryesore “një bukë e një tullë”. 

“Kamza me shtëpitë e saj, edhe pse ndër vite e përfytyruar me stigmën e së shëmtuarës, diskurs i ndërtuar kryesisht nga Partia Socialiste dhe urbanistët e intelektualët proto-fashistë, mbart në vetvete jo veç ‘hekur e beton’. Historia e ndërtimit, përfshirja e fëmijëve dhe grave në ngritjen e një qyteti, pa plan shtetëror, praktikat e përbashkëta të ndërtimit të të gjithë banorëve të lagjes për të hedhur soleta a hapur themelet e një shtëpie të re, ritet e ndërtimit të shtëpisë, konceptimi i hapësirave dhe rregullimi i brendshëm pa arkitektë dhe arredues, të gjitha këto mbartin shumë më shumë sesa veç ‘hekur e beton’. Aty shtresëzohet jeta, ndjeshmëria, poeticiteti dhe praktikat ndërtimore të një qyteti të tërë.” Diana Malaj –  Juriste, Aktiviste e Grupit Ata

Ky zhvillim social pati edhe efektin e tij në modelin e urbanizimit të qytetit, që ndonëse kaotik e anarkik, banorët bazuar në disa vlera komunitare e bënë qytetin të ishte i sistemuar mirë dhe karakter të veçantë. 

“Ndryshe nga Tirana, Kamza ka një historik të krijimit e funksionimit të saj shumë specifik. Ajo është ndërtuar nga vetë njerëzit në një moment të vështirë të lëvizjes së tyre nga zona të tjera të Shqiperisë, në një kohë anarkie, kur shteti ishte pothuajse inekzistent. Banorët e Kamzës e kanë ndërtuar qytetin e tyre totalisht nga zero, duke u mbështetur tek njëri-tjetri. Kjo ka bërë që gjatë procesit të ndërtimit të qytetit të ndodhë natyrshëm edhe një proces shumë i rëndësishëm social, ai  i formimit të komuniteteve bazuar në lidhje solidariteti, duke ju gjendur njëri-tjetrit afër në momente të vështira.” Dorina Pllumbi – Arkitekte 

Forma kryesore e godinave të banimit në qytetin e Kamzës është shtëpia private një deri në tre kate

Afërmendsh që ky lloj zhvillimi urbanistik ka ndodhur edhe në vende të tjera përpos Shqipërisë, e mbi të është studiuar gjatë. Mirëkuptimi kolektiv herë i shkaktuar nga lidhjet familjare e herë nga arsye të tjera morale dhe zakonore e ka konsoliduar bashkëjetesën në qytet.

“Shpesh këto lidhje solidariteti kanë qenë edhe të trashëguara pasi njerëzit kanë tërhequr njëri-tjetrin, karakteristikë e qyteteve të krijuara nga lëvizje masive migratore. Ndryshe këto qytete njihen dhe si ‘qytete mbërritëse’ (“Arrival cities” në anglisht), siç i ka cilësuar autori Doug Saunders. Por, përveç këtyre lidhjeve të bartura nga vendi i origjinës, lidhje të tjera janë krijuar në momentet e vështira të krijimit të jetës së re, në vendin e ri të mbërritjes. Sfidat dhe vështirësitë i kanë bërë njerëzit të lidhen më shumë, të mbështeten tek njëri-tjetri në një kohë ku s’kishe ku të mbështeteshe tjetër. Kjo ka rezultuar në konsolidimin e komuniteteve, gjë që fatkeqësisht nuk e gjejmë në mënyrën e jetesës në Tiranë ku komunitetet janë dëmtuar gjatë fazave të ndryshme të zhvillimit të qytetit.” Dorina Pllumbi – Arkitekte 

Për rrjedhojë u ndërtua një qytet i shtrirë, ku secila familje zhvillon jetesën e saj në dukje normale por që mbetet përditë në tehet e mbijetësës dhe largimit.

Kërcënimi me dritën e diellit

Në një bisedë të zhvilluar me Ferit Gjokolën, banor i Kamzës, ai u shpreh se shtëpia e tij mos sot, nesër do bjerë pre e shembjes për t’i hapur rrugë ndërtimit të një pallati. Ndonëse qejfi i tij do ishte të jetonte në atë banesën private të ndërtuar në rrugën “OSBE”, zaptimi që pritet të ndodhë rreth e rrotull saj do i merrte edhe dritën e diellit. Për atë ky kërcënim është i papërballueshëm, nuk do mund të jetonte me godina të larta rreth e rrotull që i zënë dritën, ajrin dhe qiellin. 

Deri para pak vitesh, numëroheshin me gishtat e dorës në qytet pallatet me më shumë se 5 kate. Por që prej rreth 5 vitesh është vënë re trendi i ndërtimeve të larta, godinave rezidenciale. Prej vitit 2018 deri në 2021 janë miratuar më së paku 22 leje ndërtimi për pallate banimi kryesisht përgjatë rrugës nacionale që lidh kryeqytetin me veriun por edhe më në brendësi të qytetit. 

!function(){“use strict”;window.addEventListener(“message”,(function(a){if(void 0!==a.data[“datawrapper-height”]){var e=document.querySelectorAll(“iframe”);for(var t in a.data[“datawrapper-height”])for(var r=0;r<e.length;r++)if(e[r].contentWindow===a.source){var i=a.data["datawrapper-height"][t]+"px";e[r].style.height=i}}}))}();

Aktivistët shprehen se ndonëse shifrat nuk duken aq alarmuese, në qytet tashmë ndjehet një farë pezmi prej transformimit që po ndodh. Qyteti dikur me atë llojin kaotik të urbanizmit, i shoqëruar me një proces të gjatë formalizimi, e kishte rrënjosur gjithsesi peizazhin që bashkëshoqëronte çdo banor apo qytetar që kalonte nëpër të. Tashmë udhëtarët që kalojnë nëpër Kamëz po fillojnë të përballen me fasada pallatesh.

“Teksa e dëshmojmë përditë në mënyrë të patakatshme për të ndërhyrë, sesi është ngulfatur Tirana dhe Prishtina, me pallate shumë katëshe dhe në çdo rrugicë gropa të mëdha e eskavatorë ndërtimi, i gëzohemi shumë faktit që banorët e Kamzës ia kanë dalë të ndërtojnë shtëpitë e tyre duke mos lënë shumë hapësira ‘negocimi’ apo ‘lakmie’ për oligarkët e ndërtimit. Nëse këta banorë, që kanë mbi 30 vite që po ndërtojnë strehën e jetës, nuk do të dorëzohen, por do t’i rezistojnë planeve vertikalizuese të qytetit, kanë shpëtuar qytetin dhe historinë urbane të tij. Politikat urbane të shprishjes së jetesës horizontale dhe ndërtimit të jetesës vertikale me pallate shumëkatëshe në mënyrë të dhunshme në Tiranë, po i afrohet ngadalë-ngadalë edhe Kamzës. Siç po pranohet gjerësisht edhe nga urbanistë, arkitektë dhe banorë të ndjeshëm të Tiranës, kryeqyteti nuk ka më vija të kuqe. Gjithçka mund të prishet, gjithçka mund të shembet. Madje mund të bëhet edhe në mënyrë të paligjshme, anti-kushtetuese, brutalisht, në mes të ditës dhe e shoqëruar gjithmonë me gjuhë diskriminuese dhe fajësuese nga pushteti lokal (Veliaj &co). Kamza mund të vihet në sprovë në dekadën e ardhshme nga i njëjti rrezik. Pushteti lokal e ka dëshmuar që nuk ka pikë ndjeshmërie ndaj asaj që kanë ngritur familjet e Kamzës, duke sjellë ndër mend  rastin e zonës së Paskuqanit, paçka se ndërhyrjet kanë ardhur gjithmonë nën velon e shpronësimeve publike për projekte publike.”  Diana Malaj –  Juriste, Aktiviste e Grupit Ata 

Po aq ndikim sa në urbanistikë do ketë edhe në jetën sociale të qytetit ky transformim. Për arkitekten dhe studiuesen Dorina Pllumbi, me këtë ndërhyrje rrenjësore që po i bëhet qytetit rrezikohet edhe humbja e karakterit të tij. 

“Së fundmi vihet re një kapërcim nga një mënyrë jetese me karakter komunitar në një tjetër mënyrë jetese të atomizuar siç dhe e imponojnë disi apartamentet në formë kutish në pallatet e reja që po ndërtohen. Flamurtarët e të ashtuquajturit “progres” këtë e trumpetojnë si normale. Vërtetë tregu imobiliar, apo dhe interesa të tjera që ne nuk i shohim në sipërfaqe mundet që ta nxisin një kapërcim të tillë, por sfida do të ishte të gjenden mënyra që këto lidhje komunitare të fuqizohen, pasi ato, siç e kemi në rastin e Kamzës, mbartin në vetvete kapacitet solidar, vetë-organizues, autonom, deri në atë pikë sa për të mundësuar krijimin e një qyteti nga e para. Sigurisht, ky nuk është një lexim romantik i qytetit të Kamzës. Sidomos njerëz që e jetojnë perditë e dinë që aty ka probleme thelbësore, por opinioni im është që Kamza nuk duhet të lejojë që tregu imobiliar i apartamenteve të minojë funksionimin komunitar, siç ka bërë Tirana. Është në natyrën njerëzore të kemi nevojë të përkasim diku. Të qënurit pjesë e një komuniteti bën që të mos ndihemi vetëm, të kemi më shumë kapacitet ekonomik, mirëqenie mendore dhe shpirtërore, por edhe kapacitet organizativ në nivel politik. Pallatizimi i Kamzës do të ishte një ndërhyrje e dobët që do të ndikonte në humbjen e karakterit të saj komunitar dhe transformimin e qytetit në një qytet gjenerik.” Dorina Pllumbi – Arkitekte 

Pikëpyetjet që ngrihen si pallatet

Bashkia e Kamzës është mbase një ndër institucionet që prodhon më së shumti absurditete kur vjen puna te e drejta e informimit. Që nga pengimet fizike për marrjen pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak e deri tek proceset gjyqësore të humbura. 

Edhe në përgatitjen e këtij artikulli, ky institucion ka shpalosur qasjen e tij krejtësisht të paligjshme në sigurimin e informacionit dhe llogaridhënies. Kërkesës për t’u informuar për lejet e ndërtimit të dhëna në vitin 2022 Bashkia u përgjigj 20 ditë më vonë. Të dhënat e siguruara të çojnë në një dilemë. Ndonëse në vitin 2021, kjo Bashki kishte dhënë 165 leje ndërtimi, 12 prej tyre pallate, ajo ka arkëtuar rreth 420 milionë lekë nga këto leje të miratuara. Përgjatë vitit 2022, deri në momentim e marrjes së informacionit, ky institucion ka miratuar 111 leje ndërtimi, 6 prej tyre pallate, por ka arkëtuar 620 milionë lekë. 

!function(){“use strict”;window.addEventListener(“message”,(function(a){if(void 0!==a.data[“datawrapper-height”]){var e=document.querySelectorAll(“iframe”);for(var t in a.data[“datawrapper-height”])for(var r=0;r<e.length;r++)if(e[r].contentWindow===a.source){var i=a.data["datawrapper-height"][t]+"px";e[r].style.height=i}}}))}();

Duke vëzhguar nëpër qytet, numri i lejeve të ndërtimit për pallate duket i minimizuar. Githashtu arrijmë në këtë përfundim duke analizuar edhe rritjen me 26% të të ardhurave nga lejet e miratuara. 

Dy hipotezat e mësipërme  bien nëse Bashkia ka marrë një vendim në vitin 2022 për rritjen e tarifës të detyruar për t’u paguar nga ndërtuesit. 

Për të marrë një përgjigje për këtë pyetje dhe pyetje të tjera i jemi drejtuar Bashkisë Kamëz me kërkesën për të realizuar një takim me Drejtorin e Urbanistikës, Z. Erlend Baballëku. Drejtori nuk ishte i gatshëm të realizonte intervistën dhe kësisoj kërkuam një formë kontakti me të për t’u dakordësuar në një moment tjetër, por ndonëse pritja përballë Informacionit ishte disa orëshe nuk arritëm ta siguronim. 

Një gjë është e sigurtë, ajo çka ndodhi me ndërtimet në Kamëz përgjatë vitit të kaluar, këtë vit do jetë e dyfishuar pasi në buxhetin e 2023 kjo bashki parashikon të fusë në arkën e saj 1,219,358,101 lekë nga lejet e ndërtimit. 

1. Ky artikull është publikim i zgjatur i temës së punuar nga gazetari për BIRN Albania, versionin e parë të tij e gjeni në reporter.al

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje