Pavjo Gjini | 23.10.2022 | nyje.al
Marrë nga dokumentari “Badiou”, 2018
Kam qenë fatlum që për katër vite kam punuar si profesor i jashtëm/asistent në FSHS (UT). Për seminaret e një lënde jam paguar rreth 25.000 lekë për semestër (jo për muaj), me kontratë shërbimi të përvitshme, pa siguracione, pa zyrë, pa literaturë të përditësuar në bibliotekë, pa pagesë të orarëve të konsultimit me studentët apo të detyrimeve të tjera administrative që dalin. Pagesa kryhej katër muaj pasi ke mbaruar mësimin dhe madje mund të ta japin edhe gjashtë apo 12 muaj më vonë, për shkak të disa burokracive të drunjta të lidhura me thesarin e shtetit. Për të marrë një pagë mesatare të duhet ta teprosh duke dhënë seminaret e rreth 6 lëndëve për semestër, ose të kërkosh një rritje të pagesës për orë me rreth 300%, dhe jo 30%.
E bëjmë si punë ose prej një lloj prestigji thuajse të zbrazur për të figuruar në CV si profesorë, ose për të futur njërën këmbë duke pritur të hapet ndonjë mundësi për t’u bërë të brendshëm, ose – përkundër arsyes së kohës – nga dëshira për vetë procesin e mësimdhënies dhe si shërbim publik. Sigurisht që shumica gjejmë punë të dyta për të mbajtur veten ose për fitime të mëdha, por kjo nuk e heq faktin e një pagese të padinjitetshme dhe fyese. Për më tepër, sa më shumë që rrijmë larg universitetit me punë të tjera aq më larg studentëve jemi për t’iu bërë krah në arsimimin e tyre dhe aq më larg punëve akademike si studiues.
Sigurisht që brenda universitetit ka prej nesh të cilët i kanë marrë titujt me marifet; këto personazhe ose rrinë urtë në hapësirën publike ose mbrojnë sistemin duke qenë se e dinë se karrierat e tyre janë lëvizje bllofi. Mirëpo ndëshkimi për ta nuk do të duhej të ishte paga e ulët, por rivlerësimi i punëve të tyre shkencore, edhe kjo një punë që nuk është për t’u bërë nga ndonjë drejtori e ministrisë. Çështja e plagjiaturës është qendrore duke qenë se pikërisht mbyllja e syve ndaj saj pamundëson çdo punë universitare. Të kopjosh do të thotë të bësh sikur, mirëpo nuk ka raport ‘me sikur’ në mëtimin për të vërtetat. Nuk mund të bësh sikur po studion, sikur po hulumton apo sikur po jep mësim. Ndershmëria akademike nuk është mirësjellje individuale, as kriter i relativizueshëm, por kusht i domosdoshëm për vetë mësimdhënien dhe kërkimin shkencor. Pa e garantuar atë nuk e ke garantuar universitetin dhe punën e tij. E vetmja arsye pse një gjë e tillë nuk ndodh në vendin tonë është se pjesa dërrmuese e “elitës intelektuale” deri te ministria e arsimit Kushi e shumë bashkëpartiak të saj e kanë ndërtuar karrierën e tyre duke bërë sikur, një sikur elitë, një bllof elitë, e cila do të shkërmoqej në momentin e parë që do të ndërmerrej një rast për ndalimin e plagjiaturave dhe heqjen e titujve akademikë. Ndalimi i plagjiaturës është i domosdoshëm që të mos kemi njerëz që e ndërtojnë karrierën e tyre me sikur. Kemi nevojë për profesorë dhe politikanë të përnjëmendtë dhe jo bllof-politikanë e bllof-profesorë.
Aktualisht, punonjësit e universitetit po protestojnë pjesërisht për arsye se pozita e tyre, diku si klasë e mesme diku si e mesme e lartë, po rrezikohet. Profesorët e jashtëm trajtohen formalisht si me qenë nën këtë klasë, duke i vendosur në kushte formale edhe më të pasigurta se klasa punëtore, në gjendje të paqëndrueshme prekariati. Megjithatë kjo situatë çarmatosëse dhe përçmuese nuk do të duhej të na bënte të harronim se gjithsesi situata jonë ekonomike është shumë më pak e rëndë sesa ajo e studentëve, të cilët edhe paguajnë tarifa çmeritëse edhe janë punëtorë ndërkohë, të cilët edhe nuk janë aspak të kënaqur me cilësinë e arsimit edhe nuk e kanë të qartë se ku zë vend në shoqëri arsimi i tyre pas universitetit.
Çdokush do duhej ta dinte se me diskursin e qeverisë dhe nëse gjërat lihen të rrjedhin siç do ajo, situata nuk do të përmirësohet. Përkundrazi, do të bëhet edhe më keq me gjithë këmbënguljen e qeverisë, si para si pas reformës, që universitetet publike duhet ta trajtojnë veten si ndërmarrje private në konkurrencë tregu dhe t’i gjejnë vetë financimet në garë me të tjera ndërmarrje. Kryeministri këmbëngul që synimi i politikave të tij është që 1/3 e kostove universitare t’i financojë buxheti publik, 2/3 nga vetë universiteti, që “universiteti të jetë një nga aktorët e tjerë në treg” dhe se si qeveri “do të mbështesim programet që ofrojnë më shumë” duke mos u dhënë mbështetje atyre që kanë më shumë nevojë etj.
Një nga arsyet pse profesorati po kërkon rritje page nga qeveria është se tashmë qartazi nuk mund të kërkojë rritje page nga një rritje e mëtutjeshme e tarifave studimore, aq të larta sa po e zbrazin për çdo vit universitetin. Arsimi i lartë publik përshkohet nga tensioni financiar mes studentëve dhe profesorëve. Për sa kohë qeveria nuk financon pagat e profesorëve dhe arsimin e lartë publik në tërësi, i ngelet në dorë tarifave studimore të mbushin boshllëkun. Ndërkohë studentët munden shumë mirë të studiojnë në Kosovë, Austri, Gjermani apo edhe në vende të tjera të BE-së ku arsimi publik shihet si e mirë publike, tarifat ose janë zero ose rimbursohen, dhe nuk trajtohet si mall apo shërbim privat.
Prandaj, solidariteti mes studentëve dhe profesorëve kërkon që edhe studentët të kërkojnë rritjen e pagave të profesorëve, por edhe profesorët të kërkojnë uljen e tarifave studentore.
Na duhet të kërkojmë që arsimi publik të jetë me tarifa zero, që ta trajtojmë si një vlerë dhe shërbim publik për të cilin bie dakord e gjithë shoqëria për ta financuar atë përmes buxhetit publik dhe për t’u siguruar paga të dinjitetshme stafit që e mban atë në këmbë.
Ama në sfond të të gjithë kësaj përplasjeje shoqërore, çështje kyçe, edhe pse e paartikuluar drejtpërdrejt, mbetet bjerrja e kuptimit të vetë universitetit dhe arsimit të lartë. Ky mbetet një fenomen shumë më i gjerë sesa në vendin tonë, megjithatë çdo vendi i duhet t’i bëjë vetë llogaritë me të. Qeveria i trajton universitetet publike si ndërmarrje private rrjedhimisht përgjegjëse për t’i gjetur vetë financimet. Nëse nuk biem dakord me këtë përkufizim të universitetit nuk biem dakord as me reformën e 2015, e ngritur mbi këtë pandehmë. Për më tepër, nëse duam ta kundërshtojmë na duhet një përkufizim alternativ i universitetit mbi të cilin të mbështetemi. Është e nevojshme të sendërtohet një ide e përbashkët jo vetëm universitare, por mbarë shoqërore se çfarë është universiteti dhe se çfarë vendi duhet të zërë në shoqëri ai.
Më së pari, universiteti lipset me qenë një vend ku njerëzit mësojnë ide apo teori që pretendojnë, edhe përkundër njëra-tjetrës, se janë universale dhe po ashtu mësojnë të diskutojnë dhe debatojnë rreth tyre pa i marrë ato si të mirëqena. Pohimet universale në universitet i nënshtrohen kritikës. Kështu profesorët dhe studentët në universitet pandehen si qenie që munden të rrokin, të futen në raport, sendërtojnë dhe të kritikojnë ide universale. Ide universale janë ato ide të cilat presupozojnë se njeriu mundet të bëjë pohime absolute mbi çeljen e tij në univers. Një pretendim ky bukur megaloman nëse i mendojmë njerëzit veç si qenie të vdekshme. Mirëpo, universiteti ia njeh njerëzve edhe përmasën e tyre të pafundme, atë të pohimeve universale, lirinë nga kufizimet e tyre partikulare dhe barazinë mes tyre për sa secilit i njihet në mënyrë të barabartë liria për t’u futur në raport, dialog dhe kritikë me të pafundmen.
Pa këtë përmasë të polemikës mbi idetë universale, universiteti nuk do të shënjonte as një pretendim universal as të kishte pretendime mbi universin, prej nga merr edhe emrin. Do të mund të konsiderohej një shkollë teknike, artizanale, trajnuese e kështu me radhë. Për t’ia ruajtur këtë thelb si vendi i çeljes ndaj universales, do të duhej të ishte i pavarur nga interesat partikulare të qeverisë shqiptare të drejtuar nga Partia Socialiste apo interesat partikulare të tregut shqiptar të drejtuar nga Kastrati, Mane and Co., apo qoftë edhe nevojat e tregut partikular gjerman për infermierë, punonjës social etj. Nga ana tjetër, për ta mundësuar polemikën mbi universalen i duhet t’i konsiderojë subjektet brenda tij, studentë dhe profesorë, si qenie të lira dhe të hapura ndaj universalitetit, dhe jo t’i nënshtrojë ata ndaj një ideje që i imponohet nga jashtë si e tillë, siç mund të jetë marksizëm-leninizmi i partisë-shtet dje, teologjia pardje apo kapitalizmi sot. Jo më kot liria akademike është në qendër të universitetit, si liri ndaj të gjitha forcave të jashtme partikulare në mëtimin e saj për të ndërtuar ide universale ose të ankoruara në universalitete.
Nëse si shoqëri i bëjmë vend dhe biem dakord të financojmë një institucion i cili është i pavarur nga politikat qeveritare dhe politikat e tregut, i njohim vetes një përmasë lirie prej këtyre forcave, prodhojmë një institucion tonin shoqëror të çliruar prej tyre. Kjo përmasë lirie nuk është utopike (në kuptimin e të paarritshmes), por e domosdoshme për aq sa nuk jemi të kënaqur as me formën që ka qeveria shqiptare sot dhe as me formën që ka tregu në vendin tonë. Dhe liria akademike, universiteti, studentë dhe profesorë mund të rezistojnë fuqishëm për sa që mbështeten dhe sendërtojnë një ide të universitetit të mbështetur gjerësisht nga shoqëria dhe përkundër asaj të qeverisë. E gjithë tentativa për ta privatizuar çështjen universitare në terma page, ankthesh klase të mesme, meritash individuale dhe luftrash botërore jashtë fuqive tona është një tentativë për t’ia mbyllur derën vetë politikës; politikës si fusha ku forca shoqërore, dhe jo forca individuale, përplasen dhe vendosin mbi fatin e institucioneve të shoqërisë.