Arbjona Çibuku | 10.08.2022 | nyje.al
Një grusht njerëzish zotërojnë pjesën më të madhe të mediave konvencionale në Shqipëri. Ekspertët shprehen se përqëndrimi i pronësisë minon lirinë e fjalës duke censuruar gazetarët. Të dhënat flasin për mungesë të pluralizmit mediatik ndërsa kuadri i dobët ligjor dhe institucionet e brishta i zbehin ndarjet mes medias, politikës dhe biznesit. Në 2021 Shqipëria ra me 20 vende në indeksin e lirisë së medias duke marrë renditjen më të ulët historike si pasojë e situatës së përkeqësuar nga kërcënimet ndaj pavarësisë editoriale, cënimin e integritetit fizik të gazetarëve nga krimi i organizuar dhe dështimit të shtetit shqiptar për t’i mbrojtur gazetarët edhe nga dhuna policore.
Mungesa e një pavarësie ekonomike i shtyn gazetarët, sidomos atë të rinj, që ta pranojnë diktimin e mënyrës së raportimit dhe censurën nga ana e pronarëve të medias. Format e censurimit ndaj gazetarëve, sikurse ata deklarojnë, janë nga më të ndryshmet, që nga ndalimi i publikimit të drejtpërdrejtë, tek shtrembërimi i informacionit dhe tek paralajmërimet për pushim nga puna në rast rezistence.
Media si biznes familjar
Kristina Voko, drejtoreshë ekzekutive e BIRN në Shqipëri shprehet se sipas indikatorëve të Media Ownership Monitor (MOM) vendi u vlerësua me rrezik të lartë sa i përket kontrollit politik dhe ekonomik të medias, e cila është kthyer në “biznes familjar”.
“Janë të rralla rastet kur një media zotërohet nga shumë aksionerë që s’kanë lidhje familjare”, shprehet Elvin Luku, drejtues i Qendrës “MediaLook” dhe pedagog në departamentin e Gazetarisë.
Televizioni mbetet burimi kryesor i informacionit për 79% të audiencës në Shqipëri, sipas një raporti të IDRA, duke bërë kështu që dhe audienca të jetë e përqëndruar në informacionin e këtij sektori që jo rrallë herë është i fabrikuar.
“Problemi fillon te mediat vizive të licencuara si kombëtare, të cilat dominojnë të dhënat e shikueshmërisë, reklamave dhe operojnë në një spektër frekuencash që është pasuri publike”, shprehet Luku.
Dy pronarët e mëdhenj – familjet Hoxha dhe Frangaj – kontrollojnë më shumë se dy të tretat e tregut me 71.7%. Katër pronarët më të mëdhenj të televizioneve janë, familja Hoxha me Top Media, familja Frangaj me Klan, familja Dulaku me Media Vizion dhe biznesmeni Hysenbelliu me News 24, sipas MOM.
“Qoftë audiencat qoftë të ardhurat përqëndrohen në shumë pak duar”, shprehet Kristina Voko duke shtuar se “nëse një pronar mediash ose tre pronarë mediash zotërojnë shumicën e audiencës atëherë ata për interesat e tyre influencojnë opinion publik”.
Raportimi i njëanshëm ka të bëjë drejtpërdrejt me pronësinë e medias. Pronarët e televizioneve, ku është dhe më e përqëndruar audienca, “janë persona që kanë interesa të tjerë biznesi përtej medias”, thotë Voko dhe kjo ndikon në mënyrën se si ata transmetojnë lajmet
Politika dhe kontrolli i informacionit
Sa i përket kontrollit politik të medias ai ekziston në Shqipëri, por me kontroll politik Voko sqaron se “nuk nënkupton që qeveria ka blerë median, por mediat për shkak të strukturës së tyre janë të gatshëm t’i shërbejnë atyre që janë në pushtet”.
Një hulumtim i MediaLook i publikuar në vitin 2018 analizoi mënyrën sesi mediat kryesore në vend, vizive dhe online, raportonin lajmet që dërgoheshin nga zyra e shtypit të Bashkisë së Tiranës.
“Rezultoi se informacioni në dhjetë prej televizioneve dhe portaleve më të mëdha kishte një përputhshmëri nga 50-90 % me komunikatat e shtypit që vinin nga institucioni publik. Kjo tregon për një mbulim në favor të këtij institucioni”, thotë drejtor i MediaLook Elvin Luku.
“Interesat ekonomike përkthehen në interesa politike, pra zakonisht pronarët kanë interesa që të fitojnë koncesione nga shteti dhe këto interesa i shtyjnë të jenë të njëanshëm politikisht ndaj atyre që janë në pushtet”, argumenton Voko.
Aksionerët e mediave me licencë kombëtare nuk janë të shtrirë vetëm në fushën e teknologjisë së informacionit por në një sërë biznesesh të tjera që kanë të bëjnë me ndërtimin, telekomunikacionin, automobilistikën, gazin dhe naftën.
“Interesat ekonomike përkthehen në interesa politike, pra zakonisht pronarët kanë interesa që të fitojnë koncesione nga shteti dhe këto interesa i shtyjnë të jenë të njëanshëm politikisht ndaj atyre që janë në pushtet”, argumenton Voko.
Aksionerët e mediave me licencë kombëtare nuk janë të shtrirë vetëm në fushën e teknologjisë së informacionit por në një sërë biznesesh të tjera që kanë të bëjnë me ndërtimin, telekomunikacionin, automobilistikën, gazin dhe naftën.
Shqipëria paraqet risk të lartë në përqëndrimin e medias dhe audiencës, për shkak edhe të mungesës së rregullimit ligjor mbi çështjet e pronësisë, sipas MOM.
Luku sqaron se në Shqipëri ligji “Për mediat audiovizive” ndërton një Autoritet të Mediave Audiovizive (AMA) deri diku me balancë politike.
“Anëtarët e bordit të saj zgjidhen tre nga opozita, tre nga mazhoranca dhe kryetari me shumicë të thjeshtë, por jo një AMA e pavarur nga politika. Vendit tonë i duhet pikërisht kjo e fundit, pra një institucion sa më larg politikës”, tha Luku.
Për më tepër, ai thotë se një model i dytë në BE është ai i një AMA – “si një agjenci rregullatore, por me një ligj për “Mediat Audiovizive” që parashikon që mediat e licencuara në nivel kombëtar të kenë një strukturë pronësie shumë të decentralizuar, madje më shumë sesa kufizimi i aksioneve në 30 ose 35 % siç ndodhte para vitit 2016”.
Vendit tonë i duhet një institucion sa më larg politikës, sugjeron Luku.
Pronarë mediash dhe politikanë, bashkë kundër fjalës së lirë
Kur vjen fjala tek implikimi i interesave politike që përkthehen në interesa ekonomike, censura ndaj gazetarëve ka shënjuar raste flagrante.
I tillë është ai i ndalimit të transmetimit të dokumentarit investigativ “Kodrinat e vdekjes”.
Në 2016 në landfillin e Sharrës, ku digjeshin mbetjet urbane dhe riciklohej në mënyrë ilegale, humbi jetën si pasojë e kushteve çnjerëzore 17-vjeçari Ardit Gjoklaj.
“Mënyra sesi u përpoq t’u shmangej përgjegjësive Bashkia e Tiranës, tronditi mbarë shoqërinë”, kujton gazetari Artan Rama.
Kur ndodhi ngjarja, ekipi me të cilin punonte Artani “Publicus” sapo ishte formuar dhe ata u angazhuan menjëherë për të zbuluar shkaqet e vdekjes së të miturit.
“Qëllimi ynë ishte t’u tregonim shqiptarëve, jo vetëm arsyet e kësaj tragjedie, por dhe rrethanat në të cilat ajo u bë lehtësisht e mundur”, shprehet gazetari. Përgjegjësitë që zbuluan ishin të qarta, klientelizëm politik mes autoriteteve publike dhe kompanive private.
Ai dhe kolegët e tij kishin parashikuar zbulimet e tyre në këtë investigim “por ajo çka nuk kishim parashikuar ishte vetë media në të cilën kishim vendosur të përcillnim historinë”.
Drejtuesit e kompanisë Vizion Plus pasi u njohën me historinë u kërkuan gazetarëve ta ndryshonin.
“Kur unë refuzova ata më këshilluan mos ta transmetoja atë javë dhe të merresha me temën që do të transmetohej javën e ardhshme”, tregon Rama.
Sikurse ndodh rëndom, edhe në rastin e Ramës ata u përpoqën t’i shpjegonin se “transmetimi mund t’u shkaktonte pakënaqësi drejtuesve të Bashkisë së Tiranës, me të cilët, ata kishin një marrëdhënie pune”. Por ajo që nuk ndodh rëndom ishte kundërshtia që u erdhi atyre nga gazetarët.
“Ishte e ditur botërisht, se aksionerët e televizionit Vizion Plus ishin ndërtues dhe se lejet e ndërtimit lëshoheshin nga Zyra e Urbanistikës pranë Bashkisë”, shprehet Rama dhe shton se drejtuesit nuk i dhanë shumë shpjegime pasi pritën që ai t’i mirëkuptonte.
Pas kësaj, një grup prej katër gazetarësh pas propozimit të Artan Ramës për t’u larguar përgjithmonë nga televizioni, ikën të nesërmen dhe vendosën ta transmetonin materialin online.
Sot Artan Rama punon në Shqipëri si gazetar i lirë dhe nuk ka zgjedhur të largohet nga vendi, por siguria ekonomike është shqetësuese në këtë sektor. Prandaj ai e sheh të nevojshëm “ndërtimin e një platforme financimi të moralshme për mbështetjen e produkteve mediatike”.
Në gazetë, TV dhe ueb gazetarët përballen me censurën
Mediumi nuk përbën ndryshim kur flasim për censurën. Ermelinda Hoxhaj punon si gazetare në televizion prej 16 vitesh. Gjatë eksperiencës së saj ajo shprehet se trysnia që ka ndjerë ka qenë e lartë.
“Kanë ndodhur raste që nëse je marrë me një aferë apo shkelje ligjore, kompanitë kanë sjellë reklama dhe automatikisht gazetarit i është ‘mbyllur’ goja”, thotë Hoxhaj e cila pas kundërshtive është përballur me paralajmërime për largim nga puna.
“Tregu mediatik po bëhet mononol i disa biznesmenëve të fuqishëm, të cilët po bëjnë monopol jo vetëm lajmin por edhe pagat dhe tregun e punës së gazetarëve”, shprehet Hoxhaj.
Pasiguria ekonomike është ajo që i bën gazetarët të mos flasin, dhe kjo është më e theksuar tek gazetarët e rinj të cilët sapo e kanë nisur rrugëtimin profesional.
Esmeralda Hida është një gazetare e re që ka punuar për dy vite në gazetë print. Ajo tregon se rastet e censurës kanë qenë të shumta por “një ndër to është kur ne shkruanim për bankat”.
“Gazeta kishte një bankë ku kalonte transaksionet për pagat, dhe kur ne do të bënim njëherë një artikull për shkeljet që mund të kishin bërë bankat dhe bankën ku ishte i lidhur pronari i gazetës ne nuk i përmendnim emrin fare”, tregon Hida. Po ashtu ajo ndan një tjetër rast ku i është ndaluar të përmendë rastet e korrupsionit të Bashkisë Tiranë.
“Sigurisht na u tha që mos ta raportonim, pasi pronari ishte i afërt me bashkinë dhe kjo e fundit sillte reklama në gazetë”, shprehet gazetarja. Hida dëshmon se me kalimin e kohës ajo vinte re se kishte kaluar në vetëcensurë, pra e dinte se do i tërhiqej vëmendja dhe thjesht nuk debatonte.
Jo shumë e ndryshme paraqitet situata edhe në mediat online, ku përpos censurës gazetarët përballen me diktimin e lajmeve.
Klodjana Agaj ka punuar prej dy vitesh në këtë sektor. “Pronarët e mediave online janë kryesisht njerëz që nuk kanë lidhje me gazetarinë, por kanë lidhje me biznesin”, tregon ajo ndërsa shton se media online ku angazhohej përdorej si një mjet për të sulmuar biznese dhe individë.
“Jo shumë kohë më parë u censurova pa zë të lartë për një lajm që nuk mund ta bëja. Lajmi kishte të bënte me investimet strategjike dhe bashkëshortin e ministres Olta Xhaçka si investitor strategjik”, tregon ajo.
Flamur Vezaj ka punuar për 12 vite si gazetar në Shqipëri, por në 2017 ai vendosi të largohej dhe sot jeton në Boston, në SHBA.
“Pronarët nuk ta përtojnë në Shqipëri, të ndërhyjnë direkt duke përjashtuar edhe “ndërmjetësin” redaktorin, kryeredaktorin apo drejtorin e lajmeve”, shprehet Vezaj.
Gazetari tregon se interesat ekonomike të pronarit kanë ndikuar drejtpërdrejt në censurimin e tij.
“Kam një eksperiencë në median e shkruar, ku një biznesmen i naftës, me probleme me drejtësinë në atë kohë solli reklama dhe mu tha që për këtë biznesmen nuk do shkruajmë”, kujton Vezaj.
Kush i mbron gazetarët?
Blerjana Bino, drejtuese e rrjetit Safe Journalists në Shqipëri, vlerëson se ka një kushtëzim të lartë në pavarësinë editoriale të ndikuar nga pronësia e medias.
Nga eksperienca e saj në biseda që ka kryer me gazetarë, ajo shprehet se format e presionit janë nga më të ndryshmet.
“Nëse pronari nuk ushtron presion të drejtpërdrejtë, nuk duhet të harrojnë hallkën ndërlidhëse sikurse janë redaktorët apo kryeredaktorët që mund të ‘përkthejnë’ interesat e pronarëve në presione të drejtëpërdrejta ose jo tek gazetarët”, thotë Bino.
Sipas raportit të Safe Journalists, format më të zakonshme të presionit janë mbyllja e emisioneve ose anulimi i raportimeve, kërcënimi, pasiguria ekonomike, ngacmimi, kontrolli mbi përmbajtjen dhe mashtrimi, madje edhe shantazhi.
Bino sqaron se nuk ka informacion për presionin e ushtruar nga pronarët apo drejtuesit e mediave mbi një redaksi të tërë apo mbi gazetarë të caktuar në vitin 2021, por shton se “presionet ushtrohen edhe pse gazetarët nuk i raportojnë ato”.
Bino vlerëson se gazetarët nuk kanë mbrojtje “sepse nuk ekzistojnë organizatat ombrellë apo sindikatat”, duke thelluar më tej frikën e tyre për të kundërshtuar pronarët.
Gazetarët ndjehen të pasigurtë edhe në terren kur janë duke raportuar. Në rast sulmesh fizike redaksia nuk iu del atyre në mbrojtje.
Gazetari Isa Myzyraj shprehet se “shumica e redaksive, nuk i pajisin gazetarët dhe operatorët me asnjë prej mjeteve mbrojtëse, si maska anti-gaz, veshje qartasi të dukshme si media, dhe as me veshje anti-ujë”.
Ai thotë se gazetarët në rast protestash janë grupimi më i pasigurt, pasi si policia ashtu edhe strukturat ligjzbatuese nuk e respektojnë punën e gazetarëve dhe “shpesh-herë i sulmojnë fizikisht ata, edhe pse në shumë raste mund t’i identifikojnë se janë gazetarë”.
“Siguria e tyre është e cënueshme në rast se gazetaria e tyre bie ndesh me interesat e pronarëve”, deklaron Bino.
Mes mungesës së një kuadri ligjor dhe institucioneve që iu mungon vullneti për të garantuar një mjedis më pluralist të medias dhe mekanizmave mbrojtës ndaj gazetarëve, këta të fundit janë shpesh të detyruar të censurohen apo të veprojnë në bazë të interesit të pronarëve të medias e jo të publikut.