Antonela Pepkolaj | 11.04.2022 | nyje.al
Një dëshmi e Kukësit.
Humbja dhe varri shënjojnë vdekjen, si dy realitetet më të prekshme për ata që kanë humbur dikë. Humbja, si eksperiencë psikologjike shënjon të vdekurin, varri si shtëpia e fundit shënjon prehjen. Nga sfera e individuales në atë të kolektives, humbja bëhet vaj dhe hidhërimi bëhet zi. Eksperienca humane është rrahur mjaftueshëm me humbjen, sa për të konsoliduar një mekanizëm që i lejon krejt botëkuptimit të saj mbi vdekjen, të kthehet në një lloj riti apo edhe në doke.
Vdekja jonë ndodh në Kukës dhe fillon me një ëndërr. Të ëndërrosh një kalë të bardhë është ogur i mirë, ndërsa një kalë i zi është nënkuptues i drejtpërdrejtë i vdekjes. Ndaj edhe i vdekuri ynë e dinte se do të vdiste, ishte gjëja e parë që u tha familjarëve atë mëngjes. Brenda tre ditësh e gjeti veten në agoninë e dhënies së shpirtit. Gjatë kësaj kohe familjarët janë vendimtarë në kohëzgjatjen e torturave. Po t’i vendosësh lënguesit poshtë jastëkut një mjet që përfaqëson profesionin e vet, thonë se shpirti del më shpejt. Të vdekurit tonë i vendosën një metër. Për të vdekurin qanin mbesat, më shumë nga frika se nga trishtimi. Nëse lënguesi merr vesh se dikush po qan, i këputet shpirti dhe ngelet për shumë muaj as në këtë botë, as në tjetrën. Ndaj edhe mbesat i nxorrën jashtë. Ata në dhomë nuk mund të qajnë. I vdekuri duhet larë dhe veshur nga dikush i shtëpisë dhe uji duhet derdhur. Ndonjëherë i vendoset një copë pasqyrë nën hundë, për të dëshmuar nëse ka ende frymë.
E zonja e shpisë jep një shami me të cilën të vdekurit i mbulohet fytyra, sa shtihet në arkivol. Më tej shamia ruhet. Dhoma pastrohet mirë dhe bëhet gati që i vdekuri të flejë edhe një natë të fundit në shtëpinë e vet. Arkivoli nuk duhet shtrirë përtoke por duhet vendosur lart, me këmbët nga perëndimi. Poshtë tij vendoset një gotë ujë, e cila qëndron aty gjatë gjithë natës dhe që, nuk duhet prekur nga kurrkush, se është keq. Një natë në shtëpi bëhet që të dalë shpirti. Të vdekurin nuk e përcjell e zonja e shpisë, por familjarë të tjerë. Gjatë kohës që e përcjellin me vajtim, e zonja e shpisë mban me duar bufenë, që i vdekuri të mos marrë bereqetin e shtëpisë me vete.
Për varrin ose arkivolin punojnë shokët, ose banorë që jetojnë afër. Përdoret dru ponica, siç e quajnë në Kukës për arkivolin ose shënjuesin e varrit. Rritet me shumicë në Kukës dhe nuk mund të përdoret për asgjë tjetër; as për ndërtim dhe as për të ndezur zjarr. Rrobat e të vdekurit nuk duhen mbajtur në shtëpi më shumë se një javë, duhen dhuruar. Vajtimi bëhet nga gratë e shtëpisë, me raste marrin edhe gra vajtuese me pagesë. Gjatë vajtimit gratë kujtojnë jetën e të vdekurit, e rrëfejnë me kujë dhe me duar në faqe.
Për një javë nuk duhen fikur dritat e shpisë, se është keq. Për një vit, shtëpisë i duhet dhënë erë, ndaj gatuhet hallvë ose petulla, që u shpërndahet të tjerëve. Pas një viti i ndreqet varri. Familjarët mbajnë zi me rroba në ngjyrë jeshile ose kafe, sepse e zeza është ters. Për të dyzetat bëhet një drekë. Për dy javë prania e të vdekurit ndihet në rrethin e shtëpisë. Shpirti i tij sillet kudo ku ka qenë ai në të gjallë të vet. Ngado ku sillet shpirti, sillet edhe një zog, siç dëshmon edhe mbesa që e ka parë, të këndojë mbi pemët e mimozave. Më tej, përveç heshtjes së komshinjve si shenjë respekti dhe brengës së familjarëve, humbja lë pak gjurmë të tjera.