Pavjo Gjini | 21.02.2022 | nyje.al
5 Maji, me 9 shkurt 2022, Ronald Qema
Ditën e nesërme, përsëri, qindra policë pritet të marshojnë të nxjerrin me dhunë nga shtëpitë e tyre dhjetëra familje. Pas pastrimit të terrenit nga familjarët, fadromat nesër do të japin një goditje fatale, më të fortë se tërmetet që kaluam, dekadave punë, vit pas viti, të familjarëve të tërë me gjyshër, prindër, burra e gra, fëmijë e vëllezër e motra për ngritjen e tyre.
‘Zhvillimi i zonës’ quhet prej ligjërimit në pushtet projekti, duke aluduar një zonë të pazhvillueshme ashtu siç ishte, ashtu siç e kanë lënë për dekada. ‘Një zhvillim me polici’, thotë ligjërimi i pushtetit, ‘sepse zona është e kriminalizuar’. Sipas tij, burra dhe gra, fëmijë e pleq nga cepat veriorë e jugorë të Shqipërisë së rrënuar socialiste janë të paligjshëm aty, janë pushtues që duhet të shporren, të mos u shihet më boja në një Tiranë që edhe në demokraci nuk ua dha kurrë “pashaportizimin” për të banuar këtu.
Deri më tani shënjuesi kryesor i viteve të fundit për të karakterizuar sistemin politik në vend ka qenë oligarkia. Përmes tij, qytetarët kanë nënkuptuar bindjen se Shqipëria po drejtohet nga një grusht shumë i vogël pasanikësh në një marrëdhënie speciale me qeverinë. Mirëpo, oligarkia nuk është një stacion fundor e statik, por pjesë e një procesi e prirjeje që të nxjerr diku tjetër nëse lihet të ndjekë inercinë e saj, është rruga drejt një lloj fashizmi.
Fashizmi rëndom njihet si një regjim totalitar i cili mbahet nga një marrëdhënie e ngushtë organike mes qeverisë dhe korporatave të mëdha si pjesë e një lëvizjeje më të gjerë totalitare që përfshin me afsh masa të tëra popullore. Ky regjim shoqërizohet me një ideologji vitaliste e cila bashkon shëndetin dhe pastërtinë dhe është në luftë të hapur përmes racizmit të saj higjenik me çdo trup shoqëror që duket i pisët, i dobët dhe i pabindur. Detyra e rendit fashist është të ruajë pastërtinë dhe vitalitetin e lëvizjes totalitare duke luftuar pamëshirë këto elementë që konsiderohen të huaj dhe për t’u zhdukur nga trupi i saj.
Sigurisht që Partia Socialiste nuk është një lëvizje paramilitare dhe totalitare, edhe pse nga sistemi i patronazhistëve nuk është e tepërt të paramendohen ëndrra të tilla që shihen nga IT-të që e mbajnë këtë sistem në këmbë. Megjithatë, unaza e Tiranës dhe qendra e saj do të mbahen mend që u bënë më së pari me policë, një ligjërim i hapur racist kundër të ardhurve si të paligjshëm, malokë e shpellarë, dhe një marrëdhënie shumë e ngushtë mes qeverisë dhe kapitalit e zhvilluar deri në akte normative gjendjeje të jashtëzakonshme. Po ashtu, harbutëria ligjërimore ndaj të ardhurve është një traditë e vjetër tashmë nga Partia Socialiste, si nga përçudnimet që Rama u bënte kur ishte Kryetar Bashkie ashtu edhe nga mbështetësit e Partisë Socialiste në Tiranë si vazhdimësi e Partisë së Punës. 5 maji gjendet midis një vektori që duket se ia ka ënda të shkojë nga oligarkia në fashizëm, nëse e lëmë të vazhdojë i lirë rrjedhën e tij.
Për të ndjerë ligjërimin e rëndë për të cilin folëm mësipër, mund të ndiqni bashkëbisedimin mes Arian Çanit dhe Gerti Shellas në emisionin e fundit të Zonë e Lirë për rreth dy minuta, duke klikuar këtu .