Pritje të gjata, mijëra banorë të Kamzës në radhë për abonenë

31.01.2022 | nyje.al

939 të infektuar me Covid 19 nga 3500 testime të realizuara u njoftuan dje nga Ministria e Shëndetësisë. Në këto ditë të ftohta janari, me versionin Omicron ende nëpër këmbë, qytetarë të Kamzës detyrohen të mbajnë radhë të gjata për sigurimin e abonesë mujore përpara dispeçerive të kompanisë së kontraktuar, “Shpresa Al”. Kjo sprovë e lodhshme për të siguruar një abone çdo fund muaji është traditë tashmë, me banorët që presin për orë të tëra në kushte atmosferike të ndryshme dhe përballen me mosmarrëveshje e momente tensioni për ti kursyer xhepit ato pak para.

“Rradha është që në orën 10 e 15 minuta, që atëherë jam këtu.”

Rradha e banorëve përballë Dispeçerisë| Janar 2022| Kamëz| Irena Keçi

 

Që në orët e para të mëngjesit, mijëra banorë që përdorin linjën Kamëz – Tiranë – Kamëz, – e ato brenda qytetit – vazhdojnë të presin në radhë për të marrë biletën mujore të transportit. Rradhët janë të gjata në të dyja dispeçeritë, në skajet e linjës së urbanit, njoftohet edhe për të moshuar që në kushtet e qëndrimit të gjatë në këmbë dhe situatave në rradhët e krijuara kanë pësuar gjëndje të fikti.
“Edhe brenda dispeçerisë me qenë nuk e merr dot, jo ma në radhë.” 

Qytetarë në rradhë në stacionin e fundit të linjës| Janar 2022| Tiranë| Ronald Qema

Qytetarë në rradhë në stacionin e fundit të linjës| Janar 2022| Tiranë| Ronald Qema

Ky problem, i ngritur edhe herë të tjera nga ne si gazetë lokale, prej kohësh ka rënë në veshët e Bashkisë Kamëz dhe kjo e fundit asnjëherë nuk është shprehur mbi situatat e krijuara çdo mbarim muaji dhe menaxhimit të tyre nga kompania. Ankesat e panumërta të banorëve nuk janë marrë parasysh as nga kompania private “Shpresa Al”, e cila ja delegon gjithmonë përgjegjësinë ministrisë. Numri që  është njoftuar për marrjen e ankesave nga kjo kompani nuk pranon thirrje.

“Përse nuk na i shpërndajnë dy ditë para, po vetëm sot?”

Ministria e Financës dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve janë dy institucionet e pushtetit qëndror që janë të lidhura direkt me biletat mujore të transportit urban, janë ato që i prodhojnë dhe kontrollojnë këto bileta. Mbi problemin e sotëm dhe të përmuajshëm të vonimit të prodhimit të aboneve, redaksia jonë u përpoq të kontaktonte me këto institucione por në të dyja rastet nuk morëm një përgjigje nga ana tjetër e telefonatës.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje