nyje.al | 25.10.2021
Pasiguria për të shkuar në punë, shkollë e kudo është shqetësim serioz për banorët e Kamzës sa përmendet problematika e qenve endacakë. Të përhapur në lagje të ndryshme të qytetit, secili prej nesh i ka rastitur të zatetet me tufa qensh që herë të vërsulen e më shumë të ngjizin frikën dhe ndjesinë e të vrapuarit për të shpëtuar.
Tufë qensh endacakë në rrugët e Kamzëz, Shtator 2021, Dhimitër Koleci
Një muaj më parë në rrjete sociale, Dhimitër Koleci, banor i Kamzës, shpërndau në profilin e tij një video ku ngriti shqetësimin e tij lidhur me rrezikun e kërcënimit të fëmijëve që shkojnë në shkollë nga tufa qensh të pakontrolluar.
Në komunikimin me Bashkinë Kamëz, si shpesh-herë ky institucion vazhdon të bjerë në hullinë që e nis po vetë. Në përgjigjen e kërkesës për informim që redaksia jonë i ka dërguar lidhur me situatën e qenve endacakë në qytet dhe vullnetin e Bashkisë për të ndërhyrë, përmendet që Bashkia tashmë e ka një projekt-propozim për menaxhimin e kësaj situate.
“Zyra e Mbrojtjes së Konsumatorit,Bashkia Kamëz ka përpiluar një projekt propozim strategjik për menaxhimin dhe trajtimin e të gjitha kafshëve endacake duke ofruar strehim dhe shërbim mjekësor veterinar. Për realizimin e këtij projekti është punuar ngushtësisht me organizata vendase, të huaja, grupe interesi dhe cdo subjekt i cili ka shprehur vullnetin të jetë kontribues.” – shprehet Bashkia Kamëz në përgjigjen e kthyer më datë 7 tetor.
E ripyetur mbi ecurinë e realizimit të këtij projekti dhe sesi të tjerë të interesuar mund të përfshiheshin në ndihmën e kafshëve endacake, Bashkia Kamëz kthen përgjigje, tashmë me kohën e foljeve në të ardhmen, duke bërë të qartë që ende nuk është punuar për realizimin e këtij projekti.
Në përgjigjen e datës 25 tetor, Bashkia shkruan: “Projekt propozimi strategjik për menaxhimin dhe trajtimin e të gjithë kafshëve endacake akoma nuk është implementuar. Zyra e Mbrojtjes së Konsumatorit, Bashkia Kamëz është në pritje te organizatave vendase, të huaja, grupe interesi dhe cdo subjekt i cili deshiron te kontribuoje ne menyre vullnetare per implementimin e ketij projekti.”
Ndërkohë që presim që pritja e Bashkisë Kamëz të marrë fund sa më shpejt, shpresojmë që qytetarët të mos bien pre e ndonjë sulmi nga qentë endacakë. Njëkohësisht shpresojmë që Bashkia e Kamzës, në bashkëpunimin ndërinstitucional me Agjensinë e Mbrojtjes së Konsumatorit të Bashkisë Tiranë, të mos marrë “zgjidhjen” e kolegevë të tyre që në vitin 2017 akuzoheshin që vrisnin qentë në emër të rehabilitimit të situatës apo akuzave të këtij viti ku shoqëria civile dhe qytetarë denoncuan se Klinika Veterinare në Kombinat keqtrajton dhe vret me acid kafshët në gjëndje rruge që dërgohen aty.