nyje.al | 24.08.2024
Në një investigim të fundëm të Data Desk dhe Oil Change International, Shqipëria listohet si një prej vendeve europiane që kontribuon në gjenocidin e shtetit të Izraelit mbi palestinezët e Gazas. Kështu, duke furnizuar forcat ushtarake me naftë, 70 mijë tonë sipas të dhënave të nxjerra, vendi ynë bëhet bashkëpunëtor në krimet mbi popullin palestinez. Në listën që furnizon me naftë të rafinuar shtetin izraelit pas Rusisë dhe Brazilit gjendet vendi ynë. Nisur nga porti i Vlorës, tre janë dërgesat përgjatë 6 muajve të fundit për në Izrael.
Më datë 31 janar 2024, nga Vlora nisen 30 mijë tonë naftë për të arritur në Izrael më datë 8 shkurt. Anija “RYSO”, nën flamurin maltez dhe kontraktimin e Petraco Oil ka kryer transportin e dërgesës së parë nga vendi ynë për në portin e Haifas.
Dërgesa e dytë është nisur nga Porti i Vlorës më 31 maj. Në anijen “San Sebastian” janë ngarkuar 20,800 tonë naftë që kanë arritur në portin izraelit më 3 qershor, sipas gjetjeve të hulumtimit.
Në të dhënat e punës hulumtuese të DataDesk gjithashtu shënohet dërgesa e tretë nisur nga Vlora më 28 qershor. Në anijen transportuese “Blue Rose” u ngarkuan rreth 19 mijë tonë naftë për të arritur në Haifa, Izrael më 5 korrik.
Bashkëpunimi në krime lufte vazhdon
Anija “Blue Rose” që ka kryer dërgesën e tretë dhe të fundit të listuar në të dhënat e DataDesk duket të jetë kthyer përsëri në Shqipëri. Sipas të dhënave në sitet on-line që gjeo-lokalizojnë mjetet lundruese dhe lëvizjet e tyre, kjo anije është ankoruar në Portin e Vlorës më 29 korrik në mbrëmje dhe e ka lënë atë pas dy ditësh. “Blue Rose” ka lundruar më tej drejt portit Elefsis në Greqi. Nga ky port, anija është nisur më 18 gusht dhe që prej 20 gusht nuk transmeton sinjal mbi vendodhjen e saj. Sipas shënimeve në përmbyllje të hulumtimit të DataDesk “anijet transportuese që i afrohen Izraelit shpesh fikin transmetuesit radial për një kohë të zgjatur”. Kur kjo ndodh pranë brigjeve të Izraelit ose në drejtim të tyre në Mesdhe, sistemi i të dhënave e njeh automatikisht dërgesën si të ankoruar në brigjet e këtij shteti.
Duke u kthyer tek anija “Blue Rose” me transmetues të fikur, ajo çka tregon e shkuara e afërt shpjegon edhe të ardhmen e afërt, ankorimin e saj në brigjet e Izraelit, në mos të ketë ndodhur tashmë një gjë e tillë.
Përgjegjësia e shteteve dhe koorporatave në gjenocid
“Për sa kohë është e qartë si drita e diellit që provat dëshmojnë për krime lufte kur flasim për sulmet ajrore të Izraelit në Gaza dhe se këto mjete luftarake kanë nevojë për naftë për të funksionuar, ekziston jo vetëm një rrezik i lartë i masave ligjore për kompanitë që furnizojnë me naftë Izraelin, por edhe një klauzolë juridike racionale për shtetet që të pengojnë këto kompani.”
Kjo është gjetja e hulumtuesve të një organizate tjetër, të quajtur SOMO me bazë në Hollandë, që marrin në studim pasojat ligjore që mund të rëndojnë mbi kompanitë dhe shtetet që kontribuojnë në gjenocid. Në po të njëjtin hulumtim, përmendet Konventa kundër Gjenocidit e cila parashtron detyrën ligjore të secilit shtet për parandalimin e gjenocidit çka do të thotë që ato duhet të marrin të gjitha masat ligjore të mundshme për të penguar atë çka po ndodh në Gaza. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka ritheksuar këtë detyrim të shteteve edhe në rastin e Izraelit në një dokument këshillues juridik të miratuar muajin e kaluar.
Në përmbyllje, SOMO rekomandon embargo mbi shtetin izraelit për secilin vend që kontribuon në gjenocid, edhe përmes furnizimit me naftë si në rastin e Shqipërisë, në mënyrë që të përmbushin detyrimin ligjor të Konventës kundër Gjenocidit.
Qeveria Shqiptare me gojën mbyllur
Detyrimi ligjor që bie mbi të shihet të mos shqetësojë qeverinë shqiptare që lejon furnizimin me naftë dhe rrjedhimisht vazhdimin e akteve gjenocidale në Palestinë. Raporti i DataDesk dhe Oil Change International ka zënë faqet e para të mediave ndërkombëtarë pas publikimit më 20 gusht dhe njëra prej tyre, “The Guardian”, në artikullin e saj shprehet se ka kontakuar qeverinë shqiptare për një reagim por nuk ka marrë asnjë përgjigje.
“Qeveritë e Kazakistanit, Azerbajxhanit, Nigerisë, Gabonit dhe Republikës së Kongos nuk iu përgjigjën kërkesave për koment, dhe as ajo e Greqisë apo Shqipërisë.” shpjegon në artikull “The Guardian”.