Selma Daku | 25.03.2025 | nyje.al
“Jemi ilegal, duam të bëhemi legal” ishte kërkesa e Fetahut përballë Drejtorisë së Përgjithshme të Kadastrës. Ai është banor i një pallati në Astir, i cili prej gati 20 vitesh është i palegalizuar, duke iu shkelur 23 familjeve që banojnë atë pallat, të drejtën e njohjes së banesës. Pavarësisht tentativave të banorëve, me kërkesa dhe hapa të shumtë ligjorë pranë institucioneve përkatëse, ata nuk kanë arritur të legalizojnë shtëpitë e tyre dhe prej vitesh janë zvarritur duke iu thënë se procesi i tyre i legalizimit është në shqyrtim. Këto anashkalime të vazhdueshme i detyruan banorët që sot të protestojnë përpara AKSH-së, ku kërkuan me këmbëngulje takim me përfaqësues të drejtorisë. Pas rreth një ore pritje, banorët arritën të takojnë drejtorin e AKSH-së, Artis Shehun, i cili në komunikimin me banorët, premtoi që brenda datës 5 prill do të kryhet legalizimi i pallatit, duke proçeduar më pas me hapat për pronësinë e secilit prej banorëve.
Fetah Agaraj, banor i këtij pallati, tha se ata kanë ndjekur të gjitha proçeduart me baza ligjore, por prej vitesh, ndonëse dokumentat ishin të rregullta ata nuk kishin asnjë përgjigje nga institucionet. Ata janë detyruar që problemin e tyre ta bëjnë publik dhe sipas Agarajt, pavarësisht vendimit që u mor sot, frika se nuk do zbatohet i shoqëron ende.
“Në bazë të udhëzimeve shtetërore që afishonin këta të ASHK-së, thonin që duhet të bëjmë dokumentat sipas këtij projekti. Bëj dokumentat unë por përgjigje s’ka, dhe u detyruam… Dhe pas 2023 që bëm përsëri dokumentat, i mbyllëm sepse na vinin shumë sekserë të korruptuar. […] Frikën e kemi se ligji nuk zbatohet.”

Avokati Gentian Sejrani, është gjendur pranë banorëve duke i mbëshetur me këshillime ligjore. Ai theksoi se këmbëngulja e banorëve fitoi mbi zvarritjen e institucioneve duke arritur premtimin e një afati për mbarimin e legalizimit, paçka se një gjë e tillë nuk ishte respektuar më përpara nga kjo drejtori.
“Sot ne pamë që banorët me insistimin e tyre i bindën dhe i detyruan institucionet shqiptare që të përcaktojnë afate për mbarimin e legalizimit. […] Proçesi ligjor nuk është zbatuar dhe nuk zbatohet më në shtetin shqiptar për sa i përket proçeseve të legalizimit. Aty ku korrupsioni funksionon, funksionon edhe legalizimi.”
Legalizimi ose pronësia juridike mbi banesën prej kohësh është përdorur si mjeti më funksional për partitë në pragje zgjedhjesh, për të fituar votë e qytetarëve duke përfituar nga një shqetësim prej të cilit shumë familje shqiptare qëndrojnë të pasigurt në shtëpitë e tyre. Banorët e Astirit kanë premtuar se në rast se ky afat shkelet, ata do të protestojnë përësri para AKSH-së, duke u mbledhur edhe më shumë banorë.
“Të shohim se sa do të mbahet. Po s’u mbajt ky premtim, neve jemi nevojtar, e kemi blerë me mund e me gjak atë shtëpi sepse të blesh shtëpi nuk është kollaj.”
