nyje.al | 10.03.2023
Mëngjesin e sotëm u zhvillua seanca e parë gjyqësore në të cilën kundërshtohet Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.59, datë 26.1.2022, Për miratimin e ndryshimit të statusit dhe të sipërfaqes së ekosisteve natyrore “Park Kombëtar”. Njëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile, që kanë objekt kryesor çështjet mjedisore, janë bërë bashkë dhe kanë dorëzuar në Gjykatën Administrative të Apelit padinë kundër Këshillit të Ministrave dhe Këshillit Kombëtar të Territorit. Pala paditëse e përfaqësuar sot nga avokatët Dorian Matlija, Irena Dule dhe Vladimir Meçi njoftuan pranimin e kërkesëpadisë.
“Këtu bëhet fjalë për 11 Parqe Kombëtare dhe është tepër e rëndësishme për mjedisin, për të ardhmen dhe për brezat e tjerë që ky proces gjyqësor të mos kalojë në mënyrë rastësore, pra çdo debat duhet të bëhet. U diskutua për objektin e veprimtarisë dhe se cfarë përfaqëson secila prej organizatave, si edhe për pjesën e ekspertëve që do duhet të thirren gjatë gjykimit.” Dorian Matlija – Avokat i Qendrës ResPublica
Për avokatin Dorian Matlija, qasja e gjykatës në fillim të këtij procesi duket të jetë shumë e mirë dhe vlerëson seriozitetin e madh që i është dhënë çështjes.
“Deri tani duket që gjykata e kupton rëndësinë e çështjes, me të drejtë ajo kërkoi që të ketë një debat sa më të plotë gjyqësor. U kërkua nga Avokatura e Shtetit që të përfshihet në proces gjyqësor edhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, kërkesë për të cilën ne ramë dakord sespse është në të mirën e procesit që të ketë sa më shumë palë në gjyq, të jetë sa më gjithëpërfshirës.
Gjykata ka detyrë në fund fare të realizojë gjithçka të mundur, sepse ky vendim nëse do të jetë si pozitiv si negativ do ketë efekte shumë të fuqishme. Prandaj dhe gjykata është shumë koshiente për një gjë të tillë dhe ne na vjen mirë që është ky lloj ndërgjegjësimi i vetë gjykatës në rastin konkret. Themi që procesi po shkon shumë mirë deri tani.”
Të pranishëm përballë gjykatës, por edhe në seancë ishin banorë dhe aktivistë të Mbro Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj. Si komuniteti më i zëshëm në mbrojtjen e një pasurie kombëtare, për ata është e nevojshme prania në çdo seancë gjyqësore, për më tepër kur diskutohet një vendim i tillë që i ka vënë shkelmin simbolikisht një rezistence aq të gjatë.
“Faktet janë të pakundërtueshme, faktet janë flagrante. Me pjesën që heqin nga Parqet Kombëtare, siç është Lumi i Gashit apo Zall-Gjoçaj, duket në mënyrë flagrante që hiqen për interesa ekonomike të privatit, për ti shfrytëzu këto zona që janë qëndrore për veprimtari të ndryshme si ndërtime HEC-esh, shfrytëzim pyjesh, resorte turistike, etj.”
Shpresa që drejtësia do vihet në vend është e pashtershme për ta. Nisur edhe nga procesi i mëparshëm kundër Entit Rregullator të Energjisë, në të cilën banorët gjetën të drejtën edhe në Gjykatën e Apelit, ata kanë besim përsëri që drejtësia do jetë në anën e tyre.
“Kemi fituar një lloj besimi në drejtësi sepse në të treja shkallët e gjyqësorit kemi fituar në betejen me ERE. Edhe në Apel, edhe në Gjykatë të Lartë na kanë dhënë të drejtë e kemi kriju një lloj besimi. Po edhe nga vlerësimi që bëri gjyqtari sot, kemi besim.
Nuk kemi besim që do të fitojmë ne, kemi besim që do të jetë një gjyq i drejtë, do gjykohet drejtë.”
Kufijtë e ndryshuar në kundërshtim me kërkesat ligjore sjellin pasoja të pakthyeshme
Sipas kërkesave të ligjit për zonat e mbrojtur shpallja/ndryshimi i një zone të mbrojtur mjedisore bëhet në përputhje me planin kombëtar të zonave të mbrojtura, pas marrjes së mendimit të institucioneve akademike e shkencore në vend, të bashkisë, brenda territorit administrativ të të cilës ndodhet zona, të shoqërisë civile dhe ekspertëve të fushës, të komunitetit të zonës dhe të pronarëve privatë, pronat e të cilëve do të përfshihen në zonën e mbrojtur.
Aurora Leka, aktiviste dhe përfqësuese e Qendrës Kujri, një nga organizatat paditëse thotë së asnjë nga këto hapa nuk janë ndërmarrë nga instancat përkatëse.
“Nuk ka anjë lloj studimi të mirëfilltë se pse janë bërë këto ndryshime, lëre pastaj të flasim për kërkesat që ligji ka kur ndryshohet një zonë e mbrojtur. Edhe në wikipedia mund të gjejme aq informacion sa përmban relacioni që shoqëron VKM-në. Jo vetëm që nuk ka patur vullnet nga ana e Ministrisë për një proces gjithëpërfshirës, por qëllimisht është injoruar çdo kontribut dhe koment i mbërritur më herët nga ekspertët dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilët pas njohjes me këtë nismë, të organizuar në një grup prej 49 organizatash, institucionesh akademike dhe shkencore të vendit reaguan menjëherë kundër tij.”
Mirëpo, por duket se qeveria ka anashkaluar edhe cdo kontribut që mund të jepej nga institucionet vendore. Në bazë të një hulumtimi të kryer nga Qendra Kujri gjatë viti 2021, asnjëra nga bashkitë e vendit nuk kishte dijeni mbi këtë proces aq më pak të kishtë dhënë opinionin e saj.
Zonat e mbrojtura, për shkak të natyrës së tyre, janë të pasura në biodiversitet dhe për rrjedhojë kanë një pozicion dhe status të posaçëm në legjislacionet moderne. Këto zona janë pasuri kombëtare dhe gëzojnë një status të veçantë, Fryma dhe qëllimi i legjislacionit është garantimi i mbrojtjes së zonave të mbrojtura ekzistuese dhe synimi për t’i shtuar ato, nëse krijohen kushtet. Pakësimi, ulja dhe heqja e statusit të një ZM-je është rast përjashtimor, i cili kryhet me një procedurë komplekse e cila u nënshtrohet një serie kërkesash, të gjithanshme, e të shtrira në kohë.
“Procedura për ndryshimin e sipërfaqes së zonave të mbrojtura është procedurë administrative e mëvetshme dhe nuk mund të bëhet në tërësi për të gjithë territorin. Psh në rastin e Parkut Kombëtar Lurë-Mali i Dejës. Territori që përbënte park kombëtar është përcaktuar në vitin 2018. Pra kanë kaluar vetëm 4 vite që qeveria të ndërrojë mendje dhe të rishikojë kufinjtë e tij, duke nxjerrë nga zona e mbrojtur edhe një pjesë ku ndodhet një hidrocentral, beteja për të cilin vijon ende. Kjo na bën të dyshojmë që këtu nuk ka interesa mjedisore, por të tjera që lidhen me investime shumë të mëdhaja e fitimprurëse” vijon Aurora Leka
Shembulli me deklamues i shkatërrimit të mundshëm që mund të sjellë ky ndryshim i kufijve të Parqeve Kombëtare është rasi i komunitetit të Zall Gjoçaj. Në Parkun Kombëtar Lurë-Mali i Dejës hiqen nga mbrojtja dy zona, ajo veri-perëndimore për tu shfytëzuar për aktivitet minerar dhe zona ku është ndërtuar HECi Zais. Për komunitetin hapja rrugë e vazhdimit të asaj çka institucionet kanë nisur në vitin 2018 do sjellë dëme të parikuperueshme në fshatrat e mbetura pa ujë pas tharjes së lumit Flim, tharje e shkaktuar nga futja në tuba e tij. Tashmë ata po e shohin me sytë e tyre sesi thatësira e ka bërë të pajetueshme zonën dhe rrjedhimisht edhe aspak zonë të mbrojtur.
Vendimi i Këshillit të Ministrave e ka nxjerrë nga zona e mbrojtur. Jo zonë e mbrojtur, por tani për tani, ajo është zonë shkretëtirë. Zonë ku është kryer një krim mjedisor, barbarizëm. Aty është vrarë një zonë e gjitha. Një fshat që ka 4 hektarë e gjysëm tokë e nuk ka asnjë pikë ujë, është kthy në shkretëtirë. Një vend që askund të mos kishte mbetë gjelbërim aty në atë fshat do kishte.” Sali Koleci – Banor i Zall – Gjoçaj
Nëse ky vendim i Këshillit të Ministrave mbetet në fuqi, rezistenca për ta mbrojtur atë lumë nga vjedhja e ujit, siç e konsiderojnë banorët, do të bëhet akoma më e vështirë.
Beteja sapo ka nisur
Zonat e mbrojtura strehojnë ndërkaq thuajse tërësinë e specieve të natyrës shqiptare ku shumë prej specieve dhe habitateve janë në mbrojtje nga konventat ndërkombëtare, Direktivat e Komunitetit Evropian dhe nga legjislacioni shqiptar në fushën e mbrojtjes së natyrës. Zona të tilla ligatinore janë habitati i mbi 80% të shpendëve të ujit të Shqipërisë, vendpërhapje e mbi 15 habitateve prioritare për Komunitetin Evropian, mbi 85 specie shpendësh me mbrojtje të veçantë nga KE, të mbi 30 specieve të amfibëve, reptilëve dhe gjitarëve të mbrojtur nga direktivat evropiane. Pikërisht për këto vlera, ato janë shpallur dhe zona me rëndësi ndërkombëtare.
Duke marrë në konsideratë rëndësinë e këtij procesi por edhe nevojën për një shqyrtim ezaurues, beteja për shfuqizimin e kësaj VKM-je pritet të jetë e shtrirë në kohë. Sot u zhvillua seanca e parë përgatitore dhe në vazhdimësi do ndiqen hapa që mbulojnë secilën zonë të prekur dhe secilën çështje të ngritur, me mbështetjen edhe të ekspertëve të biodiversitetit, të cilët deri tani pohojnë se dy VKM-të 59/2022, 60/2022 reduktojnë me 11% sipërfaqen e zonave të mbrojtura ligatinore, heqin prej ZM-ve habitate të vyera, i hapin rrugë zhvillimeve të paqëndrueshme në brendësi apo në afërsi të ZM-ve, rrisin ndikimet negative mbi zonat qendrore të ZM-ve, varfërojnë habitatet dhe speciet, godasin larminë biologjike të ZM-ve dhe të gjithë Shqipërisë.
“U diskutua edhe për disa çështje që kanë të bëjnë me pjesën se çfarë përfaqëson secila prej organizatave, gjithashtu u diskutua edhe për pjesën e ekspertëve që do duhet të thirren gjatë gjykimit. Gjykata sigurisht gjatë gjithë seancave në vazhdim do ti marri të gjitha opinionet shkencore të nevojshme dhe do ti shtrojë pastaj për debat gjyqësor më të gjitha palët prezente.” Dorian Matlija – Avokat i ResPublica
Për ekspertizë më specifike për secilën zonë të mbrojtur, e prekur nga ndryshimi i kufinjve, avokati Matlija e vlerëson të nevojshme dhe pozitive përfshirjen e komuniteteve dhe grupeve lokale që janë në kontakt të parë me këto zona. Bashkë me to edhe organizatat që kanë asistuar në procese e beteja të gjata në mbrojtje të mjedisit.
“Pra, do kemi seanca të tjera, kjo e sotmja siç e thashë është seanca e para përgatitore, do ketë një seance tjetër përgatitore ku do të bëhen pyetjet konkrete për ekspertët, të fushave konkrete. Kjo është detyra jonë tua sjellim gjykatës dhe do ua sjellim në ditët që vijojnë dhe sigurisht edhe ekspertiza që do vinë nga vetë organizatat, që jane tepër të rëndësishme sepse më mirë seç i njohin organizatat këto zona, apo grupet dhe komunitetet e angazhuara nuk mund ti njohë askush tjetër.”
Në seancën e radhës e cila gjithashtu do të jetë përgatitore, gjykata do veproje me një trupë gjykuese prej 5 antarësh e për rrjedhojë data e zhvillimit të saj nuk është përcaktuar ende.