Socio-Rapi-nKamez

Në këtë episod do të dëgjoni bisedën me një artist tepër të veçantë nga Kamza, i cili bën muzikë “pa turr, pa indikator, në kushte rrethanore dhe me vullnet të pastër”. Ai quhet Orfe’st. Orfe’st-i është këngëtar i talentuar në rap dhe hip-hop, i cili e ka ndikuar thellësisht skenën muzikore lokale, bashkë me artistin Killua. Ne do të shkojmë përtej notave dhe teksteve të këngëve. Nëpërmjet artit dhe krijimtarisë së tij, do të flasim për jetën në Kamëz, për historitë e pasura urbane, për gjallninë e njerëzve, për jetën në zgrip dhe në kreativitet, si dhe për paragjykimet prej narrativës dominante. Do të diskutojmë për politikën lokale, për sfidat dhe mundësitë që ofron ky qytet. Kultura e rapit është një tjetër aspekt që do të eksplorojmë. Si ndikon në identitetin e rinisë sot? Dhe, e fundit por jo më pak e rëndësishme, do të shqyrtojmë lidhjen e artit me politikën. Si ndikon krijimtaria dhe ekspresioni artistik në debatin politik dhe anasjelltas? A është arti një mjet për të ndryshuar realitetin? Për të dëgjuar më shumë, qëndroni me ne në këtë udhëtim të pasur me zëra dhe mendime.

Letërsi dhe kotësi

Në episodin e tretë, do të fokusohemi te Antonela, studenten e letërsisë. Antonela do të na tregojë për shkollimin e saj, dashurinë ndaj letërsisë dhe librat që e kanë frymëzuar. Ajo gjithashtu do të ndajë mendimet e saj mbi filozofinë dhe psikologjinë, bashkë me Kujtimin, i cili është përkushtuar ndaj filozofisë. Ai ka lexuar shumë libra të ndryshëm dhe ka një vëmendje të veçantë për detajet. Qëndroni me ne për të dëgjuar historinë e Antonelës!

Djemtë e ardhur nga besimi

Në këtë episod të dytë kam ftuar dy prej të rinjve të Kamzës që janë pjesë e VKR, Veprimtaria Katolike e të Rinjve, një grupim vullnetarësh të kishës katolike Shën Gjon Pali II. Për këtë grupim të rinjsh, vullnetarizmi është një shprehje e dashurisë dhe solidaritetit. Të rinjtë e kishës katolike ashtu siç kanë ndërtuar një komunitet dhe mundësinë për të ndarë dhe përjetuar besimin, po aq kanë kontribuar në jetën e njerëzve në nevojë, duke u bërë shokë dhe ndihmës. Kjo përvojë humane dhe frymëzuese mbi një botë më të mirë i ka bërë ata më të ndjeshëm, më të përgjegjshëm dhe më të angazhuar. Për më shumë dëgjoni bisedën me Altinin dhe Emanuelin.

Teatër/Teatralitet n’Kamëz

Programacioni i thuajse Radio mëton të përfshijë zëra që reflektojnë përvoja të jetuara të njerëzve të Kamzës apo qyteteve të tjera të cilët na flasin për përditshmërinë e jetës, por edhe për parehatitë e tyre. Inspiruar nga formatet e radiove komunitare dhe radiove të lira, si dhe duke i zënë besë potencialit politik për transformime sociale e kulturore të radios, duam të zhvillojmë metoda minimale e modeste të të punuarit me zërin dhe të përdorim këtë formë të përafërt të radios si mjet për të marrë pjesë në publiken dhe për të tejçuar diçka matanë vetes. Një nga këto përpjekje është krijimi zanor me titull “Gjuha shkon aty ku dhemb”. Këtu do të tentojmë të flasim në përgjithësi për shumëçka, por sado gjatë e rrethrrotull që do t’i biem, gjithmonë biseda do të na çojë aty ku na dhemb, aty ku e kemi me merak. Do të ketë raste kur gjuha do të shkojë edhe aty ku lezeton. Ne do t’i bëjmë vend të dyjave, e prapë do të dalim aty ku na dhemb. Klodjan Gjonpalaj, aktivist dhe artist nga qyteti i Kamzës, do të jetë zëri pritës i takimeve tona.