Antonela Pepkolaj | 06.12.2021 | nyje.al
Në qendrën shëndetësore të rrethit tonë, dhomat e vizitave të pediatrisë, gjinekologjisë, dhe mjekut së familjes, kryqëzohen në një holl të vetëm pritjeje, i cili zgjatet në dy korridore të ngushta, në fund të të cilave ndodhet nga një banjo e shtruar me pllakat familjare bojëqielli. Mes shumë njerëzve që i ngjajnë njëri-tjetrit në paraqitje, ndodhej dhe një grua, duke pritur në korridorin e majtë, së bashku me disa gra të tjera dhe fëmijët e tyre. Janë disa diferencime të vogla që e bënin atë një grua mes disa grave dhe që, normalisht, një syri paragjykues, klasifikues, apo pervers, nuk i shpëtonin dot.
E shoqëruar nga një vajzë tre-katër vjeçe, të dyja në heshtje dhe me shikimin e tendosur, bënin sa mundnin të injoronin bisedat dhe pasthirrmat mes nënave të tjera. Megjithëse e ndodhur në holl, përballë dy dhomave të mjekut të familjes, shquhej qartë nga këndi im, profili i tyre nga ana e majtë, i cili zgjerohej gjer në një panoramë të qartë dhe të hapur të mimikave dhe qëndrimit. Qartësisht, po prisnin rradhën për të bërë një vizitë me mjeken e fëmijëve, dhe për këtë, në rrethin tonë duhet të ruash pas dere, gjersa të kryejnë punë ata pacientë që ia kanë dalë të mbërrijnë para teje.
Falë zanoreve të gjata dhe klithmave të tipit “Ihoo…”, “Mejr”, “Po a?”, “Damëll” etj., nuk ishte e vështirë të dalloje se shumica ishin kuksiane dhe dibrane. Megjithatë nuk ishte vetëm gjuha që na informonte për prejardhjen dhe deri-diku edhe për stilin e jetesës së këtyre nënave. Duke hequr një paralele mes grave dhe gruas, mund të kuptoja se përse për mua, prezenca e kësaj të fundit aty, ishte diçka anormale.
Pikë së pari, gruaja ishte relativisht më e dobët dhe më e gjatë se krejt gjinia femërore e pranishme aty. Kavilja e hollë dhe flokët e shkurtër, ekspozonin në mënyrë të përsosur pantollonat treçerekëshe dhe bluzën e hapur që i rrethonte supet. E ngushtë dhe e errët, bluza theksonte një diferencë të këndshme mes gjoksit dhe belit. Pranë saj, (më pranë se e bija), ndodhej çanta e vogël e dizenjuar me miksime ngjyrash pastel. Nuk kishte bërë tualet, por bardhësia e fytyrës, ngjyra e theksuar e buzëve dhe e syve, së bashku me qerpikët e zinj, krijonin imazhin e një fytyre të konturuar lehtë me pudër, buzëkuq dhe rimel. Në njërën dorë mbante syzet, në tjetrën telefonin. Shumicën e kohës mbante shikimin tek dera, duke u përqendruar herë pas here tek e bija. Nuk dukej e lodhur aq sa ç’dukej e bezdisur që i duhej të priste në një vend aq të vogël dhe të dendur. Në dorën e majtë, vura re një byzylyk me rruaza të errëta marbel dhe një kryq të vogël në mes, nga ato që shesin në Laç, gjë që kishte kuptim, sepse ishte qershor. Ndonjëherë mbante vesh bisedat rreth saj dhe i drejtonte sytë poshtë në të majtë për të treguar vëmendje. Por pastaj merrte frymë thellë dhe i kthehej derës. Nuk kishte unazë në dorën e majtë, gjë që tregonte se mund të ishte e divorcuar dhe divorci në anën tonë ishte më i rrallë se eleganca fizike. Kjo nënkuptonte se ose e kishin martuar (me shkes, gjë me probabilitet të ulët), ose, dashuria nuk ishte e mjaftueshme për të bërë shumë kompromise.
Në rrethin tonë, marrëdhëniet dashurore ishin kryesisht tradicionale dhe vareshin shumë nga virgjëria. Nëse një vajzë është e bukur deri-diku, e virgjër, pa nam të keq, e aftë të mirëmbajë shtëpinë, gjasat janë që të pranohet nga familja e një emigrant në Itali, Gjermani apo Angli. Zakonisht, pas martese, vajzat jetojnë dhe punojnë së bashku me bashkëshortin e tyre jashtë shteti, ose jetojnë me vjehrrit, larg të shoqit, i cili mund të kthehet në Shqipëri një herë në disa muaj, dhe kështu ndërtohet një familje me dy-tre fëmijë.
Për atë pjesë të vajzave më të kultivuar që besojnë dhe bien në dashuri, kushti është që i dashuri i tyre t’i dojë si shoqen e jetës. Lidhjet e dështuara të vajzave të rrethit tonë, janë lidhje që nuk janë konsumuar. Pasi fejohen dhe zyrtarizohen, një pjesë e vogël kanë mundësi të ndërtojnë një jetë të lumtur dhe të qetë, ndërsa pjesës dërrmuese, i duhet të përballet me atmosferën depresive dhe kushtëzuese të një vendi si Shqipëria.
Ndoshta është tepër spekulative të hamendësoj se gruaja ka pasur disa partnerë në jetën e saj, se kur ishte e re nuk i duhej të shqetësohej kush do martohej me të dhe kush jo dhe se i ka jetuar dashuritë dhe thyerjet e zemrës të plota, pa ndjenja faji dhe pengje. Mund ta dalloja në qëndrimin e saj pa komplekse dhe në vetëbesimin për të mos u angazhuar në biseda kalimtare siç po bënin gratë aty për aty, paçka se mund të mos njiheshin. Më së shumti, shkëmbeheshin batuta dhe korridori jehonte nga të qeshurat.
Gratë në rrethin tonë kanë një sens humori të shkëlqyer, gozhdues për nga përmbajtja por naiv për nga lehtësia me të cilën e shprehnin. Duhet të jesh goxha i duruar nëse ndonjëherë ato do të hedhin batuta për ty, sepse janë batuta që jo vetëm vënë në pah komplekset e tua intime, por edhe tallen me to. Vetëm nga lloji i shakave mund të pikasje nuhatjen që kanë këto gra për komplekset e tjetrit, të cilat i pranojnë me natyrshmërinë që vjen si pasojë e një jete të dendur dhe të mbushur me sakrifica. Batutat me referenca seksuale janë më të zakonshmet.
Përveç këtyre ndryshimeve që shquhen nga qëndrimi dhe çehrja, gruaja dallonte edhe nga nuancat e errëta me të cilat ishte veshur, në një korridor ku mbizotëronin ngjyra të çelura si roza dhe bluja e hapur e xhinseve të ngushta. Përgjithësisht nuk kishin ndonjë pasion të madh për stilin dhe mirëmbajtjen, kjo sepse nuk e kanë kohën dhe ngenë për diçka të tillë. Të fokusuara te nevojat e fëmijëve, të bashkëshortit dhe të familjarëve të bashkëshortit, kujdesi i tepërt për veten tregon mungesën e cilësive që të bëjnë familjare dhe kjo, për vjehrrat sidomos, është një makth që josh bashkëshortin, por edhe meshkujtë tjerë. Andaj prioritet është gjithmonë mirëqenia e bashkësisë dhe për këtë janë përgjegjëse gratë.
Kështu po prisnin të gjitha së bashku gjersa e bija preku lehtë gruan në bërryl për t’i bërë një pyetje. Pas kësaj ajo mori çantën në prehër dhe iu afrua më pranë duke u përkulur lehtë. Pohoi me kokë dhe i hodhi njërin krah në supet e së bijës, ndoshta duke i thënë se nuk do të duhej të prisnin dhe shumë. Dera u hap dhe doktoresha ftoi pacientin tjetër brenda. Gruaja papritur buzëqeshi dhe sapo doktoresha e vuri re, doli nga dhoma e vizitave dhe iu afrua:
“Rita, paske ardhur më herët se ç’të prisja! Urdhëro brenda, mbaroj për çerek ore dhe do ikim me makinën time.”
Hynë brenda duke qeshur dhe biseduar.
“Sigurisht.” thashë.