Vendi i ngjarjes së ligjit

Diana Malaj | 09.07.2018 | nyje.al

Një mendim ndoshta naiv, por që mund t’u shërbente atyre që kërkojnë menjëherë një qeveri më të mirë, do të ishte: “Çdo njeri le të bëjë të njohur se ç’lloj qeverie do të gëzonte respektin e tij, dhe ky do të ishte një hap drejt arritjes së saj.” Po ja, e the, për shembull, që “një qeveri do të gëzonte respektin tim po të kishte burra më të mirë”, siç m’u përgjigj një burrë i urtë tek po blinte domate me zemër kau në treg të Kamzës, “a do ta shkurtonte kjo distancën mes asaj që është dhe asaj që do të mund të bëhej”?
Kjo formë dëshire e shprehur në mënyrë të kushtëzuar, a nuk i ngjan një ninulle e cila përkund atë që e këndon dhe mban zgjuar të përgjumurit, të cilët tek mundohen të kapin vetëm projeksionin e kësaj dëshire të ardhshme, humbasin shumë nga ajo çfarë po ndodh ndërkohë? Dhe është pikërisht ajo çfarë po ndodh ndërkohë që nuk duhet humbur, por duhet minimalisht: thënë?!
Atëherë, në vend që të shprehemi publikisht se cili do të ishte versioni më i mirë i qeverisë që do të na pëlqente, siç do të kishte sugjeruar Henry D. Thoreau me librin e tij “Mosbindja civile”, do na duhet t’ia fillojmë të tregojmë sesi është qeveria që kemi. Dhe t’ia fillojmë nga ajo që na shfaqet në përmasat e saj më specifike, ajo që është më afër nesh dhe më larg njëkohësisht: qeverisja lokale.
Historia që do të tregojmë i ngjan parabolës që ndërton Kafka mbi ligjin, duke vendosur në një skenë narrative “pamundësinë e hyrjes te ligji” .
Tregimi ynë fillon me fundin e tregimit kafkian: rojtari e kupton se tjetrit i ka ardhur fundi e për të arritur zëri deri te veshi i tij i ulëret:“Po këtu nuk mund të hynte askush tjetër, pasi kjo hyrje ishte e caktuar vetëm për ty. Tani po shkoj që ta mbyll” .

Vendi i ngjarjes se ligjit

Ne na është mbyllur gjithmonë kjo derë, dhe këtu fillon e gjithë kjo që do të pasojë shënimin.
Porta nga e cila hyjnë këshilltarët e këshillit bashkiak në Kamëz është e njëjta me atë në të cilën hyjnë punonjësit e administratës, e njëjtë me atë që hyjnë banorët e qytetit çdo ditë të premte – si ditë takimesh me kryetarin- dhe e njëjta përballë të cilës presin ata të tjerët që shohin të sipërpërmendurit që hyjnë përpara tyre.
Për të kaluar nga porta e ligjit, duhet më parë të hyjmë nga ajo e ligjvënësit, pasi ligji vetë (ligji “Për vetëqeverisjen vendore”) të jep mundësinë e përndjekjes që bën qeni kur kap bishtin e tij. Ky ligj të çon deri te ligjvënësi, me të drejtën vetëm të dëgjosh dhe të shohësh se çfarë po ndodh, por pa të drejtën e fjalës. Të duhet të heshtësh, që të mos prishësh mbarëvajtjen e mbledhjeve mujore në të cilat çdo këshilltar investohet seriozisht që ato të zgjasin sa më pak. Mirëpo, ka edhe më keq nga ajo çfarë ka parashikuar ligji. Ligji i referohet rregullores dhe rregullorja “ligjit të brendshëm” të Sokolit. Më në fund na shfaqet një ligj me origjinë, i cili buron prej mendjes tekanjoze të sekretarit të një bashkësie njerëzish të mandatuar, të cilët janë ata që e përcaktojnë se kush hyn dhe kush del. Pra pamundësia për të hyrë te ligji, në rastin tonë nuk vjen për shkak se ai është krejt i hapur, por për shkak se hapja e tij varet nga vullnetet që marrin vendime dhe i ekzekutojnë, të dyja këto pushtete të përqëndruara në duart e njëjësit. Këta njerëz të mandatuar, ose të armatosur me mandate nuk të thonë asnjëherë “jo, nuk do të hysh”, por të përgjigjen “mundesh, por jo tani”, pra këta rojtarë të ngeshëm e të ngjashëm me rojtarin kafkian me mjekrën tartare respektojnë orën e pakurdisur të ligjit- është ky moment kur na shfaqet ligji, me mosprezencën e tij në të tashmen, por si një shtyrje në kohë “tani jo, më vonë”. Pikërisht te kjo shtyrje në kohë e të drejtës për të hyrë te vendi i ngjarjes së ligjit, fillon gjithçka. Aty, fshatarit të parabolës sonë moderne i duhet të mendojë ndërkohë që pret sesi të mos presë më. Ai nuk shpreson, dyshon ndërkohë që pret, dhe ndërsa pret, sheh qartë që rruga drejt vendit të ngjarjes së ligjit nuk mund të përshkohet ndryshe veçse duke ndjekur pas ata që janë të autorizuar të hyjnë aty, ndërkohë që burakrati e ka zhvendosur vëmendjen e tij.
Rojën e parë duhet ta ruash kur nuk e ka mendjen. Ka gjithmonë një moment kur atij do t’i duhet të jetë në shumë vende njëkohësisht. Më shumë se tinzar në kushte të tilla, të duhet të rikonceptosh mjedisin ku ecin këta njerëz dhe të imagjinosh që kjo skenë mund të përfaqësojë një vrimë miu, hapësirën e një dhome mbreti, ose shtegun e një pylli. Në bazë të asaj çfarë imagjinon, mund të projektosh lëvizjen e rradhës. Pra, ndryshe nga fati i fshatarit kafkian që mbetet jashtë, personazhi ynë arrin të hyjë brenda. Hyn në vendin e ngjarjes së ligjit, aty ku organizohen mbledhjet e këshillit bashkiak. Me të mbërritur aty, ai sheh rreth 40 forma antropomorfe që i ngjajnë humanoidëve të veprës së Rexhep Ferrit:
“…burra dhe gra…brenda një hapësire të zbrazët e të gjithëpushtetshme që mbështjell gjithçka e që fare mirë merret si brendësia e një skene ku parakalojnë të kalamendur forma antropomorfe dhe androgjene që përsëriten nga njëra tablo në tjetrën, herë të vetmuara dhe herë në grup” . Këta trupa ndjekin një itinerar që ritmohet prej shenjash jo krejt të dukshme, dhe veprimesh të mësuara prej vitesh pjesëmarrje sedentare në mbledhje. Firmosin një proces-verbal, letra ku faktet juridike janë reduktuar në prani fizike, siç mjaftohet këshilltari me praninë e tij në këshill. Ata ngjajnë me pasagjerët e një urbani pa kondicioner, tek zbresin në stacionin e fundit në një dite fillim gushti. Pa takat e të përgjumur, djersijnë tek votojnë shpejt e shpejt projekt-vendimet që emërtojnë rrugë me emra kryepleqsh e kryeqytetesh, të vdekurit e zonës i përkujtojnë me tituj nderi, ndërsa nderet me shkëmbim (te)nderi. Ata betohen në nder të kryetarit që do të punojnë me ndërgjegje. Pra, tek vendi i ngjarjes së ligjit u betuakan dhe u djersitkan! Në këtë atmosferë besimtarësh të zhegitur kalohen ligjet si lutjet për një gjumë të qetë. Në emër të kryetarit, të sekretarit dhe të shpirtit të fjetur!
Ketë sheh personazhi në rrethana kafkiane tek është ulur mbi gozhda në fund të sallës. A do të dijë ai ta përballojë këtë “theatrum mundi”? A mund të eksperimentojë ai me mendimin metaforik që “e gjithë bota është teatër” dhe ta jashtësojë atë nëpërmjet aktit? Si mundet që ky akt të mos jetë dramatik, i tillë sa të mos bëjë sikur po jeton? Sa e ekspozon ndaj rrezikut për t’u kthyer në një fanatik të shkatërrimit ky proces ndërgjegjësimi dhe njohjeje nëpër të cilin ka zgjedhur të kalojë? Ai, si subjekt i përfshirë tashmë në një proces kërkimi sesi të njihet ajo çka përfaqëson, rri me sytë nga dera e daljes.

Na ndiqni në:
Follow by Email
Facebook
YouTube
Instagram

Lini një Përgjigje