Tribut Derek Walcottit

nyje.al | 18.03.2020 
Prej 17 marsit të vitit 2017 kanë kaluar tashmë 3 vite nga vdekja e nobelistit Derek Walcott. Sot e përkujtojmë atë me një poezi dhe fragment interviste publikuar në revistën “Jeta e Re” (2013) me përkthim të Gentian Çoçolit.
Derek Walcott u lind në ishullin Santa Luçia të Karaibeve, më 1930. Në vitin 1959 themeloi Kompaninë Teatrore të Trinidadit. Ka dhënë leksione të retorikës dhe letërsisë në Universitetin e New Yorkut dhe të Bostonit. Me 200 dollarë borxh të nena e tij mësuese dhe rrobaqepëse, e cila e hidhëruar dhe e detyruar ia mblodhi me shumë zore, arriti të botojë privatisht një nga librat e tij të parë me titull “25 Poezi”. Mik i ngushtë me Robert Lowell-in, Josif Brodskij-n dhe Seamus Heaney-in, kjo marrëdhënie ndikoi dukshëm në jetën dhe në veprat e tij poetike. Vepra që i dha famë botërore ishte “Kah një natë e gjelbër”. Edhe pse “djaloshi” brenda tij nuk kërkonte famë dhe as publicitet, në vitin 1992 u nderua me çmimin Nobel. Për të, deri në fund të jetës, çdo botim i ri me poezi ishte një mundësi e re për të tejkaluar mangësitë e veta. Çmojmë me rëndësi për lexuesin e Nyjes të sjellim një fragment nga një prej intervistave të Walcott-it në të gjallë, lidhur me figurën e Robinson Kruzosë në poezitë e tij.

Përse është kaq e rëndësishme për ju figura e Robinson Kruzosë?
Ka qenë një kohë, si në jetën time dhe në shoqërinë ku jetoja, kur artistin e Indeve Perëndimore e përfytyroja si atë njeriun që i është mbytur anija. Ai qe dikushi që i duhej të ndërtonte (rishtazi) në këta ishuj, porse nga pozita e një anijembyturi. Unë shkrova një poezi të quajtur “I larguari”. I thashë gruas se doja ta kaloja fundjavën diku poshtë Trinidadit. Ajo ra dakord. Unë i kalova ato tre ditë në një shtëpi plazhi, i vetëm, ku shkrova poezinë. Nuk po them se kjo u bë shkaku i idesë time mbi Kruzonë. Por mundet të jetë kjo. Plazhet këtu janë thuajse të zbrazët-veç deti dhe bimësia përreth, kurse ti je ballas me veten. Poezitë që kam shkruar mbi temën e Kruzosë, ndryshojnë. Një prej anëve të mira të idesë së Kruzosë është se në një kuptim, çdo racë që ka ardhur në Karaibe, është gjendur në rrethanat e skllavërisë ose të mospranimit, dhe kjo është metafora e anijembyturit. Pastaj ti sheh përreth dhe të mbetet të gjesh mjetet e tua. Është penë apo çekan, nuk ka rëndësi, ti po ndërton në një rrethanë Adamike: ti nuk po rindërton thjesht nga nevojat, por edhe nga ideja tjetër, se ti do të qëndrosh gjatë këtu dhe, po ashtu, edhe me ndjesinë e zotërimit të diçkaje. Ka edhe ironinë tjetër, siç është pozita e Premtit, si njëri prej atyre që janë civilizuar. Tanimë po ndodh e kundërta. Njerëzit që vijnë në Karaibe prej qyteteve dhe kontinenteve i nënshtrohen procesit të rikulturimit. Ajo çka i qarkon ata këtu, nëse ata i jepen me shpirt asaj që u shohin sytë, u mëson atyre shumë gjëra, kryesoren nga të gjitha, përshtatjen e pavarur të bashkëjetesës së racave, veçanërisht në vende të tillë si Trinidadi apo Xhamajka. Gjithashtu, dhe në fashitjen e idesë së Historisë. Për mua pamjet e fashitjeve janë të përhershme këtu në Karaibe-dallga që shplan rërën pambarimisht, retë e mëdha që ndryshojnë sa hap e mbyll sytë. Ka një ndjesi të përhershme lëvizjeje në Karaibe- shkaktuar prej detit dhe ndjesisë se po shëtit gati mbi ujë- jo të palëvizshmërisë. Masa e kohës është më e madhe- tepër e ndryshme në ishujt krahasuar me qytetet. Nuk jetojmë kaq shumë të varur prej orës. Sikur gjendesh në vendin ku ti e krijon vetë kohën tënde dhe ajo çka mëson, mendoj është durimi, tolerance, sesi të bëhesh artizan i vetvetes më tepër sesa të qenit artist.
Poezi Gross Illet
Ç’këtij fshati, qullur si dromcë në ujë të kripur,
U dha një gjuhë, kandisur me guacka stridhesh,
Me një mëdyshje frutash sqetullave,
Me bërrylat si rrema kaq të ndjeshëm. Ceremonitë
Ia nisnin nga tagjitë, kriporet, nga furneralet në muzgje
E mbrëmje, përcjellë prej gaforreve. Aromat blindoheshin anë detit.
Spiranca e ishujve shkoi thellë e më thellë porse
Gjithherë e kthjellë qe mbi rërë. E shumta një peshkaqen
E shpesh një kandil deti me ato anët e vet të gjera si vela
Me atë vështrim të pagjumi, që ngjitej prej koraleve këndellës
Dhe një peshkatar që flaku lartas një peshk-mace si kokë spërdredhur.
Nata me ato qirinjtë e vet të sigurt, të pashueshëm,
Qe si Nata e Shpirtrave, kokëposhtë, mënyrë kjo si
Një lakuriq nate sheh vetë botën. Ndaj
Edhe sytë e tyre vështrojnë kah ne të habitur, shohin sa
Çuditshëm ecim, çuditen me kutin tonë të drejtpeshimit,
Sesi flemë si qemë të vdekur, si i pështjellojmë
Ëndrrat me gjëra kaq të thjeshta, si trëndafilat a gozhdët,
Sesi myshku i mplak sa hap e mbyll sytë shkëmbinjtë,
Deti nis e ngre dallgë që nuk kanë të bëjnë me kohën,
Rërë ia nis vorbullave e as që ka të bëjë me to,
Sesi hijet i gjegjen vetëm e vetëm diellit.
Dhe herë-herë, si majë e ndryshkur teli,
Jepet fasha gri e ndonjë balene. Elpenor, ti që
Theve ndenjësen, ashtu i topitur, re kokëposhtë ujërave,
Edhe rremëtari që vozit si kandil detin në frymë dallgësh,
Nuk ka pse ndalni këtu, nuk ka vend për ju.
Këtu ka qirinj dhe zakone të tjera, të vdekurit janë ndryshe,
Guackat vështrojnë në radhë varret e veta.
Ka tjera ravgime matanë parajsës së horizontit
Tonë. Ky det nuk është Egjeu rrush-purpuri.
Këtej nuk del as verë as djathë, gështenjat njëlloj
Të blerta, fiqtë e detit aguridhe, gjuha është ajo e skllevërve.

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje