Takim letrar me Lindita Komanin

Diana Malaj | 27.11.2018 | nyje.al | 

Lindita Komani përgjatë takimit letrar me të rinjtë e grupit Ata, Kamëz
Lindita Komani përgjatë takimit letrar me të rinjtë e grupit Ata, Kamëz

“Moto jete” libri i ri i Lindita Komanit ka lindur në udhëtim, nëpër Evropë dhe përtej saj. Një poezi e shkruar midis kulturave dhe qytetërimeve që kanë lënë gjurmë dhe e ka ngritur në tjetër nivel gjuhën e saj poetike të vëllimeve paraardhëse “Post-impresion” dhe “Në gjuhën e zgjimit”. Në takimin e saj me aktivistët e grupit “ATA” ajo flet për procesin në të cilin ka kaluar shkrimi i librit të saj të ri si dhe qëndrimin e saj kritik ndaj fenomeneve e ngjarjeve aktuale.
Librin mban dedikimin “prindërve të mi…”. Por ndryshe nga ç’ndodh me autorë, për shembull me Franz Kafka-n apo Elfride Jelinek-un apo modele të ngjashme që denoncojnë dhe rebelohen kundrejt familjarëve të tyre dhe vlerave që kanë mbartur, me Linditën ndodh krejt e kundërta. “ Brenda poezive të mia kam dashur të krijoj vend për të gjithë breznitë prej nga e kam origjinën, në shenjë mirënjohjeje që jam pjesë e trungut të tyre. Mosmarrëveshjet mes brezave kanë ardhur për shkak se të parët kanë gjithmonë një lloj dije tjetër, një tjetër perceptim për botën. Dhe vlerat e kësaj dijeje janë ato që mund të trashëgohen në zinxhirin e jetës. Dashuria për njeriun dhe mirëkuptimi ndaj tjetrit janë vlerat thelbësore të cilat duhet të përcillen ndër breza”, shprehet autorja.
Lindita Komani është e profilizuar në shkencat ekonomike, merret me shifra dhe me pjesën më krijuese të këtij profesioni: teknikat kreative të marketingut dhe komunikimi me klientët. Pasioni për letërsinë ka lindur që herët, fillimisht si sprovë për të marrë aprovimin e të atit dhe më pas si tejkalim i pritshmërive të të tjerëve për të. Një punë e vazhdueshme, me shumë pasion dhe përkushtim si letërsia, tashmë përbën angazhimin më të rëndësishëm në jetën e saj.
Shqetësimi për humbjen e romantizmit dhe e pulsit poetik në jetë si dhe shqetësimi për çqytetërimin e njeriut janë filli përshkues i poezive të saj. Me fjalë të tjera çqytetërimi për autoren është zëvendësimi i të vjetrës me të renë, i asaj çka nuk na përbën më habi me diçka që duket më joshëse për perceptimin tonë. Dakortësia e masës për t’u uniformizuar në stilin e jetesës, në shije, në mënyrën e të sjellurit janë shenjat e këtij çqytetërimi.
Ndryshe nga shumë autorë bashkëkohorë të cilët preferojnë të ndalen dhe të kthejnë sytë nga e kaluara, Lindita merret me shqiptarin e sotshëm dhe me gjendjen e tij dramatike, gjendje e lidhur kryesisht me ndryshimet e ngadalta e të ashpra që kanë ndodhur në periudhën postkomuniste. Ngjarjet politike ndër vite i përcjellin asaj vetëm momente pasigurie e përkohshmërie, ndaj në shumë poezi ndjehet përpjekja për t’i bërë një thirrje vetes, individit dhe shoqërisë për t’u vetëdijësuar për rolin që kanë për të ardhmen e një vendi.
Simbolika e përdorur nëpërmjet një objekti apo një fenomeni në natyrë dhe gjuha e figurshme për të shprehur një gjë më të fshehtë e më të thellë kalon nëpër një proces gjurmimi delikat, por të vetëdijshëm për poeten. Nuk mbeten pas temat politike nëpërmjet të cilave kritikon “nxanien” e hapësirave publike nga pushteti dhe manipulimet partiake duke dashur kështu të mbajë zgjuar ndërgjegjen e njerëzve.
Lindita Komani ka arritur të botojë me kursimet e saj sepse botuesit shqiptarë jo vetëm i kërkojnë para autorit, por puna e tyre nuk është cilësore. Për të kursyer kohën, për të minimizuar shpenzimet si dhe për t’u lënë hapësirë shkrimtarëve të rinj për të aplikuar për mbështetje institucionale, ka vendosur të redaktojë dhe t’i publikojë me vetëfinancim librat e saj. Kjo praktikë i ka rezultuar më e arsyeshme pasi në këtë mënyrë mundet t’i ofrojë lexuesit një libër me çmim të cilin mund ta përballojë, duke eleminuar kostot shtesë të shtëpive botuese.
Në diskutimin për editorinë, autorja shprehet se e ka të vështirë të flasë për artin bashkëkohor në një moment kur nuk funksionon Biblioteka Kombëtare, kur nuk ka kritikë letrare dhe ku shtëpitë botuese nuk e kryejnë punën me profesionalizëm për ta çuar librin deri te duart e lexuesit. “Dua të kujtoj Lidhjen e Shkrimtarëve në fillesat e veta ku kanë spikatur figura të jashtëzakonshme si Mitrush Kuteli i cili ishte i pari kritik profesionist që arriti të zbulojë Fan Nolin si poet dhe botoi Lasgush Poradecin. Ishte një kohë kur njerëzit e letrave bashkëpunonin ngushtë me njëri-tjetrin dhe e respektonin njëri-tjetrin. Sot nuk kemi asgjë nga këto.”
Kamëz, Shtator 2018

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje