Sot është një ditë e veçantë për mua dhe nuk kam frikën që do ndihem i pakuptuar

A.V | 14.10.2018 | nyje.al

Është një ëndërr që e shoh me sy hapur që prej katër vitesh, atëhere kur mësova të perdor mirë kompjuterin dhe të kuptoj pak anglisht. Një ëndërr që zgjat sa një mandat deputeti a kryetari bashkie në vendin tim. Unë i paragjykoja gjithmonë ato biznese që ushtronin disa funksione dhe mbushnin xhamat e tyre me shkrime që shtoheshin shpesh. Më acaronin. E kjo ndodhte më së shumti në muajin tetor. Fletë A4, ngjitëse, formate më të mëdha, të gjitha me flamurin amerikan të stampuara dhe shkrimin shoqërues poshtë “Plotësojmë Llotarinë Amerikane”. Nuk më pëlqenin asnjë nga ata që për pesë minuta punë iu merrnin aq para qytetarëve. Në fakt pjesa që më dhembte më shumë ishte injoranca e bashkëqytetarëve të mi.

Sot ishte një ditë shumë e veçantë për mua.Plotësova herët në mëngjes llotarinë amerikane. Nëna më uroi kur dola nga shtëpia, madje më përcolli deri poshtë tek shkallët. Të them të drejtën vitin e parë kur e plotësova kisha shumë frikë se mos bëja ndonjë gabim në plotësimin e moduleve. Herën e parë bëra “Bismilahe” sa nisa aplikimin. Kështu më porositi nëna. Paçka se nuk jam bestyt apo supersticioz shpeshherë i dëgjoj disa nga porositë e saj pa i kaluar në filtrat e mi. Mendoj që kjo është respekt. Vitin e dytë ajo frikë u zëvendësua me atë të fotografisë më shumë, nëse nuk është në përmasat apo rezolucionin e duhur. Vitin e tretë mësova se mundet dhe foton ta bësh vet, jo të shkosh në studio profesionale që edhe këto shfrytëzonin çastin dhe bënin rritje çmimesh vetëm atë muaj. Pra mësova të kursej përveç parave të aplikimit edhe për fotografinë. Koston e injorancës nuk e mora përsipër. Të paktën në ato kohë.
Fillova të plotësoj çdo gjë, emrin, mbiemrin, kodin postar, vendlindjen, numrin e telefonit. Plotësoja me kujdes hapësirat bosh, madje dhe ata opsionalet, e kur shkruajta rrugën ku unë banoja, “Sali Berisha”, nuk e di pse mu kujtua Kristofor Kolombi, ky i fundit që theu kufij e zbuloi një tokë të re me atë të parafundit që krijonte kufij. Çdo pushtetar a udhëheqës vetëm sa e izolon këtë vend. Sikur punojnë veçse për këtë punë. Por e lashë me aq këtë formë të menduari të mbrapshtë.
Unë e dua, në fakt, qytetin tim, Kamzën. Kisha provuar të shërbeja aty në të gjitha format. Por e lashë sepse u lodha duke punuar kamarier, i siguruar, por lekët që kalonin në llogarinë time, një pjesë duhej t’ia ktheja sërish pronarit pasi 220 mijë lekë në muaj ishin shumë. Pra rrogën mujore e kisha 180 mijë lekë. Në Kamëz kur aplikoje për punë në bare, pronarët, gjëja e parë që të thonin ishte “tek unë je i siguruar”. Ky ishte shërbim luksi e shtesë nga ana e tyre për punëtorin e nuk duhej të harroje kurrësesi t’i thoshe faleminderit për këtë nder që po të bënte. Pasi mbarova tre-vjeçarin për ekonomik provova të shërbej edhe në administratë. Provova të aplikoj, d.m.th. por nuk më thirrën asnjëherë. Dosjet e mia ishin në të gjitha drejtoritë, DAR-i, Bashkia, Shërbimi Social, Policia, Gjykata, kudo.
Në fotografinë që përdora sot për lloton m’u duk vetja i bukur. Teksa po e ngarkoja e kontrolloja tek skeda “photo tool” po mendoja për Parkun Qëndror në New York, që ka një sipërfaqe gati sa vija gjatësore e gjithë qytetit tim. 6% e gjithë sipërfaqes së Manhatanit. E përfytyrova veten aty në këto ditë vjeshte, i ulur në ndonjë stol, duke dëgjuar muzikë me kufje a lexuar diçka nga shkrimtarët tanë shqiptar pasi thuhet se jashtë këta të shijojnë më shumë. Është e çuditshme, por qyteti im nuk ka asnje stol ku të ulesh. Nuk ka një park publik. Nuk ka një bibliotekë ku mundet të huazosh libra. Nuk ka kushte klimaterike të favorshme në transportin publik. Nuk ka ose ka shumë pak qytetar të ndërgjegjshëm për pozicionin dhe rolin e tyre në komunitet. Nuk ka opozitë. Nuk ka një media. Por nuk ka edhe… Jo. Nuk mundet e as pres që dikush të kërkojë dinjitetin e qenies njerëzore në këto kushte. E ndjej që po lazdrohem. E prandaj e plotësova me shumë kujdes e duke u lutur, llotarinë amerikane. Unë e di që ikja nuk është zgjidhja por më ka marë malli të jetoj si Njeri dreqin. Në fakt nuk e di si është kjo ndjesi. Nuk e di nëse e kam provuar ndonjëherë. Tani po flas sikur e kam në xhep llotarinë. Por ju paralajmërova që në fillim, po jetoj një ëndërr me sy hapur. Për këtë jam i sigurt aq sa jam dhe për faktin që tashmë kam në duar një letër të printuar ku kam nënvizuar “Confirmation Number: 20265K4YUKJHSGU7”.

**********Nga ditari i një të riu nga Kamza********

Na ndiqni në:
Follow by Email
Facebook
YouTube
Instagram

Lini një Përgjigje