Socializëm Pandemie

Përkthim | Analizë | Project Syndicate | 19.04.2020 

Willem H. Buiter

Duke na sjellë një tronditje veçanërisht shkundëse si në ofertë ashtu edhe në kërkesë, pandemia COVID-19 ka përmbysur pothuajse brenda natës debate të vjetra ideologjike. Papritmas, ndërhyrje shtetërore me efekte të gjata në ekonomi janë bërë të domosdoshme për të shpëtuar kapitalizmin e tregut, i cili ka pak gjasa të dalë i pandryshuar nga kjo situatë.

Ironikisht, pikërisht kur “socialisti demokrat” Bernie Sanders pezullon fushatën e tij presidenciale në Shtetet e Bashkuara, shumë prej politikave të propozuar prej tij po bëhen të domosdoshme nëpër botë. Masat e distancimit social për ta zbutur pandeminë COVID-19 kanë shkundur edhe prodhimin edhe prurjet e të ardhurave familjare. Por efektiviteti i distancimit social mund të minohet prej punëtorëve të cilëve u mungon sigurimi i posaçëm shëndetësor, leja shëndetësore e paguar, kompensimi i papunësisë, ose forma të tjera mbështetjeje në të hyra apo kursime. Këta individë do të ndihen se nuk kanë zgjedhje tjetër përpos të vazhdojnë punën pavarësisht rreziqeve shëndetësore. Sigurimi shëndetësor universal duket si rezultat i pashmangshëm edhe në ShBA, ku Sandersi, që virtualisht qe i vetëm ndër politikanët e vendit, e ka mbrojtur për dekada.

Njëkohësisht, tronditjet fillestare në ofertë dhe kërkesë – respektivisht të punës dhe të konsumit shtëpiak – prej krizës së COVID-19-s po përforcohen prej shembjes së zinxhirëve furnizues lokalë, kombëtarë, rajonalë dhe globalë. Dhe të gjitha këto tronditje të ekonomisë-reale po shkaktojnë shkundje edhe në sistemin financiar.

Në këto kushte, bankat qendrore kanë rol vendimtar për të luajtur në parandalim, që tregjet e çrregullta financiare të mos rrisin barrën e kompanive jo-financiare dhe familjeve. Bankat qendrore duhet të paktën të ndërhyjnë për të siguruar likuiditet të mjaftueshëm në tregje kyçe, përfshirë tregun e borxheve qeveritare, të letrave me vlerë që çertifikojnë asete kyçe si hipotekat residenciale and komerçiale.

Megjithatë, po aq e rëndësishme është që bankat qendrore të sigurojnë likuiditet për familjet dhe korporatat, që të mos shterojë prej tërheqjeve të shtyra nga frika dhe vetëpërmbushja. Aty ku ka vend, ata mund të ofrojnë financim monetar për stimulim fiskal (para me helikopter), në mënyrë që qeveritë që përndryshe do të mund të kufizoheshin nga tregjet e bondeve sovrane nuk i kanë duart e lidhura.

Thënë kjo, bankat qendrore nuk janë institucionet e posaçme për të adresuar defiçitin e të ardhurave të bizneseve dhe rrezikun e falimentimit të korporatave, ose shkundjet e të ardhurave familjare dhe problemet e lidhura me mirëmbajtjen e borxhit konsumator,  studentor dhe të hipotekave. Është e vërtetë se bankat qendrore mund të marrin përsipër përkohësisht një pjesë të barrës, duke blerë borxhin me rrezik të lartë të korporatave dhe letrat me vlerë të cilësisë së ulët. Mirëpo detyra e madhe e parandalimit të një katastrofe ekonomike padyshim i takon autoriteteve fiskale.

Në rastin e krizës së COVID-19-s, nevojiten mandate dhe financime publike për të siguruar që të gjithë të mund të testohen shpejt e saktë për virusin korona. Bashkëpunimi global mund të luajë rol të rëndësishëm këtu, duke marrë parasysh natyrën e papërsosmërisht të sinkronizuar të shpërhapjeve kombëtare. Por, tek e fundit, të gjitha trajtimet lidhur me virusin korona (përfshirë shtrimin në spitale) do kenë nevojë të mbulohen nga shteti dhe vetëm qeveritë kombëtare mund të mobilizojnë financim në këtë përmasë.

Ngjashëm, shteti do të ketë nevojë edhe që të sigurojë kompensim të plotë për punëtorë që humbin të ardhurat si rezultat i krizës. Për të mbajtur kërkesën agregate, qeveritë mund të fusin përkohësisht të ardhurat bazë universale, ku çdo i rritur merr një transfertë kesh periodike për aq sa zgjat kriza. Edhe ShBA-ja me Presidentin Doland Trump është përçartur drejt kësaj mase, qartazi lehtësuese, duke përfshirë së fundmi në paketën e tyre të shpëtimit 2.1 trilion dollarëshe një rimbursim prej 1 mijë e 2 qind dollarësh për çdo të rritur që merr më pak se 75 mijë dollarë në vit.

Megjithatë, edhe me mbështetjen financiare qeveritare, me gjasë kompanitë ende do të përjetojnë rënie dramatike në të ardhura, prej shkundjeve të lidhura me krizën sa i përket forcës punëtore, kërkesës së brendshme e të jashtme dhe zinxhirëve furnizues të të gjitha niveleve. Këtu, shteti mund të futet si blerës i strehës së fundit, ose do të mundej të sigurojë kredi ose garanci kredie për kompanitë me telashe financiare. Një kredi e tillë do mund të konvertohej në kapital, qoftë përnjëherë ose pas përfundimit të krizës, në formën e aksioneve pa të drejtë vote por me parapëlqim, duke ndaluar kështu rrëshkitjen në një ekonomi të planifikuar.

Nuk duhet të ketë kufizime mbi përzgjedhjen për format e ndryshme të mbështetjes financiare të përvijuara këtu. Korporatat e mëdha mund të preken njëlloj me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me të vetëpunësuarit dhe me punëtorët sipas rastit prej rënies së kërkesës dhe shkundjeve të zinxhirit furnizues. Edhe pse për një farë kohe mund të jenë në gjendje ta mbajnë veten – falë qasjes së madhe që kanë në kreditë bankare dhe tregjet e borxheve – nuk do të mund t’ia dalin gjithmonë. Marrë parasysh grumbullimin e borxhit jo-financiar korporativ para pandemisë, do të mund të shihnim lehtësisht një valë mospagimesh dhe falimentimesh të korporatave në mungesë të ndërhyrjes shtetërore.

Këtë herë krizën nuk e nisën bankat dhe ndërmjetësuesit e tyre financiarë jo-bankarë, por pashmangshëm do të bëhen pjesë e saj dhe do të bëhen po ashtu kandidatë për shpëtimet e ndihmën financiare shtetërore teksa ana e aseteve të bilancit të tyre fillon të përkeqësohet. Dhe metodat urdhërore të njohura nga ekonomitë e tregut në kohë lufte dhe ekonomitë me planifikim qëndror – mendoni për ekzekutimin që Trump-i i bëri Aktit të Prodhimit për Mbrojtje për të detyruar General Motors dhe 3M të prodhojnë mjete të vyera shëndetësore – mund të jetojnë gjatë pas krizës.

Si përfundim, socializmi i ri do të ketë edhe përmasë ndërkombëtare. Italisë, për shembull, do t’i nevojitet përkrahja e Bankës Qendrore Europiane ose e Mekanizmit Europian për Stabilitet, ose qoftë përmes sigurimit të bondeve të virusit korona për eurozonën. Ndër ekonomitë në zhvillim dhe atyre në çelje, tregjet e jashtme të borxhit po u kufizojnë sakaq shumë prej tyre aftësinë për të ofruar mbështetje financiare. Adresimi i këtyre kufizimeve me më shumë ndihma nga jashtë prej ekonomive të përparuara –  përfshi këtu një rritje të shenjestruar në të Drejtat e Veçanta për Tërheqje të Fondit Monetar Ndërkombëtare – do të ishte përgjigjja moralisht korrekte dhe ekonomikisht e shëndoshë.

Ashtu siç tregon trajektorja e krizës së COVID-19-s, ekonomive kapitaliste të tregut do t’u duhet t’i hapin rrugë, të paktën përkohësisht, një forme të improvizuar të socializmit që synon përtëritjen e prurjeve të të ardhurave për familjet dhe atyre për kompanitë. Paskëtaj do të shohim nëse pasojat e këtij eksperimenti me socializmin do të mbesin përtej fundit të pandemisë.

Përktheu: Pavjo Gjini

Redaktoi: Genc Shehu

Ky shkrim është botuar me datë 9 prill 2020, në website-in e Project Syndicate, platformë ndërkombëtare ku ndahen komentimet ekonomike dhe politike mbi gjendjen aktuale të botës prej shumë autorëve të njohur ndërkombëtarisht për kontributin në fushat e tyre.

Për përkthimin dhe ribotimin e tij kemi respektuar të drejtat e autorit duke marrë paraprakisht miratimin e kryeredaktorëve të Project Syndicate.

Lini një Përgjigje