Slavoj Žižek mbi patologjitë e politikës bashkëkohore

25.07.2018 | nyje.al

Kundër shantazhit të dyfishtë: bisedë me redaktuesit shkencorë Genci Shehu dhe Pavjo Gjini

Në daljen e tij të fundit në Madrid, në maj të vitit 2018-s, filozofi slloven Sllavoj Zhizhek u vlerësua me çmimin e Rrethit të Arteve të Bukura. Në momentin që ky filozof merr çmimin, thotë që nuk i pëlqejnë këto gjëra, por ama ua pranoj dhe ndihem i nderuar që po ma jepni. Çmimi kishte motivimin e një figure si Zhizheku i cili ndikon në përhapjen mendimit kritik te të rinjtë. U shpreh se akte të tilla provokuese na duhen sidomos në këtë kohë kur e djathta dhe e gjithë fryma e Trumpit ka krijuar te njerëzit idenë se të jesh i sjellshëm është diçka tashmë e tejkaluar dhe e dalë mode. Së dyti në të njëjtën dalje publike thekson që ndjehet një lloj presioni në mjediset universitare, akademike për t’i bërë ato të dobishme, praktike, përndryshe impakti i tyre konsiderohet i pavlefshëm.

A ka shërbyer ky moment për të përkufizuar pozitën e këtij njeriu në raport me të djathtën dhe sjelleve publike?

Genci Shehu: Së pari me pjesën e figurës së personit që mund të jetë rrëmbyer apo futur në vërshimin e frymës së Trumpit dhe të djathtës alternative që ka lindur nga 2017 e këndej, do thoja që duhet të jemi më të sjellshëm me ta. Gabimi tipik që bëjnë të majtët liberal, e thënë qëllimisht të majtët liberal pasi priren nga të qënurit korrekt politikisht, është sharja, përbuzja apo tallja që bëjnë ndaj të djathtëve. Mbështetësit e Trumpit më shumë hidhërohen dhe nguliten më thellë në atë pozicion që sakaq janë, sesa kanë mundësi dialogu. Në një moment ku tjetri (i djathtë) mund të haset me një logjikë tjetër dhe të ndeshet me fakte, është hapi i parë ku mund të hyjmë në dialog. Nëse nuk jemi të sjellshëm nuk mundemi ta bëjmë këtë, nuk mjafton që të themi që kjo rrymë e re e djathtë eshte treguese që situata jonë është përkeqësuar shumë dhe ta mbyllim me aq. Madje na vlen që ta themi më shumë që ky zhvillim i ri është shenjë shprese për ne. Për ta thënë paraprakisht, para se të kalojmë me lokalizimin e kuptimit të shantazhit të dyfishtë është se ndoshta sot nuk po funksionon shantazhi i dyfishtë në Europë dhe kjo është shenjë e mirë. Shantazhi i dyfishtë është forma sesi të mban të kapur në sistem vetë sistemi. Në këtë rast BE me arkitektonikën e saj të keqbazuar. Vetë fakti që ka shenja dështimi të shantazhit të dyfishtë është shenjë e mirë, pasi ka refuzim të pranimit të ligjërimit të establishmentit.

Hyrja e këtij diskutimi ishte e tillë për të zbuluar figurën e këtij filozofi duke ju referuar të djathtës, në pozitën e një të majti kundrejt kapitalizmit dhe kushtëzimit të mënyrës së të jetuarit që i ka bërë njerëzve në epokën tonë. Cila është pozita e Zhizhekut përballë këtyre fenomeneve dhe përse qëndrimet e tij janë të dëshirueshme, përse thirret gjithmonë për të lexuar situata të tilla? 

Pavjo Gjini: Për traditën e filozofisë së 40 viteve të fundit, thirrja për ta interpretuar botën ka qenë thirrja kryesore dhe Zhizheku është në rradhën e atyre filozofëve që insistojnë në kthyerjen kokëposhtë të tezes së Feuerbach të Marxit; Marksi thotë që filozofët deri tani kanë tentuar për ta interpretuar botën, dhe çështja është që ta ndryshojmë. Ndërsa Zhizhek insiston tek e kundërta, thotë ndoshta kemi tentuar shumë kohët e fundit për ta ndryshuar botën, ndaj tani ka ardhur koha për ta interpretuar atë. Kështuqë unë mund të flas si lexues. Është një shprehje që Zhizhek e përmend shpesh: ai thotë që unë shkruaj për ata që në gjuhën e përditshme i quajmë si të vonuar, ata që s’arrijnë me kuptu situatën, që gjithmonë nuk dinë sesi ti raportohen botës, tjetrit, disi figura e teveqelit. Zhizhek shkruan për këtë modalitet personi dhe unë vetë e kam nisë dhe jam kyçur në të për faktin se ma bën botën të interpretueshme. Ndaj ai lexohet më shumë për interpretimin e botës sesa për të marrë prej tij maksima dhe të vazhdosh pastaj me një aksion politik imediat pasi ke mbaruar librin. Edhe pasi ke mbaruar librin nuk do të dish se çfarë duhet të bësh me jetën tënde…jo! Thjesht je pak më i qartë te ky konstelacioni i forcave gjeo-politike botërore edhe sesi janë të implikume në krizën e refugjatëve, diçka e cila nuk vihet në pah nga ata që thonë direkt mbaj anë. Kemi ca protofashistë ksenofob anti-emigrant, të cilët të thonë që duhet të rrish me establishmentin se përndryshe ja ku i ke këta kërcënuesit jashtë; të thonë po ashtu angazhohu pasi nuk ka kohë për të mendu, dhe sidomos në Shqipëri që është niveli i diskursit të së majtës liberale në Europë. “A, po boll kemi ba teori vetëm vepro direkt…ska nevojë me mendu, vetëm ça të bëjmë tani dhe të vazhdojmë kështu symbyllurazi përpara” dhe Zhizheku i reziston vazhdimisht kësaj, thotë jo: ndoshta kemi vepru tepër, ndalo; mendo. Dhe në këtë sens është disi kundërveprues në raport me gjithë këtë maksimën e veprimit, angazhimit, aktivizmit, por sigurisht pa hequr dorë nga perspektiva e majtë emancipuese. U bënë dy vite, që kur ka ardhë Trumpi në pushtet që duhet t’i rikthehemi një mirësjellje klasike ndaj tjetrit dhe ndaj hapësirës publike sepse niveli i diskursit në hapësirën publike ka degradu shumë. Rasti i ardhjes së Ramës në pushtet: ai erdhi jo duke thënë që jam Kryeministri që e di rrugën dhe e di se nga duhet të shkojmë. Jo. Ai vjen në pushtet duke thënë që jam si gjithë ju të tjerët, jam po aq i ulët dhe po aq i ndyrë.

Përse na ndihmon ky krahasim?

Pavjo Gjini: Për ta shpjeguar më duhet të rimarr një diskutim të bërë para disa javësh te Qendra Ata me të ftuar Ardian Vehbiun. Edhe pse ndoshta nuk e ka pasur në këtë kontekst, mendoj se kemi një problem tjetër nga ajo që konstaton Vehbiu në lidhje me personin dhe sjelljen e tij në publik. Modeli i njeriut i cili në publik e ndjen domosdoshmërinë për t’u sjellë në mënyrë dinjitoze, akademike ndërsa privatisht është po aq i frustruar, seksualisht i pervertum sa të gjithë njerëzit e tjerë ka qenë ndoshta problem në perëndimin liberal para ’68-s. Problemi ynë sot është akoma më i rëndë. Sot kemi një person që del në publik dhe sillet po aq ndyrë, ulët e pisët sa në jetën e tij private. Madje, rrezik po të flasësh me të pas kuintave do të të thotë “jo more, unë jam njeri normal si gjithë të tjerët, por në publik duhet të sillem kështu se nuk kam si t’ia bëj ndryshe”. Ndaj dhe Zhizhek insiston që duhet t’i rikthehemi sjelljeve diskrete, të mira, nëpërmjet të cilave të respektojmë tjetrin.

Zhizhek mund të jetë ndoshta eksporti më i madh i mendimit filozofik botëror që ka bërë Europa Lindore- Qëndrore nga një vend i cili ka vuajtur praktikën e gabuar të marksizmit. Cfarë mund të na thoni për rrethanat ku është formuar ky filozof dhe momentin e “eksportimit” të mendimit të tij në perëndim?

Genci Shehu: Interesante që e gjeni fjalën ekonomike të eksport-importit për këtë rast. Doja të shtoja përpara se të futemi te kjo pyetje, thjesht për të identifikuar politikisht se ku qëndron Zhizheku. Lëvizje anti-kapitaliste ka patur që në vitet ’90 dhe janë zhvilluar akoma më shumë pas 2008-s dhe në këtë sens mund të themi që ka një pozicion anti-kapitalist i cili nuk është domosdo komunist edhe pse s’ka tamam-tamam pozicion komunist që është pro kapitalist. Zhizheku nuk është thjesht anti-kapitalist. Ai ishte me Trumpin dy ditë para se të zgjidhej, sepse kjo figurë në fakt do e shkërmoqte pozicionin ideologjik. Ai është jashtëzakonisht skeptik ndaj lëvizjeve që janë vetëm anti-. Vetëm kundërshtimi i një dicka-je të çon në përcarje. Njerëzit bashkohen shumë më lehtë kur janë kundër shembjes së teatrit por jo krejtësisht të bashkuar kur u duhet të vendosin se çfarë të bëjnë me të, a të restaurohet apo të kthehet në muze, që mua më duket më e tmerrshme kjo sesa të shembet. Dhe kur është pozitivisht për diçka ai thotë që është komunist, dhe aty bën sërisht një moment zmbrapsjeje kur thotë që komunizmin nuk e konsideroj pozitivisht si zgjidhjen e problemeve, por si problem i të përbashkëtave. Kjo duhej thënë sepse është pozicioni formal i Zhizhekut. Ai vërtet vjen nga Sllovenia, por ky shtet ishte pjesë e Jugosllavisë, e cila nuk ishte varianti më i egër i interpretimit marksist apo interpretimit të gabuar marksist siç e thatë. Unë nuk jam i mendimit që interpretimi i gabuar i marksizmit dhe tragjedia që pasoi si rrjedhojë e saj, ishin pjesë përbërëse e idesë së marksizmit dhe komunizmit. Dhe për këtë arsye Zhizhek insiston që është më përfaqësuese e dialektikës së përndritjes së modernizimit rasti komunisto-socialist sesa rasti nacional-komunist. Domethënë stalinizmi, shumë më tepër sesa nazizmi. Forma jugosllave ishte forma më e kompromentuar e asaj ideje. Jugosllavia luante të dyja kampet, jepte një mundësi relativisht më liberale të mendimit, veçanërisht në Slloveni krahasimisht me Kosovën të cilës nuk ia lejonin as tekstet e fizikës. Ky si kusht dhe fakti që Zhizhek insiston që realizimi i marksizmit në shek. e XX- të, nuk ka qenë thjesht lexim i gabuar i Marksizmit. Ka patur diçka autentike, të vërtetë të marksizmit që është kaq tragjike dhe që prapseprapë aty qëndron shtegdalja prej situatës ku ndodhemi ne sot.

Pavjo Gjini: Zhizhek del në pah si autor më shumë se të tjerët për shkak se gjithë autorët e tjerë të mëdhenj në perëndim nuk kryejnë shumë punë për të ndaluar situatën aktuale. Qoftë Habermasi i cili mbetet vetëm te klisheja liberale, qoftë Judith Butler me gjithë lojën diskursive që fillon e bëhet gjithmonë më e pamundur për të pohuar dicka, qoftë Antonio Negri pas dështimit të protestave kundra G8, ëorld Social Forum, këto tentative të majta post-marksiste, anti-kapitaliste, dështojnë edhe këto. Apo dhe figura të tjera që janë më në sfond si Giorgio Agamben, por janë shumë akademik. Zhizheku jep një shembull fantastik, ai na thotë të bëjmë një eksperiment: merrni një autor si Habermasi dhe lexoni të gjithë sa ka shkruar në Gjermaninë perëndimore, gjatë kohës kur ajo ka qënë e ndarë dhe nqs lexoni vetëm veprën e tij dhe asgjë tjetër, ju nuk do ta dini kurrë që ky shtet ka qenë i ndarë, pasi autorit as nuk i përbën fare objekt mendimi socialist. Kur vjen dikush pas rënies së murit të Berlinit, si puna e Zhizhekut dhe grupit të tij, pjesa tjetër ia përmohojnë pjesën monstruoze e të përbindshme, tragjike duke e trajtuar si liberal. Si një tjetër rast të vullnetit për pushtet, ndërkohë që nuk ishte një i tillë.

Për të ardhur pastaj te stili i Zhizhekut për të cilin mund të flasim pafundësisht. Po e mendoja vazhdimisht këto ditë dhe po ia shtroja pyetjen vetes se përse jam fiksuar me këtë autor, ka 5 vjet që shoh në youtube a ka dalë kund, cili ka qenë qëndrimi i mbajtur nga ai për çështje të ndryshme. Në një farë mënyre e trajtoj si Mjeshtër, tutem me mendu diçka apo me thënë diçka po se pashë njëherë se çfarë ka thënë Zhizhek. Një prej arsyeve që jam kyçur në fillim me të është se filozofia është me të qeshur, dhe nuk e ke kuptuar Zhizhekun nëse nuk qesh, ose më saktë akoma nuk e ke kuptuar Hegelin nëse nuk qesh, se me Zhizhekun nuk ke sesi të mos qeshësh. Më kujtohet një batutë e tij: I thonë Nils Borit, një shkencëtari i avancuar, ateist se përse e mbante një patkua te dera: “Ti je gjithë ky njeri i zgjuar, intelektual i jashtëzakonshëm, ti nuk beson në këto budalliqe!”. Ky thotë sigurisht që nuk besoj në këto budalliqe, por më kanë thënë që edhe po s’besove funksionon. Me këtë barcaletë, Zhizhek thotë që kështu funksionon ideologjia sot. Askush nuk identifikohet me gjërat që ndodhin në publik, të cilat të gjitha na interpelojnë, na kapin, na thërrasin për me kry punë, ama gjithsecili thotë se nuk është problem i tij, thjesht e bëra se e kam punë, detyrim. Pra të gjithë e kanë një lloj distance minimale nga gjërat që realisht ndodhin. Ai merr devizën e Hegelit, ku thotë që diçka bëhet vërtet universale kur ajo funksionon edhe pse është jashtë nesh, është efektive dhe nuk ka nevojë që njerëzit të besojnë në të. Njerëzit mjafton ta kryejnë, s’ka nevojë që ta besojnë dhe do vazhdojë të funksionojë. Dhe Zhizhek thotë që kjo është fryma e kohës. E kam fjalën në fillim me të qeshur, por pastaj arrin të shpjegojë dhe të interpretojë atë që ndodh ndërkohë.

Genci Shehu: Gati-gati siç ka ardhur Edi Rama në pushtet, duke tallur veten, duke bërë palaçon dhe e kanë votuar njerëzit, pasi identifikohen me të. Njerëzit e ndjejnë veten që janë po aq banal sa ai dhe mendimi është aq i prekshëm sa ai e paraqet. Ndërkohë që Zhizhek e bën strategjikisht nga drejtimi i kundërt. E njëjta strukturë si me Putinin. Ai nuk ka fjalor aq të rëndë privatisht, sa e ka publikisht. Shkon takon Merkelin duhet ta bëjë një batutë seksiste sa për ta lënë gojëhapur, sepse nuk e mban dot figurën e autoritetit pa e tallur. Ajo figurë perpetuohet duke u tallur, dhe ashtu vjen në pushtet, prandaj do thoja që nuk është vetëm në dy vitet e fundit që e ka këtë diagnozën e mirësjelljes, por këto dy vitet e fundit e ka theksuar jashtëzakonisht shumë. Në fillim Zhizhekun e dëgjon për shakatë dhe ndoshta më vonë për përmbajtjen. Vjen si Stand up comedy, edhe pse ai tenton ta shpjegojë vetë këtë fenomen. Ai shprehej se i vinte shumë keq sepse ngjante sikur e dëgjonin vetëm për shaka, ndërkohë që ai se kishte fare me shaka atë që thoshte, dhe këtë e thotë për ta mbajtur larg të vërtetën e gjësë që thotë.

Pavjo Gjini: Madje ka dhe një kritikë në lidhje me këtë. Kohët e fundit, sidomos pas fitores së Trumpit shumë emisione televizive në SHBA janë bërë tmerrësisht popullore, sidomos emisioni i John Oliver që është drejtpërdrejt kundra presidentit Trump. Zhizhek po insiston gjithmonë e më shumë që kjo që po bëjnë këta nuk është fare subversive, dmth sa më shumë e tallin aq më shumë e mbajnë në pushtet, dhe ka shumë mundësi që kësaj frike i druhet edhe vetë kur i sheh njerëzit vazhdimisht duke qeshur me të. Shumë moshatarë të mi ndjekin transmetime televizive që përqeshin pushtetin, por deri në momentin kur pashë që Rama postoi videon e tyre duke u tall me të në facebook, apo ftesën e aktorit Florian Binaj në Kongresin e PS-së më erdhi ideja e mësipërme që në fakt kjo kritikë, që nuk është kritikë nuk ka asgjë subversive.

Ju thatë më parë që shantazhi i dyfishtë është në krizë, i dobësuar në Evropë. Sa vlen kjo analizë e Zhizhekut për shantazhin e dyfishtë?

Genci Shehu: Kjo ide më lindi kur ishim duke ardhur dhe po flisja me Pavjon për ngjarjet e fundit. Një ndër gjërat e reja që kishte ndodhur ishte se Libia kishte refuzuar të vazhdonte këtë punën me procesimin e refugjatëve. Dhe nga kjo lind pyetja se deri ku janë konform propozimeve të Zhizhekut te kapitulli i fundit këto qendra procesimi. Ndërmend më erdhi një radio satirike, e cila kishte një figurë të ngjashme me Nastradinin tonë dhe e merrnin në telefon, ndërkohë ai përpiqej t’u përgjigjej pyetjeve me shprehjen ”po në parim kështu është, por…” Dhe e pyesin “a është e vërtet …që Nastradini po themi…ka fituar llotarinë ? Po në parim është e vërtetë – përgjigjeshin, vetëm se nuk është një makinë por një biçikletë, dhe nuk e ka fituar por ia kanë vjedhur.” Edhe këto qendrat e procesimit, në parim shkojnë konform me parimet e Zhizhekut. Dallimi qëndron se Zhizheku propozonte krijimin e zyrave të ngjashme në vende si Libia, Siria, dhe Turqia që janë më në prag të prurjeve të refugjatëve dhe të ishte një ushtri me mision të majtë, ushtria e vetë BE-së për t’i shpërndarë vetë në vendet e BE-së, duke vlerësuar kontributin që kanë patur këto vende për t’i mbajtur, jo vetëm kapacitetin për t’i mbajtur. Në fakt këto zyra merren më shumë me rishpërndarjen e refugjatëve brenda për brenda vendeve afrikane që janë sakaq ose shkretëtirë ose gërmadhë.

Për të ardhur te titulli i librit, çfarë është pra në thelb shantazhi i dyfishtë?

Genci Shehu: Shantazhi i dyfishtë është kur të paraqiten dy mundësi ku secila është më keq se tjetra dhe që në fakt nuk janë mundësi, të japin një mundësi akoma edhe më të keqe përballë një varianti të keq. Normal, prej nevojës duhet ta bëjmë, dhe si me thënë zgjidhja e saj e perpetuon shantazhin. Në historinë gjeopoltike të Europës, historia e shantazhit të dyfishtë ka nisur të paktën me Greqinë me masat shtrënguese të ekonomisë, si tentativë për të zgjidhur problemet ekonomike, ama struktura e kësaj zgjidhjeje e përkeqësonte gjendjen de fakto të Greqisë. Kur ndodhi referndumi në 2015-n, u votua kundër masave që propozonte BE dhe që të nesërmen u veprua sipas këshillimeve të BE-se. Në atë moment u bë e dukshme publikisht që vota e popullit nuk ndryshon kontratat e vjetra ekonomike ndërkombëtare, që do të thotë demokracia nuk funksionon vërtet, është thjesht për formë. Kjo u bë e dukshme me referendumin në Greqi, Brexit, Tramp, Putin, të thuash që shantazhi i dyfishtë ka arritur të mbizotërojë. Fitoi Macroni kundër Le Pen me shantazhin e dyfishtë. Le Pen ishte më keq. Për të mënjanuar një keqkuptim, s’po themi që gjendja është e mirë dhe ta lëmë të zhvillohet pa u prekur dhe jemi lule. Saktësisht e kundërta, kështu bëhet evidente, e pamohueshme që situata është keq, ndërkohë që në një moment më herët ishim në pozicionet që nuk është dhe aq keq.

Po në rastin e Shqipërisë a jemi ne në një situatë të tillë? Jemi në gjendjen që nuk është dhe aq keq, apo jemi në gjendjen që nuk ka më keq?

Genci Shehu: Nuk di të përgjigjem menjëherë. Në nivelin e BE-së tema kryesore bëhet me refugjatët, për aq sa nuk trajtojmë çështje politike, të vërteta. Në aspektin e refugjatëve e kemi ndryshe situatën në Shqipëri. Vendi ynë konsiderohet më shumë si urë për të kaluar në vende të tjera, ose rasti i Sllovenisë që përdoret si urë për të kaluar në Suedi. Endrra e emigrantëve nuk është Sllovenia, është Suedia, Gjermania etj. Këto vendet funksionojnë ose si urë ose nënurë për të mbajtur një tepri me refugjatë dhe t’i trajtojë ashtu siç do mund t’i trajtojë. Tamam si nën urë, ndaj nuk di si ta them sesi është shantazhi i dyfishtë në Shqipëri.

Pavjo Gjini: Përpos që jemi mësuar që gjithmonë në zgjedhjet elektorale, alternativa ka qenë me zgjedh të keqen më të vogël. Dmth ne jemi rritur me këtë, ti asnjëherë nuk ke pasë në zgjedhje një program pozitiv. Gjithmonë ke pasë ”shihe ca katastrofe është pushteti” dhe zgjidh të keqen më të vogël, të paktën për brezin tim.

Genci Shehu: Në një aspekt të tillë, do vlente një parrullë, ose diçka si në trajtat e një parrulle “Më mirë Basha në pushtet sesa Rama”. Do thonë pse po? Do thuash pse jo. A nuk është ideja e demokracisë riciklimi i pushtetit? Është brenda sistemike.

Tek thyerja e tabuve të së majtës, Zhizhek thotë që kërcënimi i vërtetë për mënyrën e jetesës nuk vjen në trajtën e refugjatëve por shtrihet në dinamikën e kapitalizmit global.

Pavjo Gjini: Ka një pjesë të bukur që merret me shtrirjen e strukturës së subjektit global: subjekti i sotëm kur tenton me e pohu veten, kërkon ta pohojë veten si viktimë dhe është e gjitha logjika kompensive. Kush është figura e viktimës: subjekti i dhunuar dhe e gjithë përpjekja e tij politike dhe juridike është që të kalojë ligje kompensimesh. Dhe ka 30 vite që ky është një prej subjekteve kryesore dominante. Tani po del një burri i bardhë amerikan i ish-klasës punëtore, i cili po thotë që emigranti i ardhur më ka shkatërruar ekonominë vendase. Paradoksi është që figurën e viktimës po e merr ai që klasikisht supozohej të ishte problemi.

Genci Shehu: Dinamika e kapitalizmit nuk është se është ky subjekti, por çështja e këtij subjekti është shembull i mirë për të treguar që nuk është kjo çështja, sepse ta bësh veten viktimë si modalitet subjektivimi është një nga format e ndërgjegjës së re të sistemit. Kjo formë e ndërgjegjes së re e sistemit e shtyn deri në pikën që ai që duhej të ishte fajtori po e luan lojën sikur të ishte viktima.

Pavjo Gjini: Në fakt është viktimë, por i kapitalizmit dhe jo i emigrantit.

Në libër përmendet rasti i banorëve të periferisë së Parisit të cilët ngrihen në protestë kundër deklaratave fyese të ish-ministrit të brendshëm të asaj kohe, i cili u drejtohet me fjalën “llum” banorëve të periferisë. Këtu gjejmë të trajtuar konceptin e protestës së nivelit zero’’ ku protestuesit këmbngulin tek njohja, nuk kërkojnë asgjë, dhe është një akt i themeluar mbi mllef dhe mëri. A ju ka ndihmuar ky lloj interepretimi për të parë raste të ngjashme në Shqpëri, ose a kemi pasur raste të protestave të nivelit zero?

Genci Shehu: Protesa e nivelit zera më ka ngjarë ajo me tortën, edhe pse nuk është parë si protestë, por po flas nga forma e performimit. Më erdhi në mendje për shkak se nuk kishte pretendime ideologjike. Ajo ishte me rastin e Festës së Pavarësisë, ndërkohë që mua më ishte fshirë nga mendja që ishte për Pavarsinë. Nuk ishte organizuar në një mënyrë të atillë, për nga ana formale në formën e një rituali apo përvjetori në të cilin të nderoheshin simblokisht figurat e trashëgimisë kulturore, por ka mundësi të jem gabim. Në rastin e protesës së nivelit zero Zhizhek e ka për të treguar rastin kur protestojnë pikërisht mungesën e ideologjisë.

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:1 Comment

This Post Has One Comment

Lini një përgjigje