Si mund ta ndryshojë ditën tënde rruga e Kamzës?

Evi Veliu | 15.12.2018 | nyje.al

Rruga e Kamzës është një aks rrugor kombëtar i administruar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Përveçse i lidh banorët e Kamzës me qytetet përreth, rruga e Kamzës shërben edhe si rrugë e ndërkëmbyeshme me autostradën Tiranë-Rinas, duke e lidhur kryeqytetin me aeroportin dhe me qytetet në veri. Po ashtu, duke kaluar në këtë rrugë, është e pamundur të shmangësh “Bulevardin Blu”, rrugën kryesore që e ndan thuajse përmes qytetin e Kamzës dhe ku ka përqëndrim më të lartë të lëvizjes së banorëve. Në këtë bulevard ndodhen edhe institucione me rëndësi në qytet, si bashkia, Pallati i Kulturës e të tjera.
Me rehabilitimin e një segmenti të autostradës Tiranë-Durrës përgjatë tre javëve të muajve qershor – korrik ka patur një numër të shtuar mjetesh që qarkullonin në rrugën e Kamzës. Për këtë ndërhyrje, ARRSH-ja shprehet se “është realizuar devijimi i trafikut drejt Kamzës vetëm për mjetet e rënda”. Gjendja e trafikut të rënduar në këtë rrugë ka vijuar prej shtatorit e deri në mes të muajit nëntor si pasojë e rehabilitimit të segmentit rrugor Vorë – Kthesa e Rinasit – Fushë Krujë. Gjatë këtyre ndërtimeve është realizuar devijimi i plotë i të gjitha mjeteve drejt rrugës së Kamzës. Sipas ARRSH-së, “nisur nga situata e renduar e trafikut, punimet e rehabilitimit ne rruge jane realizuar me orare të zgjatuara dhe te intensifikuara duke perfunduar në një kohë shumë të shkurter dhe shumë perpara afatit te parashikuar. (punimet ishin parashikuar të realizoheshin brenda 6 muajve)”.
Nëse i drejtoheni dispeçerisë së Kamzës në stacionin e fundit të qytetit, shefi i turnit të linjës urbane të Kamzës ju tregon se, përgjatë periudhës korrik – nëntor të këtij viti, transporti urban e ka kryer qarkullimin me pothuajse dyfishin e kohës në trafik normal. Nëse linjës së Kamzës i duhen rreth 40 minuta për të mbërritur nga stacioni i parë në atë të fundit, prapa Teatrit të Operas dhe Baletit, gjatë periudhës së trafikut të rënduar kjo linjë ka patur vonesa nga 40 minuta deri në dy orë. Ankesat kanë qenë të shumta dhe të vazhdueshme, pavarësisht që nuk ka patur asnjë ankesë-shkresë zyrtare në drejtim të dispeçerisë së Kamzës. Gjithashtu, për ndërhyrjen në aksin Vorë – Fushë Krujë, punonjësit e dispeçerisë janë njoftuar përmes lajmeve në televizionet kombëtare.
Të shumtë kanë qenë qytetarët që janë gjendur të papërgatitur për një situatë të tillë. Ka prej tyre nga ata që i kanë marrë njoftimet përmes lajmeve në televizionet kombëtare, por ka edhe të tjerë të cilët kanë qenë tërësisht të pa informuar. Pothuajse të gjithë qytetarët e pyetur përgjatë një rrugë vajtje-ardhe në transportin urban të Kamzës (burra e gra të shoqëruar ose jo me fëmijë, të rinj e të reja të cilët e përdorin rregullisht transportin publik), e kanë nisur ditën rreth një deri në dy orë më herët se zakonisht për të mbërritur në kohë në destinacionet e tyre, kryesisht në punë. Të tjerë, kryesisht gra e vajza të reja, kanë marrë vërejtje për vonesat në orarin e punës. Mesatarisht, nga 30 minuta deri në një orë e gjysmë përllogariten të jenë vonesat e qytetarëve të pyetur në varësi të stacionit ku kanë hipur e kanë zbritur. Vonesat kanë qenë të njëjta edhe për transportin privat, si edhe për bizneset që furnizojnë me mallra në Kamëz. Ndonëse ka patur shumë pengesa, të rrallë kanë qenë ata qytetarë që kanë bërë ndonjë ankesë zyrtare në drejtim të institucioneve, pasi nuk shpresonin në ndonjë përgjigje apo zgjidhje.
Ndërsa nuk ka asnjë njoftim në lidhje me devijimin e trafikut në faqen zyrtare të Bashkisë Kamëz për banorët e saj në rubrikën përkatëse për informimin e publikut, në adresën e saj telefonike janë regjistruar rreth 50 ankesa në lidhje me trafikun, siç raporton vetë bashkia. Ajo bën me dije se “nuk ka marrë asnjë shkresë zyrtare në adresë të saj” nga institucionet. As ARRSH dhe as MIE nuk janë deklaruar lidhur me ankesat e qytetarëve. Njoftimet për ndërhyrjet në akset rrugore të sipërpërmendura janë bërë publike në faqen zyrtare online të ARRSH-së dhe MIE-së në kuadër të projekteve më të mëdha, si dhe është njoftuar në disa kanale televizive kombëtare për këto projekte, por kryesisht në punë e sipër. Nuk ka njoftime për masa të ndërmarra si pasojë e këtyre punimeve apo lajmërime lokale për qytetarët. Asnjë prej institucioneve të kontaktuara për këtë artikull nuk ka vënë në dispozicion letërkëmbimet mes tyre. Pra, mund të themi se nuk ka patur koordinim mes institucioneve për mbarëvajtjen e këtyre punimeve dhe përditshmërinë e qytetarëve.
Tashmë, gjëndja e trafikut në rrugën e Kamzës i është kthyer normalitetit. Sipas ARRSH-së, “numri total i mjeteve që qarkullojnë normalisht në të dyja anët e rrugës është rreth 17,000 mjete në ditë”. Shqetësim për banorët mbetet ende qarkullimi i madh në rrugën e vetme kryesore të qytetit, ndotja e madhe akustike, ndotja e madhe e ajrit dhe e mjedisit, si dhe prishja e automjeteve në rrugën që po degradon. Qarkullimi i mjeteve të rënda dhe degradimi i rrugës mbeten problem edhe për bashkinë, e cila më datë 1 gusht 2018 i është drejtuar ARRSH-së me një shkresë për të financuar riparimin e rrugës “Bulevardi Blu”.
Ndërsa ende nuk ka njoftime lidhur me këtë shkresë, ARRSH-ja bën me dije ndërhyrjet e bëra në rrugën e Kamzës, si më poshtë:
“1 . Sistemim asfaltim rruga Insitut – Kthesa e Zall Herrit e perfunduar ne vitin 2008 me vlere 281.014.176 leke (me tvsh) me gjatesi 1.15km
2. Ndertim Ura e Kamzes e perfunduar ne vitin 2006 me vlere 198.568.179 leke (me tvsh)
3. Segmenti Qender Kamez – Ura Tapize ( pa perfshire Uren) perfunduar ne vitin 2018 me vlere 431.143.443 leke (me tvsh) me gjatesi 3.5km .
Segmenti Kthesa e Kamzes – Insitut Kamez eshte investuar nga Bashkia Tirane.”
Në përgjigje të kërkesës për informacion drejtuar ARRSH-së, ajo deklaron se “aktualisht në këtë segment rrugor është në zbatim projekti me emërtimin Mirëmbajtja dhe Siguria Rrugore bazuar në Rezultate. Aktualisht punimet realizohen sipas Grafikut të Punimeve të miratuar.” Pavarësisht kërkesës specifike për t’i shoqëruar të dhënat me dokumentet përkatëse, as projekti dhe as grafiku nuk janë bashkangjitur në përgjigjen e ARRSH-së.

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje