Shkrimtari mesazh të rinjve: “Mos bini pre e spektaklit politik!”

01.06.2018 | nyje.al
Librat e Ylli Demnerit bëjnë pjesë tek ajo krijimtari që thërret të shkuarën dhe dëshiron të komunikojë me të rinjtë, pra me të ardhmen. Në vëllimin e dytë “Më kujtohet” botuar në maj 2018 ai shkruan: “Ashtu si në fotografitë e futura në kovën me solucion të fotografit të vjetër, diku pranë Pazarit të Ri (“Foto Lugati” siç e quanin disa), ku pak nga pak përvijohej portreti dhe coha e zezë (e zbardhur nga vitet), jam munduar të fiksoj grimca të një kohe të kaluar; të kap të zakonshmen që duket si e bërë për t’u harruar, me shpresën që këto shënime të gjejnë jehonë te lexuesit dhe natyrshëm t’u vijë në buzë: “Po, edhe mua më kujtohet”, duke e kthyer këtë libër në një vendtakim të kujtimeve.”

Ylli Demneri e ka shfaqur veten si autor relativisht vonë përkundër përfytyrimit tradicional që kemi për shkrimtarin i cili “rritet” në sytë e lexuesit nga një vepër në tjetrën. Nga kjo pikë nisi diskutimi me këtë autor në takimin letrar zhvilluar në qëndrën e grupit “Ata” në Kamëz. Demneri  thotë që debutimi i tij si autor ka ndodhur në gjysmën ideale të jetës, në moshën 50- vjeçare. Momenti vendimtar në të cilin vendosi të shkruante gjithë çfarë kishte mbajtur brenda vetes, ishte kur u njoh me veprën e George Perec-ut: “Takimi me veprën e George Perecut ka ndodhur rastësisht si krejt takimet e bukura në përgjithësi. Një kolege e punës, vjen një ditë me një letër të grisur nga një revistë franceze dhe më thotë: ‘Ylli, mendoj se do të të interesojë ky artikull.’ E marr artikullin ku flitej për librin e George Perec-ut “Je me souviens”. Nuk i kisha lexuar asnjë vepër.  Punoja në Bulevardin “San Michel” i cili ishte i rrethuar nga libraritë. Në pushimin e drekës të po asaj dite shkoj dhe e gjej librin e Perec-ut. Sapo nis leximin, hapet brenda meje ajo pengesë kaq e madhe pa koshiencë që ndjeja, e cila më pas do të më bënte të hidhja gjithë ato faqe libër, gjithë ato shkrime, gjithë ato grimca.”
Përvoja e të shkruarit e ka çliruar nga mendimi i estetikës klasike, apo idesë se roman i mirëfilltë mund të quhet vetëm ajo letërsi me personazhe të motivuar, me ngjarje kulminante që gjejnë një zgjidhje. Librat e tij nuk kanë të bëjnë me këto ligje, ndaj nuk mund të klasifikohen lehtësisht sipas zhanreve tradicionale, si në rastin e “E dashur A.” ku lëvron epistolarin me një stil narracioni lirik, po edhe kur shkruan një lloj të veçantë eseje e cila provokohet nga një foto e aktualitetit apo e nxjerrë nga kujtimet, si në rastin e librit “Block-notes”.
Ai përdor gjuhën e kinemasë për të sjellë një imazh më të gjallë dhe panoramik për kujtimet e tij: plane të shkurtra, pak më të gjata, plane të mesme, plane të afërta apo plane detaj. Ylli Demneri ka mbaruar liceun për pikturë, më pas ka ndjekur studimet për regji filmi dhe teatri në Institutin e Lartë të Arteve. Por lidhja e tij me imazhin ka filluar që në fëmijëri. Fotografia për të ka qënë një ushtrim i mirë, pasi e ka ndihmuar në zhvillimin e imagjinatës për të krijuar analogji me realitetin shqiptar. Këtë element e gjejmë të zbatuar tek “Bloc-notes” (2016). Tërheq vëmendjen meditimi mbi një fotografi të diktatorit Kim Jong-il ku përshkruhet gjesti i fotografuar, syzet e tij, apo personazhi mbrapa tij që pozon sipas një inskenimi. Ai kalon nga imazhe të tilla në një lexim të thellë të asaj që e rrethon. Etika e kthyer në mizansenë,  propaganda e vazhdueshme, pastërtia dhe fabrikimi i imazhit, janë të gjitha shenja e një shoqërie spektakliDemneri e komenton në këtë mënyrë: “Ajo që më bëri më shumë përshtypje kur pashë foton e diktatorit ishte pastërtia shembullore e imazhit: panxharët janë të larë, të pastruar, kuzhina nuk ka asnjë lloj vaji. Çdo gjë mbrapa është sterile. Unë shikoja Kim Jongu-n në një foto të inskenuar e cila shërbente për të treguar që udhëheqësi është në një gjendje shumë të mirë dhe që interesohet për shëndetin e popullit, pasi është me panxhar në dorë. Kjo është mizansena më semantike e më qesharake në botë.”
Autori nuk kursehet të komentojë situatën politike gjatë viteve të demokracisë duke e paralelizuar figurën e udhëheqësit të shtetit me atë të mbretit dhe agait, kundrejt të cilit duhet të ndjehesh mirënjohës duke e adhuruar deri në përulësi. “Diktatura la mbrapa njerëz të paformuar dhe të paaftë për të krijuar e drejtuar një shtet demokratik. Njerëzit e paditur të dikurshëm, sot kanë kuptuar vetëm formën e shtetit ndërsa thelbin e tij e kanë zëvendësuar me spektakël, narcizizëm e krenari të tepruar. Mesazhi që u jap të rinjve është të mos bien pre e spektaklit të tyre.”

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje