Sheshimi i lakores së COVID-19 në vendet në zhvillim

Përkthim | Analizë | Project Syndicate | 18.04.2020 

Ricardo Hausmann

Sa më shumë të duash të përmbash virusin e ri korona, aq më shumë do të kesh nevojë ta mbyllësh vendin tënd – dhe aq më shumë do të vyjë një hapësirë fiskale për të zbutur reçesionin që do rezultojë. Problemi për shumicën e jugut të rruzullit është se politikëbërësve u mungon hapësira fiskale qoftë në kohët më të mira.

COVID-19 po bën kërdinë në ekonomitë e përparuara si Italia, Spanja dhe Shtetet e Bashkuara. Përtej vdekjeve dhe vuajtjes njerëzore, tregjet po bijnë në një reçesion katastrofik të shoqëruar me mospagesa masive, siç shprehet nga rivlerësimi radikal i kreditit të korporatave nga tregjet financiare.

Sado e lemeritshme që të tingëllojë kjo, situata në ekonomitë e përparuara ka gjasë të jetë shumë më e parrezikshme se ajo me të cilën përballen vendet në zhvillim, jo vetëm në terma të barrës së sëmundjes, por po ashtu në terma të rrënimit ekonomik që do t’u vijë. Dhe ndërsa dy komunitete akademike – ekspertët e shëndetit publik dhe makroekonomistët – po nisin të flasin me njëri-tjetrin, fatkeqësisht në bisedë janë përfshirë më së shumti vetëm vende të përparuara.

Makroekonomistët në fillim e panë pandeminë si tronditje e kërkesës negative që do kishte nevojë të kundërveprohej me politika ekspansionare fiskale dhe monetare për të mbështetur shpenzimin agregat. Pangjashëm me krizën globale financiare, e cila çoi në një kolaps të kërkesës, pandemia e COVID-19-s është para së gjithash tronditje e ofertës. Kjo ndryshon gjithçka.

Nëse prodhimi kolapson ngase njerëzit nuk duan apo nuk mund të shpenzojnë, shtimi i fuqisë shpenzuese mund të ndihmojë. Mirëpo nëse teatrot e Broadway-t, universitetet, shkollat, arenat sportive, hotolet dhe linjat ajrore mbyllen për të ndalur përhapjen e virusit, t’i japësh para njerëzve nuk ka për t’i rindezur këto industri: këtyre nuk po u mungon kërkesa. Ato janë mbyllur si pjesë e politikave të shëndetit publik të zbatuara për të sheshuar lakoren. Nëse kompanitë nuk prodhojnë ngase punëtorët janë kyçur brenda, shtytja e kërkesës nuk do të bëjë të shfaqen mallra në mënyrë magjike.

Si pasojë, makroekonomistët tani po fokusohen në si ta bëjnë të tolerueshëm distancimin shoqëror dhe mbylljet dhe si të kufizojë dëmin që tronditja e ofertës do të krijojë. Në ShBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar, qeveritë po planifikojnë paketa të mëdha fiskale që të zgjerojnë ndihmën e kujdesit shëndetësor, të mbrojnë rrogat, të japin sigurime të shtuara për papunësinë, të vonojnë pagesat e taksave, të shmangin falimentime të panevojshme, të mos lënë zhytjen e sistemit financiar dhe të ndihmojnë kompanitë dhe shtëpitë që t’i mbijetojnë stuhisë.

Mirëpo, një supozim shpeshherë i pathënë i këtij qëndrimi është se qeveritë do të jenë të afta të mobilizojnë burimet e nevojshme, në thelb duke marrë më shumë hua, nëse nevojitet, prej vetë bankave të tyre qendrore, teksa zbatojnë lehtësim kuantitativ. Ekonomistët i referohen aftësisë së qeverive për të marrë hua si hapësirë fiskale. Për shkurt, sa më të sheshtë që ta duash lakoren e sëmundjes ngjitëse, aq më shumë do të të duhet ta mbyllësh vendin tënd – dhe aq më shumë do të të lipset hapësirë fiskale për të zbutur reçesionin e thellë që do të pasojë.

Kjo i lë në baltë vendet në zhvillim. Edhe në kohërat më të mira, shumë prej tyre kanë qasje të pasigurtë në financë dhe mbështetja te shtypja e parasë shpie në shfrenim të monedhës dhe në spikatje inflacionare. Dhe këto nuk janë kohët më të mira.

Shumica e vendeve në zhvillim varen për të ardhurat nga jashtë nga një kombinim eksporti mallrash, turizmi dhe remitancash: të gjitha priten të kolapsojnë, duke i lënë ekonomitë në mungesë dollarësh dhe qeveritë në mungesë të ardhurash. Në të njëjtën kohë, qasja ndaj tregjeve ndërkombëtare financiare është ndërprerë teksa investitorët turren drejt sigurisë së aseteve të lëshuara nga qeveritë e ShBA-së dhe vendeve të tjera të pasura. Me fjalë të tjera, pikërisht kur vendet në zhvillim kanë nevojë të menaxhojnë pandeminë, shumica shohin hapësirën e tyre fiskale të avullojë dhe ballafaqohen me boshllëqe të mëdha fondesh.

Receta standarde për kolapset e të ardhurave dhe probleme të jashtme financiare është një kombinim shtrengesash (për të sjellur shpenzimet në vijë me të ardhurat), zhvlerësimi (për të shtrenjtuar këmbimin e rrallë të huaj) dhe ndihmë ndërkombëtare financiare për të zbutur përshtatjen. Por kjo do t’i linte vendet pa burime për të luftuar virusin dhe pa mjete për të mbrojtur ekonominë prej efekteve dëmtuese të masave të mbylljes. Për më tepër, receta standarde është më joefikase nëqoftëse të gjitha vendet e provojnë njëherazi, në sajë të rrjedhjes negative te fqinjët e tyre.

Nën kushte të tilla, edhe nëse vendet në zhvillim duan të sheshojnë lakoren, atyre do t’u mungojë kapaciteti për ta bërë këtë. Nëqoftëse njerëzve u duhet të zgjedhin midis një 10 % mundësie për të vdekur nëse shkojnë në punë dhe zisë së sigurtë të bukës nëqoftëse qëndrojnë në shtëpi, ata detyrohen të zgjedhin punën.

T’u japësh vendeve kapacitetin financiar për të sheshuar lakoren lyp një nivel të mbështetjes financiare që nuk do jetë e realizueshme me qasjet ekzistuese dhe me bilancin aktual të organizatave ndërkombëtare. Rrjedhimisht, Për të ndihmuar menaxhimin e pandemisë në jugun e rruzullit është vendimtare që të riqarkullojmë paranë që po u ikën vendeve në zhvillim sërish te to. Për ta bërë këtë, G7 dhe G20 duhet të marrin në konsideratë disa masa.

Së pari, Rezerva Federale e ShBA-së ka shpallur linja shkëmbimi pakt që njëri vend do të mbajë në dispozicion një sasi të caktuar monedhe vendore për këmbim me bankat qendrore të një vendi tjetër me bankat qendrore të Australisë, Brazilit, Danimarkës, Koresë, Meksikës, Norvegjisë, Zelandës së Re, Singaporit dhe Suedisë. Ky mekanizëm duhet të zgjerohet në shumë më shumë vende të tjera. Nëqoftëse frika nga mospagimi është pengesë, këto fonde do mund të ndërmjetësoheshin nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili duhet të riskicojë Instrumentin ekzistues të Shpejtë Financiar për të mbushur nevojat aktuale.

Së dyti, teksa bankat qendrore zbatojnë lehtësime kuantitative, ato duhet të blejnë bonde të tregut që po dalin rishtazi, sidomos ato më pak të rrezikshmet, në mënyrë që të lirojnë më shumë hapësirë për institucione ndërkombëtare financiare që të fokusohen në rastet më të vështira.

Së treti, ekonomive të dollarizuara apo të euroizuara që nuk kanë monedha të tyret dhe për rrjedhojë janë streha e fundit e huadhënies si Panamaja, El Salvadori dhe Ekuadori, duhet t’u jepen mjete të veçanta financiare në mënyrë që bankat e tyre qendrore të mund të mbështesin sistemet e tyre bankare.

Së fundi, vendet e zhvilluara nuk duhet– siç fatkeqësisht sapo ka bërë Bashkimi Europian – të pengojnë apo ndalojnë eksportet e testeve, farmaceutikëve dhe pajisjeve mjekësore.

Sheshimi i lakores së COVID-19-s do të lypë veprim të koncertuar ekonomik në nivel ndërkombëtar, sidomos sa i përket vendeve në zhvillim. Duke marrë parasysh natyrën globale të problemit, të bësh gjënë e duhur është gjëja më e zgjuar.

Përktheu: Genc Shehu

Redaktoi: Edison Jakurti

Ky shkrim është botuar me datë 24 mars 2020, në website-in e Project Syndicate, platformë ndërkombëtare ku ndahen komentimet ekonomike dhe politike mbi gjendjen aktuale të botës prej shumë autorëve të njohur ndërkombëtarisht për kontributin në fushat e tyre.

Për përkthimin dhe ribotimin e tij kemi respektuar të drejtat e autorit duke marrë paraprakisht miratimin e kryeredaktorëve të Project Syndicate.

Na ndiqni në:
Follow by Email
Facebook
YouTube
Instagram

Lini një Përgjigje