Rrëzohet padia kundër ndërtimeve të hec-eve në Zall-Gjoçaj. Gjykata favorizon firmën koncensionare.

nyje.al |15.06.2020

Banorë dhe aktivistë në mbrojtje të Parkut Kombëtar Zall-Gjocaj, në pritje të vendimit të Gjykatës Administrative Tiranë. 15.06.2020
Banorë dhe aktivistë në mbrojtje të Parkut Kombëtar Zall-Gjocaj, në pritje të vendimit të Gjykatës Administrative Tiranë. 15.06.2020

Sot u zhvillua seanca e fundit për gjyqin e mbrojtjes së Parkut Kombëtar të Zall-Gjoçajt. Tre gjyqtarët e çështjes gjyqësore Elda Vrioni, Gentian Hamiti dhe Nafije Hasko vendosën rrëzimin e padisë së bashku me kërkesën për pezullimin e ndërtimeve të hec-ve në zonën e parkut kombëtar. Ky vendim favorizon përfundimisht firmën koncensionare “Seka Hydropoëer” për vazhdimin e mëtejshëm të ndërtimit të hidrocentraleve Sekë dhe Zajsë. Marrja e këtij vendimi në favor të firmës koncensionare dhe mbyllja e procesit gjyqësor në shkallë të parë të Gjykatës Administrative e pamundëson përpjekjen ligjore të banorëve të zonës dhe qytetarëve të tjerë të ndjeshëm ndaj pasurive kombëtare për të mbrojtur parkun kombëtar Zall-Gjoçaj.
Në oborrin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, sikurse ka ndodhur edhe nëpër seancat e tjera, janë mbledhur banorët e prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ndërtimet e hec-eve, aktivistë dhe gazetarë që e kanë ndjekur rezistencën e Zall-Gjoçajt prej tashmë pothuaj dy viteve. Të gjithë janë të revoltuar dhe të indinjuar nga vendimi i sapomarrë kundër interesave të tyre, pasi për ta gjykata ishte vendi i fundit në të cilin shpresonin për drejtësi dhe ndalim të ndërtimit të heceve në fshatrat e tyre.
Agim Koleci, një ndër banorët dhe aktivistët e çështjes së Zall-Gjoçaj shprehet se kjo ditë për të është dita më e keqe e jetës së tij. “Kjo ditë është dita ma e keqe e jetës sime. Unë kam shtëpinë 100-vjeçare, do shkoj ta meremetoj, do shkoj ta bëj turizëm. Si do të shkoj? Do të marr ujë tepelena me vete prej Tirane e ta pimë në Zall-Gjoçaj, vend ku ka gjithë ato burime? “ – shprehet ai.

Pavarsisht kalvarit të gjatë gjyqësorë qe këta banorë e kanë iniciuar prej 2 vitesh, dhe vendimeve gjyqësore jo në favorin e tyre, ata janë të vendosur që të kthehen në Parkun e Zall-Gjoçajt, të organizohen mes tyre dhe ta mbrojnë me jetë, pasi për ta është padrejtësi dhe krim që u bëhet secilit prej banorëve dhe të gjithë vendit.

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje