Përvoja e Jetuar e Zezakut – Frantz Fanon

Pavjo Gjini | 31.12.2019 | nyje.al 
Në këtë vit të ri, nyje sjell një tekst klasik të letrave mbi çlirimin dhe emancipimin, Përvoja e Jetuar e Zezakut, pjesë e veprës së Frantz Fanon Lëkurë e Zezë, Maska të Bardha.
                                                                                       Hyrje Biografike
“Nuk na duhet me u lidh nëpër të shkuarën tonë, por me qenë dëshmitarë të saj” – Fanon
Frantz Fanon është ndër emrat më të rëndësishëm të lëvizjeve kombëtare anti-koloniale të pas Luftës së Dytë Botërore. Ka lindur në 1925 në Martinikë, koloni franceze prej shek. XVII. Në vitin 1943, 17 vjeçar, i bashkohet ushtrisë franceze për të luftuar nazistët në Europë. Aty vetëdijësohet për racizmin e strukturuar duke pranuar se është gabim me luftu brenda radhëve të një ushtrie kaq raciste.
Pas luftës ndoqi studimet me poetin dhe intelektualin martinikan Aimé Césaire, me të cilin afrohet shumë personalisht dhe politikisht, duke u bërë edhe pjesë e Negritude 1. Ndryshe nga shokët e tij, vendos të mos i bashkohet Partisë Komuniste në Francë, por të diplomohet në psikiatri në fundin e viteve 40. Apasionohet pas fenomenologjisë falë filozofit Merleau-Ponty, i cili e kishte kthyer fenomenologjinë në qendër të vëmendjes filozofike të kohës. Për Faonin rëndësia e fenomenologjisë qëndronte në analizimin e kolonializmit dhe racizmit me trupin si pikënisje për orientimin e subjektit në botë, përparësi pa të cilën, sipas Merleau-Ponty-s, përfundojmë duke e trajtuar shoqërinë si një peshë të ngurtë e të pandryshueshme.
Tekstin e parë të rëndësishëm Lëkurë e Zezë, Maska të Bardha e dorëzoi për punim diplome, por pasi nuk iu pranua si tepër subjektiv për traktat shkencor, në  vitin 1951 vendosi t’i botojë kapitullin Përvoja e Jetuar e Zezakut (eseja që po publikojmë mëposhtë për herë të parë në shqip). Në 1953, gjen mundësinë të punojë si psikiatër në Blida të Algjerisë, ku kishte qenë edhe gjatë luftës. Aty zhvillon metoda kolektive të menaxhimit dhe trajtimit të problemeve të organizimit të spitalit, ku i përfshinte edhe pacientët të jepnin mendimin dhe ndihmën e tyre.
Nuk ishte i familjarizuar me politikën vendore algjeriane, ku kishte shërbyer edhe si ushtar, por ishte shumë i familjarizuar me diskriminimin e thellë ndaj vendasve. Kolonializmi francez e kishte treguar fytyrën e tij më brutale me masakrën e Sétifit në maj të vitit 1945, ku 30.000 algjerianë u masakruan nga trupat e lira franceze në një thertore 5-ditore, vetëm sepse marshuan për fundin e LIIB dhe me kërkesën për pavarësi tash që bota ishte çliruar nga nazismi. Algjeria ishte koloni franceze prej vitit 1830, fakt aq i gjithëpranuar nga politika dhe populli francez sa edhe Partia Komuniste Franceze i kritikoi si provokatore protestat e Sétifit, nuk e dënoi masakrën dhe e mbështeti gjendjen e jashtzakonshme të shpallur në Algjeri nga qeveria e drejtuar nga socialistët. Terrori francez i viteve 1954-62 është ndër krimet më të egra kundër njerëzimit në shek. 20.
Në vitin 1954, Fronti Nacional-Çlirimtar i Algjerisë filloi kryengritjen e armatosur për pavarësi. Kryengritja filloi pas më shumë se një dekadë farsë dhe dështim të Asamblesë Kombëtare Algjeriane ku vota e një të bardhi ishte e barabartë me 9 vota muslimanësh. Fanoni iu përgjigj thirrjes për t’u bërë psikiatër për ushtarët e Frontit, përgjithësisht duke i trajtuar për probleme të stresit post-traumatik. Përpos ndihmës dhe fshehjes së ushtarëve algjerianë, trajtonte edhe paramilitarë francezë, të cilët vuanin pasojat psikologjike të toturave që kishin për detyrë t’i ushtronin ndaj vendasve. Më vonë, i arratisur në Tunizi nga survejimi i trupave franceze, e bëjnë zëdhënës të Frontit, pa e bërë kurrë pjesë të organeve të tij vendimmarrëse.
Fronti e kishte të mjegullt ideologjinë, strukturën dhe qëllimet përfundimtare. Vizioni ishte për një republikë demokratike, sociale dhe laike. Fanoni ishte shumë i afërt me Ramdane Abane, socialist, sekular dhe ndër organizatorët qëndrorë të luftës së armatosur. Vazhdimisht e shqetësonte mënjanimi i këtij të fundit nga udhëheqja dhe kontrolli i Frontit nga forcat konservatore identitare arabe e muslimane. Më vonë, Abane zhduket dhe Fanoni e merr vesh për vrasjen e brendshme, megjithatë vendosi të mos e fliste kurrë për të mos rrezikuar unitetin e luftës. Në vitin 1960, pas çlirimit dhe pasi 17 shtete afrikane shpallen të pavarura, qeveria e përkohshme i dha postin e ambasadorit në Afrikën Sub-Sahariane. 27,000 trupa franceze dhe mbi 1 milion algjerianë vdiqën në luftë 8 vjeçare Franko-Algjeriane (më shumë sesa francezët e rënë në Luftën II Botërore).
Lufta për çlirim kombëtar ishte për Fanonin një busull orientimi në botë dhe gur themeli për solidaritet ndërkombëtar. Revolucioni Algjerian ishte avangarda e revolucioneve afrikane. Sipas tij, Algjeria ishte nyja më e rëndësishme e imperializmit francez, prandaj e para që duhej këputur. Për zgjerimin e revolucionit në mbarë Afrikën duhej formuar një Legjion Afrikan për të mbështetur luftrat për liri në të gjithë kontinentin. PanAfrikanizmi i Fanonit nuk doli të jetë fati i kontinentit, i cili mbeti peng i neokolonializmit, kapitalizmit që i rrjepte lëndët e para, luftrave të brendshme ‘tribale’ e sektare dhe kërkesave të dëshpëruara për ndihma europiane.
Për Fanonin, përmes Hegelit dhe përtej Sartrit, beteja për t’u njohur si i barabartë në botë nuk mundet me u duru pa e pohu veten si absolut. Prandaj angazhimin për pavarësinë e Algjerisë dhe Afrikës e bënte me besimin se në këto luhet fati i një Humanizmi të Ri. Përndryshe çlirimi kombëtar me synim rikthimin në një kulturë zezake “autentike” është rrugë pa krye. Lufta kombëtare nuk është konservatore e vlerave autentike etnike e tribale, por mundësi për revolucionarizimin e njerëzimit, qoftë ky nëpër cepat e botës.
Pasi u diagnostikua me leuçemi në fund të vitit 1960 dhe pa gjasa mbijetese, vendosi me i shpenzu muajt e fundit për një vepër përfundimtare filozofike quajtur Të Mallkuarit e Botës 2. Në këtë kohë, Houari Boumédienne, si shef shtabi i ushtrisë së Frontit, e ftoi të mbante një seri leksionesh për trupat e tij. Shënimet e para të Të Mallkuarit e Botës duhet të jenë mbajtur si ligjërata para ushtarëve. Fanoni vdes vetëm tre ditë pas publikimit të kësaj vepre, më 6 dhjetor të vitit  1961.
Të Mallkuarit e Botës tenton të përgatisë përpara luftës një popull që dëshiron dhe e ka të domosdoshëm çlirimin, dhe ta paralajmërojë për pas çlirimit dhe përballë Republikës.
Për të lexuar Të Mallkuarit e Botës – tekst i rëndësishëm për lëvizjet ilegale në Kosovën e viteve ’80-’90 – duhet të kalojmë përmes Lëkurë e Zezë dhe Maska të Bardha. Këtu Fanoni i bën autopsinë subjektit të kolonizuar për ta shqitur nga kompleksi strukturor i inferioritetit. Përvoja e Jetuar e Zezakut është leximi i trupit të kolonizuar, leximi i tekstit kolonial të shkruar në të. Trupi ynë është teksti i armikut. Vetëm dikush që e di se është totalisht i kapur nga armiku, vetëm dikush që e di se armiku nuk di ç’të bëjë tjetër pos të shtypë, vetëm ai ose ajo mundet me rezistu e me kërku gjithçka prej rezistencës dhe botës sepse armiku nuk i mjafton.3
Esenë “Përvoja e jetuar e Zezakut” po e ndajmë në tre pjesë për hir të ekonomisë së hapësirës së gazetës sonë. Fanoni e ka shkruar atë të plotë dhe pa ndarje.
Pjesa e parë: kliko këtu 
Pjesa e dytë: kliko këtu
Pjesa e tretë: kliko këtu
Për redaktimin e kësaj eseje ka dhënë kontribut të çmuar gazetarja Elsa Demo.
_________________
1. Négritude është rrymë dhe lëvizje letrare e kritike e zhvilluar nga diaspora afrikane përgjatë viteve ’30 të shek. XX me synim ngritjen e “ndërgjegjes zezake” në të gjitha Afrikën dhe diasporën e saj. Dy ndër themeluesit e kësaj rrymë dhe që e ngritën këtë term në koncept janë dy figurat e mëdha të letrave afrikane të përmendura dhe referuara vazhdimisht në këtë ese, Aimé Césaire, Léopold Sédar Senghor, ky i fundit ka qenë Presidenti i parë i Senegalit pas pavarësisë.
2. Të Mallkuarit e Botës është botuar në Prishtinë nga Rilindja në vitet ’80 i përkthyer nga Muhamedin Kullashi.
3. Referenca dhe linja biografike e përdorur në këtë Hyrje është bazuar në punimin e Peter Hudis, Frantz Fanon: Philosopher of the Barrikades, botim i vitit 2015 nga Pluto Press.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje