Përpjekja për Zall-Gjoçaj vazhdon me dy procese të reja gjyqësore

nyje.al | 02.12.2020

Sot u zhvillua seanca e parë e gjyqit të tretë – paralel të hapur – nga banorët e Zall-Gjoçaj kundër ndërtimit të hec-eve Sekë dhe Zais nga firma koncensionare “Seka Hidropower” shpk. Banorët i janë drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë me të paditur Entin Rregullator të Energjisë (ERE) dhe firmën koncensionare “Seka Hydropower”. Nëpërmjet kësaj padie ata kërkojnë shfuqizimin e vendimit të licensimit të shoqërisë “Seka Hydropower” shpk në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga hec-et “Sekë” dhe “Zais”.

Në datën 10.09.2020 ERE -organi kompetent për miratimin e licensave për prodhimin e energjisë elektrike- ka miratuar licensimin e shoqërisë “Seka Hidropower” për prodhimin e energjisë elektrike nga hec-et “SEKË” me kapacitet të instaluar 12667 kw dhe “ZAIS”, me kapacitet të instaluar 2295 kw, me kapacitet total të instaluar 14962 kw”.
Banorët e Zall-Gjoçaj e kanë ankimuar këtë leje pranë organit të ERE-s, me argumentet se shoqëria koncensionare në momentin e aplikimit për licensë nuk ka pasur të drejtë ligjore që të aplikojë për hec-in e Zais-it. Në ekstraktin e e shoqërisë dhe të dhënave të tjera ata e kanë të përcaktuar që financojnë, projektojnë, ndërtojnë dhe do të vënë në punë hidrocentralin “Sekë”, jo edhe atë të Zaisit.

Sipas rregullores së ERE-s, në nenin 6 të tij parashikohet se e drejta për të aplikuar për një licensë të lëshuar nga ERE duhet të ketë objekt aktivitetin e kërkuar për licensim. Sipas pretendimeve të banorëve të Zall-Gjoçaj dhe komunitetit të angazhuar në mbrojtjen e parkut, ndërtimi i hec-it “Zais” nuk është pjesë e objektit të veprimtarisë së shoqërisë.
Në padinë e tyre, banorët rikujtojnë faktin se projekti i ndërtimit të hec-eve shtrihet 2.08 km brenda parkut kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”, duke e bërë rrjedhimisht të paligjshëm çdo veprim që kryhet brenda kësaj zone. Bazuar në rregulloren e brendshme të ERE-s, duhet të merret në konsideratë detyrimisht nëse veprimtaria e shoqërisë cënon mjedisin dhe nuk shkel dispozitat ligjore për mbrojtjen e tij.

Tubat për futjen e lumit, Zall-Gjocaj, tetor 2020
Tubat për futjen e lumit, Zall-Gjocaj, tetor 2020

Hetimi administrativ i ERE-s ka rrëzuar ankimin e banorëve, duke lënë në fuqi vendimin për licensimin e firmës koncensionare. Banorët tashmë janë në proces gjyqësor, një nga tre proceset që vazhdojnë të zhvillohen në gjykatën administrative shkallë të parë dhe të dytë.

Nga njëra betejë ligjore në tjetrën
Ndërkohë që pritet të zhvillohet gjyqi në Gjykatën Administrative të Apelit, ditën e nesërme datë 3 dhjetor, çështja e Zall-Gjoçaj do të kenë seancën e dytë përgatitore në shkallë të parë, me te paditur Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe Shoqërisë “Seka Hydropower” shpk.
Ky proces gjyqësor është ngritur kundër institucioneve shtetërore dhe firmës koncesionare me kërkesën për të marrë masa për zbatimin e pikës 5 të VKM-së nr. 661, dt. 31.10.2018 “Për zgjerimin e sipërfaqes së parkut kombëtar “Lurë” dhe krijimin e PK “Lurë – Mali i Dejës” për të ndaluar ushtrimin e aktivitetit të realizimit të këtyre hec-eve brenda zonës së mbrojtur.
Ministritë pranojnë se vepra e marrjes së ujit është futur brenda territorit të Parkut Kombëtar Lurë-Mali i Dejës rreth 2450 m në brendësi, por deri tani nuk kanë marrë asnjë masë për ndalimin e ndërtimeve të hec-eve, në shkelje të ligjit për zonat e mbrojtura.

Ndërkohë, një ndër faktet shqetësuese të njohura përgjatë këtyre proceseve të gjata ligjore e burokratike lidhur me Zall-Gjoçaj është se Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura është duke përgatitur një studim për ndryshimin e kufijve të zonës së mbrojtur dhe parashikohet se zona e mbrojtur e parkut të Zall-Gjoçajt do të lihet jashtë këtyre kufijve. Ky informacion bëhet i ditur në vendimin e ERE mbi mbylljen e procedurës së shqyrtimit të kërkesës mbi licensimin e firmës koncensionare.

Nëse në rang ndërkombëtar po bëhen përpjekje për hartimin e planeve për kriminalizimin e shkatërrimit të ekosistemeve dhe strukturimin e një përkufizimin ligjor të termit të ekocidit, apo inkuadrimin e këtij krimi në krime të tjera tashmë ekzistente të së drejtës penale ndërkombëtare, në Shqipëri institucionet shtetërore në arbitraritet dhe paligjshmëri mund të të shpallin zonë e mbrojtur, e më pas, varësisht interesave të firmave koncesionare të të heqin lehtësisht nga lista e zonave të mbrojtura. Përballë një shteti braktisës dhe shkurajues, banorët e Zall- Gjoçaj vazhdojnë ta mbrojnë në kushte të jashtëzakonshme parkun e tyre. Nesër i pret beteja e radhës.

Zall-Gjoçaj, tetor 2020
Zall-Gjoçaj, tetor 2020
  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje