Ngjarje e qëllimtë në një qytet aksidental

Diana Malaj | 22.10.2018 | nyje.al

Dërrasat e vjetra lënë prej vitesh mbi themelet e një shtëpie emigrantësh u fshehën në një cep gjatë një dite të nxehtë nga një punëtor krahu. Me gërbujë, fshesë dhe ujë u bë gati ajo që më vonë do të kthehej në një skenë të vërtetë teatri. Një shtëpi e lënë përgjysmë, vetëm me kolonat e çimentos të hedhura e të mbetura zhveshur si skelet, rrethohet nga një avlli e rrënuar. Sipër saj rrinë ulur fëmijët e një lagjeje në Kamëz. Fqinjët nuk dinë asgjë për të zotët e ndërtesës. “E kanë lanë dhe janë kthye n’fshat, a më doket kanë ik n’Greqi krejt. Paj, vallai s’e dimë bash sakt se ku mund t’jenë tash”, na thotë një nanë kur duam t’i kërkojmë leje për shfaqjen e teatrit.

Dy kolonat qëndrore të shtëpisë janë kufiri i skenës në të cilën do të zhvillohet një ngjarje e pazakontë. Gjithë pjesës tjetër të katit të parë i duhen sajuar perde të zeza. Janë copa të hequra nga diku dhe të vëna aty rishtazi, si për t’u arnuar shpejt e shpejt. Veshjet e aktorëve janë të marra hua. Një palë këpucë një vëllai, një xhaketë marrë një shoku në ushtri, një këmishë blerë te ndihmat. Simbole dhe objekte, bërë me dorë, qepur, ngjitur. Një llampë e vogël me ndriçim të mekur për një skenë të madhe sa një shtëpi varet sipër një kolone. Energjia elektrike jepet nga shtëpia më e afërt, pasi nëna i ka kërkuar leje nuses, nusja burrit, dhe burri pasi i ka bërë ca hesape me veten. Karriget dhe shiltet i mbartin të rinj që kanë ardhur për të ndjekur shfaqjen dhe miqtë e tyre. Fëmijët janë të parët që ulen dhe zënë vendet më afër skenës. Nëpër ballkonet e shtëpive përreth nxjerrin krye dy-tri vetë dhe na e bëjnë me dorë, si nëpër llozhat e një teatri të vërtetë. Tri familje që jetojnë bashkë në shtëpinë përbri rreshtojnë karriget dhe ulen në ballkonin e katit të dytë. Një nënë e re mban në krahë një foshnje të porsalindur që shkrihet në vaj. Njerëzit sa vijnë dhe shtohen. Edhe djemtë e Eccobet-it përballë qëndrës së grupit Ata i bashkohen publikut pak minuta pasi ka filluar shfaqja. E ndjekin në heshtje dhe me kureshtje atë që kanë pasur mundësi të shohin nga rruga për javë të tëra.

Janë gjithsej pesë aktorë të rinj që dy ditë pasi kanë vënë në oborrin e Teatrit Kombëtar komedinë “Vdekja aksidentale e një anarkisti”, po bëhen gati ta risjellin për njerëzit e Kamzës.

 

Në fotografi: Greta Baci, Xhesika Leka, Mexhit Balla, Anila Balla, Klodian Gjonpalaj dhe Mariza Rama.

Anila Balla është regjisorja që ka punuar me pjesën, e ka përshtatur dhe ka realizuar me shumë përkushtim vënien e kësaj komedie në dy skena të improvizuara. Ajo ka përfunduar studimet e larta për Regjisurë në Akademinë e Arteve. Më vonë ka vazhduar Studimet Letrare në nivel master në Universitetin e Tiranës. Anila është bashkautore e skenarit për film me metrazh të shkurtër “Tirana 100KM” me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.  Gjithashtu, ka botuar tregime dhe ese në revista letrare. Ka qënë e dyzuar në zgjedhjen mes veprës së Henrik Ibsenit “Armiku i popullit” dhe komedisë së Dario Fo-së. Ajo shprehet: “Për të dyja veprat nuk do të kisha pishmane, sepse të dyja janë aktuale për situatën politike e sociale të Shqipërisë. Por, te Dario Fo-ja gjeta të plotësuar modelin e artistit, i cili nëpërmjet artit të tij nuk ka rreshtur gjithë jetën duke kontribuar për vendin, për popullin, për njerëzit e tij. Gjenialiteti i Fo-së, dinamika e personazheve dhe forca e gjuhës te vepra “Vdekja aksidentale e një anarkisti” më rrëfyen rrugën që duhej të ndiqja me grupin dhe aktorët e rinj.”

Klodian Gjonpalaj është më i vogli ndër aktorët e shfaqjes, gjimnazist në shkollën “Elez Isuf Ndreu” në Bathore. Nuk e ka pasur aspak të thjeshtë për të përshkuar çdo natë një rrugë të gjatë për të bërë provat. Ai ka mbajtur mbi supe rolin më dinamik dhe të rëndësishëm të pjesës: I Çmenduri i Fo-së, nëpërmjet të cilit na vjen e plotë e gjithë narrativa e veprës, bazuar në ngjarjen e vërtetë të vdekjes së anarkistit Pinelli në Italinë e viteve ’60-’70.

“Personazhi im ishte ai i një polici të tredhur nga urdhrat e shefit. Ky polic nuk di se si të sillet nëse nuk ka një urdhër për të zbatuar, nuk ka koherencë në ato që thotë dhe gjithmonë luhatet nga frika e zbulimit të së vërtetës. Sa më shumë e njihja personazhin tim, aq më shumë hidhja paralele me situatën politike në Shqipëri. Skenaret e “ngjarjeve aksidentale” për të cilat “nuk di kush gjë”, “nuk ka parë kush gjë” na përsëriten çdo ditë para syve, ndërkohë që media kujdeset të na i shtrembërojë ato”, shprehet Xhesika Leka, studente në vitin e dytë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Informatikë.

Mexhiti, student në të njëjtin fakultet, ka ndeshur jo pak vështirësi për t’u angazhuar në këtë nismë. Edhe përgjatë ditëve të shfaqjeve i është dashur të punojë kamerier në një restorant nga ora pesë e mëngjesit deri vonë mbasdite, në pamundësi për të marrë leje. Pas pune drejtohej direkt te provat. Ai risjell ndërmend emocionet e forta të përjetuara në premierën e shfaqjes në Tiranë: “Isha i pari që duhej të futej në skenë dhe mbaj mend që përgjatë pesë minutave të para më janë dridhur buzët, pastaj sapo ndjeva mbështetjen e publikut u ngroha përbrenda dhe e pata më të thjeshtë. Tani që shfaqja ka mbaruar, mendoj se ia ka vlejtur shumë përpjekja jonë. Do doja të përsëritej kjo përvojë.”

Roli i shefit të komisariatit luhej nga një vajzë e cila sapo ka filluar studimet e saj në Fakultetin e Arteve Skenike për Regji Teatri. Greta, 19 vjeçe shprehet se ka përjetuar shumë emocione përgjatë shfaqjes në Tiranë dhe në Kamëz. Edhe pse ka pasur një punë intensive me provat ajo argumenton se fakti i të mospasurit një skenë të vërtetë në të cilën të praktikohen, ia ka vështirësuar punën me personazhin e saj. “Karakteri që m’u besua ishte interesant për shkak të situatave absurde në të cilat gjendej. Çdo personazh ka mbrapa një histori, ngjarje që mund t’i kenë ndodhur dhe që ia modelojnë sjelljen në të tashmen, ndaj e shoh me rëndësi të dyfishtë teatrin. Ai të jep mundësi ta shohësh jetën me sytë e tu, dhe me sytë e tjetrit, të cilin duhet ta njohësh gradualisht deri sa ta sjellësh përpara publikut në formën e tij të përkryer. ”

Mariza, studente e Drejtësisë tregon se roli i gazetares që kishte në shfaqje e lidh me përditshmërinë që i ka imponuar jeta në Kamëz. Qyteti i vjen në përmasat e një pengese që ia limiton lirinë e paradoksalisht ia ka mësuar artin e maskave që duhet t’i mbajë në jetën e saj për të krijuar raportin me lirinë. “Shfaqja ka përfunduar, por roli im jo. Unë çdo ditë luaj pa dashje rolin e gazetares që kërkon të hetojë me kujdes pushtetin, në çfarëdolloj forme që shpërfaqet ai, privatisht e publikisht, por që nuk di të sillem ndaj tij. Thjesht e marr dhe e përcjell atë si një lajm në gazetari.” Dy frikëra të ndryshme ia kanë paraprirë ndjesitë e tjera. “Në Tiranë kisha më tepër emocione, pasi e dija që një pjesë nga publiku kishte lidhje me artin, ishin të mësuar me teatrin, apo mund ta njihnin shumë mirë veprën, ndërsa në Kamëz kisha frikën e një publiku që nuk do mundej të qeshte me një realitet që ka zgjedhur ta injorojë.”

Komedia “Vdekja aksidentale e një anarkisti” shkruar nga nobelisti Dario Fo ka ardhur si një përgjigje e domosdoshme kundrejt gjendjes aktuale të teatrit në nivel lokal dhe kombëtar. Nga njëra anë, teatri lokal brenda qytetit të Kamzës, me afro 420 vende bosh, ndërtuar me fonde publike dhe në kushte shumë të mira nuk vihet në funksion të qytetarëve, kjo pasi varet nga humori i kryetarit të bashkisë. Dhe nga ana tjetër, Tirana që prej më shumë se 3 muajsh ka mbartur në zemër të saj qëndresën më të rëndësishme për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar kundër projektit të shembjes nga qeveria e majtë. Po të njëjtët persona që janë përgjegjës për gjendjen në të cilën është katandisur teatri sot, në nivel lokal dhe kombëtar, shkëmbehen nëpër protesta apo i bëjnë karshillëk njëri-tjetrit në emër të kulturës. Po të njëjtët drejtues që kanë mohuar kërkesën për leje për zhvillimin e shfaqjes brenda një salle teatri në Kamëz, i gjen nën ndonjë hije peme përgjatë ndonjë proteste për mbrojtjen e një teatri tjetër, jo për atë që e mbajnë peng, vetëm se janë të drejtuar nga lideri i tyre partiak. Dhe po të njëjtët drejtues që janë në pushtet, përdorin figurën e kryebashkiakëve të djathtë si “tjetrin përshques” për të treguar se sa ndryshe janë nga këta. Ndërkohë, në përpjekje për t’u dalluar, ngjasojnë aq shumë!

Sakaq jo pak probleme ka në lidhje me studentët e Arteve dhe institucionet kulturore në qytete të tjera. Regjisorja Anila Balla shprehet se nga 12 vetë që diplomohen çdo vit nga Universiteti i Arteve në degën e Arteve Skenike, fare mirë mund ta fillonin karrierën në këto teatro lokale për t’i dhënë jetë pasditeve të gjata të qyteteve të tjera. “Teatri, kinemaja, ekspozitat, apo lloje të tjera arti veprojnë shumë ngadalë dhe nuk do të kenë asnjëherë rezultat të menjëhershëm, ndaj është shumë e nevojshme që puna të fillohet sa më herët.”

Një artiste e apasionuar dhe njohëse e mirë e artit të Dario Fo-së në përfundim të shfaqjes u shpreh se ky komedian e ka shkruar “Vdekjen aksidetnale të një anarkisti” sidomos për të rinjtë që gjenden në situata të tilla, si rrëfimtarë që janë të përjashtuar nga konteksti dhe që pengohen për të bërë diçka në rrethanat ku ndodhen.

Fo, në një ndër daljet e fundit të tij thekson se nuk është pajtuar kurrë me idenë e ekzistencës së një parajse e cila na pret që ta shijojmë në një jetë tjetër. Ai është ateist rigoroz. Ama ndjen që duhet të risjellë një shprehje të dikujt në lidhje me vdekjen “Gëzohem shumë që do të vdes, por më vjen keq.”  Ai e donte shumë jetën, pasi gjente në të, në çdo moment: takime, mundësi, histori të treguara, të rinj që lëvizin me shumë inteligjencë që e entuziasmojnë dhe e bëjnë të marrë pjesë dhe t’u thotë: “Ecni përpara, vazhdoni të na tregoni edhe më shumë, na bëni të qeshim me vuajtjen që mbajmë gjithmonë brenda.”

Rreth autorit

Diana Malaj – Gazetare e Nyjes dhe aktiviste e grupit ATA në Kamëz. Ajo ka studiuar Drejtësi në Universitetin e Tiranës.

Na ndiqni në:
Follow by Email
Facebook
YouTube
Instagram

Lini një Përgjigje