Mësuesi shëtitës

Udhëtim në të shkuarën
Nën këtë titull “Udhëtim në të shkuarën”, po botojmë një cikël shkrimesh dhe bisedash nga disa të rinj nga qytete të ndryshme të Shqipërisë që aspirojnë të bëhen gazetarë. Janë realizuar me prindërit, gjyshërit dhe të afërmit e tyre me qëllim njohjen e jetës në rreth të ngushtë familjar po edhe njohjen e jetës shoqërore përgjatë shekullit të kaluar. Si jetonin apo mbijetonin njerëzit tanë; si dashuroheshin apo detyroheshin të zgjidhnin njeriun e jetës; si e gëzonin jetën dhe si i përballonin goditjet e saj; si ishin të ndara rolet në familje, dhe në një shoqëri sa të varfër aq edhe të kontrolluar siç ishte shoqëria shqiptare në vitet 1945-1990?
Janë rrëfime që iu tregojnë të rinjve se e shkuara e paraardhësve, në një mënyrë apo në një tjetër mund të bëhet përvojë për të ardhmen e secilit dhe për të ardhmen e një vendi të tërë.


E drejta për t’u shkolluar dhe për të ushtruar profesionin e dëshiruar nën komunizëm, nuk ka qenë shpeshherë zgjedhje e lirë. Edhe atëherë kur individi qëllonte në shenjë, një tjetër fat përgatiste sistemi për të: e largonte nga vendlindja dhe të afërmit.

Mësuesi shëtitës
Anxhela Cuka | 04.02.2020 | nyje.al
Kiço Bajlozi është mësues në pension. Historia e tij edhe pse nuk ka në të asgjë të pazakontë, është e ngjashme me historinë e shumë njerëzve që do duhej të largoheshin nga vendlindja për të punuar atje “ku kishte nevojë atdheu”. Si dëshmitar i dy sistemeve të ndryshme politike, “mësuesi shëtitës” ndan me ne disa momente të rëndësishme të jetës, për shembull, fëmijërinë. Ishte një kohë tepër e trazuar dhe me mungesa, megjithatë fëmija ishte falenderues ndaj prindit.
A mund të prezantoheni për lexuesin tonë? 
Po, sigurisht. Quhem Kiço Bajlozi, kam lindur në 5 gusht të vitit 1938, në fshatin Pendavinj të Korçës.

Nga çfarë familje vini?
Familja jonë përbëhej nga dy prindërit dhe 3 fëmijë, 2 vëllezër dhe 1 motër. Edhe pse babai im ka pasur mentalitet pak më të hapur se banorët apo personat e tjerë që unë kam njohur, përsëri ka qenë sistemi ai që na ndrydhte, si ne edhe prindërit tanë. Por, përsëri gëzonim harmoni në familje dhe respekt. Nëna dhe babai përpiqeshin që të respektonin figurën tonë fëmijërore, ashtu siç ne përpiqeshim t’i kuptonim ata kur silleshin të sertë me ne.
Me cilin nga prindërit keni qenë më i lidhur? 
Kam qenë shumë i lidhur me nënën. Figura e babait në atë kohë ka qenë shumë autoritare dhe shumicën e kohës si unë, ashtu edhe vëllai dhe motra ndrydheshim që t’i shpreheshim babait. Por edhe me babain tim kam kujtime mjaft të mira. Kalonim kohë së bashku sepse ishte ai që më shoqëronte gjithmonë në shkollë.
Dhe si ka qenë kjo fëmijëria juaj?                                          
Na mungonin gjërat më elementare, veshmbathjet dhe ushqimi, edhe pse familja jonë konsideroheshe familje e pasur, ish-bejlerë. Jetonim me gjyshërit dhe vëllezërit e babait. Gjithsej në shtëpi bëheshim 17 vetë, 9 prej të cilëve ishin fëmijë. E mbaj mend si sot, kur mamaja na i mbante fshehur këpucët e mira që i përdornim veç për sebepe. Ishin këpucë që i ndanim së bashku me tim vëlla, ashtu siç ndanim edhe çdo veshmbathje. Edhe për sebepet që bëheshin, si çdo fëmijë gjithmonë grindeshim, se kush do të shkonte dhe kush do të rrinte në shtëpi. Ishim me fat, që të paktën njërin nga ne të dy e zinte lapsi njëherë po dhe njëherë jo, që të shkonte. Ndërsa motra rrinte gjithmonë në shtëpi.
E mbaj mend të trazuar fëmijërinë tonë, megjithatë ishim të lumtur dhe falenderues ndaj prindërve, gjë që tek fëmijët dhe rinia e sotme nuk e shoh.
Të njëjtën gjë do të thoshit edhe për vëllanë dhe motrën?                 
Im vëlla, dy vjet më i madh se unë, sot nuk jeton më. Duke qenë se distanca e moshës nuk ka qenë e madhe, ishim shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Në fëmijërinë tonë çdo gjë e kemi kaluar së bashku, për çdo moment që flas. Kur u rritëm dhe nisëm të kuptojmë, edhe marrëdhëniet tona filluan të ftohen. Kjo ishte më shumë me tim vëlla, pasi mori tiparet e tim eti dhe u bë tepër nacionalist. Marrëdhënia me motrën vazhdoi e fortë deri në momentin që ajo u martua.
Më tregoni pak për arsimimin tuaj.
Shkollën fillore e kam kryer në fshat, 7-vjeçaren e kam vazhduar në një fshat tjetër, Pojan. Largësia e shkollës nuk ma hoqi dëshirën dhe pasionin për të mësuar. Fitova bursë për në qytet, në një nga shkollat më të mira të Korçës, gjimnazi “Raqi Qirinxhi”. Ishte e gjatë rruga që duhet të bëja përditë. Ama, isha duke realizuar një nga ëndrrat e mia më të mëdha, të studjoja. Gjimnazin e përfundova me rezultate të shkëlqyera. Por sapo mbusha moshën 18 vjeç, u thirra për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Më detyruan të lija librat dhe fletoret dhe të hidhja supeve pushkën dhe pajimet ushtarake duke kryer detyrën në një repart ushtarak në Gjadër të Lezhës. Koha e kryerjes së ushtrisë m’u duk përjetësi, plot 3 vjet.
Ishit më Kiçoja i parë me ëndrrën për të studiuar apo diçka ndryshoi?

Kiço Bajlozi në moshë të re

Mbas përfundimit të ushtrisë u ktheva më i pjekur dhe burrëror në fshatin e lindjes. Dëshira për të studiuar nuk ishte fikur dhe fatin, sado me vonesë, e kisha përkrah. U miratua e drejta për të vazhduar studimet në shkollën Pedagogjike, në Elbasan.
Sërish po zhvendoseshit, tani në qytet tjetër…
Të them të drejtën këtë e ndjeva pafund. Dëshira ime po bëhej realitet në përballje me një qytet të ri, me njerëz të panjohur që do të më lidhnin me përditshmërinë. Kjo më krijonte njëfarë frike. Ishte vetë sistemi i tillë që ta krijonte atë ndjesi frike. Duhet të kishe kujdes në çdo hap që hidhje, me çdo fjalë që goja jote nxirrte. Im atë më thoshte: “Nëse do të jesh mik i vetes dhe armiku i askujt, dëgjo shumë dhe fol pak. Mos harro se edhe muret kanë vesh atje dhe kudo që të jesh!” Në Elbasan u vendosa në konviktin shtetëror. Çdo gjë shkonte shumë mirë, derisa një ditë, teksa kthehesha në konvikt, marr vesh se shokun e dhomës e kishin dëbuar në një fshat, në Lushnje. Kishte shprehur pakënaqësi ndaj partisë.
E ndikoi kjo sjelljen tuaj?
Jashtëzakonisht. U mbylla edhe më në vetvete. I vetmi shok që pata gjatë 2-vjeçarit të studimit, ishte libri. Ishte tepër tensionuese për mua kur bija pre e ndonjë fjale që hidhnin shokët e mi apo vetë pedagogët për të parë se çfarë mendonim ne në lidhje me regjimin.
A kishit njohur ndonjë vajzë ndërkohë? 
Këtë pyetje ma ka bërë shpesh edhe bashkëshortja ime e ndjerë. Sa herë që binte fjala më thoshte apo më saktë më thumbonte. Por jo, nuk kam pasur. Atëkohë libri ai ka qenë miku, i dashuri dhe familjari im.
Ç’bëhej me familjen tuaj, e vizitonit?
Kjo ka qenë një pjesë e trishtë,  gjatë gjithë studimin tim kam shkuar veç 4 herë në shtëpi. Rruga kushtonte. Nuk kishte autobuzë apo furgonë. Udhëtonim me tren. Shpesh lekët që babai më jepte për të mos e bërë në këmbë rrugën nga qyteti i Korçës në fshat, i shfrytëzoja për të blerë libra.
Mbas mbarimit të shkollës, Ministria e Arsimit më caktoi në rrethin e Korçës dhe Komiteti Ekzekutiv i Rrethit me caktoi mësues në fshatin Maliq Opar, në Komunën e Moglicës. Ishte një fshat i thellë dhe mjaft larg vendlindjes sime. U vendosa në një ndërtesë në fshat. Figura e profesorit në atë kohë ishte mjaft e shenjtë dhe për këtë arsye isha gjatë gjithë kohës në qendër të vëmendjes. Mungesa që fakulteti më dha përsa i përket miqve m’u plotësua këtu. Nxënësit ishin dhe shokët e mi më të mirë. Familjarët e mi mund t’i vizitoja vetëm gjatë verës. Mbas dy vitesh e gjysmë më zhvendosin në shkollën e Gribecit, në zonën e Lozhanit. Ndjeva po të njëjtën ngrohtësi për 3 vite që punova. Më në fund më caktuan mësues në fshatin e Pojanit, afër vendlindjes.
Jam kurioze të di kur dhe si jeni njohur me bashkëshorten tuaj?
Jemi njohur në vitin 1964. Si gjithë të tjerët edhe ne nuk është se kemi ndonjë njohje të veçantë. Njiheshim, por ishin prindrit tanë ata që na prezantuan. Ishim nga e njëjta mahallë. Tradita e donte që të vendosnin të mëdhenjtë, e nëse ata binin dakort atëherë muhabeti merrte fund. Por, si i arsimuar që isha, nënkuptohej që isha i aftë të merrja vetë vendime. I shpreha babait mendimin tim në lidhje me këtë çeshtje dhe ai ra dakord me mua.
Në shtëpi fjala ime dëgjohej shumë, madje edhe për banorët e fshatit isha njeri i veçantë. Kështu pra, në fillim u prezantuan prindërit dhe pastaj patëm disa takime veç ne të dy. Mbas një viti u martuam.
Ndani me ne, ju lutem, disa momente nga ky hap i rëndësishëm në jetën tuaj…
Ka qenë një ndër momentet më të lumtura të miat. Po nisja një jetë të re me personin që kishte zënë vend në zemrën time. Të dy ishim të lumtur që do krijonim jetën tonë. Nuk e harroj Lirikën kur hyri në pragun e derës për të qëndruar në atë shtëpi përgjithmonë. Ishte verë. Festa u zhvillua në oborrin e shtëpisë. Dasma ishte e bollshme, ndryshe dasmat që bëheshin atë kohë.
Keni foto nga kjo ceremoni?
Të veshur nuse dhe dhëndër nuk kemi, pasi ishte e vështirë të gjeje një aparat fotografik. Por kemi foto me rastin e lindjes së binjakëve tanë, fëmijëve tanë të parë. Kam dashur që fëmijët e mi të kishin kujtime të bukura nga unë dhe të shkolloheshin mirë. Ashtu siç unë e mbaj mend tim atë.
Keni ndikuar ju edhe në zgjedhjet që ata kanë bërë në jetë?
Jo, asnjëherë nuk do ta bëja këtë gjë. Kam pranuar çdo vendim të tyre dhe jam i lumtur që kanë vendosur të bëhen dikushi në jetë. Për mua e rëndësishme gjithmonë ka qenë që ata ta dashuronin profesionin dhe të gëzonin respekt aty ku do të ishin.
Djali i madh ka qenë ushtarak, kurse i vogli mësues matematike. Për djalin e madh kam qenë i shqetësuar, sepse në periudhën që ai kreu studimet ndodhi ndërrimi i regjimeve. U plagos gjatë trazirave të vitit 1997.
Me çfarë jeni marrë gjatë kohës së pensionit?
Ishte tepër e vështirë për një person si unë që isha rritur e ushqyer dita-ditës me dashurinë për arsimin dhe edukimin e brezave të rinj të hiqja dorë, të rrija duarkryq. S’ishte në karakterin tim. Për këtë arsye vendosa t’i përkushtohesha rritjes të bletëve që ishte një traditë në familjen time, nga gjyshi im. Këtë punë vazhdoj ta bëjë akoma edhe sot. Nga ana tjetër vazhdoj t’i vizitoj vendet ku kam punuar, së bashku me kolektivin tim dhe të ruaj kontaktet me më të rinjtë.

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje