Më uroni ditëlindjen, në qoftë se ja vlen!

12.10.2018 | nyje.al

Unë e di dhe jam e vetëdijshme që disa më shohin çuditshëm në këtë qytet. Por kjo nuk ka rëndësi. Është e habitshme që ekzistojnë gjithmonë DISA që ndryshojnë, ndikojnë apo orientojnë jetët tona ashtu pa e kuptuar. Por kush janë këta?
Është ai xhaxhi që shet mobilje të përdorura që kthen kokën sa herë unë kaloj aty përpara. Ai që i thotë djalit të tij që është i vetëpunësuar aty, “po kjo me sa mend del kështu!” Është ajo nëna në mesin e rrugës që shet ushqime tek marketi e cila sa herë që nuk ka klientë del tek dera me dorën e mbështetur te doreza dhe më shoqëron me shikim deri tek kthesa, aty ku unë i zhdukem nga fusha e pamjes. Është edhe ai burri me përparësen e bardhë tek byrektorja që siç mora vesh më vonë kishte pasur në plan të më ndalonte në rrugë pasi i kisha nxjerrë probleme në familje, me vajzën e tij. Kishte kërkuar dhe ajo të blinte një biçikletë. “Pse të mos ma blesh edhe mua një të tillë. Ti ke thënë që biçikleta është për djem. Ja ku e ke këtë vajzën që kthehet pasdite nga puna.” Ajo çfarë kishte menduar nuk ishte të më ndalonte mua të ecurën me biçikletë por të mos më lejonte më të kaloja aty përpara. Të merrja një rrugë tjetër alternative. Këtë e mësova nga shoqja ime e ngushtë që dikur punonte aty dhe ruante kontakte me ta. Madje i kishin kërkuar edhe që të ndërmjetësonte në këtë çeshtje. Dhe në fund është ai grupi i djemve të lagjes ngjitur që ngacmojnë mes shakave, madje duke u zhytur në llumin e perversitetit arrijnë që shalën e biçikletës ta kthejnë në batutë mes tyre duke i dhënë një funksion tjetër. Unë asnjëherë nuk iu jam përgjigjur ose kam bërë sikur s’kam dëgjuar gjë.
Sikur të ishin vetëm këta ata DISA, ata që i ndesh vetëm në një pjesë rruge ose gjatë një kohe kaq të shkurtër të ditës a jetës sime, kjo nuk do ishte arsye për t’u mërzitur a ndenjur mendueshëm. Por, përveç këtyre, komentuesit më të qëndrueshëm gjenden në shtëpinë time, në atë sipërfaqe të ngushtë prej 47 metra katrorësh. Unë i dua pjesëtarët e familjes sime dhe nuk kam në plan t’i shaj a gjykoj derisa të rritem e të gjej një punë tjetër që nuk e kam kaq larg nga shtëpia. Nuk do gjykoj babain që më porosit çdo ditë: “Nuk është biçikleta për ty!” As mamin që përsërit: “Nuk ka faj babi.” Nuk do gjykoj as motrën e madhe që më sugjeron të gjej një punë tjetër. Nuk do gjykoj as vëllain moshatar që më kujton: “Ndërroj rrugë sa herë të shoh ty. Por nuk do merrem as me motrën e vogël që me sytë e maçokut tek Shreku, pyet shpesh: “A do ma lësh mua biçikletën kur të rritem?”
E gjendur mes këtyre palëve është e çuditshme se si kam arritur çdo ditë të nisem e të kthehem në shtëpi pa bërë asnjë aksident. Po, çdo ditë, pasi vendi ku unë punoj është i sektorit privat dhe nuk kemi asnjë ditë të vitit pushim. Si kam arritur pa u përplasur me ndonjë makinë, pa përqafuar ndonjë pemë apo kazan mbeturinash që zënë gjysmën e korsisë, e duke iu shmangur me kujdes çdo grope në rrugë. Shkaku më i madh i aksidenteve rrugore ka qenë gjithnjë konsumimi i pijeve alkolike. Unë konsumoja vetëm ujë dhe pije pa gaz. Dikush do mendojë: po biçikleta nuk është një veturë dhe kjo nuk ka lidhje me aksidentet në rrugë.
Po, biçikleta nuk është një veturë por ama është një mjet që qarkullon dhe zë një hapësirë fizike në vendet ku ecin makina dhe kjo është e mjaftueshme për të qenë pjesëmarrës e kontribues në statistika të tilla. Po të më ndalonte dhe kontrollonte policia në fundin e rrugës, pas gjithë këtyre komenteve, për mua do nevojitej një pipë që pot ë duhej t’i fryja e të maste nivelin e procesimeve në tru dhe jo të alkoolit në gjak, do kapte shifra për gjobë.
“Nuk është e lejueshme të ngasësh pasi nuk je në kondicionet e duhura fizike dhe psiqike” do sqaronte polici bashkë me fletën e gjobës të lënë në koshin metalik përpara biçikletës ku unë mbaja bukën dhe një bllok shënimesh. E nga kjo do gëzonin të gjithë besoj, sidomos ai xhaxhi me përparësen e bardhë tek byrektorja. Gëzimi i babait dhe vëllait nuk do matej dot.
Por sot, në ditëlindjen time të njëzetë e një, unë kam vendosur që të gjithë këta t’i injoroj, po aq sa zhurmën që më krijon zinxhiri i biçikletës teksa ecën në rrugët me gropa që më çojnë në shtëpinë time. Kjo më fal rehati.

Na ndiqni në:
Follow by Email
Facebook
YouTube
Instagram

Lini një Përgjigje