M’duket se kaloi koftlargji!

Fejton |09.04.2020 |nyje.al 

-Or drejtor, pashë atë mduket. E dallova nkrâje. Ene te ecmen nilloj e kish pâ. Me flokë pak, me mullën përpara si do caull t’diskriminum obez nkolegjet amerikane.

-Kë pe mor?

-Oj ka kalu parës, ishte bashk’ me nja dy qerë. Njofto shpejt kryetarin, të vâje urgjentisht në zyrë se po u ul ai nuk di me e lshu mo.  I ka dhanë provat qaj burrë. Edhe ai kryetari i jonë apo s’asht i dobt dhe i vol me trup, si të ungjet nta sun e luje mo prej karrikes vallaj.

-Kush ishte pra?

– Oj gjutu se qaj ishte nis për ktau. Au ku e gjet bidati bash tahëj si s’jena na ktu. Virusi nëpër kamë, edhe ai na u desht. E mduket se asht te shfrytzu situatën e pandemisë se e pashë me nji postim në fejsbukun e vet.

Punonjësi i sigurisë së institucionit nxori telefonin menjëherë nga xhepi i brendshëm i jelekut të uniformës. E kishte të vështirë ta hapte nga ngutja. Nuk po i kujtohej a ishte i njëjtë kodi i telefonit me atë të kartës së  bankës. Një qytetar iu afrua dhe po  e pyeste se ku ndodhej shkolla “Ibrahim Rugova”. —Mu hiq sajsh,- iu përgjigj roja. I ktheu kurrizin dhe provoi sërisht me telefonin. Pas gabimit të parë u kujtua që kodi nuk kishte lidhje me asnjërën prej hamendësimeve të para por ishte “2580”. Njoftoi disa kolegë të tjerë në telefon dhe për pak minuta hyrja e bashkisë u nxi nga uniformat e sigurisë.

Kryetari, me tu vënë në dijeni për lajmin, kishte lënë kafen përgjysmë dhe kishte hyrë nga ana e pasme e bashkisë. Tashmë ai ishte në zyrën e tij, ulur në karrige, duke ekuilibruar frymëmarrjen sepse kishte nxituar për të vajtur në kohë aty. Mbi tryezën e punës pa disa dokumente të ndihmës ekonomike mes të cilave ishte edhe lista e familjeve që do të mërrnin pako ushqimore për ditët e karantinimit, dhuruar nga një biznes privat. Thuhej që bizneset në raste të tilla, sidomos ata që tregohen “të fundit” solidar, shpërndajnë produkte ushqimore që janë shumë afër ditës së skadencës, në mos të skaduara. Për këtë kryetari kishte vendosur që pakot e fundit t’i kontrollonte vetë. I largoi dokumentet tutje dhe ndezi televizorin e zyrës. Lajmet me titra mbi një vrasje me rrëmbim në qytet që po transmetoheshin në atë moment nuk po i tërhiqnin mjaftueshëm vëmendjen. E fiku. Iu afrua dhe e hoqi prizën sepse nuk duronte dot atë dritën e kuqe ndezur pasi fikej televizori me telekomandë. Përpos fiksimit kishte dëgjuar diku që ajo pika e kuqe konsumon energji diçka më pak se sa një llampë e thjeshtë elektrike.

U ul në karrige dhe e ndjeu veten më të lehtë për një moment. Ushtroi forcë mbi karrigen e lëvizshme që të rrotulllohej 360 gradë por nuk ia doli. Përveçse nuk u kthye në pozicionin fillestar, aty ku ishte, iu largua dhe më shumë tryezës. Ky ushtrim i thjeshtë fizik për të kishte një veçori terapeutike sepse e ndihmonte që të largonte nga mendja të gjitha idetë që i sillnin shqetësim a ankth. Iu kujtua biseda e fundit me një qytetar i cili ndryshe nga të tjerët përveç kërkesës për punë, në fund i kishte uruar edhe postin: “Urime fitoren kryetar! Ke garuar me hijen tënde dhe ia ke dalë! Nuk duhet të ketë qenë e lehtë. Unë nuk e kam provuar ndonjëherë por e marr me mend.”

Dikush hyri në zyrë pa trokitur. Ishte këshilltari, i cili i siguroi që çdo gjë është nën kontroll, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Vetëm kaq tha. Mbylli derën me ngut pa dhënë sqarime më tej. Siç duket kishte një punë më të rëndësishme për të bërë sesa të qetësonte më tej kryetarin. U dëgjua dhe zhurma e çelësit që mbyll derën dy herë. Për herë të parë kryetari po provonte, si të ishte një kostum i ri, se si i rrinte karrigia në trup, pra nëse trupi i tij ishte për atë dhe për këtë po mbështetej sa andej-këndej, po përkundej në të.

Pasi vlerësoi largësinë e konsiderueshme nga dera, u zhvendos dhe iu afrua dritares. Lëvizi pak perden dhe vështroi poshtë. Nuk e shkëputi trupin nga karrigia por vuri këmbët mbi dysheme dhe karrigen e mbante ngjitur mbas trupit, mbi shpinë.

Nga jashtë këshilltarit iu duk sikur nga dritarja po shikonin dy persona, të cilët nga afrimiteti, dashuria dhe për të mos u dukur, ishin vendosur shumë pranë njëri-tjetrit.

Truprojat po ndalonin me forcë të hynte një person, i cili sipas burimeve thanë që ishte një qytetar i apasiounuar pas pushtetit lokal dhe se donte thjesht të bënte një foto në karrigen e kryetarit të bashkisë Kamëz. Kështu u shkrua të paktën në titullin e parë të një gazete lokale e cila kritikohej gjithnjë për opozitarizëm.

Aj sun ma hedhe Xhelal M-ziu mu jo,- tha kryetari. Don me bo nji foto e veç kur ta shohish se vrëjk u bo skulpturë. Pas kësaj mbylli perden dhe e lëshoi trupin në karrige. Karrigia e lëvizshme lëshoi një “kërrc” si të shprehte vuajtjen e saj nga pesha e re e kryetarit.

Lini një Përgjigje