MANIFESTI I REVOLTËS FEMËRORE

15.03.2019 | nyje.al 

Punëtore të fasonerive tek presin të marrin rrogën. Kamëz 2017
Punëtore të fasonerive tek presin të marrin rrogën. Kamëz 2017

Manifesti përmban frazat më domethënëse të qasjes ndaj feminizmit dhe vetëdijësimit të grave që prej momentit të angazhimit të tyre kolektiv dhe është shkëputur nga përmbledhja e shkrimeve të shkrimtares dhe aktivistes Carla Lonzi, me titull “Le të pështyjmë mbi Hegelin dhe shkrime të tjera”. Të gjendura përballë një kohe kur gratë mbështesnin më shumë luftën e klasave sesa refuzimin e shtypjes së tyre, gratë italiane në vitet 1970-1972 vendosin të përballen me pikën kryesore të inferioritetit të tyre, që ishte ajo seksuale.
Carla Lonzi, shprehet se askush nuk është i kushtëzuar a priori për të mos qenë i lirë, dhe po ashtu a priori askush nuk është aq i pakushtëzuar për të qenë i lirë. “Ne gratë nuk jemi kështu të kushtëzuara në mënyrë të pandreqshme, e vetmja gjë është se nuk ka ekzistuar ndër shekuj një përvojë çlirimi e shprehur nga vetë ne”.

MANIFESTI I REVOLTËS FEMËRORE
“A do të jenë gratë gjithmonë të ndara prej njëra-tjetrës? A s’do të arrijnë kurrë të krijojnë një trup të vetëm? (Olympe de Gouges, 1971)
Gruaja nuk duhet definuar në raport me burrin. Në këtë vetëdije themelohet sa lufta po aq edhe liria jonë.
Burri nuk është modeli të cilit duhet t’i përshtasim procesin e zbulimit të vetes që gruaja bën.
Gruaja është tjetri përballë burrit. Burri është tjetri përballë gruas. Barazia është tentativë ideologjike për ta nënshtruar gruan në nivele edhe më të larta.
Identifikimi i gruas me burrin do të thotë mbyllje e shtegut të fundëm të çlirimit.
Çlirim për gruan nuk do të thotë pranim i të njëjtës jetë që bën burri se ndryshe është e pamundur, por është shprehje e kuptimit të saj të ekzistencës.
Gruaja si subjekt nuk e refuzon burrin si subjekt, por e refuzon si rol absolut. Në jetën shoqërore e refuzon si rol autoritar.
Deri tani miti i plotësisë është përdorur nga burri për të justifikuar pushtetin e tij.
Gratë mësohen që në fëmijëri për t’u bindur; për të mos marrë vendime dhe për të qenë plotësisht të varura nga persona “të aftë” dhe “të përgjegjshëm” si: babai, burri, vëllai.
Imazhi femëror me të cilin burri ka interpretuar gruan ka qenë një shpikje.
Virgjëria, dlirësia, besnikëria, nuk janë virtyte; por nyje për të krijuar dhe mbajtur familjen. Nderi është kodifikimi represiv i rradhës.
Në martesë gruaja, e privuar nga emri i saj, e humbet identitetin duke i dhënë kuptim kalimit të së drejtës së pronës mes babait dhe burrit.
Kush lind, nuk e ka mundësinë për t’u dhënë fëmijëve emrin e vet: e drejta e gruas ka qenë mundësi e të tjerëve, që më pas është kthyer në privilegj.
Na detyrojnë të mëtojmë dëshminë e një fakti natyror.
Njohim tek martesa institucionin që ka nënshtruar gruan ndaj fatit mashkullor. Jemi kundër martesës.
Divorci është përbashkësi martesash, nga i cili ky institucion del edhe më shumë i përforcuar.
Përçimi i jetës, respekti, dhe kuptimi i saj janë eksperienca intensive të gruas dhe vlera që ajo kërkon t’i ketë.
Elementi i parë i mllefit të gruas ndaj shoqërisë qëndron në faktin se është e detyruar ta përballojë mëmësinë si ultimatum.
Denoncojmë denatyrimin  e mëmësisë që paguhet me koston e përjashtimit.
Mohimi i së drejtës për të abortuar hyn në veton globale që bëhet për autonominë e gruas.
Nuk duam ta mendojmë mëmësinë për gjithë jetën dhe të vazhdojmë të jemi instrumente të pavetëdijshme të fuqisë patriarkale.
Gruaja është e lodhur duke rritur një djalë që do të bëhet një partner i dhunshëm.
Në përballjet e saj, gruaja çliron edhe fëmijën dhe fëmija është njerëzimi.
Në të gjitha format e bashkëjetesës, të ushqyerit, pastrimi dhe përkujdesja në çdo moment të jetës së përditshme duhet të jenë gjeste reciproke.
Njohim karakterin mistifikues të të gjitha ideologjive, sepse nëpërmjet formave të arsyetuara të pushtetit (teologjik, moral, filozofik, politik), kanë detyruar njerëzimin t’i nënshtrohen një kushtëzimi joautentik dhe shtypës.
Pas çdo ideologjie shohim hierarkinë e sekseve.
Nuk duam më asnjë ekran mes nesh dhe botës.
Feminizmi ka qenë momenti i parë politik i kritikës historike të familjes dhe shoqërisë.
Unifikojmë situatat dhe episodet e përvojës historike feministe: në to gruaja është manifestuar si ajo që ka ndërprerë për herë të parë monologun e civilizimit patriarkal.
Ne identifikojmë në punët shtëpiake të pashpërblyera mundësinë që i krijon kapitalizmit, privatit dhe shtetit për të mbetur gjallë.
A do të lejojmë atë që vazhdimisht përsëritet në fund të çdo revolucioni popullor ku gruaja, që ka luftuar bashkë me të tjerë, të gjendet e lënë mënjanë me të gjitha problemet e saj?
Urrejmë mekanizmat e konkurrencës dhe shantazhit që ushtrohen në botën e hegjemonisë së efiçiencës. Ne duam që aftësitë tona punëtore t’i vëmë në dispozicion të një shoqërie imune.
Lufta ka qënë gjithmonë aktivitet specifik i mashkullit dhe modeli i tij i sjelljes burrërore.
Barazia e shpërndarjes është një e drejtë e jona, por shtypja jonë është një tjetër gjë. A na mjafton barazia në rroga kur kemi mbi shpinë shumë orë të tjera me punë shtëpiake?
Rishikojmë kontributet krijuese të gruas në shoqëri dhe zhbëjmë mitin e punës së saj ndihmëse.
Lartësimi si vlerë i momenteve “joprodhuese” është një zgjatim jete që propozohet nga gruaja.
Kush e ka pushtetin pohon: “Dashuria për një qenie inferiore është pjesë e erotizmit”. Ruajtja e status quo-së atëherë qenka një akt dashurie.
Le të përqafojmë lirinë seksuale në të gjitha format e saj, sepse kemi rreshtur së konsideruari “ftohtësinë seksuale” si një alternativë që na nderon.
Të vazhdojmë rregullimin e jetës mes sekseve është nevojë e pushtetit; e vetmja zgjidhje e kënaqshme është një marrëdhënie e lirë.
Është e drejtë e fëmijëve dhe e adoleshentëve kurioziteti dhe lojërat seksuale.
Kemi parë për 4 mijë vjet: tani po shohim më qartë!
Pas shpinës sonë qëndron apoteoza e supremacisë mashkullore. Fetë e institucionalizuara kanë qenë piedestali i tyre. Dhe koncepti i “gjenisë” ka krijuar iluzionin e të pamundurës.
Gruaja ka pasur përvojën ta shohë të shkatërruar çdo ditë atë që bënte.
E konsiderojmë të paplotë çdo histori që është e krijuar pa pasur gjurmë.
Civilizimi na ka definuar si qenie inferiore, kisha na ka thirrur “seks”, psikanaliza na ka tradhëtuar, marksizmi na ka shitur te revolucioni hipotetik.
Kërkojmë referenca të mendimit filozofik mijëvjeçar që ka teorizuar inferioritetin e gruas.
Për poshtërimin që na ka sjellë bota patriarkale cilësojmë përgjegjës sistematikët e mendimit: ata kanë mbajtur parimin e gruas sikur të ishte një shtojcë për riprodhimin e njerëzimit, lidhja me hyjnoren apo pjesë e botës së kafshëve; sferë private dhe mëshirë. Kanë justifikuar në metafizikë atë që ishte e padrejtë dhe mizore në jetën e gruas.
Le të pështyjmë mbi Hegelin.
Dialektika mjeshtër-skllav është një rregullim mes një kolektivi burrash: ajo nuk parashikon çlirimin e gruas, të shtypurën e madhe të civilizimit patriarkal.
Lufta e klasave, si teori revolucionare e zhvilluar nga dialektika e mjeshtër-skllavit, po njësoj e përjashton gruan. Ne e rivëmë në diskutim socializmin dhe diktaturën e proletariatit.
Duke mos u ndjerë të shëmbëllyera në kulturën mashkullore, gruaja ua heq iluzionin e universalitetit.
Burri gjithmonë ka folur në emër të njerëzimit, por gjysma e popullsisë tokësore e akuzon që ka “sublimuar një gjymtim”.
Forca e burrit është identifikimi i tij me kulturën, e jona është refuzimi i saj.
Pas këtij akti të vetëdijes, burri do të shquhet nga gruaja dhe do i duhet të dëgjojë nga ajo gjithçka që ka lidhje me të.
Nuk do të jetë fundi i botës, nëse burri nuk do të ketë më ekuilibrin psikologjik të bazuar mbi nënshtrimin tonë.
Realitetit përvëlues të një universi që s’i ka zbuluar kurrë sekretet e tij, ne i heqim shumë nga të drejtat që u janë dhënë mllefeve tw kulturës; Duam të jemi në lartësinë e një universi pa përgjigje.
Ne kërkojmë autenticitetin e aktit të revoltës dhe nuk do ta sakrifikojmë as në organizim e as në proselitizëm.
Do të komunikojmë vetëm me gratë.
Romë, korrik 1970
*Ky teks është përkthyer nga origjinali nga redaksia e Nyjes. 
 
 

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje