Liberalizimi i vlerave si shprehi e hipokrizisë.

11.07.2018 | nyje.al

Takimet letrare në qendrën rinore “Ata” rifillojnë me autorin dhe gjuhëtarin Ardian Vehbiu. Interesat e këtij autori dhe e platformës së komunikimit “Peizazhet e Fjalës” që ai drejton prej shumë vitesh, duket se përputhen shumë me interesat e këtij grupi për ndërtimin e një dialogu kulturor i kërcënuar nga mass media dhe format e tjera të komunikimit të komercializuara.

Pyetje: Në këtë udhëtimin e fundit në Shqipëri do të keni disa takime si autor, merrni pjesë në Festivalin e Prishtinës POLIP, ndërkohë që botohet në gjuhën greke dhe prezantohet në Panairin e Librit në Selanik një përmbledhje skicash të “Zotit Shyti”. Pra duket për pak se po bëni një jetë të vërtetë autori. Në fakt a ka një status të qartë autori shqiptar?
Përgjigje: Tani për të ardhur te pyetja juaj, po nisem më shumë nga përvoja ime personale si autor dhe si publicist. Janë dy faktorw që e kanë kushtëzuar të sotmen time: e para është distanca nga Shqipëria, fakti që kam qenë larg që në vitin 1990. Kjo nuk më ka bërë më të mirë as më të keq se të tjerët që janë këtu, por ofroj një këndvështrim të veçantë. Dhe së dyti është interneti pa të cilin nuk e di se çfarë do të kishte ndodhur me dëshirën time për të shkruar, pasi kontakti me Shqipërinë do të kishte qënë shumë i limituar, i vështirë dhe me siguri edhe nëse do të kisha filluar të shkruaja diçka do të isha futur në klishenë e autorit të diasporës që flet për mëmëdheun.

Ardian Vehbiu
Ardian Vehbiu

Kurse interneti më dha mundësinë për të qenë në kontakt me njerëzit, në komunitete virtuale arrita të identifikoja interesin tim për të ndarë mendime për politikën, pastaj për kulturën, fillimisht në gjuhën angleze pastaj në shqip. Mundësia për të folur për çështje historike, gjuhësore dhe kulturore më ndihmoi të gjeja ritmin me të tjerët. Kjo gjë vazhdoi për disa vjet, derisa së bashku me një grup miqsh vendosëm të krijonim blogun tonë “Peizazhe të fjalës” në vitin 2007. Prej 11 vitesh ky blog i shndërruar në revistë ekziston, është zgjeruar, transforumar, ka fituar lexues dhe autorë. Distancat vetëm në këtë mënyrë arrita t’i kapërceja.
Pyetje:Shpeshherë keni zgjedhur të shkruani nën një pseudonim…
Përgjigje: Pseudonimi të ndihmon për të shkarkuar peshën që të ka dhënë emri apo pseudonimi i mëparshëm. Shembull klasik që sjellin në këto raste është Fernando Pessoa, i cili shkruante ditarin në alter ego me emra të ndryshëm. Kjo nuk ishte një artificë, as përpjekje për të fshehur identitetin, por sipas autorit kështu ishte natyra e pjesës së shkruar. Autori ishte personazhi që ky kishte brenda vetes njëfarësoj. Kështuqë edhe kjo ka rëndësi, sepse në fund të fundit një pseudonim ose një emër letrar ose emri i një autori të cilin ti nuk e ke takuar ndonjëherë, nuk është gjë tjetër vetëm tërësia e tekstit që ke lexuar prej tij.
Pyetje: Maks Gjerazi fillimisht ka qënë pseudonimi juaj në rrjetet sociale, më pas e kthyet në personazh dhe autor i cili rrëfen histori tek “66 rrëfimet e Maks Gjerazit”. Çfarë mundësish i jep autorit real të veprës një personazh që është në të njëjtën kohë dhe autor i rrëfimit?
Përgjigje: I jep distancë. Nëse unë do të thoja gjërat në vetë të parë, lexuesi gjithmonë ka prirjen, me të drejtë, t’i shikojë si autobiografi, domethënë që shkrimtari po flet për jetën e vet ose për gjëra që ka jetuar ose mund t’i kishte jetuar. Ndërsa nëpërmjet një personazhi që flet në vetën e parë, ke krijuar një distancë. Disa gjëra mund t’i faturohen atij personazhi dhe autori bën një hap prapa, duke u larguar nuk është më personazh në skenë, domethënë është më mbrapa, megjithëse ai është në një devizë tjetër. Nuk është se e kam shpikur unë këtë. Kur një autor krijon një personazh ose një autor të dytë të cilin e sjell sikur e ka gjetur në një arkiv ose në një bodrum, apo dorëshkrim, është një artificë që nuk është thjesht manierizëm, ndihmon për të krijuar distancën e nevojshme të narrativës. Mua më ka ndihmuar në mënyrë të tërthortë edhe për rastin e personazhit të Zotit Shyti.
Pyetje: Pyetja pak më lart për statusin e autorit, kishte parasysh marrëdhënien apo marrëveshjen që ky autor ka me shtëpitë botuese dhe me tregun. Pra flasim tani për autorin e librit jo thjesht autorin e revistës apo autorin e esesë.

Ardian Vehbiu
Ardian Vehbiu

Përgjigje: Formati i të shkruarit rregullisht në një faqe online më ka ndihmuar të krijoj një raport të lehtë me lexuesin. Pa e menduar si personin që do të blejë, por thjesht si njeriun që po komunikoj me të sepse vetë formati i internetit e përjashton idenë e blerjes së objektit. Si është të jesh autor online e të jesh edhe autor librash që shiten në treg? Unë më përpara kam provuar të parin, pastaj kam kaluar tek e dyta me dëshirën gjithnjë të kem një libër (nuk ka shkrimtar të mos ëndërrojë të ketë një libër, qoftë edhe një). Mbaj mend që kur kam marrë “Kullën e Sahatit”, u preka. Nuk ishte libri i parë, por ishte libri im i parë shqip. Botuesi Ardian Klosi e pat kuruar me shumë kujdes. Dhe sa për kuriozitet ky është libri im i parë dhe i fundit që është shkruar me dorë, me stilolaps, se të tjerët janë të gjithë të shkruar me kompjuter.
Pyetje: Sapo u mbyll në Tiranë panairi i librit nga Klik Ekspo Group dhe sërish ne ndërtuam një pazar të librit. Pati disa aktivitete me autorë të ftuar por ishin të mjerueshme. Stendat dhe arkitektura e panairit dukeshin si qeli burgu. Pra aty mungonte ky ajri që krijon autori, që krijon vërtet marrëdhënie, komunikim me lexuesin. Përse e kemi ne kaq të vështirë ta vendosim autorin në qendër?
Përgjigje: Nuk kam pasur eksperienca të mira me panairet, megjithëse kam marrë pjesë disa herë me librat e mi, madje nganjëherë i kam programuar të dalin pak përpara panairit që të bëhen prezantimet dhe nuk e di sa e mënçur ka qenë kjo si politikë, por gjithnjë ka qënë si një shije e hidhur në gojë, sepse ti shkon atje dhe të duket vetja sikur je në dyqan. Është një vend ku libri synohet të shitet por jo të vlerësohet si produkt kulturor, më shumë vlerësohet si mall. Edhe kur kam shkuar në prezantime është si klishe që nuk lëviz nga panairi në panair, nga sezoni në sezon. Zakonisht askush s’e ka lexuar librin, sepse libri sapo ka dalë kështuqë do flitet për gjëra të përgjithshme; autori do të thotë ndonjë kuriozitet, do t’i bëjnë ndonjë pyetje për kopertinën, do të thonë përse ia ke vënë këtë titull se nuk e kanë lexuar librin dhe pastaj do të blihen disa libra e do të kërkojnë t’i nënshkruash. Kisha mundësinë të isha në panairin e Selanikut i cili si hapësirë ndoshta është 3-4 herë më i madh sesa hapësira e Pallatit të Kongreseve. Pata përshtypjen që atmosfera ishte më pak komerciale. Më shumë i kushtohej vëmendje kontakteve të autorëve me lexuesin, me botuesin, me njëri-tjetrin, takimeve me autorin jo takimeve për të prezantuar libra, jo takimeve info-merciale. Kështu që ndoshta është kjo që u ka munguar panaireve të librit tek ne, vëmendje e madhe tek shitja, vëmendje e madhe te disa autorë të rastit të cilët janë përkthyer me shpejtësi ngaqë janë superkomercialë, që duhen shitur menjëherë brenda pak ditësh për të mbuluar shpenzimet e librave të tjerë dhe mospërfillja ndaj atyre autorëve që janë në fakt baza e komunikimit letrar shqip.
Pyetje: A e vë kjo autorin në një pozitë inferiore?
Përgjigje: E bën autorin nervoz, pasi për çdo autor libri është i dhimbshëm, është sakrificë.
Pyetje: Po flasim si për një profesion në të zezë. Autorë që nuk kanë kontrata…
Përgjigje: Pretendimi më minimal është: libri të shkojë në librari, te lexuesi. Ndërkohë që më pyesin miqtë e mi në rrjetet sociale “ku ta gjejmë librin”? Ai që pyet mund të jetë në Pejë. Ti pyet botuesin tend “po ja është tek Adrioni”. Ky është realiteti. Një librari në pesë milion. Procesi i kalimit të librit nga autori tek lexuesi transformohet në një hob.
Pyetje: Pastaj transformohet në legjenda televizive. Marrin një mësuese nga Lezha dhe e bëjnë heroine, sepse me kamionçinën e saj shpërndan libra nëpër shkollat e fshatrave…
Përgjigje: Po dhe pastaj kërkon atë shërbimin nëpërmjet një gjesti spektakolar të dikujt, që në fakt ai gjest vetëm sa tregon ekzistencën e një problemi dhe nuk zgjidh asnjë gjë.
Pyetje: Diçka që ka të bëjë drejtpërdrejtë me procesin, mënyrën sesi e ndërton ti një personazh. Nëse te Maks Gjerazi ne kemi gjuhën personazh për të zbërthyer një sistem diktatorial, te Zoti Shyti kemi një personazh, misioni i të cilit është ndërtimi i një vetëdije dhe një dialogu. Dalim sërish tek ajo që ti ke krijuar si një mision tëndin.
Përgjigje: Në rastin e Maks Gjerazit kjo është e vërtetë. Aty ka shumë histori të shkurtra personazhesh që hyjnë e dalin dhe rishfaqen nga një rrëfim në tjetrin, por rëndësi ka që këta janë të kapur në gjuhë. Janë si ato mizat që ngjiten tek letra, – mbase s’keni parë ndonjëherë letra mizash të tilla, – por dikur nëpër gjelltore të vjetra ka pasur letra që vareshin nga tavani dhe aty ngjiteshin mizat. Ose do themi si mizat në mjaltë. Domethënë ti ngjitesh në gjuhë, si në rastin e Maks Gjerazit. Gjuha aty është personazhi apo motori që vë në lëvizje narrativën.
Ndërsa te Zoti Shyti, që njëfarësoj rimerr historinë e Maks Gjerazit, qëllimi ka qenë tjetër. Shyti është një shfaqje teatrale e shkruar në prozë, ashtu siç di unë ta shkruaj, por po të kisha qenë dramaturg ndoshta do t’i kisha dhënë tjetër strukturë. Te librat “Kusuret e Zotit Shyti” dhe “Ndërhyrjet e Zotit Shyti” struktura e gjuhës është orale. Zoti Shyti përpiqet ta ndërtojë botën rreth vetes nëpërmjet fjalës së folur, oralitetit. Këtë botë e shikon të ndërmjetësuar nga mediat, sepse janë mediat që ia sjellin realitetin, edhe kur nuk i hedh poshtë, nuk i denoncon, edhe indinjata që ka ndaj tyre është si një motor që i jep energji në skenën e kafenesë, dhe kjo vjen ngaqë hutohet me mediat. Janë mediat ato që e vënë në lëvizje.
Pyetje: Thuhet që krijimi i një raporti empatie mes lexuesit dhe historisë që ai lexon është e rëndësishme, sepse në këtë mënyrë lexuesi do të ketë mundësinë për t’u identifikuar me personazhet dhe për të gjetur nëpërmjet tyre zgjidhjen e dilemave në jetën reale. Cila është marrëdhënia ideale mes lexuesit dhe autorit?
Përgjigje: Për Shytin ka pasur dhe ka akoma simpati ndaj tij, është si një figurë që ua ka plotësuar diçka në jetë si figurë. Është një figurë që e presin me një lloj interesi emocional, që e kapërcen kuriozitetin. Ndërsa Maks Gjerazi ishte projekt i tjetër lloji, duke qenë se ai ishte fillimisht personazh në forumin e internetit, njerëzit e njihnin si një dadaist që bënte shakara, dhe jo si kritik të totalitarizmit.
Sjellim në vëmendje një pasazh nga “Kusuret e Zotit Shyti”i cili ka të bëjë me atë çka krijon media. Është një skicë e cila duket se i paraprin një realiteti sepse edhe riciklohet kaq shpesh realiteti ynë sa duket sikur na tregon gjithmonë të njëjtën faqe. Skica titullohet “Zoti Shyti shpjegon ndryshimin mes trupit dhe turpit”:

“Ka qenë një kohë, tha z. Shyti, që e mbaj mend edhe unë se e kam jetuar, kur njerëzit kishin filluar ta lëviznin bishtin në privat, burrat shkonin me gra të tjera nga e tyrja, gratë shkonin me burra të tjerë nga i tyri dhe vice-versa (dhe vice-versa!), por në publik ishin të detyruar të shpallnin besnikërinë e tyre ndaj parimeve, rregullave dhe tabuve të moralit tradicional, sepse ashtu e kërkonte puna, vendi dhe kuvendi. Kështu, burri që kthehej nga një takim me të dashurën, i bërtiste pastaj së bijës, se kjo rrinte shumë në telefon “me atë tipin”, ndërsa gruaja, menjëherë pasi kish provuar në banjë dhuratën intime të dashnorit, i shpjegonte të birit pse nuk u duhej zgjatur vajzave të klasës. Ky ka qenë realiteti atëherë, tha z. Shyti, dhe të gjithë bënim si bënim dhe përshtateshim. Por tani kohët kanë ndërruar, vazhdoi z. Shyti; sepse tani të gjithë në publik janë ultra-liberalë dhe deklarohen për lirinë e plotë seksuale, promiskuitetin dhe erotizmin publik, si shenja të demokratizimit të marrëdhënieve midis sekseve; sepse ashtu edhe i afrohemi Europës, së paku Europës së trotuareve, ose, edhe më së paku akoma, Europës së një takëmi trotuaresh; mirëpo në privat po tregohemi gjithnjë e më të rreptë me njëri-tjetrin, aq sa dashurinë e përdorim e shumta si mjet, por jo si qëllim. Prandaj edhe ndodh që një grua e hijshme të shqiptohet në televizion për nevojën që të rinjtë të përjetojnë trupin, jo turpin; dhe të sqarojë, për shembull në një emision fëmijësh, se ndrydhjet seksuale përftojnë perversione financiare sikurse e kundërta, ndrydhjet financiare përftojnë perversione seksuale; por po kjo grua pastaj të mund të ketë edhe vite pa fjetur me një burrë a me një grua, për të mos përmendur alternativa të tjera; dhe erotizmin të ketë sërish vite që ta ketë shijuar ekskluzivisht në sallonin e flokëve. Sot liria seksuale është diçka që deklarohet, jo që shijohet, sqaroi z. Shyti; ose të paktën diçka që nuk shijohet kur deklarohet, njëlloj sikurse ka qenë dikur diçka që nuk deklarohej kur shijohej. Unë jam rritur, vazhdoi mërzitshëm z. Shyti, në një kohë kur femrat druheshin mos mbeteshin shtatzëna edhe pas një tangoje konvulsive me mësuesin e punës me dru; por sot mund të gjesh femra që refuzojnë të mbeten shtatzëna edhe pasi martohen, ngaqë kanë frikë se kjo do t’u rrezikojë performancën e tyre në tango, për ta thënë figurativisht. Njëlloj, burrat e djeshëm bënin kërdinë në krevatet e grave të botës, por në publik hiqeshin sikur druheshin prej tyre, aq sa edhe radhët i mbanin veç e veç; ndërsa sot, e mbylli më në fund z. Shyti, suksesi seksual i burrit është diçka me të cilën ai mburret me kolegët e vet në publik, ndërsa frustracionin e konsumon në heshtje, para ekranit të laptop-it, i shtrirë në krevat.”

Pyetje: Liberalizimi i vlerave, pse abuzohet kaq shumë dhe çfarë nevoje kanë për ta ekspozuar këtë qëndrim në publik?
Përgjigje: Kanë qejf të përdorin shprehje “pa komplekse” në çdo kontekst, “të jemi pa komplekse”, “ai është pa komplekse”. Po, është e nevojshme të prezantohet në publik pa komplekse sidomos nëse kërkon të bëjë përpara në shoqëri, në jetë, në punë etj. Nuk di të them sesa janë liberalizuar vlerat, por mund të them që shpesh nuk ka asnjë lidhje mes asaj që themi dhe asaj që bëjmë, dhe atyre që themi se bëjmë. Ato që themi janë dëshira për t’i pasur si narrativat tona. Ky antikonformizëm në raport me vlerat tradicionale, qoftë dhe me ato patriarkale ka krijuar konformizmin e vet sepse është një trysni që vepron mbi personat publik duke ua imponuar një sjellje të caktuar. Të mbajnë rolin që e kanë të pamundur që ta mbajnë. Kjo i bën njerëzit hipokritë, idiotë.
Pyetje: Pra “liberalizimi i vlerave” qenka si një lloj censori që njerëzit e përdorin në publik për të fshehur problemet vetjake. Po për autorin a ekziston censura sot? A ka pasur raste që e ke parë se tek ty vepron censura?
Përgjigje: Natyrisht, madje më vjen zor ta pranoj, se më duket pak e turpshme. Për mua preokupimi kryesor është forma. Censura është formale, nuk ka të bëjë me përmbajtjen. Unë e censuroj veten dhe fort madje. Është qesharake ta thuash, por ndonjëherë edhe një paragraf duhet të jetë “aq” i gjatë dhe jo më shumë. Mundimi im më i madh është nga ana formale, tek ritmi i fjalisë, tek raporti midis paragrafëve, nëse është i gjatë, pasuesi nuk mund të jetë shumë i shkurtër sepse e thyen, përveçse nëse unë dua vetë që të thyhet. Për mua, teksti që kur kam filluar të shkruaj, ka një strukturë muzikore.
Pyetje: Për çfarë e ka fjalën një personazh të Zoti Shyti, kur thotë që “ankthi e bën shkrimtarin, shkrimtar”?
Përgjigje: Më kujtove Frojdin, i cili shpesh i referohej Kierkegardit duke e përkufizuar ankthin si “simpati antipatizante, ose antipati simpatizante”. Duket si lojë fjalësh, por besoj ka një të vërtetë të thellë aty. Është kjo ambivalencë, ose pamundësia për të reaguar në mënyrë koherente ndaj realitetit që të detyron të shkruash në mënyrë që të gjesh një balancë. Të detyron të gjesh një ekuilibër më të qëndrueshëm. Nabokovi ka një vend ku thotë që “e vetmja letërsi është ajo që shkruhet në mënyrë ekstatike”. Edhe në fakt po t’i lexosh veprat më të mira të Nabokovit, e kupton mënyrën e të shkruarit ekstatik. E lexon dhe thua “Obobo! Po unë!” Ankthi është ai që i paraprin ekstazës, fillimisht akumulohet pastaj shpërthen dhe këto janë kushtet ideale të shkrimit. Unë shumë rrallë e arrij atë. Mendoj se vetëm te libri “Kulla e sahatit” e kam arritur atë gjendje.

Intervistë e shkëputur nga takimi me autorin dhe gjuhëtarin Ardian Vehbiu.
Kamëz, maj 2018
©nyje.al

Na ndiqni në:
Follow by Email
Facebook
YouTube
Instagram

Lini një Përgjigje