Le të hamë rrugën “Iliria” sot për drekë

09.12.2018 | nyje.al

A përfaqësohet suksesi i një bashkie me gjatësinë e kilometrave të shtruara me asfalt? E pyeta veten një ditë tek bari më i ri i hapur në qytet teksa po lundroja në faqen e bashkisë Kamëz në rrjetin social facebook. Kontrollova deri sa nuk e humba durimin dhe kjo gjë më kujtoi shumicën e postimeve të instagramit me kokteile nëpër pube apo ëmbëlsira në pastiçeri. Në pothuajse të gjitha postimet e faqes së bashkisë dominonin lajme mbi rrugë të shtruara. Rruga “Burimi”, “Macukull”, “Ismail Qemali”, “Bujar Lako”, “7 marsi”, “Eqrem Ҫabej”, rruga “Iliria” me 780 metra, “Kuvendi i Dibrës”, “Faik Halil Hoxhaj”, apo rruga “Horizonti” së bashku me fotot shoqëruese të kryetarit me ekipin kontrollues që ngjanin sikur po bënin trailerin e ndonjë filmi aksion.

Provova të kontrolloja bashki të tjera për të parë homologët bashkiak por në çastin kur sa po shikoja bashkinë Pukë, u ndërpre Wifi-ja duke ma lënë kontrollin në mes. Mbi 70 projekte dhe investime për rrugë të shtruara në gjithë territorin e Kamzës. Ishte si trend i kohës.

Por pse vallë gjithë ky obsesion me rrugët, pyeta sërish veten para se që të vendosja të largohesha nga aty. Nuk po e kërkoja me ngut përgjigjen e kjo nuk do zgjidhte asgjë në këtë mes por nuk më la kureshtja për t’i shkuar deri në fund kësaj seance meditimi. -Por edhe po më shijonte si një sfidë dinjitoze. Aq më tepër unë që përshkoj gati 4 km çdo ditë nga shtëpia në vendin e punës. Shkelja dhe përdorja gjithë këto kilometra dhe për një moment mu duk vetja mosmirënjohës.

Kur isha i vogël mendoja që rrugët e qytetit kanë pronar kryetarin e bashkisë. Dhe ashtu si pronarët e shtëpive private që kur luanim me top kur ishim të vegjël, dilnin e na bërtitnin duke na dëbuar ashtu do bënte kryetari nëse i dëmtojmë rrugët, hedhim mbeturina, apo vjedhim kabllot elektrik. Por nuk funksiononte kështu.

Duke pranuar plogështinë time përballë kësaj panorame të ngatërruar mendoj që kam gjetur disa arsye të kësaj sjellje prej kryebashkiaku.

Së pari, rrugët, mjerisht në Shqipëri dhe sidomos në zonat e varfëra, vazhdojnë të jenë dhe interpretohen si suksesi më i madh i një bashkie apo force politike.

Së dyti, kryebashkiaku i ardhur prej zonave të thella malore, atje ku komunikimi mes njerëzve e agjencive të shërbimit publik ishte i kushtëzuar nga terreni i thyer, e ka të vështirë t’i shpëtojë mrekullisë, patetizmit dhe të shijojë ecjen drejt, shpejt dhe pa pengesa.

Së treti, për shumicën e grave- të papuna dhe ato të moshuarat më shumë, në rastin kur nuk janë të manipuluara dhe “të shitura” politikisht, kur gjenden përballë fletës së votimit, kaë një arsye të fortë për të votuar një bashkiak: që ai të vazhdojë të shtrojë rrugët e qytetit me asfalt.

Së katërti, vlerësimi maksimal për rrugët vjen nga një popullsi e ardhur shumica nga zonat malore veriore, (Kukësi, Burreli, Tropoja, Lezha etj) e cila ka vuajtur mjaftueshëm shërbime infrastrukture. Kaosi që i kanë shkaktuar qenies njerëzore në këtë pikë shkon deri aty sa një pjesë e madhe e komunitetit kuksian e quajnë akoma autostradën Durrës-Kukës-Morinë, “Udha e Sali Berishës”.

Së pesti, duke mos pasur një rival tjetër, një të shkuar politike të qytetit të Kamzës, një kandidat tjetër që kushedi me ç’do merrej a çfarë fokusi do kishte, kryebashkiaku bën atë që i duket më e rëndësishmja për veten e tij dhe këtë sigurisht duke njohur dhe peshuar shumë mirë shijet e banorëve… prej 16 vitesh. Për aq kohë sa ka qëndruar në pushtet sikur nga një banor në ditë të takonte dhe të pyeste për preferencat e tij, kjo do mjaftonte të mbulonte mbi 20% të popullsisë së gjithë qytetit të Kamzës. E gjitha kjo një pjesë, që ngjan me këlyshët e kangurit që qëndrojnë në xhepin marsupial të nënës së tyre e që presin që një ditë të dalin vetë në terren.

Gjerba për të fundit herë kafen dhe shikoj kuponin tatimor. Nuk e di pse sytë më shkojnë gjithmonë te numri rendor në fund të faturës. Kjo më ndodh pothuajse me të gjitha lokalet e reja. Numri nëntë dhe ishte ora një e drekës. Vetëm me një vështrim të shpejtë mund t’i numëroje 10 tavolina në atë çast. Lashë lekët mbi tavolinë dhe dola sërish për t’i shijuar rrugët, së bashku me atletet e reja që kisha ditë që nuk i pastroja.

Na ndiqni në:
Follow by Email
Facebook
YouTube
Instagram

Lini një Përgjigje