“Kufijtë nuk i adhuroj”- Gazmend Kapllani

13.10.2017 | nyje.al

Kufijtë nuk i adhuroj. Që të jem i sinqertë, as nuk i përçmoj. Thjesht i kam frikë dhe ndihem keq kur jam fillikat me ta. E kam fjalën, kryesisht, për kufijtë e dukshëm, gjeografikë, ata që ndajnë nga njëri-tjetri vendet, shtetet, kombësitë. Akoma edhe sot, në një botë ku kufijtë po bëhen gjithmonë e më shumë porozë, kur i kaloj më kaplon një ndjenjë e çuditshme: një përzierje çlirimi dhe drojtjeje. Kjo ndodh ndoshta për shkak të pasaportës që mbart me vete. Sidoqoftë, jam mësuar tashmë që kufijtë të më shohin me dyshim. Unë i shoh ata me përvëlim, me padurim që të kaloj në anën tjetër, kurse ata më vështrojnë thuajse gjithmonë me armiqësi ose me përçmim. Unë mundohem t’i marr me të mirë, t’i bind se nuk rrezikojnë prej meje, por ata sajojnë gjithmonë ndonjë pretekst për të më përzënë ose për t’iu shmangur një marrëdhënieje të barabartë me mua. Për të gjitha këto arsye, nuk e kam të vështirë të them se, prej shumë kohësh, vuaj nga sindroma e kufijve. “ Gazmend Kapllani, “Ditar i shkurtër kufijsh”

Në kuadër të projektit “Andrra” mbështetur nga Ministria e Kulturës, autori Gazmend Kapllani ishte i pranishëm për të folur mbi librin e tij “Ditar i shkurtër kufijsh” në takimin e klubit të librit, datë 13 tetor, pranë qëndrës rinore ATA.
Gazmend Kapllani ka lindur në Lushnjë më 1967. Pas rënies së komunizmit emigroi në Greqi, ku fillimisht punoi në ndërtim dhe shitës kioske. Njëkohësisht mbaroi Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Athinës dhe është Doktor i Arteve të Universitetit Panteion të Athinës. Është autor i 2 romaneve, të përkthyera në gjuhë të ndryshme. “Ditar i shkurtër kufijsh” është romani i tij i parë, shkruar greqisht dhe botuar në italisht, frëngjisht, anglisht, polonisht dhe danisht.
Aktualisht Gazmend Kapllani jeton mes Europës dhe SHBA-së, ku punon si lektor i Letërsisë dhe Historisë së Europës në Emerson College në qytetin e Bostonit.

Na ndiqni në:
Follow by Email
Facebook
YouTube
Instagram

Lini një Përgjigje