Josef K shkon në plazh

Pavjo Gjini | 04.07.2020 | nyje.al 

Imazh i marrë nga Grand Rapids Art Museum
Imazh i marrë nga Grand Rapids Art Museum

Pasditen e një të premteje pandemie, në autobuzin e linjës plot e përplot rrugës së kombit, vetja të duket si kafshët përmbi njëra-tjetrën tregjeve të gjësë së gjallë të Wuhan-it. Drejt bregdetit pakufi, si peshqit e mbeturinat rrjedhohemi në horizontin e pamatë. Por në autobuz, tjetër mision po përmbushet. Do të shpëtojmë turizmin, na ka bërë thirrje komandanti me shku në front, një komb i bashkuar përmbi vdekje. ‘Na duhet të shijojmë’, është thirrja për luftë. Lufta është aq jetike sa nuk jemi të sigurtë në do ketë as doktorë për të plagosurit. Ama gjithsesi po shkojmë. Lufta është aq epike. Iliada tregonte sikur Troja rezistoi për 9 vite. Homeri mashtroi siç u ka hije poetëve. Epikat reale të ngjashme me Trojën zgjasnin disa javë. Për këtë tonën një verë do të mjaftojë, imagjinoni një iliadë verore pa sezon të dytë. Kurrë s’do na shijojë më shumë bregdeti, kur mendojmë dimrin e valës së madhe që po vjen, jo të barbarëve; barbarët tashmë jemi ne.

Kufirin e kalojmë pa kontrolle. Temperaturat janë tepër të larta për t’u matur. Më kujtohet përgjatë tërmetit kur romët e pastrehë i kthenin në kufi, mes refuzimit të Kosovës e Shqipërisë, i kishin rrasur në fund të autobuzit dhe po i kthenin në Durrësin i cili i kishte hedhur pupthi tutje. Tashmë pllakat po rehatoheshin dhe romët po i rithithte gjeratorja.

E ndërkohë që autobuzi është bërë kafaz drejt jugut, a burgut, më rivjen tregimi për Tartin. Pasi vizitova Spaçin para rreth 2 muajsh për herë të parë, nisa të lexoja për revoltën e 21-23 majit të 1973-it. Për tre ditë të burgosurit politik të diktaturës, pasi njëri prej tyre, Pal Zefi, si skllavi te miti i Shpellës së Platonit ishte vetëshprangosur nga izolimi, kishin ndjekur Palin dhe kishin marrë në kontroll burgun. Mes rezistuesve ishte edhe Tarti, qeni i rastisur brenda rrethimit dhe i miqësuar shumë me të burgosurit. Tarti thonë të burgosurit, jo vetëm që tentonte t’i pajtonte ata mes vetes, por gjatë revoltës ishte hedhur në rezistencë dhe sulmonte forcat speciale që kishin ardhur të shtypnin revoltën. Pas mposhtjes së revoltës, Tartin e kishin torturuar deri në vdekje. Ishte i pesti pas 4 të dënuarve me vdekje për kryengritjen.

Franz Kafka i ka rënë në qafë kot qenit në fundin e Procesit kur thotë se personazhi vritet me kokën në një rrasë guri ‘si qen’ nga dy oficerët shoqërues. Josef K-ja vdes si njeri, sepse e vrasin njerëzit. Njerëzit nuk janë më shumë sesa kafshët, por më pak se ta. Negativiteti i pareshtur, i parehatuar, ajo fuqi e pamatë mohimi i bën njerëzit më pak se asgjë. Kafsha është pohim i kulluar. Kafsha s’di të mos jetë.

Ndërkohë gruaja ulur përkrah meje në autobuz, ferri im siç do thoshte Sartri, është thellësisht e bezdisur prej meje dhe unë prej saj. Një humor lufte është gati të na kaplojë. Maska ime e zezë, e vënë pikërisht për atë, po ia rrezikon përgatitjen e saj për të shijuar një liri me kusht që kemi marrë. Solemnitetin tonë e shoqërojnë bishta sysh për ndonjë goditje të mundshme pabesie. Një pjesë e jona mezi e pret goditjen e parë.

Ndërkohë në qytetet e ndryshme të vendit tonë të cilat përshkohen nga rruga e kombit, pozitivët e pandemisë janë parë të enden rrugëve, të vazhdojnë punën e përditshme dhe respektin e dorëdhënies për miqtë e tyre. Teksa shkojmë jugut të pakufi, teksa çalojmë nga kolla në kollë si një shirit kasete i kapur keq, më duket se prej kësaj pandemie sfida më e madhe do të jetë që të rimësojmë të përballemi në rezistencë me armikun-njeri si ne, sy më sy, pa e vrarë atë gjithnjë si në pabesi. Edhe vrasja e armikut të bën të pabesë nëse nuk kryhet në mënyrën e duhur. Prej kësaj pandemie ndihem një armik i padenjë për gruan që kam përkrah e cila tashmë prej gjumit thuajse është dorëzuar në supin tim. Nuk dua ta vras. Mund ta kem vrarë tashmë.

Na ndiqni në:
Follow by Email
Facebook
YouTube
Instagram

Lini një Përgjigje