HEC-i në Park Kombëtar, Zall-Gjoçaj padit institucionet në SPAK

Ronald Qema | 19.02.2021 | nyje.al
Banorët e Zall-Gjoçaj dhe aktivistë të kauzës mjedisore kanë dorëzuar sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, një padi kundrejtë institucioneve dhe krerëve të tyre për lejimin e ndërtimit të HEC-it në Park Kombëtar. Institucionet e paditura janë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjensia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Bashkia Mat dhe ekspertë të mjedisit që kanë dhënë ekspertiza të pavërteta.

Aurora Leka | Aktiviste / Paraligjore

“I paditur është Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Z.Klosi, i cili ka lejuar që ministria e tij përkatëse dhe vetë ai, të nënshkruajnë një kontratë me një shoqëri ndërtuese për ndërtimin e një hidrocentrali në Park Kombëtar. është Kryetari i Bashkisë së Matiti i cili dërgon herë pas here shkresa gjykatave duke ju thënë se banorët paditës nuk janë banorë të Zall-Gjoçaj dhe nuk legjitmohen për të kërkuar të drejtën e tyre. është ky zotëria, Zamir Dedej, i cili thotë se nuk ka mjete në Park Kombëtar. Janë të gjithë këta ekspertët që kanë hartuar deklarata mjedisore e ekspertiza të tjera të cilat thonë se ky ndërtim nuk shkakton asnjë dëmtim në Parkun Kombëtar, ndërkohë që ne kemi një vendim të Gjykatës Administrative i cili nuk e lejon të prodhojë energji në këtë Park Kombëtar.”

Fjalët e protestuesëve u dëgjuan dhe u projektuan përballë hyrjes së SPAK

Të pranishëm ishin vetëm pak banorë për shkak të moslejimit të grumbullimit të personave në masë, por dorëzimi u shoqërua me një “protestë virtuale” ku aktivistë, banorë të zonës dhe qytetarë të ndryshëm shprehën solidaritetin me banorët e zonës dhe këtë kauzë që sipas tyre u përket dhe duhet tiu përkasë të gjithëve. Ndër banorët e zonës të pranishëm nuk mund të mungonin Hasani, Ademi, Dhimtri, Abdiu e burra të tjerë që udhëtojnë çdo seancë me orë të gjata për të marrë pjesë në to.

Adem Gjokola | Banor i Gjoçaj

“Ne kemi vazhdu betejat tona, kemi 2 vite e gjysmë që mbrojmë Parkun Kombëtar dhe ujin e pijshëm. Tani ne i drejtohemi SPAK-ut, kemi besim se kjo gjykatë do të na japë të drejtë.”

Kjo është padia e katërt që kjo kauzë ka ngritur në Gjykatat e vendit tonë, përgjatë të cilave kanë pasur disfata por edhe vendime në favor të tyre. Paditë e refuzuara janë ankimuar në shkallën  e Apelit, ndërsa ajo kundër Entit Rregullator Energjitik është marrë vendimi në favor të banorëve.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje