Derisa trau të na ndajë

Fejton | 08.10.2018 | nyje.al

– Duhen rregulluar dhe këto punë. A fole me ato të makinës?!
– Po babë po. Nesër nisemi paradite. Do dalim pak herët se rruga ha kohën e vet dhe nga ora 11 duhet të jemi atje. Kështu i’u thash dhe atyre. Janë nga Kukësi dhe i kanë merak oraret. Duhen bërë herët këto punë. Me dritë, – kështu thonë ata. Kam marë dhe disa makina me qera. Plot. Të dali më bukur. Por shkuan goxha shpenzime. E të gjitha me borxh.
– Njëherë martohet njeriu.
– Prandaj thashë dhe unë. Të shkojmë si na ka hije ne burrelsave. Dhe ne kemi traditat tona. Pastaj sa më i gjatë rrjeshti i makinave aq më i madh reputacioni.
Ishte ditë e diel. Dielli shumicën e kohës fshihej pas reve sikur të kishte frikë nga pastërtia e qiellit. Në mëngjes, sa doli drita, dhëndrri u bë gati. U qeth, drejtoi flokët, u rruajt nga djali i xhaxhait mes batutave të afërmve të tjerë për formën e kokës, qimet e pakta në fytyrë apo misionin që po e pret. Vuri me kujdes kravaten e doli nga shtëpia. Makina e parë u drejtua nga ai. Të tjerat erdhën pas. Në sendiljen prapa u ul xhaxhai i madh. Ai jepte këshilla shpeshherë dhe mbahej si më i zgjuari i fisit. Karvani i makinave ngjante me garues si në maratonat e Bostonit. Shumë pjesëmarrës. Shamia të kuqe, tollumbace, duar që tundnin fasoleta jashta dritares, shoqëronin galanë e borive të cilat nuk pushuan deri në dalje të lagjes. Befas një makinë parakaloi karvanin e doli në krye. Më vonë u dallua se kush ishte ai që guxoi ta bënte këtë gjest. Duhej filmuar skena. Kameramani kishte nxjerrur gjysmën e trupit jashta ku herë qëndronte mbi kabinën e makinës dhe herë dilte nga dritarja e sendiljes së parë. Të vetmet raste kur pushonte ishte kur filmonte makinën e dhëndrrit prapa duke drejtuar objekivin nga pasqyra e makinës. Pjesa më e bukur për tu xhiruar siç e kuptuan më vonë ishte pjesa e tunelit, 5.8 km i gjatë.
Pasi kaluan tunelin, shikojnë një platformë gjigande metalike të ndarë në pista e ku çuditërisht kishte trafik makinash. Pasi ishte kthyer nga emigrimi, që prej tre vitesh, kjo ishte hera e dytë që e bënte këtë rrugë. Nuk e mbante mend këtë. U afrua pranë makinës që qëndronte para tij e dëgjoi një bisedë mes operatorit që ishte në kabinë dhe shoferit që tregonte lejen e qarkullimit. Dogana ishte ne Morinë, jo në Kolsh, – mendoi. Ç’ne kjo barrierë. Unë jam kuksian. Paguaj më pak, – dëgjoi një zë nga korsia tjetër.
– 5 euro ose 660 lek, – pohoi operatori akoma pa përshëndetur.
– Për çfarë është kjo?
– Taksë e rrugës.
– E kur u bë kjo?
– Që të Hënën, me datë 17.
Ktheu kokën mbrapa dhe shikoi makinat varg që qëndronin pas tij. Duhet pasur shumë kujdes pasi në ditë të shenjta si këto ndodhin fatkeqësi. I’u kujtua kjo profeci e nënës së tij përpara nisjes por nuk ishte rasti. Dalloi xhaxhain mbrapa që ngreu pak lart copën terital të pantallonave, uli çorapin e zi dhe nxorri nga aty disa lekë. Ishin disa pesëmijshe të palosura në katërsh për së gjati.
– Hehe, jo xhaxh jo. S’është nevoja. S’ke ti punë me këto. Nuk dalin për të gjithë makinat. As unë s’kam lekë shumë me vete se nuk prisja. Janë mbi dyzetë makina me duket. Duhen dyqind euro a më shumë.
– Jo zoti mos e thashttë. Ma jep telefonin ktu se foli unë me atë mikun. E zgjidhim. E di unë se ça bëj. I themi ta sjellin nusen deri këtu se e kalojmë n’kàm. Pse me harxhu gjithë këto lekë për hiç gja. Hapi derën dhe doli me nerva nga makina. Gjatë kohës që fliste trafiku u bë dhe më i rënduar. Disa nuk e kuptonin se çfarë po ndodhte aty. Diç i tha operatorit në kabinë dhe u kthye për nga makina ku ishte dhëndrri. Pas çerek ore nga krahu tjetër i pistës, ku pamja ndërprehej nga trau, dalloi disa makina që po vinin përballë.
Nxorën nusen nga aty. U ngjit malit përpjetë deri sa kaloi në anën tjetër. Dikush i bërtiti me të madhe kameramanit të nxitonte të filmonte nusen teksa mbante fustanin me njërën dorë dhe ruante ekuilibrin gjatë kohës që ecte me të vëllanë mbi gurët e malit. Aty nusja u nda me babë e nanë.

Na ndiqni në:
Follow by Email
Facebook
YouTube
Instagram

Lini një Përgjigje