Ç’të lexojmë për 8 Mars pas 8 Marsit?

nyje.al | 08.03.2020

Në fotografi Kaliopi Plasari, folësja e parë në radio Tirana, vitet '30.
Në fotografi Kaliopi Plasari, folësja e parë në radio Tirana, vitet ’30.

 

Sot, në larushinë e manifestimeve për 8 Marsin vajzat e Nyjes që janë njëherazi dhe bijat e grave që punojnë në fasoneri e ndjejnë të domosdoshme komunikimin intim me tjetrën, e cila ende ka diçka për t’u thënë, ende për t’u treguar. Në nëvojën për të gjetur përkatësinë dhe për të identifikuar atë çka konsiderohet e qënësishme në ditë si këto, u jemi drejtuar disa prej grave të cilat e vazhdojnë përpjekjen e tyre për emancipim dhe progres pa ceduar prej vetes, për veten e përmes vetes për të tjerët. Studiueseve dhe profesionisteve, secila e dalluar për kontributet e dhëna në fushën e vet, u kemi drejtuar një pyetje e cila do na ndihmojë ta njohim edhe më shumë, edhe më thellë botën tonë dhe ngjyresat e saj nëpërmjet teksteve dhe fjalës.

T’i tregosh bibliotekën dikujt është një gjest intim, si t’i japësh hartën turistike të vetes…thuhet në një poezi të Luljeta Lleshanakut. Ndaj në ditë të tilla ku zëri që përnaltësohet për liri e barazi në sheshe, është më i paktë se ato britma të vetëpërmbajtura nëpër shtëpia, nevoja për të mbërritur deri atje ku shpreson por nuk ta merr mendja nuk ka të sosur.

Më poshtë, 7 studiuese e profesioniste nga fusha e kriminologjisë, antropologjisë, gazetarisë, ligjit, psikanalizës, historisë dhe artit iu përgjigjen pyetjes:

Nëse do të zgjidhnit vetëm një libër i cili ka qenë më i rëndësishmi për ndjeshmërinë/mendimin tuaj lidhur me çështjen e grave, cili do të ishte ai? Cila është rëndësia e këtij libri për ty dhe të tjerët?

Jemi të vetëdijshme se ekziston një hendek i madh mes britmave të vetëpërmbajtura të grave shqiptare dhe teorive e praktikave emancipuese feministe botërore. Mungesa e përkthimeve dhe botimeve feministe është shenja e këtij hendeku mbi të cilin na duhet të ndërtojmë një urë. Ky artikull është një nga përpjekjet.

Brunilda Pali zhvillon aktualisht studimet post-doktorale në Institutin e Kriminologjisë Leuven në Fakultetin e Ligjit në Belgjikë, me projekt kërkimor “Utopia Restorative në kohë distopike”. Formimi i saj akademik është ndërdisiplinor dhe përfshin fushën e psikologjisë, studimeve kulturore, studimeve gjinore, kriminologjisë dhe drejtësisë restauruese. Aktualisht është Sekretare e Bordit drejtues të Forumit Evropian për Drejtësi Restauruese (European Forum for Restorative Justice).

    Të jetuarit e një jete feministe, Sara Ahmed

Patriarkati është kudo, por unë jam rritur mu në zemër të një patriarkati tejet të ashpër: 18 vitet e mia në Shqipëri dhe 10 të radhës në Turqi qenë një laborator jete për fermentimin e ndërgjegjes sime feministe. Ndjekja e studimeve gjinore si pasojë ishte për mua jo vetëm e vetëkuptueshme, por çështje jete, një strategji për mbijetesë dhe transformim. Kam lexuar dhe dashur shumë feministe, dhe e kam ndërtuar linjën e paraardhëseve të mia në feminizëm obsesivisht, këmbëngultazi, rigorozisht dhe plot uri për të. Secila prej veprave feministe që kam lexuar në fillimet e të njëzetave të mia ma ka ndryshuar jetën, Judith Butler, Nawal el Saadawi, Angela Davis, Fatma Mernissi, Toni Morrison, Adrienne Rich, Audre Lorde, bell hooks, Gloria Anzaldua. Dhe megjithatë, do të zgjedh një libër që ende vazhdon me ma ndryshu jetën edhe sot e kësaj ditë që jam te të dyzetat: ”Të jetuarit e një jete feministe” nga Sara Ahmed.

Në 10 vitet e fundit kam punuar në një universitet në Belgjikë, i supozuar si nga ato vende ku nuk ndihet patriarkati, të paktën në krahasim me vende të tjera. Dhe megjithatë, kurrë nuk e kam ndjerë atë kaq kundër siç e kam ndjerë kur isha në ‘majë-të-majave’. Të jetuarit e një jete feministe ven në punë teorinë feministe aty ku mendonim se puna e saj ishte kryer. Libri është një manifesto i cili na mbështet jo vetëm t’u mbijetojmë institucioneve, por kolektivisht t’i transformojmë ato. Si një akademike e mëhershme, Sara Ahmed u dorëhoq nga Universiteti i saj ku e kishte sfiduar vazhdimisht normalizimin e sulmeve seksuale në mjedisin e saj akademik, dhe me t’u bërë tepër e frustruar me (jo)përgjigjen institucionale mori vendimin për dorëheqje. Për Sara Ahmed, teoria feministe gjindet në jetën e përditshme dhe në përvojat e zakonta të të qenurit feministe në shtëpi dhe në punë, por mënyra sesi ne mësojmë prej këtyre botëve është falë përpjekjeve tona për t’i transformuar ato.

Nuk është e lehtë me qenë feministe dhe Sara Ahmed ka shkruar një përmbledhje të fuqishme, grishëse për mendimin dhe ngadhënjyese të asaj që nënkupton me feminizëm. Fjalët e Sarës janë të gjalla për mua, konceptet e saj të djersitura, vizuale dhe konkrete. Kundër-figurat e ‘feministes qejf-prishëse’, ‘vajza vullnetplotë’ janë vajza dhe gra që i shoh dhe i njoh, me të cilat identifikohem. Unë jam ato. Përmes çdo fjale dhe faqeje, Sara me jep gjuhë, më ngadhnjen, më emocionon, më bën të qesh, më sheh dhe më mbështet. Të lexosh Sarën është të ndjesh ngrohtësinë dhe forcën e motër(sisë) përqafuar përreth teje.

Sara Ahmed shpërfaq kompleksitetet dhe vështirësitë e të qënit “feministja” përreth dhe mënyrat përmes të cilave të tjerët na pozicionojnë pavend në këtë drejtim. Përmes emërtimit të problemit ne bëhemi problemi. Sara tregon sesi racizmi dhe seksizmi vazhdojnë të funksionojnë përmes shpërqëndrimit të vëmendjes tonë nga shkaqet strukturore, dhe përmes përqëndrimit të vëmendjes mbi efektet (denoncimi i racizmit dhe seksizmit). Për të tjerët ne bëhemi feministja qejf-prishëse. Ajo çka është subversive në veprën e Sarës është se argumenton nevojën me e përvetësu atë identitet dhe atë pozicion: feminizmi është një ushtri qef-prishsesh që veprojnë në botë. Të jetuarit e një jete feministe, na ofron mjete praktike për sesi të jetojmë një jetë feministe, duke forcuar ndërlidhjet mes teorisë feministe dhe të jetuarit e një jete që e mbështet atë.

Eli Krasniqi është antropologe, feministe, shkrimtare. Ka përfunduar studimet e saj master në degën e Sociologjisë, në “The New School for Social Research” New York. Eli është themeluese e Institutit për Studime në Shoqëri dhe Kulturë –Alter Habitus. Ka përvojë si lektore në lëndën Mendimi Kreativ Kritik në Universitetin Amerikan në Kosovë. Njihet ndër lexues për krijimet e saj poetike dhe dramatike me theks feminist. Pas përfundimit të studimeve doktorale në Universitetin “Karl Franzens” në Graz të Austrisë (2018), vazhdon punën e saj në të njëjtin universitet si ligjëruese për “Feminizmat në islam” dhe “Teoritë feministe dhe aktivizmi feminist në Evropën Juglindore”

Librin “Krijimi i Patriarkatit” (The creation of Patriarchy) nga Gerda Lerner, e botueme me 1986, e kam hasë relativisht vonë. Por më kujtohet që ishte nji gëzim i vërtetë, gjatë kohës që po lexoja po kuptoja gjana të reja e besa edhe po i vërtetoja dyshimet por që nuk kisha pasë ku me i mbështetë më parë. Ky libër ishte i randësishëm për mu për me i shembë disa ide siç ishte matriarkati. Gerda tregon se nuk ka pasë dëshmi shkencore për ekzistimin e nji sistemi të tillë. Gerda më pas shkruen për qasje të ndryshme nga shkenca e religjioni që kanë kriju konstruktin e patriarkalizmit dhe që i kanë kufizu gratë në idenë e të qenunit ma të dobta, ma pak, ose thjeshtë në atë se çka tradicionalisht konsiderohet që asht gruja. Në këtë libër, ajo sjellë dëshmi që i shembin këto konstruksione. Ndërkaq viteve të fundit, Sandra Harding, sidomos libri Shkenca nga poshtë: Feminizmat, Postkolonializmat dhe Modernitetet (2008) mbetet fascinimi jem. Këto libra, e të tjera, njikohësisht më bajnë me qenë përulësisht mirënjohëse shkencëtareve feministe.

Elsa Demo është gazetare prej vitit 2000, pas përfundimit të studimeve letrare në Universitetin e Tiranës. Është autore e artikujve të shumtë, eseve, reportazheve dhe analizave që trajtojnë kryesisht çështje të kulturës shqiptare gjatë periudhës së tranzicionit. Televizorin e ka provuar si autore e emisionit “Takimet e Kulturës” pranë ABC news, “Arkapia” në Ora News, dhe aktualisht emisionin “Artes” në RTSH. Ka përfunduar studimet doktorale pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, dhe prej më shumë se dy vitesh është lektore e gazetarisë në Universitetin e Elbasanit.

Editoria jonë është e varfër me botime të mendimit feminist (apo nga perspektiva e një kritike feministe). Diku një de Beauvoir, një Woolf apo një Paglia, kanë ardhur shqip si shije leximi të botuesve vendas, jo si qëndrim apo angazhim feminist. Nga vajzat e reja që po angazhohen në fushën e botimeve, pritet që diçka të ndryshojë edhe në krahun e pritshmërisë populiste nga feminizmi.

Sugjerimi i vetëm një libri do të ishte si të kërkosh një “bibël mbi feminizmin”. Jeta është e shkurtër për ta harxhuar kohën me libra që mësojnë si të kesh një qëndrim, në një botë ku njeriut i imponohet pasja e një qëndrimi, e ca më tepër i mësohet si ta përdorë atë qëndrim për t’u bërë pjesë e një grupimi a një fronti ku është i nevojshëm përqafimi i një ideologjie dhe një strategjie për ekuilibër gjinor.

Do preferoja më tepër të zhytesha në një atlas për ndërtimin e trupit të njeriut apo të kafshës.

Pyetja juaj kërkon që “çështjen e gruas” ta kufizojmë në epokën e modernitetit dhe postmodernitetit kur lind dhe harliset një mendim mbi të qenët grua, barazinë gjinore dhe dominancën mashkullore, kur krijohet fjalori për të emërtuar me saktësi nga pjesët e njohura e të panjohura të trupit femëror, deri tek raportet me pushtetin politik, ekonomik, shoqëror.

Megjithatë, nuk besoj se literatura feministe e tejkalon njohjen racionale dhe ndijësore që mund të na japë letërsia e mirë dhe e vërtetë nga njëra anë, dhe përvoja personale nga ana tjetër.

Është i çmuar, për mua, leximi i “Medeas” së Euripidit, ku përvijohet ndarja e roleve gjinore, seksuale në parahistori, prej nga vjen perceptimi inferior i gruas në shoqëri. Apo “The Subjection of Women” (1869) i John Stuart Mill-it ku thuhet që përpara se t’i kërkosh një shumice të heqë dorë nga disa parime me të cilat është rritur dhe edukuar, do duhet t’i kultivosh arsyen asaj shumice e cila u beson fort zakoneve dhe ndjenjës së përgjithshme: “Pabarazia e të drejtave midis burrave dhe grave buron nga ligji i më të fortit… Duket si paradoks në një kohë kur ka ndodhur progresi i qytetërimeve dhe përmirësimi i ndjenjave morale të njerëzimit nuk lejojnë të praktikohet ligji i më të fortit.” Ka autore feministe (amerikane kryesisht) që e kanë nisur fluturimin prej kësaj vepre të Mill-it për të përfunduar në një strategji të orientuar keq.

Nisur nga mitet e Medeas dhe Kasandrës, shkrimtarja gjermane Christa Wolf  shkroi dy romane homonime që i shoh si maja të letërsisë së shek.XX dhe si përgjigje ndaj mendimit feminist të sotëm që e ka qendërzuar çështjen tek seksi dhe trupi jo si tema të përjetshme, ontologjike, politike, por si çështje organesh. E njëjta frymë dominon debatin në Shqipëri, nëse mund të quhet debat përplasja orale në hapësirën televizive ku kryetarja e shoqatës me fonde ambasadash (siç do thoshte “ai”) dhe maçisti në parlament, rrugë dhe kudo (siç do thoshte “ajo”) imitojnë rolet e jetës në ekran.

Romanet e Elfride Jelinek-ut – për të kuptuar se “njeriu ka nevojë për njeriun që ta përballojë jetën” – nëse do të lexoheshin me po atë vrull me të cilin gratë dalin në marshim, 55 shoqatat dhe eminencat e tyre me pushtet por pa ndikim, do ta kërkonin veten diku tjetër.

Për të njohur efektin në kohë në “çështjet e gruas” që kanë pasur paragjykimet historike, nga Veriu në Jug, Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe Kanuni i Labërisë mbeten dy burime të nënvlerësuara. Janë libra të famshëm por pak të lexuar e të studiuar.

Për fillimet e epokës moderne, ja vlen leximi i autobiografisë “Jeta ime” e Sevasti Qirjazit dhe gjithçka po del në dritë nga Parashqevi Qirjazi. Të dyja formuan shoqërinë e parë të gruas “Yll’i i Mëngjesit” më 1909. Parashqevia boton edhe revistën me të njëjtin emër.

Informacion me interes japin reformat për mbrojtjen e të drejtave të grave që propozoi krahu liberal në fillimet e shtetit të ri shqiptar: mendimi i Mehdi Frashërit, Ali Këlcyrës, Stavro Vinjaut (thoshte ky i fundit: “Gratë tona të preferojnë shkeljen e kanunit, por të mos shkelin nderin dhe ndërgjegjen e tyre.”) dhe intelektualë të brezit që kultivoi neoshqiptarizmën, Branko Merxhani, Vangjel Koça, apo Ismet Toto.

Të zhytura në pluhurin e arkivave dhe bibliotekave janë revistat për gruan botuar në vitet 1920-‘40. Kaliopi Plasari shkruante në revistën “Shqiptarja” më 1930: “Gruan, për të mos i dhënë të drejtat e saj, ligji s’e njeh për njeri, por për gabimet dënohet si njeri.”

Përndryshe, ta citosh literaturën e huaj mbi barazinë gjinore (edhe transgjinore), jashtë një konteksti të zhvillimit shoqëror shqiptar dhe duke injoruar burimet për pozitën e gruas në vendin ku jetojmë, do ishte vanitet.

Irena Dule është studiuese dhe avokate pranë qendrës ligjore “Res Publica” në Tiranë. Me një përvojë 20 vjeçare në profesionin e avokatisë, ajo ka mbrojtur çështje ligjore me rëndësi publike në Shqipëri në përkrahje të grupeve të margjinalizuara, gazetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile. Ndjek me vëmendje propozimet dhe ndryshimet ligjore me perspektivë gjinore. Përpara se të ashpërsohen dënimet penale për dhunën ndaj grave, ajo shtron se është e nevojshme një punë rigoroze hulumtuese e studimore mbi dhunën dhe parandalimin e saj në gjenezë.

Feminizmi si lëvizje më ka ngacmuar idetë që në vitet e rinisë së hershme e deri sot. Nga vërejtjet e mia kam konstatuar se është keqkuptuar dhe keqpërdorur si rrymë në ditët tona, më shumë se në kohën kur ka lindur. Për feminizmin kam menduar e reflektuar mes bisedave me miq, thënë kjo me rezerva do mund të sugjeroja me bindje ndonjë tekst të plotë e që ezauron të gjitha pyetjet tona. Vështirësia për sugjerim më shtohet edhe pse hyj te ato që nuk i kam dhënë përgjigje shumë pyetjeve të mia. Megjithatë me interes kam lexuar librin “The manipulative man” (1971) nga Esther Vilar, sugjeruar nga një mik. Më ka lënë mbresa (pa i emërtuar si të mira apo të këqija). Edhe pse shkruar para shumë vitesh, për nga konceptet është po aq i vlefshëm edhe në kontekstin e sotëm teksa lëvizja feministe nuk ndjek të njëjtat nevoja kur u shkrua libri.

Ky libër orienton lexuesin drejt ndikimit që ka pasur feminizmi në jetën në çift dhe atë familjare, kryesisht.  Është pasuar nga një tjetër libër i po të njëjtës autore “The polygamous sex, the man’s right to the other woman”.(1976)  Të dy librat, do sugjeroja të lexohen së bashku për të kuptuar më mirë idetë që do të përçojë autorja dhe që kanë të bëjnë me gjetjen e një ekulibri në jetën mes dy gjinive, duke kuptuar së pari gjininë tjetër, në vend të përqafimit të dogmave dhe leksioneve të mësuara përmendësh se si duhet të sillet një grua për të “përfituar nga jeta e një burri” ose si duhet të sillet ajo për të qenë me “standarde”, pa i kuptuar në thelb arsyet.

Të dy këta libra në leximin tim të parë më kanë “indinjuar”, por pas reflektimeve të mëvonshme mbi to, parë në një kontekst shoqëror të caktuar, duke filtruar ekzagjerimet,  i kam kuptuar dhe gjetur si më të sakta idetë kryesore të autores edhe pse nuk kam qenë dakord me të gjitha vështrimet e saj.

Leximi i tyre më kanë ndihmuar të vë në pikëpyetje realitetet rreth meje dhe jo të merrja përgjigje përfundimtare apo konkluzione mbi feminizmin. Nga përvoja ime, bazuar dhe te leximet e tjera si dhe ndjekja nga larg e lëvizjeve masive si feminizmi që kërkojnë të revolucionarizojnë përmes mekanizmave që imponohen, duke u përdorur shpesh si armë kundër gjinisë tjetër, sjellin po aq efekte negative sa edhe pushteti abuziv patriarkal. Feminizmi sot ka shumë sfida, e ndër të tjera brenda për brenda grave: ç’instrumentalizimi i saj për vëmendje elektorale dhe ekonomi politike, shpërfaqja e gjuhës që dekodifikon jetën dhe profesionin përballë gjuhës së parafabrikuar në show televizivë, dhe mbërja e saj artizanale kundrejt  tendencës se të qenurit të feminizmit si modë.

Klodiana Turhani-Bardhoshi është specializuar për psikologji klinike në Universitetin e Strasburgut 1 « Louis Pasteur ». Për disa vite është lektore e lëndëve Psikologji klinike, Psikopatologji, Teknika Vlerësimi pranë Universitetit Europian të Tiranës. Autore e një sërë artikujsh dhe projektesh kërkimore, ndër të tjerë mbi amësinë në kushtin e mbijetesës (Pritshmëritë e një nëne rome që bëhet prind). Aktualisht është drejt pëmbylljes së studimeve doktorale në Universitetin Nice Sophia Antipolis, në Francë.

Bija – Gruaja

Unë do të zgjidhja dy libra « …sa u tund jeta.» (1944) të Musine Kokalarit që flet për bijën apo kalimin nga vajzëri në nusëri në periudhën para komunizmit në Shqipëri, dhe së dyti, librin « Dashnori » (1984) të Margerite Duras që rrëfen historinë e një vajze që bëhet grua, por në një kontekst kolonial, në Indokinën e largët, edhe në këtë rast ngjarjet vendosen para Luftës së Dytë Botërore. Arsyeja pse këto dy libra është se në të dy veprat flitet për vajzërinë dhe marrëdhëniet me nënën sa të ndryshme, aq edhe të ngjashme në shqetësimin e tyre të përbashkët: martesa e bijës.

Bija

Libri:  « …sa u tund jeta.» flet për shqetësimin e nënës që « vajzai u-bë për burë ». Rrëfimi na flet se vajza është e huaj në shtëpinë e vet.  Kokalari shkruan: « Vajza kur ritet, është perdhe në si për nënën, ferë në derën e babait. »  Në libër bija Xhemileja vajza e Haxhi efendiu, nusja e ardhshme e djalit të Mirteza agaj, nuk ka zë, por as djali. Fokusi është familja e djalit. Vajza veçse është aty, prezent në çdo hap të librit, por « Golë ka e golë s’ka. » na thotë shkuesja teto Haxhua. Kokalari na përshkruan kalimin nga vajzëria drejt nusërisë duke na treguar se si ndodh proçesi i mblesërisë: vjehrra « zë nuse djalit », vajza « …. zënë tek burri », familja e vajzës mblesërinë e quan «gazi i vajzës ». Kokalari tregon zakonet si jepet nuse një vajzë, tregon ritualin nga:  « dita e nishanit », « vizita e vjerrës », deri te « nishani i imamit 1001 grosh ». Së dyti procesin e zbukurimit të nuses si « dita e vetullave », « dita e kënasë… », « nat’ e kënajt ».  Së treti, « nata e brumit ».  Së fundmi, e mbyllë me « dit’e nuses »,  « nat’ e dhëndërit » , duke i shoqëruar me tekstet e këngëve për çdo rast.

Musine Kokalari e lë pa zë bijën në njëjës, por i ka dhënë zë vendit që ka bija në kulturën tradiconale para komunizmit në qytetin e Gjirokastrës.  Për Musine Kokalarin « …sa u tund jeta.» është pasqyra e një bote të perënduar ku, jeta e burrit dhe e gruas janë të ndara. Ku, vajza është e robëruar nga zakonet, besimet dhe fanatizmat oriental. Jashtë rrëfimit « …sa u tund jeta.», Kokalari shkruan se dëshiron që gruaja të jetë përgjegjëse për veprimet e veta, pjesëmarrëse në ngjarjet e kohës, e vetëdijshme për atë çfarë kërkon të dijë se ku jeton dhe pse jeton,  si dhe cilat janë të drejtat e saj. Kokalari kjo bijë që diti të flasi kaq kthjellët mbi ambivalencën që ka « shtëpia e jetës » që kupton martesën, na lë mbas rezistencën e saj ndaj sistemit më të egër komunist, jo në libër siç do të kishte dashur « bija »,  por  me jetën e saj.

Gruaja

Libri « Dashnori » i Margarite Duras na flet për disa dashuri nga më të veçantat. Ajo përshkruan marrëdhëniet fuzionale të nënës me djalin e madh; për marrëdhënien dashuri-urretje, nënë-vajzë. Duras e përshkruan me mjeshtëri kontekstin ku ngjarja zhvillohet. Tregon fatin e një gruaje të ve me tre fëmijë, tregon historinë familjare, na flet për vajzën/gruan brenda trupit të fëmijës. Syri i saj është i ftohtë, i kthjelltë, sfidues edhe kur ngjarjet janë fatale. Heroina e saj kur flet për nënën tregon se: « Unë pata fatin të kem një nënë të dëshpëruar nga një dëshpërim kaq i pastër sa vetë kënaqësia e jetës, sado e fortë të rastiste, nuk arrinte të zhdukej.».   Duras tregon për vajzën që nëna e linte të vishej si një fëmijë-prostitutë. Heroina lexon mendimet e nënës dhe i trupëzon me akte. Duras shkruan mbi mendimet e nënës:  « Mbetej vetëm vajza e vogël që ishte rritur dhe që, ndoshta, një ditë do të dinte si mund të futej paraja në shtëpi. [ … ] …fëmija e kuptoi fare mirë se si duhej ta kthente vëmëndjen që tregonin të gjithë ndaj saj në para, që ajo të sillte para.». Subjektet e saj dashurojnë, dëshirojnë, ajo flet për dëshirën në formën më natyrale që jo të gjithë dinë ta kuptojnë se çfarë janë për tjetrin.

Heroina e saj e di, çfarë është për tjetrin. Tjetri « burri kinez » dashnori është nën mëshirën e saj, ajo lexon frikën e tij. Ajo është shumë e kthjellët, por jo banale sepse i lë të hapura ndjesitë e saj.  Duras flet për femëroren më mirë se një psikanaliste. Ajo shkruan: « Dija se nuk ishin veshjet që i bënin gratë më shumë apo më pak të bukura, nuk ishin përkujdesjet e bukurisë, as çmimet e kremrave, as gjërat e ralla, as çmimi i stolive. Dija se tërë puna qëndronte diku gjetkë. Po se ku nuk e dija. Dija vetëm se nuk është atje ku kujtojnë gratë se është. ».  Duras na rrëfen si bëhesh grua.

Unë doja të flisja për një rrugëtim timin në lexim, për frymën e lirisë që jep freskia e shfletimit kur, konstatoj gra me zë, të qarta për t’i shkruar lirisë, shtigjeve të reja që duan të kapërcejnë. Gra në shumës, të veçanta, dhe rrëfime subjektive, ato nuk kanë shqetësim si perceptohen ato duan të rrëfejnë një gjëndje, një afekt, ato flasin për frikërat, dhimbjet, traumat, ….. Tjetri me të cilin duan të komunikojnë mund të jetë një grua, një nënë, një burrë, një baba, një vëlla, mund të jetë edhe shoqëria, edhe shteti, por edhe Zoti.  Ato vendosën të jenë gra në letra, të lira, ndoshta të përjetshme.

Musine Kokalari (1944) « …sa u-tunt jeta.» Vepra e zgjedhur 2, Botim anastatik i përgatitur nga Bibloteka Kombëtare e Shqipërisë. Deaprint, Tiranë 2017.

Margerite Duras (1984 ) Dashnori. Përktheu Nasi Lera. Shtëpia Botuese Dituria. Tiranë 2002.M

Mrika Limani-Myrtaj është historiane dhe hulumtuese e pavarur në Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë. Ka kryer studimet master në Universitetin Uppsala, Suedi në programin “Studime për Holokaustin dhe gjenocidet”. Është autore e shumë artikujve dhe studimeve shkencore brenda dhe jashtë vendit, e ligjëruese në një sërë konferencash kombëtare e ndërkombëtare, me fokus të veçantë dhunën e përdorur në Kosovë në shekullin XX. Si historiane e ndjen përgjegjësinë e ndërtimit të rrëfënjave të reja mbi historinë e Kosovës, duke evituar selektimin paraprak të fakteve historike nëpërmjet përdorimit të metodave objektive. Aktualisht vazhdon studimet doktorale në Universitetin e Prishtinës.

Për mua libri i Juliet Mitchell Woman’s Estate është një libër që ka pasë ndikim në disa mënyra për rritjen e ndjeshmërisë për çështjen e grave. Përpos që e jep një përshkrim historik të lëvizjeve feministe nga vitet e ’60 nga shekulli i kaluar, ai ofron edhe një përshkrim për kalitjen e ideve anti-konsumeriste si proces i natyrshëm i rrjedhës së përfshirjes brenda lëvizjeve feministe, si anti-tezë e kapitalizmit të avansuar – gjë që ka rëndësi të posaçme në ditët e sotme, sidomos po të shikojmë ndërtimin e industrive të bukurisë si konsumerizëm i skajshëm. Këtu duhet të shohim edhe elementin shtypës të konsumerizmit vis-a-vis këtyre industrive, përderisa në shkallë të caktuara ato ia imponojnë grave performacën në një kallëp të asaj se çka mund të konsiderohet e bukur ose atraktive (dhe njëkohësisht i krijojnë mekanizmat për përsëritjen e këtyre kallëpëve përmes përbrendësimit të patriarkatit në mes të tjerash, dhe ndikon në rregullimin e sanksionimit shoqëror kur gratë nuk i përshtatën këtyre kallëpeve.)

Ky libër na ndihmon të kuptojmë edhe mënyrën sesi janë ndërlidhur shtypjet me strukturat e klasave shoqërore, ku të parat janë të konstruktuara në atë formë që të ripërtrihen gjeneratë pas gjenerate, në këtë mënyrë duke e pamundësuar revolucionin dhe duke e mirëmbajtur shtypjen. Kjo përkthehet në mënyrë të drejtpërdrejt edhe te lëvizjet për barazi të afrikano-amerikanëve (si Black Power) dhe lëvizja për të drejta civile (Civil Rights movement), të cilat janë ngushtë të lidhura me luftën feministe për çlirim.

Mitchell është e vetëdijshme që çlirimi i grave nga shtypja sistematike e patriarkatit nuk do të ndodhë pa ndonjë luftë, dhe kjo na vetëdijëson më shumë se kjo betejë është e përhershme dhe nuk është homogjene – është e vetëkuptueshme që duhet të jemi të vëmendshëm ndaj ndërthurjes ndër shtresa të shtypjes që buron nga patriarkati dhe kapitalizmi.

Këtë pikë ajo e prek edhe kur flet për hyrjen e grave në sferën publike të punës si pjesëmarrëse të fuqisë punëtore. Ajo argumenton që edukimi i saj ka qenë i lejuar, por vetëm deri në një masë që do i kualifikonte gratë për punë të ‘jakëve blu’ (blue collar). Këtu ajo hedh dritë mbi sistemin e ndërtuar që shfrytëzon fuqinë punëtore të grave dhe më tutje e pamundëson që ato të arrijnë pozita me pushtet, gjë sërish na jep një perspektivë klasore edhe gjinore të shtypjes brenda hierarkisë së pushtetit.

Nga libri kuptojmë edhe format sesi gratë janë të shtypura: prodhimi (si modë e prodhimit), dobësia fizike si mjet i shtrëngimit (konstruktimi i pozitës inferiore sociale); dhe riprodhimi si modë e prodhimit si mjet për kontroll dhe shtypje të mëtutjeshme (përderisa nuk është në mënyrë vullnetare).

Përmes kësaj ne e kuptojmë më lehtë sesi përvojat personale e të qenit grua (dhe invazioni i thellë në këto sfera) përkthehen në lëvizjen politike për çlirim, pra që personalja është politike.

Woman’s Estate nuk e konsideroj vetëm si antologji të zhvillimit të lëvizjeve feministe në shekullin e XX, por edhe si vegël epistemologjike për kuptimin dhe luftimin e shtypjes shumështresore që e përjetojnë gratë në një sistem global patriarkal dhe kapitalist.

Valentina Bonizzi është artiste. Krijimtaria e saj hedh dritë mbi çështje të drejtësisë sociale të komuniteteve me të cilat ajo ndërton raporte të ngushta njerëzore dhe besimi reciprok. Duke e përjetuar në vetën e parë ndjesinë e të huajës dhe emigrantes, artistja italiane ka punuar me komunitete të vendeve me gjeografi dhe kultura të ndryshme: në Skoci, në qytetin e Molizes në Itali, në kampin e refugjatëve Deheisheh në Palestinë, dhe përgjatë dy viteve të fundit në qytetin e Kamzës, në Shqipëri. Gjatë qëndrimit në Shqipëri ajo ka realizuar filmin e shkurtër “Homazh për Kafkën”; publikimet “Shënime për një deputet” dhe “Gjendja tranzitore e historive të mundshme”.  Prej tashmë tre vitesh jeton dhe punon në Tiranë.

Lumenjtë e thellë

José María Arguedas (Perú, 1958)

Pak nga studentët e Fakultetit të Letërsisë dhe Gjuhëve të Huaja në Verona frekuentonin kursin e letërsisë hispano-amerikane. Krahasimisht me auditoret plot me 300 studentë në leksione, në kursin e kësaj lënde ishim një grup i vogël prej 10 vetash të marrosur pas leximit. Mësuesja jonë Maria Cecilia Graña na shpjegonte historinë dhe letërsinë e autorëve, pa lënë pas dore në asnjë moment përvojën e saj në diktaturën argjentinase, vendit të saj të origjinës duke krijuar hapësira bisedimesh që mund të na përfshinin dhe fusnin në mekanizma historik nëpërmjet përvojës personale, në mënyrë të tillë që të na lejonin bashkëndarjen e kompleksitetit të psikologjisë së personazheve të romaneve që përpiqeshim jo vetëm të lexonim, por edhe të analizonim. Pavarësisht se tashmë kanë kaluar shumë vite, kujtoj me shumë qartësi pamundësinë e profesoreshës Graña për të na shpjeguar Lumenjtë e thellë të Jose María Arguedas, autorit peruvian, i publikuar për herë të parë në vitin 1958. Të kredhur në gjuhën spanjolle dhe në gjuhën e popullit indigjen të Perusë (Quechua), jemi gjendur përballë një natyre të dyfishtë të personazhit kryesor, të rritur deri në moshën 9 –vjeçare me popullsi indigjene, i cili më pas do të hynte në një shkollë të krishterë. Për shkak të ndryshimit për nga origjina dhe përkatësia klasore e tij dhe fakti që fliste gjuhën e të atit, komunikimi me ambjentin që e rrethonte nuk i lejonte të shprehte një ndjesi përkatësie. Lumenjtë e thellë janë kthyer, për përvojën time me tekstin, një formë rezistence e natyrshme dhe poetike – por edhe konkrete dhe e përditshme – në përdorimin e gjuhës dhe letërsisë në shërbim të fuqisë transformuese njerëzore. Kjo fuqi tranformuese shprehet nganjëherë, me autorë si Arguedas, në përjetimin e dështimit që vjen si pasojë e nevojës për identifikim në rolet tona, për ta tejkaluar atë më pas nëpërmjet rrokjes së bukurisë së hibrides, kaq delikate dhe po aq e domosdoshme.

Ky artikull u përgatit për botim nga Diana Malaj. 

Lini një Përgjigje