Bashkia e Kamzës në xhepin e Kryetarit

nyje.al | 22.06.2021
Në çështjet gjyqësore ku pala humbëse është shteti vendimet e shkallës së parë rëndom ankimohen automatikisht në Gjykatën e Apelit, pavarësisht nëse vendimi është haptazi i drejtë dhe i pakundërshtueshëm. Njëjtë ka vepruar Bashkia Kamëz kundër vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë e cila i dha të drejtë grupit të aktivistëve të Kamzës në pretendimin e tyre për më shumë transparencë në vendimmarrje nga institucionet lokale.

Vendimi e detyron Bashkinë Kamëz për të plotësuar programin e transparencës brenda një kohe shumë të shkurtër, pavarësisht nëse procesi gjyqësor vazhdon në shkallë të tjera gjykimi. Gjithsesi, para se të zbatojë vendimin e gjykatës, në fund të muajit Maj, Bashkia ka depozituar ankimin për në Apel kundër Grupit Ata. Kjo kundër-përgjigje institucionale duhet të bëhet publike, për shkak të domosdoshmërisë për të analizuar publikisht “vetëmbrojtjen” e institucionit. Bashkia percipiton në keqinterpretime ligjore deri në atë pikë sa i jep të drejtën vetes të kufizojë arbitrarisht të drejtat themelore të njeriut.

Në lexim të parë të ankimimit bie në sy përpjekja e bashkisë për të aluduar në motive të fshehura dhe tendencioze të aktivistëve. Kjo shfaqet si një tentativë për t’u mbrojtur përmes delegjitimimit të aktivistëve dhe jo ndaj akuzës së tyre drejtuar institucionit për mungesë transparence.

Më tutje, bashkia ankimon vendimin me argumentin se çdo gjobë që potencialisht mund t’i vihet do të rëndojë në buxhetin e saj. Gjithsesi, ky argument furacak ndaj përgjegjësisë institucionale dhe individuale ‘harron’ një element shumë të rëndësishëm: që gjoba, në rast moszbatimi të vendimit i drejtohet titullarit të institucionit, dhe jo buxhetit të bashkisë. Në parashtrime të tilla bashkia reflekton faktin se për të xhepi i titullarit edhe mund të barazohet me xhepin e fondit publik; ose e anasjellta; një bashki e tërë e futur në xhepin e një Kryetari.

Argument i shkëputur nga ankimimi i Bashkisë

Argument i shkëputur nga ankimimi i Bashkisë

Më tutje, juristi që ka përgatitur mbrojtjen ligjore parashtron se të drejtat e njeriut nuk janë absolute, si të tilla ato mund të kufizohen, dhe kriteret e kufizimeve vlerësohen nga institucionet vendimmarrëse. Pra, për Bashkinë zhvleftësohet Kushtetuta, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, parashikimet e posaçme ligjore; rolin total e arbitrar që bën kufizimet e merr vetë institucioni. Sipas tyre është Bashkia a Kryetari që vlerëson se kur, kujt dhe përse i duhet dhënë informacioni. Për këtë institucion nuk ekziston as parimi i proporcionalitetit, as parimi i interesit publik as ligjshmëria e kufizimeve dhe ky fakt është i shkruar e zezë mbi të bardhë.

Pandemia është tentativa e fundit për të justifikuar mbajtjen e fshehtë të mbledhjeve të këshillit bashkiak. Për ta, moslajmërimi i mbledhjeve të këshillit bëhet për të mbrojtur interesin publik dhe shëndetin e banorëve të Kamzës. E kundërta do të duhej të ndodhte në një kohë kur thuajse çdo aktivitet pune u zhvendos online. Edhe mbledhjet e këshillit bashkiak do të duhej të ishin lajmëruar në faqet zyrtare dhe të kishin siguruar pjesëmarrjen qytetare pa pasur nevojë për prani fizike të tyre, madje me lehtësi edhe më të madhe për administratën.

E mbushur me pretendime joligjore dhe në kundërshtim të hapur me ligjin, deri në cënim të dinjitetit të paditësve, Bashkia Kamëz ndërkohë do të duhej të kishte plotësuar tashmë programin e transparencës dhe të kishte njoftuar mbledhjet e këshillit bashkiak. Sakaq, vazhdon të përmohojë detyrimet e saj ligjore kundrejt qytetarëve të vet. Ndërkohë që pritet të dalë data e seancës në Apel, aktivistët e Grupit po merren me zbatimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë me qëllim hapjen e institucionit në proceset e rëndësishme lokale.
Për ankimimin e plotë të Bashkisë Kamëz, kliko.

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje