Banorët e Valiasit: Ende nuk dimë se ç’do të bëhet?!

Ronald Qema | nyje.al | 23.09.2020
Ndonëse shembja e pallateve në Valias ka filluar dje dhe vazhdon ende, shumë nga banorët, teksa shohin banesat e tyre duke u rrënuar, nuk janë të sigurtë se ku do ta fusin kokën pas përfundimit të procesit së rindërtimit. Mungesa e informacionit nga institucionet i ka shoqëruar për gjatë gjithë këtij viti dhe në të shumtën e kohës i vetmi burim kanë qënë thashethemet e përhapura në lagje ose takime informale me ndonjë punonjës të njësisë administrative.
Një nga banoret teksa pret që fadroma e IKMT të shembë apartamentin ku ajo jetonte prej shumë vitesh, thotë:
Në fillim nuk kam qenë dakord, nuk kam firmosur por pas tre ditësh erdhën nga njësia administrative dhe më thanë që “është për mirë dhe do marrësh aq metra sa ke”. Shpresoj të jetë kështu, por nuk kam shumë besim tek ky shtet se kanë vite e dekada që na gënjejnë.”

Zonja gjithashtu shton se është e pakënaqur me bonusin e qerasë dhe e pasigurtë se ç’do të ndodhë me punësimin e saj, pasiqë ngjitur me banesën ajo kishte dhe një dyqan në të cilën ishte e vetëpunësuar.
“Kam përfituar vetëm 150 mijë lekë bonus qeraje për shkak se jemi pak pjesëtarë në familje e normalisht ka qënë e vështirë përshtatja në një banesë të re me qera. Bashkë me shtëpinë kam pasur dyqanin 12m2 kurse tani kur të ndërtohen pallatet e reja nuk do kem mundësinë të marr një me qera se do ti ndërtojnë me sipërfaqe të mëdha dhe çmimi do jetë shumë i lartë.”
Rastet janë pothuajse të ndryshme në secilën prej familjeve, një djalë i ri nga zona na tregon:
Ç’të kënaqur? Se dimë si do na dalë. Kushërirës time që ka pasur 120m2 i kanë thënë që vetëm 60 do ti japin.”

Nga ana tjetër, ka banorë që edhe pse humbin disa metra nga hapësira që kanë pasur, shprehen se për ndryshimet e reja duhet sakrifikuar.
“Jam shumë i kënaqur, shyqyr që po bëhen. Kam pasur mjaftueshëm hapësirë e s’ka gjë pse pak nga ajo ia jap shtetit, përderisa po bëhet një gjë e re.”

Fadromat e IKMT kanë vazhduar shembjen pa hasur problematika pasi pothuajse të gjithë banorët janë zhvendosur në zona të tjera të qytetit dhe nuk ka pasur kundërshtim prej tyre. Të vetmit që i kanë shoqëruar ishin forcat policore, zjarrfikëse dhe banorë që jetojnë rreth e rrotull, që shembja e pallateve u ka dhënë një mundësi të vogël përfitimi ekonomik nga nxjerrja e hekurit për skrap.

Banorët e Valiasit i kanë sytë nga e ardhmja për të parë ç’do të ndodhë me ta, e përveç banesës kanë edhe halla të tjera që nuk ngurrojnë ti shprehin si më të rëndat të jetës së tyre. Zonja që foli për qeranë e banesës, pasigurinë se ku do jetojnë dhe çfarë do të bëhet me dyqanin e saj, i hedh të gjitha prapa krahëve kur mendon të ardhmen e së bijës.

“Vajza ime ka mbaruar studimet tek Shkencat e Natyrës me rezultate shumë të larta dhe ende ska asnjë mundësi punësimi. Tani kemi vajtur tek Zyra Arsimore dhe po bëjmë  çmos që ta marrin në stazh e pastaj shpresoj që ta marrin në punë.”

Valiasi ka hyrë në një fazë të re të ekzistencës së tij si një qytezë në periferi të Tiranës, pas fazave si ndërtimi i aeroportit, fermës apo minierës. E të gjitha këto periudha kanë ndërhyrë thelbësisht në komunitetin e banorëve, e mbetet për të peshuar pasojat që procesi i rindërtimit do lërë në këtë zonë.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje